Polonia për herë të dytë, prej kur është bërë anëtare e Bashkimit Evropian, ka marrë përsipër Presidencën e BE-së, duke filluar nga dita e parë e vitit 2025. Ky vend merr kryesimin e radhës nga Hungaria, ndërsa pas gjashtë muajsh do t’ia dorëzojë këtë Danimarkës, e cila do të kryesojë bllokun evropian në gjysmën e dytë të vitit.
Krahas prioriteteve tjera, sikurse siguria e bllokut evropian, ruajtja e kufijve të BE-së, energjia dhe emigracioni, për Poloninë do të jetë prioritet edhe zgjerimi i Bashkimit Evropian. Këtë e kanë thënë shumë zyrtarë të lartë të Polonisë nëpër takime në të cilat i kanë shpalosur prioritetet e kryesimit të tyre gjashtëmujor.
Edhe Hungaria, e cila përmbylli kryesimin e saj në fund të vitit 2024, konsideron se ka arritur një sukses të konsiderueshëm në procesin e zgjerimit, gjë që e kanë pranuar edhe disa diplomatë të Bashkimit Evropian.
Në fund të Presidencës së saj, Hungaria arriti të ndërmjetësojë në Këshillin Evropian një pajtueshmëri për hapjen e disa kapitujve në negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, dhe mbylljen e disa kapitujve në negociatat e Malit të Zi për anëtarësim në BE.
Kjo u konsiderua si sukses dhe dëshmi se procesi i zgjerimit po hyn në një fazë më dinamike dhe se, nëse vendet kandidate do të shënojnë progres në përmbushjen e kritereve, do të ketë avancim konkret në këtë proces.
Përkundër përpjekjeve, Hungaria nuk arriti të sigurojë hapjen e një grup kapitulli në negociatat e anëtarësimit të Serbisë në BE, sepse me këtë nuk u pajtuan disa vende anëtare. Në procesin e zgjerimit vendimet për të hapur apo mbyllur kapituj miratohen vetëm me konsensusin e të gjitha 27 vendeve anëtare.
Në këtë proces të diskutimeve vendi që ka kryesimin e radhës e luan rolin e një ndërmjetësi të sinqertë dhe të paanshëm.
Tash pritet që Polonia të vazhdojë aty ku kanë mbetur disa dosje nga Hungaria, përfshirë edhe hapjen e kapitujve me Serbinë. Këtë e kishte premtuar edhe kryeministri i Polonisë, Donald Tusk gjatë një vizite në Beograd në vjeshtën e vitit të shkuar.
Se zgjerimi do të jetë prioritet i BE-së gjatë kryesimit të Polonisë është shkruar edhe në programin e Qeverisë polake për kryesimin e saj gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Polonia beson se paralelisht me hapat konkretë me vendet kandidate, në formën e hapjes apo mbylljes së kapitujve, gjatë këtyre muajve do të ketë avancim edhe në reformat e brendshme të BE-së për t’u bërë gati për të pranuar vende të reja anëtare.
“Zgjerimi është instrumenti më i mirë i mundshëm për Bashkimin Evropian për të forcuar dhe promovuar paqen, demokracinë, sundimin e ligjit dhe prosperitetin në Evropë. Vendet e reja anëtare forcojnë potencialin konkurrues dhe të rritjes në tregun unik, krijojnë mundësi të reja ekonomike për qytetarët dhe bizneset. Zgjerimi është, po ashtu, edhe kanali më efikas për promovimin e vlerave evropiane, me në krye demokracinë dhe sundimin e ligjit, dhe forcimin e stabilitetit në fqinjësinë tonë”, thuhet në programin e Presidencës polake të BE-së.
“Qëllimi i Presidencës polake është të bëjmë progres në procesin e zgjerimit, edhe në drejtim të lindjes edhe me Ballkanin Perëndimor, në përputhje me angazhimin e vendeve që synojnë anëtarësimin në BE, dhe në bazë të parimit të meritave individuale. Duhet të konsolidojmë procesin e reformave në vendet kandidate, të ruajmë besueshmërinë në Bashkimin Evropian dhe të forcojmë sigurinë e Evropës”, thuhet në këtë dokument që është bazë për veprimin e Presidencës polake në krye të BE-së.
Polonia është një ndër vendet më aktive të BE-së në thirrjet për sanksione ndaj Rusisë dhe për ndihmë ndaj Ukrainës. Ky vend promovon edhe avancimin e Ukrainës në procesin e integrimit në BE, sikurse edhe të Moldavisë. Këto dy shtete, krahas Gjeorgjisë, u janë bashkuar vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë në procesin e zgjerimit në BE. Nga të gjitha dhjetë vendet e përfshira në proces, vetëm Kosova nuk ka status kandidati. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022, kur kryesimin e BE-së e kishte Çekia.
Por, aplikimi i Kosovës nuk është shqyrtuar akoma nga Këshilli i BE-së. Diplomatët evropianë në Bruksel thonë se nuk mund të parashihet nëse në rastin e Kosovës do të ketë lëvizje nga ana e BE-së gjatë Presidencës së Polonisë, sepse kjo do të varet edhe nga procesi i dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë. Në anën tjetër, gjithnjë e më shumë po flitet për suspendimin e procesit të zgjerimit me Gjeorgjinë, pasi Qeveria e këtij vendi ka ndërmarrë disa hapa dhe ka miratuar ligje që shkojnë në kundërshtim me parimet e BE-së.
Krahas avancimit të vendeve nga procesi i zgjerimit pritet që pikërisht gjatë Presidencës polake të nisin edhe diskutimet politike për reformat e Bashkimit Evropian që janë të nevojshme për zgjerim.
“Presidenca do të vazhdojë punën në procesin e reformave të brendshme të BE-së për të realizuar prioritetet afatgjate, për të siguruar funksionimin e duhur të politikave të BE-së dhe për të siguruar kapacitetet e nevojshme për veprim në realitetin e ri gjeopolitik dhe duke pasur parasysh zgjerimin në të ardhmen. Ne do të fokusohemi në nevojat për t’u bërë gati për anëtarë të rinj duke përmbushur edhe ambiciet e përmendura në agjendën strategjike”, thuhet në programin e Polonisë për kryesimin me BE-në.
Presidenca polake pret që edhe Komisioni Evropian të dalë me një analizë të hollësishme të para-anëtarësimit, dhe që për këtë të ketë edhe debat në Këshillin Evropian. Shumë liderë të BE-së kanë thënë se procesi i zgjerimit duhet të shkojë paralelisht edhe me procesin e reformave të brendshme të unionit, pasi me strukturën e tashme ligjore BE-ja do ta kishte të vështirë të funksionojë me më shumë se 30 vende anëtare në të ardhmen. Por, pos debateve joformale deri tash nuk ka pasur nisma zyrtare në këtë drejtim.
Mundësia që në mandatin e ardhshëm pesëvjeçar të Komisionit të ri Evropian të ketë zgjerim, ka bërë që tash të nisin edhe diskutimet në BE për t’u bërë gati për arritjen e këtij qëllimi.
Zgjerimi i fundit i BE-së kishte ndodhur në vitin 2013 me anëtarësimin e Kroacisë. Kroacia pati nënshkruar Traktatin e anëtarësimit në BE në pjesën e dytë të vitit 2011, pikërisht kur kryesimin e radhës e kishte Polonia. Edhe atëherë kryeministër i Polonisë ishte Donald Tusk, i cili përsëri është kthyer në atë post. Ndërkohë pas anëtarësimit të Kroacisë në BE nga blloku është larguar Britania e Madhe, duke e kthyer numrin e vendeve anëtare në 27 sa ka sot. REL
Komentet