– Hasan Korbi ” Për Ty vargjet kuq e zi” Sadik Maxharraj- Baca –
Autori i ktij libri poetik, Hasan Korbi, kushtuar valltarit brilant, atdhetarit të dëshmuar dhe misionarit veteran të arsimit, Sadik Maxharraj-Baca, u lind më 8 shkurt të vitit 1958 në Kavajë. Ka kryer studimet në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Jeton dhe vepron në qytetin e Kavajës, në Shqipëri. Shkrimtari dhe studjuesi Hasan Korbi, ka botuar 23 libra, të zhanreve të ndryshme, prej të cilave 9 vëllime poetike, 8 libra historike, 3 monografi, 1 autobiografi dhe 2 romane.
Ndër botimet e Hasan Korbit veçojmë: “Almanaku i Shtëpisë së Pionierit ( poezi), “ Sërish një ditë do të kthehesh “ ( poezi), “Vargje ujvarë ” ( poezi), “Gjurmë në përjetësi” ( poezi ), “ Shkolla ime mësuesi im” ( histori), “ Gjeneza e nënës sime” ( histori), “ Ecje në rrugën e traditës” ( histori), “ Portret patrioti” ( monografi), “ Gjatë në kujtesë” ( monografi ), “ Jeta ime” ( autobiografi), “ Zemër e dhimbur” (roman), “Plaga e një nëne” ( roman), etj.
Vëllimi poetik” Për Ty vargjet kuq e zi…” i tejkalon kufijtë e Shqipërisë dhe depërton në Kosovë, në një pjesë të gjeografisë së copëtuar shqiptare. Në këtë poezi, me një theks të veçantë, autori i këndon, në variante të ndryshme, personazhit kryesor të këtij libri, valltarit, atdhetarit dhe misionarit të arsimit shqip Sadik Maxharrajt, Bacës.
“ Me plisin e bardhë borë,
Shikimi i derdhur në largësi,
Mustakët dredhur Kosovar…
Veshur kuq e zi…”
Me duart e pëllëmbët shpërndarë,
Statujë e derdhur në natyrë
Baca Maxharrë!!!
Janë këto vargje të mrekullueshme që i paraprijnë fillimit të këtij libri, që mund të konsiderohet, padyshim, libër i një rëndësie të veçantë letrare, këtu te ne, në Kosovë.
Vëllimi poetik “ Për Ty vargjet kuq e zi… “ hapet me poezinë “ Brezave do t’ua lë…”, e cila është një poezi e realizuar artistikisht dhe përkushtuese, për të ardhmen e brezave të rinj, për një të ardhme të ndritur.
“Të kërcejmë vallën, këngën ta këndojmë” është vargu më i fuqishëm me një porosi të qartë, një porosi kjo që Baca ua lë fëmijëve të tij, por edhe gjeneratave të reja.
“Kostumet kombëtare të vishen me krenari,
E kuqja dhe e zeza është ngjyra Shqipëri.”
Autori i këtij vëllimi poetik, me kënaqësi të veçantë, me zemër të hapur, me dashuri të zjarrtë dhe me plot mall, i këndon edhe Kosovës te poezia “ Kosova ime”. Në këtë poezi, poeti Korbi, paraqet edhe qëndresën historike të shqiptarëve në Kosovë, përmes simbolikës së kullës.
“E lindur në kulla.
Në lartësi malesh e gjerësi fushash.
Kudo mbjellë trimëri…” ( Kosova ime)
Dhe, nga qëndresa, autori i këtij vëllimi poetik, kalon prapë në valle, sepse vallja për Bacën është dëshira e tij e zjarrtë. Baca, krahas vallëzimit veçohet edhe si bartës i kostumeve kombëtare, bashkë me simbolet përkatëse, sidomos në shënimin e datave të ndryshme historike apo edhe në lojëra të ndryshme sportive ( krejt kuq e zi).
Baca është edhe prezantues në shumë festivale, si në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë. Si duket, hedhja e shtatit në valle, dhe veshja e tij kombëtare, kanë shprehur të tjerët tek ai interesim të veçantë, për ta përshkruar artistikisht edhe vallën shqiptare, ashtu sikurse Kadare dikur.
“Të do vallja, të njeh shamia,
Të njeh tupani dhe ngjyrat kuq e zi ,
Bacë Maxharrë shqiponjë mes malesh…
Kosovar i nënës Shqipëri.” ( Njësh me vallen)
Poeti Korbi, në anën tjetër, personazhin e tij e sheh si vlerë të madhe të Istogut, Kosovës dhe të Shqiptarisë, por edhe të vallës dhe krenarisë:
“ Vlerë të tillë Istogu nuk ka parë
Njerëzimi e kupton vlerën e madhështisë
Nga brendia e tij burim vallesh gurgullon,
Lart tundë shaminë, lartësia nuk ka mbarim.” ( Krenaria jonë)
Ose :
“ Kostumi kombëtar malet me ngjyra dritëson…
Baca Maxharr, ti je vlerë e vallës, krenaria jonë.”
Një poezi tjetër mjaft e fuqishme është edhe poezia “ Për Ty Bacë”, ku autori Bacën e krahason si shpirt të madh dhe me plot vlerë.
“ Ti je një dritës, një pemë e ngjyer… Një zë folës.
Një shpirt i madh i punës me plot verë…” ( Për Ty Bacë)
Baca në vendlindjen e tij, por edhe në komunën e Istogut, njihet edhe si historian, (anëtar i kryesisë të Shoqatës së Historianëve “Ali Hadri”, dega në Istog), andaj disa poezi lidhen edhe me veprimtarinë e tij historike. Personazhi i këtij vëllimi poetik, Sadik Maxharraj- Baca, prehje dhe kënaqësi të veçantë gjen gjatë vizitave të monumenteve të ndryshme historike, si në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, pra aty ku valojnë lirshëm flamujt kuq e zi.
Në këtë aspekt, Baca shpeshherë afër këtyre monumenteve historike qëndron krenar, në Prizren, Krujë, Lezhë, Vlorë, dhe gjetkë. Andaj, me kënaqësi të thellë shpirtërore poeti Korbi shkruan edhe poezinë me titull “ Bacë, Ti në Prizren”, e cila del edhe mjaft e arrirë në pikëpamje artistike.
“Në Prizren lexova shtruar historinë.
Putha me plot mall flamurin shqiptar…”
Dhe pas gjithë kësaj poeti Korbi i kthehet prapë Istogut të lashtë, vendlindjes së Dr. Ibrahim Rugovës, bukurive natyrore të këtij qyteti të paqes, ku shprehet edhe lumturia dhe krenaria e tij poetike.
“ Istog…
I imi Istog…
Krenohemi me Ty,
Me flladin tënd…
Ose:
I lumtur ndjehem … Istog të dua.” ( Istog.)
Atdhetarizmi zë një vend të veçantë në këtë vëllim poetik. Autori i librit Bacën e vlerëson si atdhetar të madh, i cili qëndroi i pathyeshëm në erëra të ndryshme, që frynë gjatë kohërave të ndryshme historike, por edhe si pishtar i lirisë së vendit, kundër pushtuesit serb.
“ O Atdhe!
Më je i dashur sa ma s’ka… “
Në këtë vëllim poetik kemi edhe shumë poezi të tjera të nivelit të lartë artistik , si: “Portreti yt”, “ Ti njeriu… Bacë…”, “ Kur e di se jam shqiptar”, “ Me krah shqiponjë”, “ Flijohet”, etj,
Te poezia “ Portreti yt” poeti Korbi përshkruan, pos realitetit të pamjes së personazhit, të cilin për herë të parë fizikisht e ka parë një ditë para promovimit të këtij libri në Istog, edhe për qëndresën e tij, duke e krahasuar atë me “ trupin lis të gjatë shekullor”, që është edhe një krahasim shumë i fuqishëm:
“ Flokë thinjur ,
Plis të bardhë mbi ballë,
Me emrin Kosovar…” ( Portreti yt)
Ose:
“ Ti qëndron si malet,
Fluturon si shqiponja,
Vishësh Ti kombëtaresh .
Kërcimi yt nuk ndalet. ( Po aty)
Libri mbyllet me poezinë “ Lexoj në foto…” . Poezia është përmbledhëse dhe trajton përmes fotografive pjesëmarrjen e Bacës në festival dhe simpoziume shkencore, të mbajtura viteve të fundit në Prizren, Krujë, Vlorë , Lezhë, Elbasan, etj.:
Hapi yt është kudo ku ka shqiptarë e kosovarë.
Zëri të buçet me zjarr zemre, për Ty o Atdhetar… ( Lexoj në foto)