OH…
“O, si nuk kam një grusht të fortë
t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë”… – Migjeni
Oh, kam frikë, kam frikë ta them të vërtetën
Se fatin ma caktojnë ca burrështetas qeveritarë,
Ku s’ia vlen të jesh as i mënçur as i ndershëm
Gjersa ata gangot i kanë si këshilltarë…
Dhe mbisundon heshtja, kur s’guxojmë ne të flasim
Për partizimin që shkatërroi çdo vlerë shqiptare
Ku një deputet shitet e blihet për miliona euro
Dhe një votues për një thes miell a për pesë pare…
Oh, si ta kuptoj radikalizmin, banditizmin partiak
Pse ma përçmojnë mendimin, djersën e mundit,’
Kur në xhungël ndihet vetëm zëri i cubit injorant,
Dhe askush nuk druan e s’friket nga ora e fundit…
Dhe sa shumë flitet për destruktivizmin e tri feve,
Por jo, jo për talebanët e tmerrshëm partiakë,
Që rininë e degdisën nëpër botë e kafeneve,
Ku deshqiptarizohet, kriminalizohet e zhytet në batak…
Oh, sa e turpshme, trishtuese, poshtëruese
Hashtja juaj krijues, profesorë dhe akademikë!
A s’e dini ju sa i ndihmoni politikanët shkatërrues
Në kalbëzimin e vlerave, që ushqen plehun politik?
Oh, do të mbisundojë heshtja, gjersa ne të flasim,
Dhe mbi shpatulla do të na rëndojë guri i Sizifit,
Por do të vijë koha që ne njëzëri do të bërtasim
Dhe ju pangopës “nga sytë këmbë” atëherë do të ikni…
Oh, sa gjatë ëndërruam për një tjetër botë!
Shpresuam të ndalonim në limanin e ëndrrave
Po rrënja e vjetër në asnjë vend tjetër nuk gjethon
Veçse në tokën ku ka rrënjët dhe gjakun e zëmrave
NJË LETËR NËN DERË
Mbase unë sonte nuk do të vij
Ti fike dritën kur të biesh.
E di se shtrati të duket varr
Po sqetullat prapë ti mund t’i lyesh.
Mbase as nesër në portë s’do trokas,
Ti darkën mos e ler të shtruar
Dhe djalit, kur ta vësh në gjumë,
Përralla të frikshme mos t’i thuash.
Mbase papritur kaloj kufirin
Si një skllav i arratisur nga padroni
Dhe në tokë të huaj rrëshqas e bie
Buzë një gremine e buzë një honi.
Mbase i dehur në kabarera
Ndeshem keqas me një zezak a bjond,
Mbase diku në një skutë të errët
Pusi më zë një vagabond;
Mbase në një sofër të pa shtruar
Përtyp kotheren e urisë
A fillikat i vetëm në një tren
Rend mesnatës drejt lirisë;
Mban ky kurmi i mërgimtarit
Dhe qafë e tij si qafë e djallit…
Veç kudo qofsha, në parajsë a ferr
Unë sonte flë në shtrat të mallit.
VAJZAT ÇAME
Gjeshtër e lulëzuar buzë lumit duket
Shtati juaj i hedhur, vajza të Çamërisë
Në ujërat e gjolit nga zilia zanat futen
Kur në sy ju ndizet shkëndi e dashurisë;
Buzëqeshja juaj, e freskët e kristaltë
Me gurgullima krojesh djelmoshave u ngjan;
Borë e pastër duart, të bardha zambak,
Dy buzët kur puthin, të ëmbla koralë;
Një notë hyjnore puthja juaj e kulluar
Ajo të magjeps, të deh ajo aq shumë
Sytë tuaj të ndezur – dy yje flakëruar
Në dashuritë tuaja dikur humbisja unë;
Si gjeshtër që jepet nga era buzë lumit
Në valle dridheni, belhollat vajza came,
Djemve që joshen nga shikimet, parfumet
Fresk e tufane u bëni me çitjane…