Asosacionin e mësipërm ma përforcon Hashim Thaçi me intervistën e tij të gjatë për gazetën Shekulli të Tiranës, ku ai e përqas Kuvendin e Kosovës të këtyre ditëve me Kuvendin e Kosovës të 2 Korrikut 1990.
“Më 2 korrik 1990 deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës shpallën “Republikën e Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave”. Tri ditë më vonë Serbia shpërndau qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës,” shkruan historia.
Kryetar i atëhershëm i Kuvendit të Kosovës ishte Vukashin Jukanoviçi, Kryetar i tanishëm i Kuvendit të Kosovës është Kadri Veseli.
Kujtesa e njeriut nuk mund të ndalet as mund të censurohet nga askush. Ajo shkon pak më thellë në histori, tek 23 marsi i vitit 1989, kur, siç thotë historia: “Kuvendit të Kosovës iu imponua miratimi i një amendamenti kushtetues që shfuqizonte autonominë e Kosovës. Dy ditë më pas parlamenti serb në Beograd votoi ndryshimet në Kushtetutën serbe, me të cilat iu hiqej autonomia dy krahinave. Në Kosovë u vendos një regjim ushtarak dhe ndaj shqiptarëve nisi të ushtrohej dhunëe hapur. Pushtimi ushtarak i Kosovës nga Serbia zgjati dhjetë vjet.”
Hashimi, kur e jepte intervistën tek Shekulli duket se e kishte në mendje skenarin e seancës plenare pa opozitën, në një sallë të improvizuar të Kuvendit. Ai ia kujton opinionit momentin e 2 Korrikut 1990 të votimit shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë dhe votimit të saj para ndërtesës së Kuvendit me dyer të mbyllura.
Në atë kohë çelësat e Kuvendit të Kosovës i kishte Vukashin Jukanoviçi, tashi çelësat e Kuvendit të Kosovës i ka Kadri Veseli.
Vërtet mbresa e 2 Korrikut 1990 do të jetë e pashlyeshme. Do të jenë gjithmonë në kujtesë deputetët shqiptarë duke miratuar dokumentin historik me ngritjen e duarve, ndërsa Kosova ishte në shtetrrethim të plotë policor.
Do të mbahet mend, gjithsesi, edhe seanca e 23 marsit 1989, Kuvendi i Kosovës i rrethuar me tanke, helikopterët që fluturonin sipër, trupat e shumta policore kudo, deri edhe në sallën e Kuvendit. Do të mbahet mend pamja e miratimit të heqjes së autonomisë së Kosovës.
Tek seanca plenare e para do të ditëve, ku u miratuan marrëveshjet për Asociacionin dhe për Demarkacionin mungonin vetëm tanket dhe helikopterët e 23 marsit 1989. Nuk mungonte pothuajse asgjë tjetër.
Çelësat e Kuvendit të Kosovës tash i ka Kadri Veseli, ashtu si më 1989 çelësat e Kuvendit të Kosovës i kishte Vukashin Jukanoviçi. Prapa Vukashinit qëndronte Millosheviçi. Prapa Veselit qëndron tashi Hashimi.
Partitë në pushtet mund të bëjnë gjithfarë akuzash ndaj partive opozitare, por atyre nuk mund të mos iu japin të drejtë në kërkesën e tyre që marrëveshjet të paraqiteshin në Kuvend paraprakisht për debat dhe pas nënshkrimit të paraqiteshin për miratim. PDKLDK-ja nuk i paraqiti marrëveshjet paraprakisht në Kuvend, duke i kaluar nëpër komisione e pastaj në seancë plenare, nuk e mundësoi debatin as në seancën plenare. Opozita e kërkoi debatin jo se është e çmendur, e kërkoi sepse është roli i saj në Kuvend për ta diskutuar, debatuar, kundërargumentuar çdo qëndrim, veprim apo argument të shumicës kuvendore.
Mund të thuhet se opozita nuk është në Kuvend për të qëlluar me vezë, por opozita nuk është në Kuvend as për të ngrohur vezë. Mund të thuhet se opozita nuk është në Kuvend për të hedhur gazra, por opozita nuk është në Kuvend as për të dëgjuar gazrat që nxjerr gjithfarë burokrati i bërë sarhosh nga pushteti.
PDKLDK-ja e akuzon opozitën se është nën ndikimin e Rusisë. Këto, në fakt, janë gazra shumë më helmuese jo vetëm për sallën plenare të Kuvendit, por për gjithë Kosovën dhe gjithë shqiptarët.
Nga ana tjetër, opinioni e akuzon opozitën se ajo është nën ndikimin e Qeverisë. Ky opinion ia heq të gjitha pikët e mundshme opozitës dhe ia jep të gjitha pikët e mundshme Qeverisë.
Opozita, së paku në dukje, po e kundërshton marrëveshjen për Asociacionin. Institucione shumë serioze perëndimore e thonë vetë se Asociacionit i jepet atutonomi shumë e gjerë. Gjithkush me mendje të ftohtë mund ta logjikojë vetë se çfarë do të thotë autonomi shumë e gjerë e një pakice të caktuar në një vend që ende nuk është kurrkund në parametrat e një shteti.
Në qoftë se Kosova do të kishte një Akademi Shkencash të përgjegjshme, do t’i kishte bërë objekt të saj të shqyrtimit të dyja marrëveshjet dhe opinioni do të kursehej nga gjithë ato skena të padëshiruara.
Kosova nuk i beson Qeverisë, sepse ka plot arsye të mos i besojë asaj. Kosova nuk i beson opozitës, sepse ajo ende nuk është në rolin e saj. Kosova nuk iu beson mediave, nuk i beson shoqërisë së saj civile, nuk iu beson intelektualëve të saj.
Kosova beson se miqtë, aleatët dhe partnerët nuk janë të interesuar që ajo të vazhdojë të jetë e pafaktorizuar si brenda, ashtu edhe jashtë saj. Në fytyrë të Tokës, ky është i vetmi besim i Kosovës.
Komentet