Vendet e Ballkanit kanë rënë tashmë në çarkun e “të ardhurave mesatare”. Industritë që kanë sjellë rritje ekonomike në periudhat e mëparshme janë tashmë jokonkurruese, duke qenë se rritja e pagave në rajon ka inkurajuar sektorët e bazuar te krahu i lirë i punës të lëvizin drejt vendeve më të lira. Për fat të keq, koha e rritjes së shpejtë ekonomike dhe afrimit me vendet më të zhvilluara ka mbaruar. Periudha të gjata rritjesh të ulëta ekonomike, të ndjekura nga faza stanjacionesh zvogëlojnë rritjen ekonomike mesatare dhe zgjasin procesin e afrimit me ekonomitë më të avancuara. Parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për rajonin është i zymtë. Mesataret e rritjes ekonomike rajonale parashikohen vetëm 2 deri në 3 për qind në vitet e ardhshme.
Nëse ky parashikim rezulton i vërtetë, ideja e konvergjencës me vendet e Bashkimit Europian do të jetë e vështirë të arrihet. Ekonomistet përdorin formulën e ‘72- shit për të llogaritur përafërsisht sa kohë i duhet një vendi për të rritur të ardhurat e popullsisë. Kjo teori shpjegon se të ardhurat dhe prodhimi dyfishohen çdo dekadë, nëse ekziston një rritje mesatare ekonomike prej 7 për qind. Po të ndjekim këtë formulë, me këtë rritje aktuale ekonomike vendeve të Ballkanit Perëndimor do t’i duheshin 25- 36 vjet për të dyfishuar të ardhurat. Dhe 50 vjet për të arritur të ardhurat mesatare të Bashkimit Europian.
Kërcënuese është edhe papunësia e lartë, me një mesatare prej 24 për qind, që është më e larta ne Europë dhe sa dyfishi i asaj në BE. Problematike është pjesëmarrja e ulët dhe mungesa e mundësive në tregun e punës e të rinjve. Një nga dështimet më të mëdha të procesit të tranzicionit në rajon është minimi i ekonomisë së tregut nga informaliteti dhe pabarazia e madhe sociale. Kriza e fundit ekonomike e eurozonës e ka përkeqësuar më tej situatën në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ambientit ekonomik të dobët të jashtëm i shtohet procesi i papërfunduar i reformave që po e mbajnë rajonin larg krahasimit me ekonomitë e pasura të BE-së.
Indikatorët ekonomikë tregojnë një performancë të ulët në krijimin e tregjeve konkurruese dhe në përmirësimin e sektorit sipërmarrës, që kuptohet nga nivelet shumë të ulëta të prodhimtarisë. Konkurrueshmëria mbetet e pakënaqshme në të gjithë rajonin, vendet e të cilave listohen dobët në raportin e Konkurrueshmërisë Globale të vitit 2015, të publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror. Dy faktorët kryesorë që kontribuojnë në këtë konkurrueshmëri të ulët në rajon janë ambienti jomiqësor i biznesit, i karakterizuar nga institucione të dobëta dhe sundim i pamjaftueshëm ligji, si dhe roli i limituar i inovacionit në ekonomi.
Njësoj e rëndësishme është edhe çështja e korrupsionit. Komisioni Europian ka identifikuar krimin e organizuar dhe korrupsionin si pengesat kryesore në rrugën për integrimin europian. Kjo është veçanërisht shqetësuese, sepse këto problematika shkaktojnë një kosto të madhe për prosperitetin rajonal. Sipas Global Financial Integrity (GFI), paratë e pista që vijnë nga krimi, korrupsioni dhe evazioni fiskal i kanë kushtuar Ballkanit një shumë marramendëse prej 111.6 miliardë dollarësh në periudhën kohore 2001-2010. Kjo shumë llogaritet se ka dalë jashtë rajonit në periudhën kohore të studiuar nga GFI.
Varfëria dhe pabarazia nxisin sfida të tjera sigurie në Ballkanin Perëndimor. Këto përfshijnë emigrimin ilegal drejt vendeve të BE-së, ekstremizmin e dhunshëm, trazira sociale dhe pasiguri rajonale. Të gjithë këta faktorë përfaqësojnë rreziqe për sigurinë në të gjithë Europën. Këto probleme nga ana e tyre kanë krijuar një imazh negativ për rajonin tek investitorët e huaj. Ata ngurrojnë të investojnë në Ballkanin Perëndimor, duke pasur frikë nga shqetësime të ndryshme politike dhe ekonomike. Fatkeqësisht, i tërë rajoni tërheq më pak se 0.9 për qind të investimeve të huaja globale. Një axhendë reformash të qëndrueshme nevojitet për të përparuar në një ekonomi globale të bazuar te njohuritë. Përfitimet më të kollajshme të ekonomisë së tregut janë arritur.
Frutat në degët e pemës që arrihen me dorë janë kapur. Ato që mbeten janë degët e larta të pemës, të cilat janë më të vështira për t’u arritur. Vendet e Ballkanit janë të paktën një dekadë vonë për të nisur reformat e qëndrueshme. Tani që vendet kanë mbetur pa para, liderët duhet të kenë kurajën të nisin reforma serioze. Rritja ekonomike është çelës për të përmirësuar standardet e jetesës. Rritja nuk mund të vijë vetvetiu, dhe për këtë është përgjegjësi e qeverive të ndërmarrin reformat e duhura. Ndryshimet strukturore duhet të nxiten. Këto përfshijnë një ambient biznesi pa korrupsion, investim ne kapitalin njerëzor përmes edukimit dhe lejimi i forcave të tregut dhe incentivave të investimeve që të punojnë.
Nga ana tjetër, integrimi ekonomik rajonal është i domosdoshëm. Pika fillestare drejt një bashkëpunimi më të mirë është pranimi i faktit se vendet e Ballkanit janë tepër të vogla dhe të dobëta individualisht për të gjeneruar shkallë dhe kapacitet të mjaftueshëm për të tërhequr investitorë të huaj dhe forcuar konkurrueshmërinë. Rritja e tregtisë rajonale dhe bashkëpunimit, e investimeve, do të ndihmonte të arrihej më shumë në skenën ndërkombëtare dhe do të sillte një mori efektesh pozitive për secilin vend-dhe për të gjithë Europën. Sfidat e sigurisë që kapin titujt e lajmeve në Ballkanin Perëndimor janë në fund të fundit të lidhura me ekonomitë lokale.
*The Globalist Autorja është profesore dhe drejtore e Programit të Detit të Zi dhe Euroazisë në “George C. Marshall”, Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë. Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorit dhe jo domosdoshmërisht pozicionin apo politikën zyrtare të Qendrës Marshall, Departamentit të Mbrojtjes apo të Qeverisë të SHBA
Komentet