Në orët e vona të mbrëmjes më pëlqen të dal diku nga qendra e qytetit dhe të futem në ndonjë tymtore, aty, para një gote me raki, të hap një libër, të lexoj pak ose të takoj ndonjë njeri që më pëlqen. Më duket se në këto çaste prek atë të mbërritshmen që nuk mbërrin kurrë, po më ngjan se po vjen. Është një ndjenjë jete që zhytet në qetësi. Në lokale të tilla që mbeten gjithnjë një kënaqësi e imja, shoh sesi del jeta nga skutat e lodhura të ditës dhe vërshon drejt një dëfrimi të ngazëllyer në takime njerëzish nga ata që jeta i ka hedhur në halle të mëdha. Shoh, pikërisht këtu ,njerëz të papunë ose që e nxjerrin lekun nga fundi i dheut,tipa që mallëngjehen pas një gote rakie dhe ngrenë zërin në kupë të qiellit, po zëri i tyre, sakaq, mbytet në ngashërime të thella;pastaj diskutojnë për politikë dhe të kërkojnë edhe ty të përfshihesh në të,shajnë me fjalë të pista dhe kështu kujtojnë se hakmerren ndaj të pasurve me një lehtësim të shpirtit.Po sërish rakia u ngre trimërinë e guximin dhe i sjell në formën e një vetëbesimi të tepruar.
Herë herë ,më duket se u ngjajnë personazheve të Hygoit, apo të Gorkit, dhe në regëtimin e shpirtit të tyre të vojtur hetohet sesi shkreptin rrezja e jetës me një hovje gjallëruese.Sa keq do ta ndieja veten në një lokal luksoz ku ftohtësia dhe shërbimi korrekt, me gjithë servirjen dhe kujdesin ,kanë një sharm të ftohtë.Ja ,edhe këtë mbrëmje jam këtu.Jashtë bie shi dhe vërshëllima e gomave të makinave shkrihet në një përpjekje nxitimi.Po shoh aty Festimin ,një të njohurin tim nga Gora.Festimi është ulur me një shok të vetin. Mundohet t`i shpjegojë atij diçka. Tjetri që nuk e njoh, tund kokën dhe, me sa duket ,nuk kupton asgjë, po këtë e bën ose nga dëshira për të dëgjuar ose nga begenisja se, me ç`po duket, qeras Festua.Unë ulem veçmas për të mos i bezdisur edhe sepse më pëlqen të rri vetëm.Pas një dite të lodhur kam dëshirë të hap librin që e mbaj me vete dhe të lexoj diçka.Festimi kthen kokën dhe më pikas.
-Po ti thotë ai,si nuk më përshëndete?Jo nuk bën..U mundova t`i shpjegoj përsenë, po është e pamundur ta bind.
-Je i dënuar të pish, thotë ai dhe porosit për mua dopio,një meze të vogël.E di se nuk ka para, është i papunë, po shpirtin e ka xhevahir.Në këto lokale nuk mund të ketë heshtje.Mungesa e saj është limfa e tyre.Vërtitet dhe vërtitet biseda dhe doli,si doli nuk e di, tek vallja e Gorës.E kush nuk ka parë dhe s`ka dëgjuar për këtë valle.Ai që ka mbaruar shkollën për agronom është një pasionant i mirë i artit.I intereson letërsia dhe sidomos vallja.Aty është dobësia e tij.
-Ajo valle, thotë ai është tremijë vjeçare,pse do thoni ju?Sepse ajo kërcehet me vendosjen e plotë të këmbës në tokë.Më vonë e prishën e stilizuan dhe e kthyen në majë të gishtave.
-Pikërisht këtë nuk e di, tha dikush.
-Si nuk e di?Jo.Ja ta them unë? U ngrit dhe filloi të demonstronte vallen.Demonstronte bukur.Tjetri duke e parë të pirë kërkonte një farë spektakli.
-Unë nuk e kuptoj këtë, tha ai, as nuk mund ta honeps…
-Si, ti di valle dhe nuk e kupton.
-Kam qenë edhe unë valltar, tha tjetri.
Festimi u ngrit sërish dhe filloi të demonstronte.Kësaj here ai ,në mungesë të muzikës, filloi të imitonte ritmin duke e shoqëruar me lëvizje të përkryera:tup pa pa tup,tup pa pa tup.Tjetri ,një burrë i parruar me një dhëmb ne gojë, qeshi me ligësi dhe kërkonte të zbavitej.Festimi nuk e kishte mendjen tek ai, atë e kishte rrëmbyer shpjegimi.Pastaj u ul dhe filloi të shikonte gotën dhe kur kuptoi se nuk kishte më,e përplasi me një forcë të lehtë mbi tavolinë.Tjetri, me dredhi duke e parë këtë, i çoi një gotë.Festimi u mat ta refuzonte duke thënë se ishte i ngarkuar, po dhëmbgojsi ia solli vetë gotën duke i thënë:të bëftë mirë…
Festimi është njeri pranues.Njeri i mirë dhe i ditur, ndërsa tjetrin nuk e njoh ,po ,me sa kuptova, ai kërkonte që të zgjaste kjo gjë,Shpesh ka njerëz që duan të argëtohen me të pirët ,me të çmendurit, njerëz bosh që u pëlqen shëmtimi se vetëm me atë mund të jetojnë.Jo rrallë nëpër rrugët e Tiranës shoh të tillë që venë mes tyre ndonjë nga ata që quhen endacakë, rapsodë popullorë apo tipa të tjerë dhe kundrejt disa lekëve i detyrojnë të mbajnë ligjërata dhe të këndojnë.Ky argëtim gri u sjell atyre një lehtësim,një kalim kohe, një dalje nga rutina.
Kazanzaqi thotë diku tek Zorba se fshati ka nevojë për një të çmendur, edhe po të mos ketë, ai e sajon.
Kësaj i thonë të honepsesh nga fatkeqësia e tjetrit.Po Festimi nuk është i tillë.Unë e njoh mirë , është njeri krejt normal, i përgatitur, i zoti, por i sinqertë, artist.Me vallen e tij ai ka shkëlqyer në sa skena.Veçse sot jeta e ka hedhur në krahët e papunësisë.Nuk e di ç`bën,po nuk ma ha mendja që ai të rrijë kot.Njoh një koreograf që udhëton shpesh në Itali ,një studiues të mirë që më ka folur disa herë për të.E afroj në tavolinën time dhe Festimi vjen.Sërish ai tipi i ulur me dy të tjerë në tavolinën përballë e kupton.Ai çohet dhe pyet:më qafsh si kërcehet ajo vallja se po fiksohem pas saj.
-Tani më duket se po e tepron ,ndërhyra…Tjetri më pa vëngër.
-Më pëlqeu, tha.Ky qenka mjeshtër..O zot,mërmëriti burri.
-Ja, ta pi këtë gotë,dhe po çohem e ta ribëj, tha Festimi.
-Gjak e dhjamë…, mërmëriti burri dhe u ul në tavolinën e tij.Festimi më foli për Gorën e tij.për një lule, emrin e së cilës ma tha në latinisht e që rritej vetëm në malin e Gorës,ajo lule shëronte verbërinë.Ishte e rrallë.Pastaj filloi të recitonte vargje poezish me një deklamacion habitës.
-Ore, po ky qenka mjeshtër, tha burri atje matanë dhe filloi të përplaste shuplakat.Unë shkoja shpesh në atë tymtore dhe e shihja këtë burrë me një dhemb në gojë, gjithnë i parruar dhe që thurte fjalë e tërhiqte klientë në biseda të ndryshme.Kjo tërheqje e tij nuk ishte pa efektin e duhur.Sepse gjithnjë biseda e sjell gotën e dytë dhe e dyta të tretën.Një mënyrë tregtie është dhe kjo,një art më vete.Sepse ky ishte lokal i këndelljes pas halleve të njerëzve të lodhur.Burrit sërish nuk iu durua.
-Ti këtë valle e ditke me prefeksion…
-Se mos këtë valle?Dhjetra, qindra, mërmëriti Festimi,dhe e ngriti gotën duke më sjellë një urim të gjatë me fjalë popullore të njohura.Urimet e tij dilnin nga shpirti.Bëra pagesën dhe tani i thashë se duhej të iknim.Ne po çoheshim ,ndërsa burri na zuri derën.
-Jo, tha, nuk ikën pa ma shpjeguar edhe një herë.
-Qenke nxënës i vështirë ,mërmëriti Festimi.Shtyhu tutje.
Burri bëri prapa.
Burri mbajti drejtpeshim dhe vuri këmbët puthitshëm në dysheme.
-Ja, më shiko…Festimi filloi të rrotullohej duke e sjellë vallen me një ritëm mbresëlënës.Tjetri nuk dinte asgjë nga të lëvizurit.Lëvizjet e tij ishin të ngathta dhe të plogta.Ato nuk sillnin asgjë të ngjashme me lëvizjet e Festimi.Befas burri filloi të qeshte.Pse qeshte vallë?Ndoshta për të shpëtuar nga turpi ,apo pse po argëtohej.Nëse vallja i interesonte, aq sa duhej për t`u argëtuar me një të dehur, si nuk i vinte turp?A nuk e dinte se Festua ofendohej dhe kjo nuk ishte mirë për të?Mua s`më pëlqejnë lojra të tilla po nga tymtore të tilla çfarë nuk pret.Vura re se ishte i lodhur.I dhashë çantën .
-Me ymër të zoti po,tha Festimi..
Dolëm jashtë, shiu kishte pushuar.
-Ai burri sikur donte të na vinte në lojë,thashë ,ti nuk bëre mirë që ia zgjate aq shumë.E njoh mirë atë grindavec që shet mend.Festimi që i kishte dredhur këmbët duke i mësuar tjetrit vallen tani ndjente si dridheshin ato.Ai më shkoi dorën në krah.E mirëkuptonte fjalën time, apo donte ta kalonte atë thjesht me gjestin e shkuarjes së dorës.
-Po ai nuk bindet se është injorant…mërmërita.Mirëpo sa injorante ka shoqëria jonë?A gjenden dot aq njerëz me nerva të qeta që t` i mësojnë dhe a marrin vesh ata?
Vura re që tundi kokën me një kërcënim të lehtë.Nuk e kuptova , këtë e shprehte ndaj fjalëve të mia apo i vinte nga një përpjekje për t`u lehtësuar prej rëndimit të pijes.Por pas pak ai u qetësua.
-S`ka ndonjë qamet këtu…Edhe pse u përpoq të bënte një lojë, ai, me siguri ,do ketë kuptuar diçka,se vallja e Gorës e ka futur në mendime, pavarësisht se nuk është i zoti ta luajë… Ai do ta mbajë mend këtë gjë për shumë kohë.Do të mbajë mend lojën e tij djallëzore ,apo ato lëvizje që i mësojnë një valle.Në se do i thërrasë mendjes do ketë kohë të zgjedhë.Besoj se do zgjedhë për mirë…Festimi ishte njeri i kthjellët edhe pse ishte rënduar nga rakia; fjalët e tij më bënë të besoj në diçka tjetër.Duhej duruar.Njeriu i ditur gjithnjë duron.Veçmas një artist i vërtetë….
Komentet