Siç njoftojnë tani mediat gjermane, më 21 nëntor ndërroi jetë në një fshat pranë liqenit të Zürichut, Bettina Moissi dhe më 11 dhjetor ajo u varros në Berlin, pranë burrit të saj Heinz Berggruen, i cili ka qenë një koleksionist i famshëm i veprave të artit, shkruan Enver Robelli.
Më 15 tetor Bettina Moissi festoi ditëlindjen e 100-të, bashkë me familjen e saj. Djali i saj i madh Nicolas Berggruen është investitor gjermano-amerikan. Pasuria e tij vlerësohet në 3,1 miliardë dollarë. Djali tjetër, Olivier Berggruen, është historian i artit dhe shkrimtar. Nga një martesë tjetër ajo kishte vajzën Mikaela, e cila ka vdekur vite më parë.
Bettina Moissi u lind në Berlin më 15 tetor 1923, u rrit në Zvicër dhe ndoqi mësimet për aktore në München. Në vitet 40-të luajti në disa filma, më 1945 ishte e paraparë të jetë aktore në komedinë “Tregtari i Venedikut” të William Shakespeare. Meqë regjisori kishte përgatitur një version antisemit të shfaqjes, ajo kërkoi ndihmë nga një regjisor tjetër. Shpejt mbaroi lufta dhe projekti dështoi.
Më 1949 Bettina Moissi xhiroi filmin „Lang ist der Weg“ (E gjatë është rruga), i cili vë në fokus viktimat e Holokaustit. Më vonë ajo braktisi aktrimin.
Bettina Moissi së pari qe e martuar me Philip Rosenthal, një fabrikat porcelani dhe politikan socialdemokrat gjerman, mandej me shkrimtarin zviceran Werner Wollenberger dhe që nga viti 1959 me Heinz Berggruen, i cili ishte mik i Pablo Picassos.
Kështu e përshkruan Berggruen në kujtimet e tij njohjen me Bettina Moissi: «Sapo isha rehatuar më 1955 mbi lisat e Luxembourgut (park në Paris, v.j.), ndodhi diçka shumë më e rëndësishme për mua. Një mikeshë nga koha ime në München, Hermi, gruaja e aktorit dhe regjisorit Leonard Steckel, erdhi me njërën nga shoqet e saj për vizitë në Paris. Dama e re që shoqëronte Hermin quhej Bettina, dukej magjepse dhe kishte një natyrë po ashtu magjepse. Bettina, e pagëzuar nga prindërit e saj sipas (shkrimtares gjermane, v.j.) Bettina von Arnim, ishte, siç mësova, vajza e aktorit të famshëm Aleksandër Moisiu. Shumë shpejt unë nuk do të isha më beqar».
Berggruen ishte pronar i mbi 200 veprave të artit të Picassos, Matisse, Klee, Chagall etj. Ato mund të shihen në Museum Berggruen në Berlin.