Ese jo vetëm për poezit e Ton Zmalit
Që në takimin e parë me Ton Zmalin, në një ditë qershori të 1999 -ës në një klub në Athinë, ai mu prezantua me diçka nga malet. ”Pasha zotin më tha – jam krenar që e kam me vete” .
(Zmali = Za mali). Pastaj po të dëgjonte njeri bisedën tonë do të na merrte për të lajthitur:
– paske zbrit nga malet për tu bërë poet, o Ton Zmali?!
– Se mohoj! Nëse kam diçka të bukur në poezit e mia, dhe në karakterin tim, ktë e kam nga malet. Pastaj edhe ti nga malet vjen, apo jo.
– Po, i thash po unë jam zemërur me malet.
– Pse?
– Sepse kan shumë erë, sepse janë kryeneçë e të egër, sepse Dhembeli im, thotë se është lartësuar nga dhimbja……(Dhembel e dhembje)
– Sidoqoftë ,….
– Jo, Ton ! S’ka përse të mburremi me malet. Ata nuk i ka bërë njeriu.
– Sidoqoftë janë strehë e baladave, e orteqeve ;…janë të larta dhe…
– Se jemi ushqyer me baladat, prandaj jemi mjegullorë e kryelartë ?!
Toni e mori për lëvdatë e unë vazhdova:
– Nëse duhet të krenohemi sepse kemi lerë në male, në Dukagjin, në Dhembel, në Sopot, a në buzë të Drinit, kjo ska të bëjë me vlerat. Megjithatë dekorin malor e poetik të maleve tona, kjo ska të bëjë as me lartësit e poezise as të karaktereve. Disa metra mbi nivelin e detit është thjeshtë një kordinatë gjeografike. Poetët kanë të drejtë të lindin kudo nëse vërtet jan poetë, u japin edhe maleve emrin e tyre .
– Atje merr dritë syri, jep zë fjala e qyqet qeshin… recitoi Toni.
– Le të krijojm ”malet tona” i thash – tonat ; dhe një kodrinë, dhe një lule, një pemë a një puthje! Po të jetë orgjinale mbetet. Dhe nga pozicioni i fushës mund të lartësohesh. Por Ton Zmali nuk donte të zbriste nga malet. Më detyroi t’ia lexoj të dyja vëllimet me poezi, “Lulet e Ksenit” dhe “Dashuri të pashijuara’’. Kemi dy vjet që diskutojm, që grindemi e kritikojme njëri-tjetrin si miq të mirë. Na bashkon poezia, jo malet. Cikli i fundit i tij, botuar në gazetën e Athinës,”Malet e bardha”, nga vëllimi i tretë që po përgtit, më ngacmoi e më bindi që ky poet, larguar në fakt 900 kilometra nga malet e tij, sdo që sdo të zbres nga malet! Dhe s’do të kuptoj muzgun e simboleve. Më mori prej dore e më çoi në malet e tij. Frynte shumë erë mu vranë gjujët në shkrepa të thepisur; pashë humnera të frikshme. Mu duk vetja i lehtë si shpend e mushërit i ndera në ballkonet e qiellit. Ishte ajri i poezive që, sidoqoftë më mbushte mushkëritë…
Mali prej xhami
Është fjala për malin e ylbertë, krijimin poetik. Lënda është fjala, hiperbola “mashtruese” që ashpërsinë, madhështinë, egërsinë e malit nuk e sheh. Syri i poetit e përfytyron prej xhami.
“Dhe tokën, dhe shkëmbin, dhe shpendin prej kristali”. Shpirti i poetit është transparent, delikat prej xhami. Zmali ia ka hipur muzës poetike dhe retinat e syve i ka mbushur me tjetër dritë; ka membrana dielli e hane, e fijet dhe rrezet ndërtojne poezinë e tjetërsojne realitetin; “universin me tharm ëndrrash të tjera”, “miniera zërash” të tjera hine si Dragobia, Dukagjini,Golemi, Zagoria e prandaj te poeti “zemrat ngren kulla prej bore, qielli zgjohet e sytë i lanë”.
Natyrisht me sy të larë me lotë drite, ndriçojne (edhe parajsën ku gëzojne ëngjëjt) edhe shëmtitë; me sy të larë drite, bebja e syrit është më e mprehtë, por Toni u shmanget, u anshkalon honeve e hijeve të terrta. Është e drejta e tijë të krijojë realitet të tjera.” Mali prej xhami” është lehtësisht i thyshëm, por duhet të thyhesh shpirtin e poetit,! Me duket, mali e njeh tonin që në pelena, i ka dhënë emrin, zërin, forcën, e ka përkundur dhe e ka bekuar : “mbaje emrin tim, pije qumështin e borërave të mia, mitin e baladat e krahëhapur presin orteqet”.
Por poeti s’mund të ndalet pa kthimin në objektin e tij, “mali” e sapo zgjohet nga ëndërra si një domosdoshmëri, që të marrë forcë të re si Anteu, “fap” shkrepëtin, befasues e i trishtuar te, “Panteoni i gjallë i yjeve, meteorë mbi varre djeg”. Si shumë lartë më kishte çuar ëndërra, tepër qiellor e fluid mu bënë kta ëndërrime “malkrijesa margaritarësh” në vitrina ajrore, ndriçuar nga drita. Dhe befas, sikur vë dorën në sy të mbrojë atë, “syrin e lartë”, se vetë krijo një ëndërr me stuhi drite që e rrezikon me verbim. Ëndërra iku, pikë. Optika plastike, pikë. Në fund, si në hon të syrit mbetet trishtimi, trishtim poetik, i vetmi që ndërton ëndrra realiste, dmth. poezinë. Dhe megjithatë, edhe kur ndërton ëndërra të tjera, kudo te Ton Zmali, gjen erë malesh, kulla bore, shira e ylberë, gjithnjë hipur në ballkone bjeshkësh me ngjyra të ndezura, pa nuanca të ndërmjetme. Dhe zbriti prej tyre të bëhet poet!! Unë këmbëngul tek zbrija e Tonit, te e prekshmia, realiteti, te domosdoshmëria e ikjes nga parajsa e paqenë e nga vitrinat e ndritshme të iluzioneve romantike.
” Majat e hekurave”
Që në strofrën e parë skicohet portreti dhe toponomia e katundeve të gurta. ” Unë i përfytyrova prej mjergulle varur në një diell që fort po ndrin e pak po nxe” . Katunde të vjetra kockore -” moshë- tokë mbirë në qerpikë të malit “, ngrhina shkëmbi “me varre bajlozësh mbretërish, Sulltanësh, krajlësh “. Ky mal është ndryshe nga malet e tjera të Tonit.( Ktu Toni ka zbritur, fatmirësisht !). Është një mal i ngjeshur me mbeturina gjylesh topi. Shpellat ulurijne, zëri i tokës shkëmb, përtyp nga vetja e dot s’i tret. Shpella ulurijne, zëri i tokës shkëmb, përtyp nga vetja e dot s’i tret… Është një aliazh i patretshëme; ajo pjesa e mishit, indet e jetës, mishi i varreve, i patretshëm as në elegji?… Ç’ ka ngrënë ai syri i jeshilt nga uria e s’e tret dot?!…
Poeti vazhdon të zgjeroj kompozicionin epik me një dekor të përhershëm, të lashtë sa toka që dhe datat e ngjarjeve janë fosilizuar në rrathët e lisit të moçëm, e vitet s’kan kalendarë. Jemi në trojet e eposit; stinët e dimrat zgjasin shumë, por e thash këtu gjithçka e mishtë, jetsore vjen e ngurtësohet, kalcifikohet, materializohet. Ky dheu epik thith plumba e gjyle, hap skena pjerrimash bjeshkësh si muze i përhershëm, ku lëviz trupa ushtarësh te gjitha markat, arkat e plumbave e gjyleve që ka krijuar Evropa; gëzhojash si në poligone pasbetejash janë jashtë plumbat brenda, në nëndhe, në mish. Ky nëndheu ynë mallkim i zi, tërheq gati me forcë graviteti plumbat e vdekjes. Rezultati ?… I njëjtë kudo e kurdoherë: Janë thyer brijët e maleve nëpër flakë lufte; kudo e kurdoherë gropa.(Gropa dhe karaktere, zakone, kulturë, gropa në zyrat e shtetit që kurrë s’e panë si rregullatorë por forcë të verbër mbi ne). Dhe poeti ka të drejtë të dalë në përfundimin absolut :Malet kan ngrën hekur edhe rritën lartësitë heroikisht e pollën ”Majat e hekurave”. Kur doli në skenë hekuri e plumbi mbaroi eposi. Muji e Halili u mbyllën në një shpellë e nuk dolen më. Iku trimëria. Tani mund të shtroi edhe një copë plumbi sa thoji s’kemi emra herojsh, vetëm pasoja heroike, katastrofale deri në fatalitete. Mali rritet dhe pjell maja hekurash ! Fataliteti na është bërë toponimi, gati gati organik. Mali e ka të keqen në gjak, në genet e ushqyera në jeten e vet me lëndën e ashpër të vdekjes.
Mali i vetetimes – guri i rrokullimes…
Binomi interesant, realist. Letërsia dhe zbritja, maja dhe humnera. Një jetë në pjerrinë, në lëvizje drejt ndryshimeve të domosdoshme për të mirë e për të keq! Një jetë, jeta jonë në kërkim, në rritje. Një jetë në lëvizje, jo brenda ligjeve të rritjes nga poshtë lartë, por nga lartë poshtë. Ndoshta pozicioni i majave ka qenë ireal, romantik për ne shqiptarët që na ka pëlqyer dhe kryelartësia boshe. Në këtë poemë Zmali i ç’vlerson malet e tij, madje edhe ”Malin e vetmisë”, lartë në qiell atje ku retë ndezon e shkrepin rrufe. ”Gurët dhe karakteret po rrokullisen. Copa mali e shkëmbi kan nisur të thyejn qafën, rrokullisjen.Në fillim u trembën zogjt e braktisën folenë, ”nata ishte terr e shtëpia pa çati”.Është e çditëshme. Momenti i ikjes. Sa kontradiuktorë, absurd dhe i domonsdoshëm !(Ne, të mbyllur hermetikisht nën diktaturën 50 – vjeçare, kur diktatura ra, ikëm nga sytë këmët! Ligjet e ekzistencës paskan qenë më të fuqishme nga ligjet që na afronin me atdheun, gjthësesi me atë atdhe që e kishim krijuar edhe në këngë, irreal e jashtë nga vetja se kryeqyteti na mungonte; ai është diku në Stamoll, Moskë, Beograd apo Pekin! Dhe mungesa e një qendre, ku të ndenim duart për ngrohje na centripëtojë; na hodhi në rrugët e lëvizjeve dhe ndryshimeve dramatike).
Fusha e dramës s’është shesh, s’është e qëndrushme, por pjerrin që vjen e bëhet thikë e dramaciteti rritet dhe guri është i pandalshëm. Guri përfundon diku në honë, me krishjen dhe spërbërjen fatale të tjetërsimit ”dialektik” (jo nga gurë në mal por nga e kundërta).Është një skenë madhështore kjo e rrokollisjes së malit, e denjë për të luajtur aktorë e herojt e tipit të eposit, megjithatë poeti sikur s’mbushet. Ai vazhdon sa ma shume analizën, i shoqëron gurët jo vetëm gjatë rënies, por dhe atje poshtë në humnerë…
Atje,”ca muratorë dalngadalë me çekiçë e daltë, gurët i bën urë e murë ”pra lëndë për ndërtim. ”Ata të rëndët gurë ”, ata mqë kanë cilësira të tjera e bukurinë ( mermerin , diamantin, arin )” në errësirë i zgrapsen ca kuarë”. Grabitje dhe në rënje dhe në udhë, grabitje vlerash edhe në hon! Shikoni si ndritin vitrinat e kusarve!…
Nëse nuk i gjen dotë, kërkoni adresat e deputetve, ministrave!
Edhe në rënie diferencohen karakteret. Ka dhe të pathyeshem ata që nuk i njohin ligjet e shtypjes, që mundohen të ruajnë esencat ekzistenciale, vlerat. Këta ”përroi i marrë i përplasi kokë më kokë me zallishten e bardhë”. Dhe në honet e fatit paska desidencë! Por fundi është moçali i baltovinave…
Por Zmali nuk është autori i ”prishjeve”të mëdha, paçka se herë herë në shumë poezi, vrapon shesheve të dramës deri në fund.
Ka një moment kulminat kjo poezi, se autori gati e nënvlehtëson këtë që tha, rrokullimën. E me shpirtë edhe të trishtuar edhe krenarë, na thotë: Edhe mund të biem ne shqiptarët, edhe mund të na poshtërojnë, edhe mishion mund të na e bluajn, por kockën jo , dreqi ta hajë,! Shpirtin jo! ”Unori zjarrndezës” i takon origjinës, pra andej nga ka ardhë, prej andej nga ka rënë, nga mali i Vetëtimës, nga Labëria e Myzeqea, nga Bjeshkët e veriut apo bregdeti. Se sa e vërtetë është kjo poezi disi heroike është punë e autorit ; mua më pëlqen të theksoj mesazhin poetik aq të realizuar, njeriun e paepur shqiptarë , atë që di të humbasë dhe të fitojë, i gatshlm te ngrihet dhe nga baltovinat se ka një gen rebel që i qarkulon në gjak, shpirtin, produkt i shkrepjeve të mëdha andej nga ndez vetëtima,në mal: Me plumçin metalik në karakter, ngjizur në breza si aliazh metalik; me atë gurin prej stralli, që nga ç’do fërkim, përshkënditen e ndez se është shkëndi nga flakërima e vetëtimës.
Dhe mos u trembëni kur kta gurë i shohim rrokullimës. Ai është i fuqishëm, stoik e dinjitoz deri në dhimbje, i pamort edhe kur ligjet e tjetërsimit janë të egra edhe të kërkojnë edhe kokën….
Malet e qyqeshit…
I ka shkrepur Ton Zmalit të ndërtojë ”malet” e veta dhe hipën e zbret nëpër male. Është rruga e poezise. E pjerrët , thikë; ujë rrugë që shket e shket. Edhe kur bie edhe kur hipën nuk u ndahet maleve. I pëlqejn dekoret e të madhërishmes, lartësitë dhe bora, dhe orteqet, dhe ylberët që e hapin harkun nga një mal në tjetrin …
Paska një mal atje në veri, gati të pabesushëm e unik . Jo mali i zogjve, i thëllëzave, a i arijve të bardhë, por mali i Qyqeve…Menjëherë të krijon përshtypjen e malit kob, e malit që vajton , se qyqet me sqep morti kudo që janë qajnë. Por paska dhe qyqe që qeshin dhe qeshin kaq shumë atje, sa i gjithë vargmalit i kan dhënë emrin e qeshjes së qyqes- ”Qyqësh’…’
Nuk e di sa i vërtetë është ky toponim. Le të merren etimologët me të. Kur flasim për poezi e poetë, e fundit gjë që më shkon nërmend është e vërteta. Poezia merret me shenjat e kësaj bote, me pjesën ajrore të realitetit. Kurrësesi poezia s’mund tu përgjigjet enigmave të pamata të botës, ajo s’është adeguate si shkenca. Pokuptimet po përmbajtjet mund të pyesi dikush me të drejtë ? Realiteti (bota) është komplekse, madje e komprementuar në kuptimin e saj,e zhgënjyer me të vërtetat. Kjo thjeshtë se të vërtetat jan relative dhe të paplota. Kështu poezia kap e skripton, kap e seleksionon shenjat,; ajo luhatet mes aluzionesh dhe iluzionesh, prandaj edhe më i largohet realitetit.
Lënda e saj është fjala e zgjedhur, i gjithë figuracioni poetik, që emërton sendin, cilësin dhe veprimin indirekt. Këtu nisin enigmat e bukura të poezisë pra, tek ” shtrëmbërimi semantik i realitetit. F. Kafka thotë: ”Arti varet nga e vërteta, por e vërteta duke qenë e padashme, nuk mund të njihet” . E më tej : ”Të thuah të vërtetën dmth, të gënjesh. Shkrimtari është i vërtetë. Kur flet ai ”gënjen” .
Le të njohim tani nga afër gënjeshtrën e bukur të ”Maleve të Qyqshit”: T.Zmali ka hipur në një qilim fluturues e është nisur drejt vendëlindjes. ( E kush nuk i ka hipur ktij qilimi e kush nuk i ka zbritur në obirrin e shtëpis së vet?!) Rruga është ajrore qilimin e shtynë era. Gjithçka si në përralë. Atje, natën yjet ndezin abazhurë të kaltër e të gjelbër, ” shkëmbijt janë shtëllunga të bardha reshë …. ujëvarat kacaviren në sy, ylberët e qëndisur bien flurore mbi kulla, stane e çati ….; atje e prej andej, nga muzat e artgjendëta të hënës dhe bimët dhe lulet , dhe toka vijnë e bëhen këngë; atje dhe vetëm atje, ”mbi brirët e kaprojve thëllëzat ngrenë folenë, mbi nektarin luleborë, atje dhe vetëm atje, gumuzhijnë ndryshe bletët, lugjet e Drinit ( dhe të zagoris sime) ndrijnë e fustanet e vashave janë të thurura me fije të kaltëra rrezesh qiellore a pëlhura të holla, prerë nga gjelbërimi; atje, atje dhe vetëm atje ”çikat nën ruba ”
te mërrizi i lajthishtes, fshehin syrin e bukur si të drenushës …
Në këtë akuarel të ndezur, prerë nga koshti i Parajsës, nuk ka mundësi që qyqet të qajnë ! Është fjala për hapsirat e dashurise, për vendëlindje…
Kjo është gjuha e romantizmit, gjuha e ”zbukurimeve ” të tejkaluara, gjuha e dashurive të bardha, por… gjuha e mos realizimeve, e dashurive të zhgënjyera të thyera. ( Dhe dashurit Toni i a të pashijuara!). Mbi ktë bazën te shtresës nën lulore nis e rivijëzohet trishtimi i poetit, trishtimi i përhershëm i poetëve. Për një çast andej nga fundi i përrallës poeti rrëzohet nga qielli shumë ngjyrësh ( me siguri me bërryla të plagosur), merr një poezi didaktike, bie në gjunjë e falet, falet si para Krishtit: ” O malet e Qyqeshit, që mbi ju qeshin qyqet, falmëni magjitë tuaja hyjnore …ikona drite!” falmëni unë ju dua me gjithë shpirtë dhe dua tu them gjithë bashkëqytetarve të mi, plagprishësve, snobëve , e profanëve, mendjelehtëve, zemërkuletave, të gjithve, të besojne se unë vërtetë kam zbritur andej nga qeshin qyqet….
Unë besova. Qyqet kanë punën e tyre. Le të qajnë ata nëpër blina e qipariz të zinj ! Qyqet e poetit qeshin! E më vjen e kumbon në vesh, si një tel i trishtuar violine, vargu aq domethënës për punët e fatet e shqipëtarve:
”S’ta dal dot me qa, moj Lale
Po me të këndu!”
Dhe mali me gropa…
Tjetër mal ky. Jo i lartësive, por i gropave. I gropave varre. ” Mali i varreve!” Një mal ka ngrën vetëveten, ka kafshuar mishrat e vet! I janë ulur supet e mori emrin e gropave, varreve! Ndoshta i kanë rënë vetëtimat e mallkimit dhe e kanë rrafshuar! Se rrufetë e mallkimit; athet drithëruase të nënave e motrave tona janë të shumta e ulin maja malesh….
Ktu ka kocka të paidentifikuara djemsh! Mallkimi gërryen malin prej majës rrëzon Zeusat e zinj. Vetëm kënga i rrëzon Zeusat e zinj. Vetëm kënga i rrëzon zeusat jashtë parlamentëve, vetëm kënga di të penalizojë pa apelim.
Dhe ky mal me gropa , dhe zeusi i zi është i yni.
Paskemi atje a këtu një mal akuzues, një mal me gropa krimi e turpi që se lajne dot shirat e dimrit. Thonë se ky mal është afër kryeqytetit, thonë se qe një varrezë masive a një fushë e mbjellur me kocka…. Natyrisht, këta djem nuk na u vranë në luftë, që t’ua bëjm hallall gjakun … E gropa të tilla të veçuara , hapën ndanë rrugve të atdheut, plot edhe më 1997-ën. Zeusi i zi ,majave të pushtetit u bë numër shumës ! Varre në kohë paqie! Dhe tiranët s’kanë dhene shpjegim! Ndoshta, këtë ka parasysh Fatos Arapi, poeti i dashurive të vrara, kur thotë : ”Në Tiranë ka vetëm tiranë!” . Ndoshta ktë ka parasysh dhe poeti i luleve dhe simboleve të trishtuara, Ton Zmali kur thotë :
” Mos më dënoni për ata që nuk thashë
Hijet e zeza si vampirë më ndjekin nga pas”…
Dikush pret te bregu tjetër
Letërsia shqipëtare e emigracionit kryesisht poezia, ia ka shtuar dukshëm vlerat letërsis kombtare, të paktën në njëqind vitet e fundit. Pjesa dërrmuse e poetëve kan emigruar. Të jetosh në një breg tjetër, në kërkim të një limiti shpëtimtarë e të jetosh orë e çastë me kujtesën e bregut tënd që ke braktisur! Nuk është për tu çuditur, Kseni është sinonim i mallit. E çuditshme është se ai bregu ytë i dashur, kur ishte atje ishte si i huaj (ksen) e shpesh herë dashakeqës dhe asfiksuaes. Pra, në këtë kuptim, poeti i ikur, jeton e këndon midis dy brigjesh kseniktie. Jeton në hapsirat midis dy dramave e prandaj edhe poezia është dramatike e fijet e mallit dukshëm duken mbi copezën e qëndisur.
Midis brigjeve (të ksenit dhe të ”ksenit” ) shtrihet hapsira e pa matë e lirizimit poetik aq e trazuar. Tensioni dhe shkreptimat e poetit, midis tij dhe dy brigjeve, midis tij dhe njerzve të njohur nga njëra anë e midis tij dhe njerzve të bregut ksen, përbën tematikën dhe problematikën e artit, të prirur për risi.
Në këto hapsira si të gjithë ne, i mbjell këngët e tij edhe Ton Zmali. E thash diku, me sa duket, ky djalë që nuk pati rininë krijuse në malet e tij, duhet të largohej prej tyre që me gjakftohtës,të shikonte më qrtë bukuritë e bregut që la. Shkurt për tu bërë poet si Naimi, Çajupi, M. Camaj etj etj, pse jo si arbëreshët dhe aravanitët , si dhjetra e dhjetra krijues të tjere, mërguar vjetët e fundit ! (Shumë herë ka ndodhur në historinë e shqipëtarve që nisen nga vendi i tyre vocërrakë ose ushtarë e larg, në një breg tjetër bëheshin gjeneralë).
Por gjetkë e kam fjalën : Mesi i botës për gjithë poetët mbetet vendlindja e tyre …., brgu që s’i njohi dhe s’i deshi; mesi i botës, me gurrat e frymëzimit ishte Frashëri, Sheperi, Shkodra dhe Kokëdoda e Tonit apo Zagoria ime… E kështu, të gjitha thëllëzat që gjen udhëve të largëta të ksenit, edhe Toni ua kthen fluturimin në Brgdrin; edhe ndonjë greke të bukur ” syzezë e vetullkurorë” e vesh apo zhvesh sipas shijeve baritore të bregut të tij.” Të kërkova në tokë e në hënë, krua më krua e lëm më lëm”. Dhe rreth ” Milosaos ,Ton”, që nuk këputet nga vendëlindja që tërhiqet e tërhiqet në anën tjetër, mblidhet e bëhet lëmshi i mallit dhe i mungesës së vetvetes. Atje, dhe pikërisht atje çel pema; atje, lugjesh të verdha ku shkrin bora, ku vertik niset orteku, ku nga vesa çel ylberi….
Edhe ajo furka e shpirtit atje, që kurrë s’ka për të mbaruar, ato fijet shumëngjyrshe të dashurisë për njerzit e tu , tirren të pamasë tek mrizat, lajthishtet, tek flladet e dherve , tek uji i borës, tek ciu – ciu i zogjve.
Atje gjithmonë e gjithmonë dikush pret !
Ndoshta nëna e babai! Ndoshta motra halleshumë, a ndoshta një varrë që pret një tufë lulesh ! Gjithmonë atje dikush pret ! Ndoshta muri i shtëpisë i përgjysmuar a hardhitë krahëplakura që s’ka kush ti presë, të derdhin një lotë! E në arat lëndinë ku e ftohtë frynë era , edhe ku përmallushëm këndon mëllenja në barë…
Më ka trishtuar poezia e Tonit, ”Pret shtëpia”, ajo është shtëpia e gjithë emigrantve . E vetveti jeq shpirtë e psherëtin, kujton; dhe shpirtë e trup bëhesh atje e ngrihesh si sonambull e prek me duar sendet e dashura të shtëpisë, shkallën , portën, thikën e ndryshkur të bukës, ajrit që ka mbetur ashtu pa lëvizur me frymën tënde…Por të gjitha kanë ngrirë; të gjitha i pi dhe i ha pluhuri i harresës e i vetmisë.
Nëpër ”teshat tua gjallë është vetëm mola e tenja”. Dritat fikur…,” kacavirren në streh lakuriqët e natës”, boçe hapur qajnë gështenjat e bien në tokë si lot kokërrmadh.Në shtëpinë e Tonit (dhe timen dhe tënden ) merimangat endin pëlhurë me nge e çelsat e dyeve po ndryshken.
Dhe megjithatë kjo shtëpi e vjeter e varfëra, e heshtura , kaq e kaq herë lahet e ndriçohet ” në argjendin e lotëve tona ”.
Por, oh! ”Orkestra zogjesh të uritur presin nën çati”.
Ky fakt tragjik i fik dritat e dëshirave të bregut tonë, atje bjerret trimëria dhe mençuria si te malsori legjendarë i Migjenit për një kokërr misër;dhe pushka ndryshk, e tek çarku i lahutës, atje shkrep, atje ku shkrepte çarku i këngëve, minjët e uritur ngrenë folenë…
Këtu Ton Zmali s’është më poeti i luleve, i ylbereve e i ujëborave…
Romantiku ka vdekur! ( Rahmet paçin romantikët!).
Muzgu i simboleve
Ton Zmali me zemër romantiku nuk ka kuptuar ose nuk do të kuptoj muzgun e simboleve. Ai e ka vështirë të ndahet prej tyre, megjithse vetë ato të (ndriçuara nga poetët) nuk duan të dinë për poetët.. Poeti ka qef të pie të ngopet me qumështin e eposit, ka mbi 500 vjet që është mbyllur në shpellë. E kështu poeti herë fluturon me kokë shqiponje e herë bie trishtuar nga bregu tjetër e këndon si ksen, ku vetëm lulet nuk e njohin si ksen,.. O Ton edhe lulet buzë dritaresh të huaja, sikur nuk kanë aromën e duhur! Mund të flakërojn nga ngjyrat por për poetët ato ndezin kujtime të trishtuara. Gjithçka mbi ksenti mbiu mbi shkreti! E ky bregu ”shpëtimtarë ”tokën e ka ndryshe dhe ajrin dhe lulet! Dhe lulet sikur s’bijnë në zemra dashurish sikur janë jashtë zemrave të nënave tona. Prandaj zemrat e poetve të kseniti është e mbathur me trishtim e prandaj Toni mbush boshllëkun me jehonën e tijë, me simbolet e vendit të vetë. Nuk është vetëm drama e tij personale kjo. Njeriu jeton edhe iluzione.Poetët jetojn vetëm me iluzione. Toni jeton vetëm me të kaluarën buçoifryrëse të heroikes.
”Kanuni i Lekës me qiell të lirë në sy
Sado që ikën larg nuk e di përse shkoj pas tij”….
Dhe unë nuk çuditem që ky burrë reth të pesëdhjetave, kujton ninullat që i këndonin kur ishte në djep. Vini re sa i sinqertë dhe i brendshëm është në këngën e tij e sa jashtë dite pozon për të tjerët.
Bacëgjyshi: ” Në djep t’vogël me dru a kashtë , përkund baca
diell, hënë e yje bashkë…”
Lokemadhje: ” Në këmishë dragoi ty të vesh dada, në dorë
të paçin orë e zana…”
Baba: ”Sot përkund baba në djep, majë lisit në trung të vet”.
Ndoshta kënga e babait është lajtmotiv i trashgimisë, i trimërisë e i simboleve të goditura, trung, lis, majë.. E vjen pastaj ninulla e nënës, e gjerë e qetë, spontane, gjumëndjellëse: ” Porsi e merr pranvera malin, eja gjumë e merrma djalin”.
Ky poeti i prerë për dashuri e mirsi, i shikon me nostalgji reliket e së kaluarës , i bën pjesë të shpirtit… Punë e tij, dëshirë e tijë!
Ka një problem këtu : Ajo shtresa e fllorijtë e simboleve me emra të mëdhenj, ” atdhe , flamurë , shqiponjë, mal, etj etj, presin të ridimensionohen nga poetët. Nëse s’marrim simetrikën reale të jetës së njeriut të shekullit të ri, poetët do treten në anonimatin e vargut popullor, do të bëjnë rradhë të gjata e do të jenë gjthnjë të kërcënuar nga tabutë. Poetët mos i kërkoni në rreshtë! Librat që pëlqehen lehtë janë të rrezikuar. Rrugët e pashkelura në poezi, që nuk shkojnë në rrugën e pleqve të poezise, pra, dhe të folklorizmave bajate, por ndesh me ta në të tjera shtigje, janë rrugët e novatorizmit poetik.
Proçesi poetik
Proçesi poetik është reptësisht personal, reptësisht vetiak e thonë se këtu lindin shkënijat e para të një gjetje, të një figure, të një subjekti, është njëlloj me aktin fekundues, që është akt hyjnorë. Akti poetik që nga ”shkëndizat” e para që të vetëtijne në tru, deri në variantin e fundit, kalon në një proçes labratorik, që disa herë ne e nënvlersojmë.Gjithësesi, në të gjithë metamorfozën e poezise kemi të bëjmë me betejën për të gjetur Fjalën. Një grumbull materialesh (gurë,llaç, çimento, hekur) nuk është akoma pallat. Miliona fjalë si kokrrat e rërës duhet të kalojn sitën labratorike të poetit për të gjetur kokrrat e arit.
Unë ia them këto vetes dhe Ton Zmalit, prandaj nuk po ndruhem e po vazhdoj monologun. Akti poetik është koncentrat i fokusuar nga poeti, është njëlloj si lentja konkave apo konvekse që po nuk i gjete distancën dhe këndin përkatës, bën lëm drite, por akoma jo atë qendrën që ndez dhe gurin….
T. Zmali i ka të mbushura tubat e ngjyrave, madje të cilsisë së lartë, por piktorin se bëjne të tillë ngjyrat, deri te realizmi e telajo ka shumë punë. Vë re se në poezitë lirike Tonit i pëlqen akuareli, kërkon pranëvënie me kontrastin panaromik, tush mbi tush, ngjyrim mbi ngjyrim. Këtij i pëqen piktura që shijohet edhe me syrin e gishtave, relievet. Pas Rembrandit, që përfaqsonte këtë shkollë, qindra pikturistë të tjerë nuk e arritën linjën e ustait. Shumë poezi të Zmalit portrete nusesh dardane, të veshura me xhubletë apo me relike të tjera kombëtare, përgjithësisht shumëngjyrshe. Por vajzat e sotme, i dashur preferojne elegancën, deri në lakuriqsi. Seriozisht e kam proçesi poetik i ngjanë proçesit të ”Miseve” në skenë; nga fragmentet e veshjeve të rënda deri në lakuriqësi me dy gajtanë të hollë lartë e poshtë….
Përsëri te fjala. Italo Calvino ka paralajmeruar për murtajën e gjuhës jo vetëm në politikë, ideologji, masmedia, por edhe në letërsi. Letërsia (në veçanti poezia ) është toka e premtuar”, ku gjuha ” kthehet në atë ç’ka duhet me qenë vërtetë”.
Antikorpet kundër murtajës së gjuhës i prodhon vetëm letërsia. Fjala bruto, inflacion i fjalës shfaqet në veprat tona si humbje force njohëse, automatizim slloganesh e rimash që priren të rrafshojn shprehjen, të zbardhin kuptimet, të topitin pika shprehëse. Poezia filllon ku fjala takohet me vetëveten në rrethana të tjera. Unë mendoj se nëse fjala s’ndërtohet në emërtime, cilësi e veprime nga “natyra morte” në gjithçka njerëzor, që ka të bëjë me dashurinë apo urrejtjen, jemi ne trojet e të vërtetave të gjuhës poetike, të saktësis së fjalës. Kulmi i saktësisë, afrohet kur prek abstrakten; pra fjala e astrakuar ka potenciale të pakufijshme semantike, deri te tregimi i hiçit si substancë e fundit e botës. Në këtë proçes fjala lidh gjurmët e dikurshme me ato të padukshme. Në këtë proçes kultura nerëzore ruan rolin e vet , bashkon e ndanë vlerat. Fjala është ura e brishtë për të bashkuar brigjet e së bukurës, e aftë për të hedhur harqe edhe në boshllëk.
E torra pak idenë e proçesit të vështirë poetik për ti thënë Tonit dhe miqve të mi, të vjetër të rinj, se rruga e poezise është përpjetë thikë. Kush e merr të lehtë këtë rrugë nuk lodhet, por harrohet. Toni punon, kërkon; nganjëherë mbledh me rruspë ç’i del përpara e nxitohet në; proçesin e shkurtimit e të seleksionimit. Nganjëherë të krijon përshtypjen se në të njëjtën telajo provon të gjitha shkollat dhe ngjyrat e pikturës ; nganjëherë poezitë e tij janë si bajamet me dy e tre bërthama. Këto janë karakteristika të proçesit krijues, por mania e poetizimit shpesh e fokuson midis traditës( konceptit folklorik)dhe modernizmit. Të qenit në kapërcyllë e detyron atë të rrijë i qetë në mes, por edhe të pajtojë ekstremet.
Në të dy librat poetik dhe në të tretin që e ka në proçes e takoj Tonin edhe nostalgjik ndaj temave e simboleve të rëna edhe kritik të rreptë e goditës deri në mohim. Poeti vuan, vuan midis ëndërrimeve, dëshirave të bukura dhe realiteteve të egra. Ai preferon ëndërrën. Le të jetë besnik i vetëvetes!
Nobelisti Marke**s këshillon veten me këto fjalë:” Etika ime është autokritika ndaj punës që bëj, prandaj ndjej një gëzim të madh kur e korrigjoj veten”.
Komentet