Lulja, Spiroja dhe Ahmeti ishin moshatarë, lindur e rritur në njërën nga lagjet periferike të qytetit nga prindër të ndershëm. Njeri punonte në fabrikën e tullave, tjetri në sektorin e përpunimit të thellë të naftës dhe Ahmeti ishte djali i vetëm i oficerit të forcave ushtarake kufitare. Vitet e bukura të fëmijërisë i kaluan në të njëjtën “Foshnjore”, emri dikurshëm i kopshtit të fëmijëve, shkollën fillore e shtatëvjeçare me librat të vendosur në çanta basme. Pas mbarimit të orarit të mësimeve, Lulja ndihmonte në punët e shtëpisë, ndërsa djemtë e kalonin një pjesë të kohës duke luajtur me shokë të tjerë bregut të Gjanicës.
Të tre kishin pikat të forta lidhëse dhe prirje të përbashkëta. Të tilla ishin: dëshira për letërsinë artistike, e konfirmuar me anëtarësimin në bibliotekën e qytetit, njëri mbas kalimit të klasës pestë, dy tjerët mbas të gjashtës; vallet dhe këngët popullore i tërhiqnin të tre dhe Ahmeti merrte pjesë edhe në konkurset midis shkollave, shpesh duke zënë dhe vendin e parë.
Fillimi i vitit të parë në gjimnazin e qytetit përkoi me pesëvjetorin e çeljes së tij. Pothuajse gjithë maturantët e parë po vazhdonin studimet e larta në degë të ndryshme dhe emërtesa “nxënës i gjimnazit” ishte zëvendësuar me “student në fakultet”. Për më tepër, prezantimin dinjitoz në universitetin e vetëm të vendit, gjimnazistët e parë ua dhuruan pasuesve të shoqëruar me besim e optimizëm saje shkallës së lartë të përgatitjes, e vërtetuar me rezultatet pozitive në shumicën e tyre.
Përgjatë pesë viteve të funksionimit të tij, nxënësit e çdo klase (djem dhe vajza) ishin në po të njëjtin numër, si një procedurë e zakonshme për çdo shkollë. Në vitin e dytë të gjimnazit, një urdhëresë e re, e çuditshme, i sistemoi nxënësit në tri klasa: njëra vetëm me vajza, tjetra vetëm me djem, e treta me djem e vajza. Ky organizim për të tre shokët pranë njëri-tjetrit gjatë periudhës kohës 15-vjeçare, natyrisht u shkaktoi pakënaqësi. Ishte cenuar e drejta e ligjshme e nxënësit. Mënyra e re e ndarjes në klasa të veçanta vetëm djem apo vetëm vajza kishte si pikësynim drejtimin profesional të nxënësve.
Djemtë, një ditë të javës mësonin profilin e mekanikut, ndërtimin dhe përdorimin e traktorit të vendosur mbi një tavolinë brenda një ambienti të gjerë në katin e parë, ndonëse asnjëri nuk punoi si traktorist mbas mbarimit të gjimnazit. Vetëm Spiroja vazhdoi studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.
Lules dhe shoqeve të klasës së saj, numri arrinte saktësisht 40, qysh në ditët e para të vitit dytë shkollor, u duhej të mësonin mjeshtërinë e endjes së qilimave në ndërmarrjen përkatëse të qytetit, në repartin përmatanë murit rrethues të gjimnazit. Punonin si ndihmëse në njërin nga tezgjahet e shumtë çdo të shtunë, deri në marrjen e maturës.
Atyre viteve, një këngë e bukur iu dedikua vajzave gjimnaziste, njëherazi “mjeshtre tezgjahu”, kualifikim i vërtetuar me certifikata përkatëse të shkallëzuara, sipas meritës së punës në endjet e leshta.
Në një nga vargjet e saj thuhej: “Jemi 40 vajza sot”.
Sigurisht, ndarja e nxënësve në formate të tilla nuk pengonte mësimdhënien nga pedagogët me më të lartin nivel përgatitjeje dhe korrektësi të admirueshme, që të ndiqnin orët e mësimit njëra pas tjetrës, në zbatim të programit mësimor.
Anën e pakëndshme të ndarjes në mënyrë të pazakontë, kryesisht po e përjetonin nxënësit që kishin pasur shoqëri prej vitesh mes tyre, sepse, nuk mund të uleshin në të njëjtën bangë apo në rreshtat pranë brenda së njejtës klasë. Lulja, Spiroja, Ahmeti dhe një vajzë e klasës së frutikulturës, Varvara, takoheshin midis tyre në kohën paksa të zgjatur të ndërprerjes së orëve apo në pushim të madh.
Tradita e mbrëmjeve të vallëzimit, krijuar qysh vitin e parë të njohjes, funksionimit të gjimnazit, u zhvillua më tej. Ato organizoheshin në palestrën e shkollës dhe shokët nuk mungonin në asnjërën prej tyre. Një fisarmonicist i talentuar dhe me përvojë, për disa orë rresht qëndronte në këmbë në mes të sallës apo mbas gjysmërrethit të parë të valltarëve, me duart mbi tastierë, trupin përkulur lehtësisht, duke përjetuar me ta të njëjtën kënaqësi shpirtërore. Ai vinte pa asnjë pagesë në këto mbrëmje vallëzimi, vetëm që të kënaqte të rinjtë.
Lulja, një vajzë e hijshme e me karakter të spikatur, e dhënë mbas mësimeve, ishte vlerësuar nga këshilli pedagogjik midis katër nxënësve më të mirë të gjimnazit. Gjithashtu, ajo kishte trashëguar nga i ati talentin e kërcimit, gjë që e prezantonte në mënyrën më perfekte gjatë vallëzimit të valsit së bashku me Spiron. Dyshja Lule-Spiro përherë tërhiqte vëmendje e admirim saje zhdërvjelltësisë së kërcimit majë gishtave, aq sa shpejt çiftet e tjera largoheshin, duke i soditur me sinqeritet të dukshëm kërcimtarët e valsit, nën tingujt e magjishëm të “Valsit të lumturisë”, “Valët e Danubit” etj. Lulja dhe Spiroja pushtonin gjithë hapërsirën e qendrës së sallës së vallëzimit. Ishte fantastike të shihje ritmin e rrotullimeve të shpejta, të përsëritura e të pamatshme, Lulen, që në mënyrë të paimagjinueshme rrëshqiste çimentos e brenda pak sekondave përsëri në krahët e Spiros përshkonte tejpërtej sallën. E veçanta qëndronte në flokët e saj të verdhë, të dendur, të gjatë e me formë të dallgëzuar, që, duke u valëvitur përgjatë ritmit të lëvizjeve, përhapeshin në ajër si shoqëruese të pandara në formën e një kupole artistike, madhësia e të cilës, si përcaktuese e ritmit, herë-herë prekte fytyrën e lumturuar të Spiros…
Çuditërisht, asnjë vallëzues nuk tregonte me të voglën shenjë lodhjeje apo një pikë djerse në ballë. E lumturuar, Lulja ndiente një ngrohtësi të ëmbël së brendëshmi, pa mundur t’ia shprehte as vetes dhe as Varvarës, kur largoheshin për në shtëpi vonë.
Një nga aktivitetet e përbashkëta (të gjithë e aprovonin) ishte dhe shëtitja në këmbë kodrave të gjelbëruara e të mbushura me lule, pa mundur të përcaktonin më tërheqësen e tyre. Nuk e ndienin fare rrugën nga qyteti deri në kishën e Shën Dëllisë dhe në Apoloni, të dielave të muajit prill… Pas mbërritjes atje, uleshin mes gjelbërimit të pafund në formë rrethi, vajzat së bashku dhe disi më larg djemtë në shkallët e amfiteatrit antik. Lulja e dallonte lehtësisht dhe menjëherë Spiron, ndoshta dhe ngaqë ai ishte më i gjati mes djemve. Apo ishte shikimi i saj ndjekës, këmbëngulës dhe i përqendruar që e zbulonte Spiron aq lehtë? Dukej se të njëjtin veprim reflektonte edhe Spiroja, që e përshëndeste Lulen herë pas here me një ulje të lehtë të kokës.
Hanin ngadalë dhe me ëndje ushqimet e pakta, shoqëruar me shishen e vogël të qelqtë mbushur me ujë çezme, që e vendosnin në çantën e basmës. Më pas sajonin një fushë volejbolli dhe mbas dy-tri orësh sërish ktheheshin në qytet, të pandarë, duke kënduar këngë të krahinës.
Një ditë dikush sugjeroi të shkonin në Margëlliç. Rruga e gjatë në këmbë dhe lodhja (stacioni i fundit i autobusit në Patosin e Ri), nuk shqetësoi asnjë. Mbështetur në murin rrethues të një kalaje të hershme, soditja e peizazhit nga lartësia e kodrinës ishte mahnitëse…
Përsëri Lulja nuk e kishte vështirë ta veçonte Spiron. Ai ndiqte pamjet piktoreske rreth e rrotull, por, pa më të voglin dyshim, epiqendra e vëmendjes së tij ishte figura e Lules, edhe pse largësia midis tyre e pallogaritshme…
Nuk mund të përshkruhet puna e këndshme në një program shtesë për gjimnazistët në vite, kur u duhej të shkonin për të ndihmuar në vjeljen e pambukut në fermën bujqësore. Të tërhiqte bukuria e renditjes së boçeve të panumërta, të çelura pranë njëra-tjetrës, si të formonin sfondin e dallgëzuar të një fushe të bardhë, të natyrshme, rrëzëllitëse, të ngritur mbi tokë, aq sa mund t’ia tejkalonte gjysmës së gjatësisë së trupit të çdo nxënësi. Pjesa e dukshme mbi atë bardhësi qiellore reflektonte pamje imagjinare, duke e prezantuar secilin mbledhës pambuku me më të paimagjinueshmin prezantim, si të ndodheshin përpara një pasqyre të bardhë e gjigande para tyre.
A e kishin caktuar grupin e djemve në të njëjtën parcelë apo Spiroja ndiqte Lulen në kohën e boshatisjes së shportave të tejmbushura? Dhe i buzëqeshnin njërit-tjetrit me çiltërsi, teksa shikimet e tyre shkëmbeheshin vazhdimisht.
Ditën e 1 Majit gjimnazistët e festonin në fushën sportive të qytetit. Vajzat parakalonin pranë në formë kuadratesh perfekte, ndërsa në të tjera djemtë përshendesnin me lëvizje të lehtë të kokës në drejtim të podiumit ku qëndronin në këmbë njerëz me funksione. Vajzat visheshin me kilota të zeza, çorape të bardha të shkurtra, duke nxjerrë në pah trupat e tyre stërvitur përgjatë orëve të shumta me ushtrime të ndryshme gjimnastikore në palestrën e gjimnazit dhe të drejtuar nga mësues profesionistë.
Shokë e shoqe mund të takoheshin në bibliotekën e qytetit përgjatë shkallëve komunikuese të ndërtesës dykatëshe në qendër të tij, në radhën e gjatë të lexuesve të shumtë, duke mbajtur në duar librin e përfunduar dhe, pa humbur kohë, ta zëvendësonin me një tjetër, apo ulur në sallë për të lexuar libra të përzgjedhur, sepse numri i pakët në botimin e tyre nuk u lejonte nxjerrjen jashtë bibliotekës për asnjë ditë të vetme. Jo rrallë Lulja shihte shokun e saj në momentin e marrjes a dorëzimit të librit, si të mund të kishin të njëjtin ritëm leximi për çdo faqe të tij.
Njihej mirë dhe vlerësohej në të gjithë vendin niveli i trupës teatrale të qytetit. Në njërën nga shfaqjet e tyre, Lulja nuk mundi ta refuzonte kërkesën e Varvarës, për të parë shfaqjen, edhe pse biletat siguroheshin me vështirësi, ngaqë interesi ishte i jashtëzakonshëm. Interpretimi i aktorëve të famshëm ishte në më të lartën cilësi. Por Lulja nuk mundi të përjetonte plotësisht emocionet e shfaqjes. Ajo ndiente rrahje të përshpejtuara të zemrës, si të kishte pranë Spiron.
Po, ai ishte ulur tre rreshta më tej, në anën e djathtë, dhe kthente kokën pas e majtas, duke kërkuar shikimin e saj në atë ambient të kushtëzuar nga ndriçimi i dobët.
Kur po ndaheshin, Varvara ndali një hop dhe e pyeti:
– A të pëlqeu shfaqja dhe loja e aktorëve?
– Ishte e jashtëzakonshme, janë të talentuar, të pakrahasueshëm, më pëlqeu mjaft…
– Të paktën, mua më trego të vërtetën. Ti e shihje pjesën teatrale copa-copa, se kokën më tepër e ktheje mbrapa dhe djathtas, shumë pak kohë i kushtove skenës, – buzëqeshi Varvara, të cilës i kishin tërhequr vëmendjen lëvizjet e saj në një sallë të mbushur plot e përplot, ku çdokush shkon të përjetojë me emocione të fuqishme përmbajtjen dhe interpretimin e aktorëve. T’u kishte rënë në sy edhe spektatorëve të tjerë sjellja e saj? Lulja u largua mendueshëm, pa thënë asnjë fjalë.
Nëna e Lules ishte e njohur dhe vlerësuar si grua dorëdhënëse. Ajo e dëshmonte natyrshëm mirësinë e shpirtit të saj të pastër dhe dhuronte çka mundej. Në punën sfilitëse si pjatalarëse, ajo me çiltërsi pranonte të zëvendësonte shoqen e sëmurë pas turnit të vet, pa asnjë hezitim, pa shpagim. Madje, në ato kushte të vështira ekonomike, ajo e privonte veten nga ushqimi, duke u përkujdesur që familja të mos mbetej pa u ushqyer.
Ditën e fundit të javës së Pashkës së Madhe, nëna e Lules i kërkoi së bijës:
– Do gëzohem pa masë nëse sonte shkojmë bashkë në kishë për të ndjekur ceremoninë e Ringjalljes së Krishtit. Veç besimit dhe respektimit që unë dua t’i bëj kësaj dite të shënuar, dua që, kur ti të shkosh në shkollë të lartë, të të ndjekin hap pas hapi urimet dhe mirësia e kësaj dite të shënuar.
Lulja me të ëmën u gjendën në kishën e Shën Gjergjit atë mesnatë, duke ndjekur gjithë ritualin midis bashkëqytetarëve të shumtë, që mbanin në duar qirinj të ndezur. Të përqendruar në ceremoninë e shenjtë, një çast njerëzit u afruan thuajse ngjitur me njëri-tjetrin, për të dëgjuar fjalët e “Atit”, ndërsa ndriçimi i mjedisit realizohej nga bashkësia e dritës së qirinjve të ndezur e të panumërt. Lulja gjendej mes turmës, por nuk po shihte ndonjë person të njohur që ta përshëndeste, ndaj mbante kokën paksa të ulur. Nëna ndodhej pas saj.
Me shikim të përqendruar në dritën shëmbëllyese pothuajse të njëjtë të qirinjve të bardhë, befas Lulja përjetoi një ndjesi të ëmbël shpirtërore, e cila e pushtoi të tërën. Drita e qiririt të ndezur përballë saj, papritmas mbizotëroi në gjithë mjedisin, mori nuanca të këndshme, vezulluese duke përçuar një ngrohtësi të lehtë, thuajse të prekshme, që përhapej pastaj rrezatuese në personat e turmës. Të ishte një meteor në qiellin e pastër të natës së fundprillit, i cili, me shpejtësinë astronomike të lëvizjes as që mund të krahasohej me ngadalësinë fisnike të hënës? Drita qiellore, lindur nga një qiri i zakonshëm në duart e Spiros, po zotëronte tri tipare munguese të hënës së asaj nate: shpejtësinë, kahun e lëvizjes dhe ndjenjën e ngrohtësisë së munguar deri ato çaste.
Ajo dritë iu drejtua Lules fillimisht si një përshëndetje miqësore; në të njëjtën kohë, pa u shkëputur prej saj, dukej se po i drejtonte një ftesë enigmatike, nënkuptuese, për t’u nisur sa më parë drejt hapësirës së pafundme, për të shijuar një jetë të re, të paprovuar, të paimagjinueshme deri atëherë…
Në ato çaste, Lulja nuk po i përkiste më vetvetes. Papritur një forcë e panjohur e ndihmoi të fokusohej në epiqendrën e dritës kozmike dhe nuk po u besonte syve tek shihte atje Spiron me buzëqeshjen e tij engjëllore…
E pati paksa të vështirë të kthjellohej, të saktësonte pozicionin e vet, praninë e papritur të Spiros, shoqëruar me ndjesinë e këndshme të atij momenti të papërsëritshëm.
Sapo preku krahun e nënës prapa saj, Lulja ishte mrekulluar se si ai, Spiroja, të krijonte çaste aq të jashtëzakonshme, ku fjalët do të ishin të tepërta, sepse mund të prishnin magjinë. Edhe mbas kthimit në shtëpi, nuk po mund të shkëputej nga ndjesia pothuajse përrallore e përjetuar në oborrin e kishës në momentin kur gjendej përballë Spiros. E kishte të pamundur të përcaktonte kohëzgjatjen. Nëna vazhdonte vetëm fizikisht të ndodhej në krahë të saj dhe Lulja nuk po i përgjigjej asnjërës prej pyetjeve që ajo po i bënte…
Muajt e verës kaluan shpejt në përgatitje kryesisht të anës shpirtërore për fillimin e jetës studentore. Në disa ditë prej tyre, Lulja, hipur prapa në biçikletën e vëllait dhe e mbajtur fort me të dy krahët në belin e tij, argëtohej disi në bregdetin e Semanit. Ajo qeshi fort një paradite, kur dëgjuan zërin e një adoleshenti, ulur midis rrugës dhe hapësirës ranore të pafund:
– Hej! Dëgjomëni! Jeni në vendin 532 deri tani, nga të ardhurit e sotëm me biçikletë në plazh.
Vëlla e motër buzëqeshën dhe si të tjera herë qëndruan shtrirë në rërën e pastër. Dëgjonin shushurimën e dallgëve të vogla, si ftuese për ujin e kaltër e të tejdukshëm, për të ecur me hapa të sigurt brenda bregut, derisa niveli i shpatullave të dukej mbi sipërfaqen e lëmuar dhe ledhatuese të detit. Natyrisht, ishte një pozicion i detyruar për Lulen, sepse ajo nuk e dinte dhe, nëse deti do dallgëzonte fuqishëm, atëherë ai me egërsi do ta tërhiqte në thellësi. Vëllai notonte mirë dhe ajo me vështirësi e dallonte tej në kaltërsinë e ujit.
Mesatarja e lartë u mundësoi përzgjedhjen e degëve: Lulja me Varvarën në Fakultetin e Mjekësisë, Spiroja për inxhinieri mekanike, ndërsa Ahmeti në shkollën e Lart Ushtarake (e cila ndodhej ne anen tjeter te rruges ,perkundrejt konviktit te vajzave te fakultetit te Mjeksis,) duke i plotësuar kështu dëshirën babait, që kishte shërbyer me përkushtim në shërbimin ushtarak gjatë gjithë jetës së tij.
Dita e shënuar e fillimit të fakultetit erdhi. U nisën bashkë një ditë para, me një autobus deri në qytetin e Rrogozhinës. Atje ishte stacioni i parë për ta drejt kryeqytetit, për të vazhduar pastaj me tren gjer në Tiranë.
Mbërritën në kryeqytet me valixhet e rënda në duar, të mbushura me sendet më të domosdoshme, shoqëruar dhe me ndonjë kokërr ftoi. Në ndalesat e trenit në stacionet përkatëse, ftonjtë lëviznin brenda valixhes së drunjtë të Lules, aq sa ndonjë udhëtar ngrinte kokën lart, i habitur se çfarë e shkaktonte një zhurmë të tillë. Nuk mundej ta refuzonte dëshirën e nënës për ato fruta të kopshtit të tyre. Shokët e ndihmuan, duke e ngritur herë pas here valixhen e rëndë, nga stacioni i trenit e derisa shkuan në konvikt.
Fillimi i vitit shkollor dukej i mbarë. Pedagogët ishin në nivel të lartë shkencor, korrekt, njerëzor dhe kërkonin më të mirën nga studentët, të cilët, gjithashtu, përpiqeshin të studionin me përkushtim, për të qenë në stadet e duhura që kërkonte dhe profili i tyre. Përshtatja me shoqet e dhomës, me gatimin e thjeshtë, cilësor e të shijshëm në mensën e katit të parë të godinës, u shoqërua me mbresa të këndshme, pa pasur asnjë problem.
Vështirësi për Lulen ishte veshja e përditshme. Përparëset e zeza me pulla, që fillonin nga gusha e rrethuar me jakën e bardhë dhe të pastër, tashmë i takonin së shkuarës. Ato ishin të papërshtatshme për një vajzë studente. Përgjatë muajit shtator duhej të mbante veshur fustanin e basmës me vija (po i njëjti në të gjitha daljet jashtë qytetit përgjatë viteve të gjimnazit), në këmbë mbathte një palë sandale nga më të zakonshmet e të riparuara disa herë.
Viti i parë i fakultetit për Lulen, korrespondoi me kthimin e vëllait student nga Kina, një periudhë kohe e cila kushtëzonte rrjedhën e ngjarjeve, duke i detyruar të ndërprisnin studimet e të rifillonin nga e para. Njihej mirë zgjuarsia e jashtëzakonshme e vëllait të Lules, aq sa në provimin e gjuhës angleze i mahniti anëtarët e komisionit, si një student i shkëlqyer me njohjen e thellë të saj, si të ishte gjuha e nënës së tij.
Dhurata që i solli Lules i vëllai, ishte tepër e kushtueshme për vetë pozitën e një studenti. Nga ana tjetër, e rrallë përsa i përkiste strukturës së saj të pambuktë cilësore dhe në të njëjtën vlerë ajo reflektonte një dizenjo artistike: fusha e blertë me ëmbëlsinë e gjithë nuancave të ngjyrës së gjelbër, ku pikturat e luledeles me madhësi e forma të ndryshme në pragë çeljeje apo të çelura, me më të lartën pastërti të ngjyrës së bardhë, përputhej ëmbëlsisht me pjesën qendrore të luleve, e prezantuar me nuancat e së verdhës, ideuar me kokrriza të vogla e të spikatura portokalli brenda sfondit të rrumbullakët të saj. Degëzat e shkurtra ngjyrë kafe i bashkonin në tufa apo ishin të konfigurara pranë tyre duke ngjasuar me një skulpturë në miniaturë. Vlerën tekstile të copës e prezantoi edhe mjeshtëria e rrobaqepëses, xhaketa me mëngë treçerekëshe, fundi kinda-kinda, duke nxjerrë në pah belin e hollë të Lules. Kalimtarit i tërhiqte vëmendje, si ta detyronte të qëndronte për ta soditur me kënaqësi disa çaste.
Njëra nga shumë studente të vitit të parë të fakultetit, Lulja pati fatin të mbante veshur në trupin e saj të gjatë e të bukur kostumin më tërheqës për moshën saj. Ai kostum mund të vishej më tepër në një mot të lagësht, sepse në mot të nxehtë ajo veshje mund të kishte vetëm vlerën prezantuese.
Në fillim të tetorit Lulja pati kënaqësinë vetjake që ta mbante veshur kostumin e gjelbër. Për më tepër, nuk po mungonin as shikimet e sinqerta dhe admiruese të shoqeve…
Fatkeqësisht, situata e këndshme nuk zgjati shumë. Shiu i rrëmbyer, i pazakontë për stinën e vjeshtës së atij viti, detyrimisht kërkonte këpucë të përshtatshme që Lules i mungonin. Tezja i pati falur mbesës këpucët e veta, por mospërputhja në madhësinë e putrave të dy femrave arriti deri atje, sa një ditë, teksa nxitonte për në sallën e leksionit në katin e dytë, u pengua në momentin e ngjitjes së shkallëve të larta në hyrje të fakultetit. Ndihma e shpejtë e dorës së Varvarës e mbrojti nga një goditje në parmakët rrethues, veçse momenti i rrëshqitjes së Lules u tërhoqi vëmendjen disa studentëve që nxitonin për në auditor.
Kostumi i gjelbër e identifikonte Lulen së largu. Pikërisht për këtë arsye, shoqja dashamire e sugjeroi të mos e përdorte veshjen e tij derisa të siguronte këpucët e përshtatshme. Thjesht një veshje e zakonshme nuk do ta diferenconte midis dhjetëra studentesh, edhe nëse episodi mund të përsëritej…
Pavarësisht situatës së pakëndshme, Lulja nuk mund të mos e shijonte kënaqësinë që kostumi i veçantë i krijonte, një kënaqësi që reflektohej në fytyrën e saj në momentin kur i afrohej pasqyrës së korridorit. Me logjikë të ftohtë, Lulja e pranoi sugjerimin e shoqes për të mos e veshur atë kostum klasi, derisa të siguronte një palë këpucë të përshtatshme. E vendosi në dollapin e dhomës pranë derës, për të cilin asnjëherë nuk përdorej çelësi.
Episodi i pakëndshëm i pengimit të Lules, mbas disa ditësh tregoi anën e tij pozitive dhe të mirënjohur atyre viteve, kur ndonjë studenti i duhej të mbante veshur për disa orë, në rrethana të veçanta kostumin cilësor, sigurisht mundësi të pakta për ato vite studimi. Shpesh ua merrnin shokëve a shoqeve dhe të nesërmen ua kthenin përsëri, me shumë falënderime të sinqerta.
Në një mbrëmje fundtetori, dikush trokiti në derën e dhomës së Lules. Ajo e ftoi të hynte. Vajza, njëra nga shoqet e grupit, hapi ngadalë derën dhe, pasi u sigurua që ishte mbyllur, i hodhi Lules një shikim dhe një moment s’po fliste. Ishte Aneta, një vajzë përherë aktive, por që dukej se po ndihej disi e drojtur dhe po qëndronte në heshtje. Bëri përshëndetjen e zakonshme, por në fytyrë i pasqyrohej një siklet i pashpjegueshëm. Lulen e shqetësoi pamja e saj dhe qe e gatshme ta ndihmonte për gjithçka:
– Çfarë ke, Aneta?! Më dukesh e shqetësuar… Më thuaj, si mund të të ndihmoj?
– Po, unë erdha të kërkoj për disa orë kostumin tënd të bukur, atë të gjelbrin, se… sonte do të takohem me dikë… Asnjëra nga veshjet e mia nuk duket e përshtatshme dhe s’kam mundësi tjetër. Ty të respektoj dhe besoj se do të më kuptosh se si ndihem tani… Të lutem, të më falësh…, por…
Lulja nuk priti sa Aneta të mbaronte së foluri. Hapi në moment kanatën e dollapit, para të cilit gjendeshin të dyja ,mori dorën e shoqes dhe, kur ajo preku varësen e vetme të dollapit, iu drejtua çiltërsisht:
– E ndiej veten të lumtur për dy arsye: e para, kam kënaqësi të ndihmoj shoqen time të gjendur në një situatë të pazakontë, dhe ana tjetër e rëndësishme është besimi që ti ke tek unë.
Lulja nuk ia tregoi bisedën me Anetën as shoqes më të afërt, Varvarës. E pabesueshmja po ndodhte ditët e mëvonshme. Të tjera vajza konviktore përsëritën kërkesën e Anetës; të parat dy studente shkodrane të civilizuara. Ato preferonin pjesët operistike…
Në përgjithësi, Lulja me natyrën e vet të çiltër, zemërgjerësinë genetike familjare, u gëzohej këtyre momenteve të veçanta për shoqen e radhës, të cilën e kuptonte sapo ajo ndihej e drojtur në momentin e hyrjes në dhomë. Hapte kanatin e dollapit dhe shpejt i vendoste në duar “të çmueshmin kostum”. Në njërën nga këto takime, ia ndërpreu shoqes në momentin e largimit fjalën e parë falënderuese, duke kthyer një përgjigje të vërtetë njerëzore:
– Mos më falëndero! Mirësia brenda zemrës sime në këto çaste është pothuajse e njëjtë me kënaqësinë brenda zemrës sate.
Vite më vonë përjetoi momentin më të veçantë dhe më prekës. Studentja vlonjate e vitit të dytë, me origjinë hebreje, i bëri Lules të njëjtën kerkesë. Vite më vonë nga Amerika, ku po vazhdonte studimet, vajza nga Vlora i dërgoi të fala të përzemërta, shoqëruar me fjalët:
“I jam shumë mirënjohëse Lules zemërbardhë, sepse veshja e atij kostumi të gjelbër, tepër cilësor në natën e prezantimit me A., duhet të më ketë ndihmuar gjatë momentit fillestar, duke më treguar një vajzë bukuroshe, pikerisht aivendosi drejtimin e mbarë, të mëtejshëm të jetës sime”.
Vërtet, këto episode pothuajse të zakonshme në ato vite e entuziazmonin, por kishte njëfarë zbraztësine brenda zemrës së saj, një vuajtje të papërjetuar më parë që thellohej nga dita në ditë përherë e më tepër. Ishte pikërisht pamundësia e takimit me Spiron. Dhe kur? Pikërisht tani që ishin studentë dhe rrethanat ishin shumë më favorizuese… Cila mund të ishte arsyeja e kësaj sjelljeje të ndryshuar, pothuajse të akullt nga njeriu që ajo e ndiente më pranë se gjithë djemtë e njohur përgjate viteve të jetës rinore, në vitet e gjimnazit apo shokëve të rinj, kur ndonjëri nuk mund ta fshihte një tërheqje të natyrshme ndaj saj (Lulja nuk tregonte më të voglin interesim dhe bënte sikur nuk kuptonte asgjë)…
E mendoi gjatë nëse duhej të shkonte për ta takuar Spiron në fakultetin ku ai studionte. Mbase më mirë do të ishte gjetja e vendbanimit, konviktit të djemve, të bisedonin, sepse të dy së bashku do të qartësonin gjithçka dhe do të përpiqeshin për të vendosur marrëdhëniet e mëparshme. Po a mund të sillnin probleme serioze këto iniciativa?
Së pari, në ç’mënyrë do të reagonte Spiroja; së dyti, ajo njihte vetëm rrugën konvikt-qendër dhe as mund të orientohej në rajone të tjera të kryeqytetit, kështu që po mbyllej në vetvete tepër e dëshpëruar. Edhe Ahmeti që banonte shumë afër me të kishte ndryshuar papritur mënyrën e sjelljes ndaj saj. Ç’të kishte ndodhur? Dyshime, vetëm dyshime. Përpiqej të gjente ndonjë arsye, por e sigurt se, çfarëdo të kishte ngjarë, ajo as dinte gjë, as kishte bërë me ndërgjegje ndonjë veprim që t’i kishte lënduar. E shqetësonte fakti që Ahmeti nuk e kishte takuar për një kohë të gjatë, edhe pse konviktet e tyre i ndante vetëm rruga… Nëse rastiste të përballeshin, ai thjesht sa e përshëndeste me kokë apo vetëm ngrinte dorën, duke iu shmangur dukshëm.
E dhënë ndaj studimeve të secilës lëndë, pa bërë diferencime mes tyre, Lulja po arrinte rezultatet e para pozitive, premtuese për të ardhmen. Fare pak kohë i mbetej për libra letrar, një nga ndryshimet e stilit të jetës së një vajze gjimnaziste krahasuar me atë studentore, gjë që ajo e pranonte me ndërgjegje. Përditë gjendej në sallën e studimit, ulur në tavolinën e përzgjedhur pranë dritares. Nuk po kërkonte forma të tjera argëtimi, i refuzonte edhe ftesat dashamirëse të shoqeve për ta shkëputur nga orët e shumta të studimit (sigurisht meritonte çlodhje), por mungesa e Spiros i zbehte gjithçka, fatkeqësisht deri në tjetërsim…
Duke qenë se ishte një lëndë e vështirë, Lulja studionte me përqendrim dhe përkushtim gjuhën frënge. Me librin hapur mbi tavolinë, ajo nuk i ndjeu hapat e dikujt që iu afrua fare pranë dhe në moment i pengoi dritën elektrike mbi faqen përkatëse të librit. Dora e të panjohurit i preku lehtësisht veshin e djathtë, duke ia ngritur paksa lart tufëzën e flokëve, një gjest i thjeshtë, por që Lules i krijoi papritur një ndjesi të pashpjegueshme. Mendoi se ishte Spiroja, i vetmi njeri që kishte të drejtë të vepronte në këtë mënyrë… Mos vallë i njohu ritmin e frymëmarrjes shoqëruar me aromën e lehtë e të këndshme të një karafili të porsaçelur? Apo ndjeu brenda shpirtit momentin kur flladi i ëmbël u shkri në një përmbajtje të vetme me ndjenjat e dëlira, të pastra dhe fluturuese në pritje të ardhjes tij? I dukej sikur ato çaste po shoqëroheshin me çelje të të tjera luleve, më të bukura dhe ende të njohura për të…
Pas pak dëgjoi zërin e dashur dhe të mirënjohur. E priste me padurim këtë moment me vlerë të pamatshme. Dihet se tërësia e tyre, e shtjelluar përgjatë kohës, përfaqëson thelbin e ekzistencës, vetë jetën e qenies njerëzore. Lulja po e provonte, vetëm se nuk po qartësohej në se ishte një pikë kulminante ndjesie brenda saj apo tinguj zanorë pranë veshit. E vështirë ta përcaktonte, e pamundur të përgjigjej, por, kur ato u përsëritën, ajo u kthye.
– Tungjatjeta! Do të doja të shkojmë bashkë sonte në teatër. Erdha për ty, Lule. U bë kohë e gjatë pa u parë… E ndiej mungesën tënde…
Lulja shtangu. Emocioni i çastit ishte aq i fuqishëm, sa nuk po mundej të shqiptonte fjalën e vetme pohuese apo mohuese. Mori frymë thellë dhe në moment preku dorën e djathtë të Spiros; duke e tërhequr lehtas, e vendosi shtrëngueshëm në fytyrë, në faqen e saj ane, por e pamundur të vazhdonte lëvizjen e mëtejshme deri në pjesën e buzëve… Ndjeu forcën e dëshirës së brendshme: të ndodhej sa më pranë tij!
Në ato momente, edhe ndjesia shpirtërore e Spiros ishte pothuajse e njëjtë. Ndodhej fare pranë Lules, ndaj nuk mund t’i shpëtonte rrezëllimi i papritur i syve të errët ngjyrë kafe, me formë të zgjatur e të mbuluar nga qerpikë më të gjatë se të zakonshmit. Ata mbetën të hapur paksa më gjatë se herë të tjera, duke u shoqëruar në moment me ndryshim të dukshëm të prezantimit të tyre; morën një pamje të lagësht, çastet pararendëse të lotëve… Dhe Lulja nuk mundi t’i pengonte të rrëshqisnin faqeve …
Morën biletat dhe u ulën në ndenjëset përkatësisht numrit. Donte dhe disa minuta që të fillonte shfaqja. Spiroja qëndronte thuajse i heshtur dhe u përgjigjej fjalëve të Lules në mënyre të prerë. Ai nuk tregoi pikë interesi as në momentin më emocionues të pjesës, të cilën natyra e saj e ndjeshme e përjetonte thellë… Ku humbi ndjenja e lumturisë dhe ngrohtësis që e përjetuan në sallën e studimit? Pse po venitej pikërisht kur qëndrimi brenda sallës mundësonte prekjen e të dy trupave? Asnjë pengesë nuk do të kishte për ta distanca që realisht nuk ekzistonte në ato momente… Ishin pranë mendjes dhe në zemrën e njëri-tjetrit, por në radhët e spektatorëve të dy fizikisht preknin supet e njëri-tjetrit…
U habit së tepërmi kur kuptoi se Spiroja përqendrohej në soditjen e profilit të saj, se sa drejt skenës. E pabesueshme… Atëherë, çfarë? Përsëri qëndrim mospërfilles mbas mbarimit të pjesës teatrale. Kur e shoqëroi në autobusin e linjës, i mbajti dorën në momentin e zbritjes së shkallës së dytë metalike dhe asgjë më tepër… Ngriti dorën lart duke pëshpëritur “Natën e mirë!”…
Atë natë Lulja ndihej e vrarë brenda shpirtit, e shqetësonte më e rënda peshë… Pse vallë të ishin përmbysur marrëdhëniet e afërta midis tyre, ndërtuar dhe fuqizuar me vite? Kaq javë pa u takuar dhe të mos thoshin thuajse asnjë fjalë?! A kishte ajo përgjegjësi për ndryshimin e sjelljes së Spiros mbas mbarimit të semestrit të parë? Pyetje të panumërta, asnjë përgjigje… Gjatë një ekskursioni në malin e Dajtit, të organizuar nga një ish-gjimnazist në respektim të shokëve e shoqeve të ndarë në disa fakultete, u krijua mundësia e ritakimit mes saj dhe Spiros… Por nuk ndodhi asgjë nga ajo që shpresonte Lulja.
Realisht bota shpirtërore e Spiros, pas një takimi tepër të rëndësishëm dhe bisedës së hollësishme me Ahmetin (Lulja nuk ishte në dijeni), pothuajse po përmbysej. Ai po jetonte çastet më të vështira të jetës së deriatëhershme. Ndihej si të qëndronte në një pozicion vertikal të detyruar, pa mundur të kthehej as djathtas, as majtas, sepse komanda e parë dhe e rreptë ushtarake: “Gatitu!”, nuk u pasua nga ajo e radhës: “Qetësohu!”, gjë që nuk po mundej ta kryente personalisht…
Fatkeqësisht, kuptoi me hidhërim se brenda tij po përballeshin dy forca të kundërta, të forta, pa pasur ndër mend asnjëra të tërhiqej. Ndjeshmëria, butësia shpirtërore e skajshme, e detyronte të përjetonte pothuajse në të njëjtën madhësi, vuajtjen fizike apo një çast fatkeqësie te një tjetër person, gjë që mundohej të mos e prezantonte, duke e mbyllur gjithçka brenda vetes. Ndodhej në një pozitë të papërshkrueshme, të panjohur, të paprovuar më parë. Ishte një hidhërim i thellë. Ai e shihte veten në largësi pothuaj të barabartë midis dy njerëzve të besuar, të ndershëm dhe të afërt me të: Lulja dhe Ahmeti, i cili nuk dinte të gënjente, të provokonte a të shqetësonte askënd. Ai kishte natyrë të drejtpërdrejtë, fuqizuar nga kontrolli i rreptë i babait të vet ushtarak në vitet e adoleshencës. Ahmeti as trillonte dhe as merrej me thashetheme… Një ditë ai i pati thënë me sinqeritet Spiros:
– Jam i sigurt se ti je marrëzisht i dashuruar me Lulen, ndonëse mundohesh ta fshehësh. Ky nuk është një konkluzion i çastit, por të kam vënë re në shumë raste kur dukesh i tjetërsuar në pritje ta shohësh apo të përshëndetesh me Lulen. Nëse rastis të gjendesh pranë saj, atëherë… del fare “lakuriq” në dritën e diellit!
– Ahmet! Sinqerisht i pranoj mendimet e tua, por ato nuk mund të më bindin tërësisht. Ndiej një detyrim brenda shpirtit tim; logjikës sime të përpiqem t’i argumentoj këto të dhëna që ti po më jep. Nga ana tjetër, ta them me ndershmëri se e kam të rëndë ta pranoj këtë realitet të hidhur, e kam të pamundur.
Duke parë në sytë e shokut, Ahmeti iu përgjigj me fjalët të mençura dhe plot ndershmëri:
– Unë do ndihesha shumë i lehtësuar, do të qetësohesha së tepërmi nëse provohet që, përsa të informova të dhënat e mbledhura prej meje, të mbeten vetëm dyshime të mia, pasi të faktohen kështu nuk do të kenë pikë vlere dhe t’i flakësh tutje sa më parë, burrërisht…
Shumë shpejt, mirëkuptimi i sinqertë midis miqve u arrit pa qenë e nevojshme të përdornin të tjera fjalë… Teksa po shtrëngonin duart në çastin e ndarjes, Spiroja nguli thellë dhe mendueshëm shikimin në sytë e Ahmetit. Në ato momente prezantoi ngjyrën blu të theksuar, pothuajse të errësuar të syve, duke e zëvëndësuar nuancën e tyre të kaltër, të kthjellët, të pastër, shëmbëlltyrë e një diamanti natyral, një nga nuancat e rralla në pafundësinë e ngjyrave, si të tregonte shkallën e thellësisë së trishtimit me përmasa tej imagjinatës. Në pamundësi ta kufizonte sadopak, ajo arriti deri në shpërthimin jashtë tij, sa të prezantonte forcën deri në ndryshimin e ngjyrës së syve, një fakt i pakundërshtueshëm…
Shpejt u bind se para tij kishte probleme serioze për të zgjidhur, të pazakonshme, por vendimtare për momentet aktuale, për jetën në vitet e ardhshme, të cilat, së pari, do ta ndihmonin personalisht, se Spiroja njihej prej të gjithëve për ndershmëri dhe dinjitet të spikatur. Rrethanat po e detyronin të përshkonte një rrugë të vështirë, të panjohur, që do ndante qartë kufirin midis të vërtetës dhe hamendësimit. Kjo ishte arsyeja që Spiroja po jetonte dyshime, të përziera me dashuri, gjendje që shpejt u shdërrua në dhimbje të thellë shoqëruar nga dashuria.
Po e ndjente të nevojshme të takohej me Ahmetin paksa me shpesh se më parë. Një mbrëmje, sapo iu drejtua portës së konviktit të tij, dalloi së largu një vajzë të veshur me kostum të gjelbër, shëmbëlltyra e atij të Lules. Fakti që ishte në distancë dhe momenti i hyrjes së saj në autobusin e linjës, teksa koha e paracaktuar për ndalesën e radhës ishte drejt përfundimit, e bënë të pamundur të diferenconte dhe të përcaktonte saktësisht nëse vajza mbas derës së mbyllur me shpejtësi ishte Lulja…
Rrjedha e ngjarjeve për Spiron përditë e më tepër po merrte zhvillime të paparashikueshme. Ato ngatërroheshin keq midis tyre, aq sa nuk po mund të ndante se ku përfundonte njëra dhe ku fillonte tjetra. Ai përpiqej të gjente çaste të lira kohe, momente qetësuese që të mos kishin lidhje me dyshimet vrastare për dashurinë e tij të sinqertë.
Një mbasdite, bashkë me dy shokë të tij, planifikuan të vizitonin Galerinë e Arteve Figuratve. Bisedonin me zë të lartë tema interesante rreth pikturës në tërësi. Befas Spiroja e ndërpreu fjalën në mënyrë të papritur, sepse në fund të sallës së madhe po i tërhiqte dukshëm vëmëndjen një vajzë e gjatë, teksa qëndronte e përqendruar pranë një picture. Ajo prezantohej me konstrukt dhe veshje pothuajse si Lulja, prandaj ai e thirri nga këndi i kundërt i sallës ku po qëndronte, pa u menduar gjatë:
– Lule!
Vajza ktheu kokën dhe pastaj trupin në drejtim të zërit të sapodëgjuar, por shpejtësia e kthjellimit të Spiros u pasua me daljen e tij në moment jashtë sallës. Ndërkaq vajza kthente rrotull fytyrën në pamundësi ta njihte personin… Ajo ishte një shëmbëlltyrë, jo vetë Lulja dhe kjo gjë ishte lëndim, por edhe zbutje për trishtimin e tij të pamatë shpirtëror.
Koha e lirë pas përfundimit të programit ditor dhe provimet e sezonit i mundësonin pjesëmarrjen në skuadrën e basketbollit, sporti i tij i preferuar. Stërvitja me pasion kishte formësuar një skuadër shumë cilësore dhe kjo u dhuronte djemve kënaqësi. Një të shtunë vendosi të priste mesnatën pranë konviktit të Lules (si fillim i një pune bindëse për veten për të dhënat dyshuese që i kishte thënë Ahmeti për Lulen). Ishte dhe Spiroja detyrohej të bënte here pas here ecejake për t’u nxehur, pa ia ndarë sytë portës së madhe. Ahmeti i kishte thënë se Lulja dilte të shëtiste çdo ditë të shtunë e jo rrallë edhe në ditë të tjera të javës.
Qëllimi i vetëm i faktimit të atij dyshimi kishte të bënte me të ardhmen e tyre, të Spiros dhe të Lules. Ata duhet të ecnin në rrugë të sigurt, që do të plotësonte kushtet për një jetë të lumtur të tyre. Lulja ishte shoqëruesja e pandarë e shpirtit të tij dhe ai vetëm atë donte ta kishte përkrah, ta ndiente pranë fizikisht, realiteti t’i prezantonte ata të dy si një subjekt të vetëm dhe të konsoliduar, pasi të dy t’i kishin kapërcyer me zotësi dhe ndershmëri pengesat e pashmangshme.
Për orë të tëra gjatë asaj mbrëmjeje, Spiroja kërkonte të dallonte Lulen. Qëndronte në largësi, sepse donte të shmangte mundësinë që Lulja ta shihte, nëse kalonte në portën e jashtme të konviktit. Saje ngjyrës së thekshme të kostumit të saj, ai nuk do ta kishte të vështirë për ta dalluar që larg. Sa për personin me të cilin mund të ishte e shoqëruar në ato çaste, Spiroja brenda vetes ishte i ndërgjegjësuar. Ai nuk e mohonte ndjenjën e pavetëdijshme të urrejtjes, edhe pse mund të ishte një person i panjohur.
Fakti që Lulen nuk e pa të dilte e shoqëruar me dikë jashtë godinës gjatë atyre orëve vëzhguese, e lumturoi, por pjesërisht, sepse, në të njëjtën kohë, humbi mundësinë të vështronte sadopak femrën e vetme që kishte dashur dhe e kishte të pamundur ta përshkruante madhështinë, sinqeritetin dhe domosdoshmërinë e dashurisë për të, si pjesa dominuese e jetës rinore. Nga ana tjetër, nuk mund të mos pranonte përmasat e dëshpërimit të thellë, që e kishte zaptuar kokë e këmbë… Megjithatë, shpresa mbetej…
U kthye në fjetore, paksa i qetësuar në vetvete. I duhej të përgatitej për provimet e sezonit, përmbajtja e vështirë e të cilave kërkonte kohë dhe përqendrim. Spiroja ishte i ndërgjegjshëm se vetë ai nuk ishte më shumë se një student i nivelit mesatar, më e pakta, më e mundshmja për të në situatën e krijuar…
Mbas një leksioni mbajtur në korpusin qendror të universitetit, studentët po shpërndaheshin në grupe të vogla. Një shoqe e grupit të Spiros me të cilën respektoheshin reciprokisht, i sugjeroi të lëviznin ngadalë drejt qendrës. Biseda kishte një përmbajtje interesante dhe të përqendruar brenda saj. Po ecnin ngadalë, gjë që u shkaktoi njëfarë vonese me shokët, larguar secili sipas programit personal. Në një moment gjatë bisedës, Spiroja vuri re papritmas se drejt tyre, në të njëjtin trotuar, po afrohej Lulja e shoqëruar me Varvarën. Ndali hapat, ndërpreu fjalën, ashtu pavetëdijshëm. Shoqja nuk kuptoi se ç’pati ai dhe, në pamundësi të orientohej, shihte rrotull…
Brenda pak minutash ndodhi e paimagjinueshmja. Lulja, me ecje të lehtë, të veçantë si të ishte në momentin fillestar në një kërcim baleti, prezantoi fytyrën e freskët ku shiheshin sytë me ngjyrë të errët, në kontrast me flokët e dendur, të verdhë e të valëzuar, iu afrua Spiros. Qartësisht shprehja e fytyrës së saj, për më tepër sytë, tregonin një pamje të veçantë ku përziheshin keqardhja, vuajtja, dashuria dhe ironia. Ajo i nguli shikimin Spiros e pastaj foli:
– Oooo, Spiroja, shoku im i gjimnazit! Sa po gëzohem që të takoj! U bë një kohë e gjatë pa të parë! Fakti që paske ke vendosur të shoqërohesh me një vajzë simpatike, po më çudit së tepërmi! Të njoh mirë ty dhe jam e sigurt se nuk merr vendime të pamatura. Më vjen keq që nuk paskam ditur gjë për këtë “ngjarje të shënuar”! Sigurisht, fakti që Lulja kohën e kalon në sallën e studimit dhe bibliotekë, nuk i ka mundësuar shëtitjen rrugëve të kryeqytetit, sepse natyrisht di t’i tërhiqte vëmendje një çift i përkryer… sikurse ju të dy…
Qartazi në fjalët e fundit nuk mund të fshihej fyerja në më të lartin nivel, doza e një ironie të hapur… U shtangën të tre dhe për disa çaste pothuajse morën pamje të ngurtësuar. Së largu, Varvara, e shqetësuar, ndiqte Lulen, në pamundësi të afrohej dhe të bëhej pjesëtare e një situate të papërshkrueshme. Nëse do mundej, sigurisht do të qëndronte përkrah me shoqen e pandarë, sepse e njihte mirë vuajtjen e thellë të Lules, e cila, saje forcës së karakterit, shfaqte jashtë vetes fare pak nga ajo vuajtje.
Studentja, shoqja e Spiros, reagoi e para me delikatesë:
– Më falni, ju lutem, por më duhet t’ju sqaroj si është e verteta. Me Spiron jemi thjesht shokë grupi dhe asgjë më tepër… E respektojmë njëri-tjetrin, e vlerësojmë…
Heshti në pritje, kur Lulja:
– Ashtu?! E pabesueshme! Vetëm kaq?! Një “shoqëri e sinqertë mes dy studentëve të të njëjtit grup”?! Edhe kur vetëm e dëgjon këtë pohim, ndien “kënaqësi”! Kam të drejtë, apo jo?
Lulja u hidhte vështrime shpotitëse sa njërit, aq dhe tjetrit.
– Po, jemi shokë, asgjë më tepër, zonjushë, të jesh e sigurt! – iu përgjigj pothuajse në të njëjtën mënyrë shoqja e grupit të Spiros, i cili po ndihej i pafuqishëm të ndërhynte në ato momente delikate.
Dy vajza të reja që po shiheshin për të parën herë, po silleshin midis tyre në mënyrë të papëlqyeshme, të pafalshme (brenda vetes, Spiroja mbante më shumë anën e Lules, nëse do të donte dikush të dinte të vërtetën, ndonëse edhe shoqja e tij e grupit nuk kishte asnjë faj). Gjykoi të mos zgjatej situata e pakëndshme, shpejtoi hapat i ndjekur nga shoqja studente, e cila, çaste më pas e pyeti sinqerisht:
– Nuk je i detyruar të më tregosh, por sjellja e saj më bëri një përshtypje të paprovuar kurrë më parë! Ku e gjen të drejtën të më drejtohet mua apo dhe të të fyejë ty në atë mënyrë ajo? Nuk e kuptoj qëndrimin e një djali të kulturuar, se ty të njoh. Sa për atë, më mungojnë fjalët… Mos jeni dashur më parë me njëri-tjetrin? Një reagim i tillë nga një vajzë, i papritur, i pamagjinueshëm… Nuk mund të shpjegohet sidomos heshtja jote…
Në pritje të përgjigjes, zëri i ngadaltë dhe i pikëlluar i Spiros, e brengosi:
– Diçka e ngatërruar, nuk jam i sigurt as vetë. Ndiej një pështjellim të madh, të papërcaktuar, nuk mundem të orientohem brenda vetes. Të tjerë faktorë negativë favorizojnë situatën time të tanishme… E kam të vështirë të marr vendimin e duhur. Për disa arsye…
Ndonëse kishte pak kohë që e njihte, Spiroja po e vlerësonte sjelljen e shoqes në ato momente të veçanta. Kishte krijuar me të një lidhje të sinqertë shoqërore, por gjithë hapësira e ndjenjës dhe thellësia e botës shpirtërore rrihnin vetëm për një vajzë, Lulen. Vetëm për atë! Dhe ishte në kërkim të rrezes së dritës e nuk lodhej, por prapë bëhej konfuz… Sa i trazuar shpirti i Spiros, sa i paqetë!
Siguruan biletat për një pjesë operistike të vlerësuar, për më tepër që Spiroja tregonte prirje të dukshme ndaj muzikës. Ishte eklektik në njëfarë mënyre, pëlqente çdo lloj muzike: popullore, muzikën e lehtë, të huaj, klasike… Disa çaste para fillimit të shfaqjes, i mbetën sytë në një kënd të sallës dhe dyshoi. Po shihte një vajzë të shoqëruar me një mashkull tepër të shëndoshë, me flokë të gjatë e me llullën në mes të buzëve dhe së largu ajo femër iu faneps me Lulen. Shpejt e kuptoi dhe u bind plotësisht se në ato momente po vështronte kostumin e veçantë të Lules, kësaj radhe të veshur nga një tjetër femër, ndoshta shoqe e saj. Spiroja e kishte e pamundur të pranonte që ajo shumë shpejt, në fillimin e vitit të parë të shkollës së lartë, të tjetërsohej në një femër të panjohur për të dhe të shkëmbente shoqëruesit e natës. Njihte sinqeritetin, sjelljen e saj tepër korrekte, por… i kujtoheshin sërish fjalët e shokut të tij të besuar, Ahmetit…
Po, ishte i dashuruar me shoqen e fëmijërisë dhe të rinisë; nuk mund t’i konsideronte rrahje të thjeshta të zemrës kur e shihte përballë, as ta krahasonte Lulen me të tjera vajza të njohura në rrethet shoqërore, sepse asnjëra prej tyre nuk e tërhiqte e nuk e bënte të ndihej ndryshe, si me krahë të fuqishëm, i gatshëm për të pushtuar kaltërsitë.
Dashuria në rritje për Lulen po shoqërohej dhe me përpjekjet e stërmundimshme për ta vendosur sa më thellë brenda shpirtit të tij, ta pranonte si të pakthyeshme, të mos dyshonte… dhe të pranonte pa mëdyshje se vajza me emrin domethënës “Lule”, ishte shndërruar në metalin më të çmuar dhe askush nuk mund t’ia zbehte vlerat, as edhe një forcë e mbinatyrshme. Atëherë?! Në vetvete po pranonte situatën e krijuar, pa u dorëzuar në ecjen e saj rrugës së vështirë e të paimagjinuar…
Po Lulja, si ndihej? Asaj iu shumëfishuan shqetësimet, kur Ahmeti vetëm sa e përshëndeste së largu dhe qartazi nuk dëshironte as t’i shtrëngonte dorën miqësisht. Pse vallë ky qëndrim i pamerituar për të? Rastësisht u takua me një student në degën e stomatologjisë, shok në të njëjtin gjimnaz dikur. Teksa po kalonte në trotuarin para konviktit të djemve, ai iu përgjigj përshëndetjes së Lules me një ton ironie të skajshëm:
– Tungjatjeta! Mbase gaboj, por nuk po më dukesh si shoqja jonë e dikurshme! Je ngjitur në lartësi marramendëse, sepse tani njihesh; je bërë një vajzë e civilizuar, thënë ndryshe, e kohës moderne… dhe është një nder i veçantë të flasësh me ty…
Të tjera çaste të vështira pasonin njëri-tjetrin; rastiste të ishin në të njëjtin vagon udhëtimi, kur ktheheshin në shtëpi për pushimet semestrale. Në momentin e shkëmbimit të shikimeve midis tyre, Spiroja gjasme shihte jashtë dritares së vagonit, ndërsa në zbritje, vonohej si ta pengonin pasagjerët, kur dukshëm ishte ai që u pengonte lëvizjen në hapësirën midis ndenjëseve.
Gjatë verës, Lulja me Varvarën mundën të shkonin në plazhin e Semanit, me një autobus të linjës. Hynin në ujin e pastër të detit; dallgëzat rrezatonin ëmbëlsinë e tyre në të gjitha nuancat e ngjyrës së kaltër, shoqëruar me një reflektim të lehtë të rrezeve të diellit sa më pranë bregut, ndërsa më larg tij e errësonin ngjyrën duke u bashkuar edhe me ato të ngjyrës së gjelbër.
Vajzat lëviznin në largësi disa metra më tej bregut. Shumë shpejt, pas tyre fillonin te notonin dy-tre djem dhe nuk ishte e vështirë të njihte Spiron, që, sapo afrohej, përhapte me duart e shtrira dallgët pranë vajzave, zhytej në moment e mbas disa çastesh dilte tej në sipërfaqen e detit, duke thirrur me zë të lartë “dikë” prapa vajzave. Realisht djemtë ishin duke notuar shumë larg bregut dhe nuk kishte dyshim që Spiroja donte t’i tërhiqte vëmendjen Lules.
Mbresëlënia më e hidhur për Lulen, ishte një mbrëmje janari afër mesnate. Si shpeshherë të tjera, gjumi e kaplonte me vështirësi dhe, pikërisht për këtë arsye, ulej pranë xhamit të mbyllur të dritares duke qëndruar kohë aty, por pa asnjë pikë interesi për atë që shihte jashtë saj. Por… Gati nuk po i besohej, kur në afërsi të portës së shkollës ushtarake vuri re dy djem që bisedonin midis tyre. Njëri herë pas here vështronte drejt godines së fjetores së vajzave studente të Fakultetit të Mjekësisë, ndonëse në ato orë të vona të gjitha dritaret e fjetores ishin në errësirë. Sapo nguli vështrimin në djaloshin shtatlartë, njohu Spiron e pastaj dhe Ahmetin. Nuk e kuptonte pse dy shokët e saj në anën tjetër të rrugës bisedonin gjatë, ndërsa atë, Lulen, shoqen e fëmijërisë së tyre, as e përshëndetën të paktën. Një enigmë e thellë, por shumë e hidhur për të…
Gjendja e rënduar emocionale e Spiros dhe Lules ishte e pamatshme, e pamundur të përcaktohej thellësia e hidhërimit për secilin. Në një nga dremitjet natën vonë, Spiroja pa një ëndërr, makth të vërtetë: ishte njëri prej të ftuarve në dasmën e Lules dhe ajo, në vend të fustanit të bardhë tradicional të nusërisë, ishte veshur me një fustan në ngjyrë të ngjashme me kostumin e gjelbër… Një forcë e papërcaktuar e shtrëngonte Spiron në fyt, ndiente vështirësi në frymëmarrje dhe pyeste veten: “Pse duhej të më bënte ftesë mua në dasmën e saj? Për më tepër, mban veshur të njëjtin kostum me të cilin ka dalë me djem të tjerë… U zgjua, me ballin mbuluar me djersë. U kthjellua dhe vazhdoi jetën e përditshme…
Mbas mbarimit të vitit dytë, aksioni i rinisë për studentët e mjekësisë u realizua në bregdetin e Vlorës. Një pasdite, Lulja, ulur në gurët pranë bregut, priste shoqet që po notonin. Në një moment iu afrua njëri nga shokët dhe e pyeti me një ton ku dallohej qysh në fjalën e parë shpotija prekëse:
– Po më çudit fakti që studentja më e mirë e kursit nuk hyn të freskohet në valët e detit. Përfitimi do të ishte i dyfishtë, si për trurin dhe… për trupin.
Lulja nuk kishte pikë dyshimi për fjalët thumbuese të shokut dhe iu kthye në mënyren më të thjeshtë e të sinqertë:
– Do të më vlente këshilla jote, Fatmir, por nuk di të notoj. Këtu bregu i detit ka gurë të shumtë dhe kam frikë se më rrezikojnë jetën…
Përgjigjja e paramenduar e Fatmirit:
– Lule, të këshilloj të veshësh kostumin e gjelbër. Saje ngjyrës së tij të gjejnë shumë shpejt palombarët…
Ajo gjykoi të mos vazhdonte më tej, por përmendja e veshjes së mirënjohur në kohën më të papërshtatshme dhe zëvendësimi i një kostumi përdorur në vjeshtë me rrobat e banjës, nënkuptonte shumë…
Vitet zëvendësonin njëri-tjetrin. Lulja iu përkushtua shkollës, sa në mbarim të fakultetit mori diplomën e studentes së dalluar, shkruar me gërma të mëdha me ngjyrë të kuqe. Po a ndihej ajo e lumtur, kur brenda vetes, përditë e më tepër e digjte malli për Spiron? Askush nuk mund të hynte qoftë edhe përkohësisht brenda zemrës së saj, absolutisht e pamundur ta harronte atë! Ishte e bindur plotësisht.
Në fillim të vitit tretë të fakuletit, Lulja u përball me një problem tejet të vështirë: një nga vëllezërit, mbas mbarimit të fakultetit të inxhinierisë së ndërtimit, nisi punë. Ana ekonomike e familjes së tyre pati njëfarë përmirësimi. Nga ana tjetër, e detyronte Lulen të mos merrte pagesën mujore të studentit të financuar nga shteti (bursën), pa të cilën e kishte të pamundur të vazhdonte më tej studimet. Ajo po e gjente veten në një situatë kritike. Ndodhej në udhëkryqin midis dëshirës së papërshkrueshme të bëhej një mjeke e përkushtuar me mendje dhe zemër ndaj të sëmurëve, gjë që e kishte ëndërruar tërë kohës (të trija kërkesat e formularit për studime të larta i plotësoi me të njëjtën emertesë, “Mjekësi”) dhe realitetit të zymtë se në ato kushte i duhej të ndërpriste fakultetin e përzgjedhur, për të mos u kthyer kurrë më.
E pikëlluar tej mase dhe me lot ne sy, bisedoi me Varvarën për situatën e papërballueshme në të dy krahët. Përgjigjja e sinqertë, e thjeshtë, e vendosur dhe e papritur prej shoqes, e shtangu Lulen:
– Unë jam mikja më e afërt, ty të njoh mirë dhe e di me saktësi se sa e dhënë je pas studimeve. Zgjidhja e vetme ndodhet përpara nesh. Ne do të ndajmë së bashku të njëjtin shtrat (tregoi me dorë në drejtim të tij, teksa ndodhej në tavolinë duke lexuar) dhe njëherazi vaktet e ushqimit në mensën tonë. Ti nuk do të largohesh…
Emocionet zaptuan Lulen. E përqafoi pa mundur të shqiptonte një fjalë të vetme dhe kuptoi se zemërgjerësia e Varvarës dhe mirësia e saj nuk njihnin kufij. Fatmirësisht, një program shtesë në rregulloren universitare të atij viti u garantonte studentëve të shkëlqyer në mësime bursën mujore, pavarësisht të ardhurave ekonomike të familjes. Pra, saje rezultateve të larta në të gjitha provimet, Lulja do të merrte çdo muaj pagesën; nga ana tjetër, mbresa e sjelljes së Varvarës mbeti thellë në zemrën e saj gjatë gjithë jetës…
Një pasdite, dy ditë para provimit të fundit, trokiti dera e dhomës. Një vajzë i tregoi se dikush po priste ta takonte. Kush mund të donte të bisedonte me të? Spiroja? Ai… përherë e më tepër tregonte në çastet e kryqëzimit të vështrimit me Lulen një dashuri në rritje, por, në të njëjtën madhësi, edhe ndjenjën e mospërfilljes… Cila do të triumfonte ndaj tjetrës? Të jetë Spiroja?
Ngadalë, e turbulluar, u gjend në hollin e konviktit. Shtangu kur para saj, dy hapa më tej, pa Ahmetin. Pas heshtjes së fillimit, ishte ai që foli i pari:
– Erdha të të takoj, sepse duhet të bisedojmë së bashku për një problem timin dhe, në të njëjtën kohë, tëndin dhe të Spiros…
Lulja pothuajse mbeti pa frymë nga fjalët e tij, në një moment që ajo s’e priste. Jo vetëm që nuk po orientohej dot, por nuk po mund të formulonte asnjë pyetje të vetme, veç gati një belbëzimi:
– Edhe, për çfarë të duhem unë? Ne shumë herë as që jemi përshëndetur…
– Të lutem, të më falësh, Lule! E kuptoj pozitën tënde, por është i domosdoshëm takimi ynë këtë fundjavë, ditën e shtunë, në orën 19. Duhet të bisedojmë të tre, se të dielën unë do të martohem, por, para se të jeni dasmorët e mi, na duhet të takohemi të tre.
Korrektësia, një nga tiparet e spikatura të karakterit të Lules, do ta udhëhiqte si përherë, ndonëse ishte e paqartë se pse duhej një takim i trefishtë një ditë para dasmës së Ahmetit, çuditërisht data korresponduese me ditën e marrjes së matures para pesë vjetësh…
Për të tre, momenti fillestar i takimit prezantoi një situatë të vështirë emocionale. Ahmeti, duke hedhur shikimin nga njëri tek tjetri, nisi të flasë me një zë të ulët, ku dallohej qartë një ndjenjë trishtimi:
– Dua t’ju kërkoj ndjesë për një veprim timin para katër vjetësh! E bëra me ndërgjegje të plotë, duke menduar se ju ndihmoja, por koha tregoi se e vetmja ndihmë për ju ishte thellimi, forcimi i dashurisë suaj përgjatë viteve të kaluara larg njëri-tjetrit ,shpirtërisht më pranë se kurrë… Ja si është e vërteta: në një nga takimet me Spiron, ai sinqerisht më pohoi se kishte vendosur për një lidhje serioze me ty, Lule… Hezitimi, pozita ime e vështirë në ato çaste, nuk mund të mos e shqetësonte mikun tim më të afërt. Dhe këmbënguli ta sqaroja… Atëherë i thashë se kisha detyrë shpirtërore t’i tregoja të vërtetën. I thashë se Lulja studente nuk është më shoqja jonë e respektuar, e mirënjohur qysh nga ditët e largëta të foshnjores deri në mbarim të gjimnazit. Ajo duket një vajzë e paraqitshme, tërheqëse, sidomos kur vishet me një kostum të gjelbër, që asnjë shoqe tjetër nuk mundet ta mbajë veshur. Ka atë dizenjo të rrallë dhe njihet së largu që vajza e veshur me kostumin e rrallë është Lulja… Fillimisht nuk më ra në sy ndonjë gjë e veçantë, por gjithçka ndryshoi kur po bindesha se, dy a tri herë në javë, një vajzë me atë veshje dilte nga porta e konviktit, e shoqëruar me meshkuj të ndryshëm nga nata në natë: njëri gjatosh, një tjetër shpatullgjerë e i shkurtër, apo tjetri që i vetëtinte tulla nën dritën e hënës… Nuk mund të mos e përjetoja keq atë gjendje të paimagjnueshme… Ditën kur unë e qartësova veten, kuptova të vërtetën që më hidhëroi pa masë. Kisha gabuar thellë, pa dashje, vetëm se nuk po gjeja forcën t’i kërkoja faljen më të afërmit shok. Në të njëjtën kohë, duke qenë pranë Spiros, u binda se dashuria në zemrën e tij për ty Lule kishte zënë rrënjë, po lulëzonte, ishte një ndjenjë e pazëvendësueshme: një dashuri e vërtetë, e sinqertë, e konsoliduar përgjatë gjithë kohës së vështirë, deri në mundësinë e prezantimit të saj … Po bëhej e fuqishme çdo ditë e më tepër, pa lejuar t’i afrohej sadopak një tjetër…
Momentet më të vështira, të papërshkrueshme për të tre. Spiroja me Lulen shkëmbyen një copë herë vështrime, ndërsa Ahmeti, paksa i zbehtë në fytyrë, mbante kokën lehtësisht ulur. Askush nuk fliste. Lulja e theu heshtjen e para:
– Po, kam pasur një kostum të bukur, të gjelbër. Nuk e vishja përherë vetëm unë, por e kërkonin dhe e vishnin edhe shumë shoqe të tjera në raste të veçanta kur aresyeja e shetitjes nuk ishte e zakoneshme dhe prezantimi I femres detyrimisht do te duhej te ishte ndryshe nga veshja e perditeshme, gje qe e plotesonte kostumi I gjelber …pra ai Ishte i përbashkët për ne…vajzat studente te mjeksis, ne te njejtin konvikt atyre viteve…
Fjalët e saj sqaruan gjithçka kishte ndodhur. Ishte një situatë e vështirë, pezull dhe zgjidhjen e dha ai, “shkaktari” i asaj situate, Ahmeti, që, pasi shtrëngoi dorën e tij të djathtë me të njëjtën dorë të Spiros, me të majtën preku dorën e shtrirë mbi tavolinë të Lules, u ngrit me vërtik, iu afrua të dyve dhe, në më të shpejtin çast, u gjendën ngjitur, shtrënguar midis tyre, trupat gjysmëngritur, të përqafuar, një prezantim i njëjtë si dikur kur udhëheqësit luftëtarë romakë bashkonin forcat e tyre dhe siguronin fitoren.
U larguan, secili zhytur në mendimet e veta, por të lehtësuar… Të nesërmem, midis të ftuarve dasmorë (shumica në festimin e pesë vjetorit të matures), Lulja spikaste mbi të gjithë me bukurinë e saj të pakrahasueshme, sharmante dhe të përkorë.
Pas çasteve të uljes në tavolinat përkatëse, orkestra shoqëroi me tingujt e valsit të Bethovenit hyrjen e çiftit në sallën e zbukuruar me shije të këndshme për të pranishmit. Sapo filluan trokitjet e para të gotave midis dasmorëve, u dëgjuan tingujt e papërsëritshëm të “Valsit të lumturisë”, më e vlerësuara këngë e të përjetshmes Vaçe Zela. Po krijohej në ato momente “bota imagjinare”, kur Spiroja u ngrit shpejt nga tavolina e paracaktur për shokët e Ahmetit, eci me hapa të shpejtë mespërmes sallës duke rrezatuar natyrshmërinë e personit të tij të respektuar e të mirënjohur. Shkëlqimi rrezatues i syve të kaltër ia nxirrte më në pah trupin e gjatë dhe shpatullat e gjera. Në përgjithësi, ai prezantonte gjendjen shpirtërore të lumturuar. Këmisha e ngjyrës së lehtë bojëqielli, kombinuar me xhinse dhe këpucë-atlete të së njëjtës ngjyrë, ia shtuan shkallën e madhështisë, shprehur në mënyrën më të thjeshtë. Ajo ceremoni e veçantë kërkonte një veshje të zgjedhur, ndryshe nga e përditëshmja. Spiroja, si një prezantues besnik i natyrshmërisë së tij, nuk e pranonte një rregull të caktuar dhe zbatuar nga shumica. Ai i mbetej besnik kokëfortësisë së shijes së vet…
Dëshironte të vallëzonte si dikur në ditët e jetës gjimnaziste së bashku me Lulen, të njohur si valltarët e valsit… Shpejtoi hapat drejt vendit ku partnerja, ulur mes shoqesh, po e priste me padurim, pa mundur t’i fshihte emocionet, ndjenjat e saj për të. Ato i tregonin çdokujt pranë se ata ishin lindur për t’u dashuruar dhe ndjekur së bashku gjithë vitet e jetës së tyre. Koha e humbur e kishte kaluar provën më të vështirë. Ishte njëra nga shkallët e jetës kur njeriu detyrohet të ngjitet dhe, sapo arrin pikën kulminante, shijon lumturinë e ëndërruar, pa humbur më kohë pas të shkuarës…
Magjia e atyre çasteve iu përcoll pothuajse të gjithë pjesëtarëve në ceremoni. Shokët e shoqëronin me fjalë dhe tinguj të ulët këngën; gjithë hapësira e sallës ishte në funksion të vallëtarëve, rrotullimeve fantastike, të shoqëruara me momentet tërheqëse kur ata së bashku prezantonin një përmbajtje të vetme: lumturinë e skajshme, shoqëruesen e dashurisë së pastër njerëzore. Të tjerët ndoqën me admirim vallëzimin e papërsëritshëm të Spiros me Lulen, që arriti pikën kulminante në një moment pauses, kur vallëzuesit, me krahët hedhur në supet e njëri-tjetrit, po u afroheshin shokëve. U dëgjua tonaliteti i lartë i zërit të Spiros, që shprehte natyrshëm ndjenjat rinore:
– Së shpejti do të vallëzojmë valsin “Për të ardhmen tonë”!
Mjedisi i këndshëm dhe emocional vazhdoi deri afër mëngjesit…
Komentet