Herodoti thoshte “Të gjitha sëmundjet vijnë nga barku”. Kurse populli ynë, bazuar në përvojën e tij shumëshekullore, thotë: “Ushqimi të shëron, ushqimi të sëmur”.
Sa qëndrojnë këto shprehje? Në pamje të parë mund të mendohet se i përkasin kohës së shkuar, asaj kohe kur nuk njiheshin as sëmundjet e lindura që lidhen me defekte apo keqformim gjenetik, as sëmundjet që lidhen me cilësinë e ajrit dhe ujit, sëmundjet psikike, etj. Por, jo! Sëmundjet që lidhen me cilësinë e ajrit vërtet nuk njiheshin, sepse ajri nuk ishte i ndotur siç është sot, por shumë nga sëmundjet e tjera është e sigurt që njiheshin!
Shumica e njerëzve që preken nga sëmundjet e mësipërme, preken edhe nga një kategori sëmundjesh si arteroskleroza, sëmundjet e zemrës, artritet, reumatizma, alergjitë, obeziteti, kanceri, etj. Të kenë lidhje këto sëmundje, së bashku me ato të përmendura më lart, me thëniet e Herodotit dhe të popullit? Të jetë ushqimi burimi i këtyre sëmundjeve? Të ndikojë ushqimi në parandalimin dhe shërimin e sëmundjeve? Përgjigja është “PO”! Por jo kushdo do të bindej nga kjo përgjigje, po të mos njihen arsyet se pse, shëndeti ynë e ka fillesën tek ADN-ja e prindërve dhe ushqimi pas lindjes, kurse “jetëgjatësinë” te tryeza familjare.
Çdo njeri, që në embrion mbart veçoritë e tij gjenetike, të ndërthurura me të përbashkëtat e trashëguara nga ADN-ja e prindërve të tij. Pra, çdo individ, siç ka tiparet e jashtme, të cilat e bashkojnë dhe njëkohësisht e dallojnë edhe brenda familjes, po ashtu ka metabolizëm të përbashkët me prindërit, por edhe individualitetin e tij metabolik. Ky individualitet metabolik, apo këto veçori metabolike, në shumicën e njerëzve përbëjnë thjesht normalitetin dhe diversitetin njerëzor, por mund të jenë edhe mungesa apo defekte të lindura të rrugëve metabolike të veçanta, me pasoja jetike.
Pikërisht tek veçoritë metabolike dhe lidhja e tyre me ushqimin dhe shëndetin do ta drejtojmë vëmendjen në vazhdim të këtij shkrimi.
Metabolizmi dhe ushqimi
Për sa kohë ndodhet në barkun e nënës, fetusi (foshnja) ushqehet nga nëna dhe mbrohet prej saj. Me të lindur, foshnja e përshtatur me kushtet e mjedisit, në mënyrë instiktive kërkon të ushqehet. Më pas, ushqimit të gjirit i shtohet ushqimi plotësues deri në ndërprerjen e plotë të gjirit, kur fëmija fillon të ushqehet me ushqim të përshtatshëm deri në daljen e plotë të dhëmbëve. Më pas, fëmija ushqehet njësoj me të rriturit.
Por, pse ndodh që nënës gjatë barrës i bie ndonjë dhëmb apo në lindje fëmija ka peshë më të pakët se normalja? Pse ka raste shumë të veçanta që qumështi i gjirit duhet të ndërpritet? Pse kur ushqimi me qumësht gjiri fillon të plotësohet, një pjesë e fëmijëve fillojnë të ndjejnë shqetësime dhe sëmuren?
Për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve, fillimisht duhet të njihemi me bashkëveprimin e metabolizmit të organizmit me ushqimin, që në gjuhën e përditshme njehsohet me tretjen dhe asimilimin (përvetësimin) e tij.
Që të bëhen të pranueshme dhe më pas pjesë të organizmit, ushqimet duhet të zbërthehen në elementët e tyre përbërës, në elementë të thjeshtë ushqimorë. Ky zbërthim, që përbën tretjen, fillon në gojë me përtypjen. Për t’u tretur më tej ato duhet të kalojnë nga stomaku, duodeni, zorra e hollë dhe zorra e trashë Në tretje, marrin pjesë një sërë enzimash të sekretuara, duke filluar nga goja me ato të pështymës dhe nga disa organe të tjera si mëlçia, pankreasi, etj., nëpërmjet të cilave karbohidratet zbërthehen në sheqere të thjeshta, proteinat në aminoacide, yndyrat e përbëra në acide të thjeshtë yndyrorë etj.
Në aparatin tretës vetëm një pjesë e ushqimeve që kemi ngrënë mund të treten. Ushqimet e patretura eliminohen nëpërmjet jashtëqitjes. Elementët e thjeshtë ushqimorë që rezultojnë nga tretja, nëpërmjet gjakut dhe limfës shpërndahen në të gjithë indet e organizmit, ku përpunohen nga qelizat e specializuara të çdo indi (organi), duke shërbyer si lëndë ndërtuese dhe energjetike. Kjo realizohet nëpërmjet një tërësie dhe shumëllojshmërie reaksionesh enzimatike, të organizuara në rrugë të shumta metabolike, që kanë për rezultat prodhimin e një shumëllojshmërie kimikatesh, të quajtura “metabolite”. Këta metabolitë janë “tullat bazë” që prodhohen nga një sistem biologjik që është organizmi i njeriut dhe mbi bazën e të cilave realizohet funksionimi normal i tij. Ky funksionim normal bën të mundur ndërtimin dhe rigjenerimin e indeve, si dhe mbrojtjen e organizmit nga temperatura e jashtme, lagështia, presioni, etj., duke shfrytëzuar po burimet e jashtme si ajrin, ujin dhe ushqimin. Por po t’i konsiderojmë ajrin dhe ujin në vlera normale, të kontrollueshme dhe të rregullueshme nga njeriu, faktori kryesor që ndikon në ecurinë e shëndetit të njeriut është ushqimi. Nëse pa ajër njeriu mund të durojë disa minuta dhe pa ujë disa ditë, ai mund të rezistojë pa ushqim (vetëm me ujë) të paktën dy muaj, kurse duke u ushqyer në mënyrë të gabuar apo me cilësi të keqe, mund të jetojë me vite të tëra, por vazhdimisht me shqetësime, deri në shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme. Këtu qëndron edhe problemi: qoftë i rëndësisë së ushqimit të shëndetshëm, po aq edhe i injorimit të tij si faktor kryesor në mbarëvajtjen e shëndetit.
Por, le të rikthehemi tek tretja dhe asimilimi: Pavarësisht nga cilësia e ushqimit, jo e gjithë sasia e tretur asimilohet dhe përdoret nga indet. Pra, nga ushqimi që ne hamë, një pjesë e tij tretet dhe, nga sasia e tretur, vetëm një pjesë e tij asimilohet. Prandaj, në përfundim të këtij procesi, organizmi i kthen ambientit mbeturinat, jo vetëm të panevojshme, por edhe të rrezikshme për vazhdimësinë e jetës së tij.
Elementët e thjeshtë ushqimorë të një ushqimi të vetëm, qofshin patate, vezë apo lakër shpërndahen njëlloj në të gjitha organet e njeriut. Por, organet e njeriut janë të ndryshme dhe të shumta; si edhe kanë kërkesa të ndryshme për elementë ushqyes. Prandaj, jo vetëm një ushqim, por edhe disa prej tyre nuk mund të plotësojnë nevojat ushqyese të organizmit në tërësinë e tij dhe nga ana tjetër, kur përdoren në sasi të mëdha, mund të shkaktojnë lodhje metabolike të organeve të veçantë (p.sh. karbohidrate-pankreas-diabet) me pasojë plakjen e parakohshme të tyre. Ndërkohë, elementët e thjeshtë ushqimore që rezultojnë nga tretja e ndonjë ushqimi, nuk asimilohen njëlloj nga njerëz të ndryshëm, sepse jo të gjithë elementët përbërës të tij mund të përputhen me metabolizmin e veçantë të çdo njeriu.
Por, çfarë do të thotë mospërputhje e një ushqimi me metabolizmin e një njeriu? Kjo do të thotë që te një individ i caktuar, një enzimë e veçantë që është e nevojshme për zbërthimin e një elementi ushqimor, ose nuk ekziston (siç është mungesa e enzimës që zbërthen laktozën e qumështit), ose mund të jetë e zëvendësuar me një enzimë/reaksion metabolik që prodhon një metabolit tjetër, të panevojshëm, ose të dëmshëm për organizmin. Rastet e mospërputhjeve mund të jenë të njohura nga shkenca e mjekësisë, si intolerancat ndaj elementëve ushqimore (laktoza, gluteni, etj.), ose alergjitë nga ushqimet, por nuk mund të përjashtohen edhe rastet me efekte më të padukshme se ato më lart, të pazbuluara deri më sot.
Si përfundim, disa ushqime mund të përmbajnë elementë ushqyes që nuk përkojnë me metabolizmin e çdo individi. Janë këta elementë që ndërhyjnë në reaksionet enzimatike të metabolizmit të njeriut, duke shkaktuar bllokime apo devijime të rrugëve të veçanta metabolike dhe/ose depozitohen në organizëm, me pasojë sëmundje me emërtime të ndryshme.
Tani le të kthehemi dhe t’u përgjigjemi pyetjeve që shtruam më sipër. Rastet kur nënës gjatë barrës i bie ndonjë dhëmb, i bien flokët apo në lindje fëmija ka peshë më të pakët se normalja ndodhin kur nëna është ushqyer keq, me pak lloje ushqimesh, që nuk përmbajnë elementët e duhur për të plotësuar nevojat në tërësi të organizmit të saj dhe fëmijës që zhvillohet. Prandaj i kushtohet vëmendje mënyrës së jetesës së gruas para dhe gjatë shtatzënisë, ku një vend të veçantë zë ushqimi.
Kur foshnja ushqehet me qumështin e nënës, në pjesën dërmuese të rasteve shëndeti i saj është i siguruar. Por në ato raste shumë të rralla kur foshnjës i duhet ndërprerë qumështi i nënës, arsyeja më e mundshme është mospërputhja e qumështit të nënës me metabolizmin e fëmijës. Në këto raste, fëmija jep shenjat që shqetëson çdo nënë: qan shpesh dhe nuk shton në peshë, pavarësisht se i kemi siguruar temperaturën (veshja) dhe lagështinë, dy faktorët kryesorë të jashtëm.
Rastet më të shpeshta të shqetësimeve fillojnë kur krahas qumështit të gjirit, fëmija ushqehet edhe me ushqime plotësuese. Në përgjithësi kjo ndodh kryesisht kur ushqimi i foshnjës plotësohet me një apo dy lloje ushqimesh, që nuk mund të plotësojnë nevojat e organizmit në tërësinë e tij dhe/apo mund të mos përputhen me metabolizmin e fëmijës, por efekti i këtij ushqimi plotësues korrigjohet apo maskohet disi nga përdorimi ndërkohë i qumështit të gjirit.
Me ndërprerjen e qumështit të gjirit, fëmijët ushqehen si të rriturit, duke u përshtatur me mundësinë përtypëse dhe tretëse të tyre, sepse formimi i plotë i dhëmbëve arrihet në moshën 3-vjeçare. Këtu lind pyetja: deri në këtë moshë, çfarë ushqimesh duhet të përdorim? Po më pas?
Që t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, duhet të marrim parasysh përshtatjen e organizmit të njeriut (metabolizmit të tij) me mjedisin gjeografik të paraardhësve të tij.
Njeriu nga kushtet mijëvjeçare të mbijetesës dhe jetesës së tij i është përshtatur ushqimit me prejardhje nga pothuajse çdo qenie e gjallë që popullon ambientin e tij rrethues, duke e përpunuar që të jetë i përtypshëm dhe i tretshëm. Ai është gjithçkangrënës. Organizmi i eskimezëve për shembull është përshtatur me peshkun si ushqim bazë. Por, Shqipëria është në Mesdhe. Dhe si një nga popujt më të vjetër në këtë pellg, u jemi përshtatur kushteve klimatiko-tokësore dhe ushqimit që ka afruar mjedisi mesdhetar, ndër më të spikaturat e të cilit janë frutat, perimet e ndryshme në të katërta stinët e vitit dhe ulliri me vajin e tij.
Nisur nga përvoja e popujve të Mesdheut, studiues dhe specialistë të huaj, mjekë dhe nutricionistë, duke studiuar problematikën e shëndetit në vendet e tyre dhe duke theksuar nevojën e një diete të ekuilibruar në lidhje me raportet e elementëve ushqyese, kanë përcaktuar dhe vlerësuar për t’u marrë si shembull “dietën mesdhetare”, që karakterizohet nga përdorimi i shumtë i perimeve dhe frutave të freskëta, ushqimeve të gatuara në shtëpi dhe përdorimi i kufizuar i mishit.
Përdorimi i dietës mesdhetare është edhe përgjigja e pyetjeve të mësipërme: Fëmijët e kësaj moshe duhet të ushqehen me frutat dhe perimet e freskëta të fushës dhe të stinës, që janë shumë më të shëndetshme se ato të serrave, ku përdoren sasi të shumta kimikatesh. Për të njëjtën arsye, ushqimet e gatuara në shtëpi shmangin konservantët kimikë të përdorur në ushqimet e fabrikuara (ndikimi i kimikateve të përdorura në ushqime trajtohet më poshtë, te “sasia dhe cilësia e ushqimeve”).
Ushqimi dhe sëmundjet metabolike të lindura
Dihet ndikimi pozitiv apo negativ i ushqimit tek njerëzit që kanë problem të lindur me intolerancën ndaj përbërësve të veçantë ushqimorë si laktoza, gluteni, etj. Por le të japim dy shembuj të njohur të ndikimit të ushqimit në sëmundje me origjinë metabolike të lindur.
Në filmin “First Do No Harm” me Meril Strip, ku ngjarja frymëzohet nga historia e vërtetë e Çarlit, djalit të regjisorit dhe producentit të filmit Xhim Abrahams, fëmija, megjithëse i lindur normal, në moshën 5-vjeçare sëmuret nga epilepsia (sëmundja e tokës). Në një klinikë, pasi djalin e lanë tri ditë pa ngrënë, vetëm me ujë, e kuruan me dietë ketogjenike. Dieta ketogjenike është një dietë me përmbajtje të lartë të yndyrave, përmbajtje të përshtatshme proteinash dhe të ulët në karbohidrate, me ushqime si gjalpë, mish, vaj ulliri, perime me përmbajtje të ulët sheqeri etj.
Pse të fillojë epilepsia 5 vjet pas lindjes? Cila është arsyeja e agjërimit dhe rezultati i tij? Po ndikimi i ushqimeve ketogjene cili është?
Ndërsa sëmundjet epileptike mund të kenë origjinë të ndryshme, një prej tyre është e lidhur me veçoritë metabolike. Në shembullin e filmit të mësipërm, fëmija 5-vjeçar mund të kishte një problem metabolik të lindur, ose të fituar nga një regjim ushqimor që nuk përputhej me metabolizmin e tij, ndërkohë që pjesëtarët e tjerë të familjes nuk paraqisnin asnjë problem shëndetësor. Por, cilido të ishte shkaku, i lindur apo i pësuar nga ushqimi pas lindjes, ushqimi “i gabuar”, në këtë rast vepron si një “helm” me veprim të ngadaltë, që kërkon kohë të shfaqë simptomat e plota të sëmundjes (disa vite). Një shpjegim i mundshëm në këtë kontekst do të ishte që agjërimi 3-ditor e pastroi organizmin e djalit epileptik nga mbetjet e elementëve ushqimore të depozituara në organizmin e tij, si dhe mundësoi rikthimin e metabolizmit në gjendjen fillestare pa ndikimin e ushqimit si faktor i jashtëm (sa më i vogël në moshë, aq më i mundur ky proces). Kurse ushqimi me bazë ketogjenike përshtatej me metabolizmin e djalit. Pavarësisht se ishte rast i lindur apo i pësuar, rezultati ishte spektakolar: pas gjashtë muajsh me ushqim të tillë, fëmija u shërua plotësisht dhe nuk iu përsëritën më krizat e epilepsisë.
Sindroma ALD (Adrenoleukodistrofia).
Kjo sëmundje është trajtuar në një film tjetër me titull “Vaji i Lorencos”, me regji të Xhorxh Miller, me aktorët Nik Nolte dhe Suzan Sarandon. Simptomat fillestare të kësaj sëmundjeje te djemtë e prekur me formën cerebrale të ALD-së paraqiten me paqëndrueshmëri emocionale, hiperaktivitet dhe sjellje agresive në shkollë. Pacientët e rritur paraqesin simptoma të ngjashme, që çonin në një gjendje vegjetative dhe më pas në vdekje.
Në film, – edhe ky i bazuar në një tjetër histori të vërtetë, – Lorenco filloi të ndjente shenjat e para të sëmundjes pasi kishte filluar shkollën. Dhe është fakt se mjeti kurues – përzierje e vajit të ullirit me vaj kolze – u zbulua nga prindërit e Lorencos që nuk ishin mjekë, duke shpëtuar kështu shumë fëmijë në SHBA e gjetkë. Ata mësuan se një sëmundje e tillë nuk ekzistonte në Mesdhe, duke veçuar si faktor kryesor përdorimin gjerësisht të vajit të ullirit.
Pra, kujdesi për këto sëmundje ka të bëjë me shmangien e disa ushqimeve, apo përdorimin e ushqimeve analoge të shëndetshme për zëvendësimin e substancave të dëmshme të prodhuara nga një metabolizëm individual defektoz apo i gabuar. Metabolizmi defektoz apo i gabuar ndodh në raste të rralla, por me kalimin e moshës mund të ndodhë edhe nga ushqimi i paekuilibruar në raportet karbohidrate/proteina/yndyra apo mungesë vitaminash dhe kripërash organike, apo edhe nga faktorë të tjerë, si përdorimi i duhanit dhe alkoolit. Shembull për këtë janë sëmundjet kardiovaskulare nga përqendrimi mbi normë i yndyrave në gjak. Dhe, një nga mënyrat e mënjanimit të këtij rreziku është përdorimi i acideve yndyrorë Omega 3, që ulin nivelet e triglicerideve (yndyrës) në gjak.
Shembuj të tillë tregojnë lidhjen direkte shkak-pasojë ndërmjet ndryshimit të gjendjes shëndetësore (shërimit) me ndryshimin e regjimit ushqimor. Pra, metabolizmi del në pah si mekanizmi kryesor, si hallka e vetme lidhëse ndërmjet ushqimit dhe funksionimit normal të organizmit. Roli i këtij mekanizmi, ushqim-metabolizëm-shëndet, duhet të vihet në qendër të analizës së shëndetit tonë dhe të “politikës” ushqimore në rang shtetëror dhe familjar. Në dukje, problemi mund të paraqitet shumë kompleks: ushqime të shumta dhe veçori metabolike individuale të panumërta sa vetë numri i panumërt i njerëzve! Por zgjidhjet e këtij kompleksiteti mund të jenë shumë të thjeshta.
Si të parandalojmë sëmundjet
Kur elementët ushqimore të prejardhur nga ushqimi shpërndahen në qelizat e çdo indi të organizmit tonë, problemi fillon të komplikohet aq shumë saqë diagnostikimi i çdo sëmundjeje përbën hapin kryesor e më të vështirë. Këtu fillon edhe mjekimi i sëmundjes, që përgjithësisht merret me pasojën dhe jo me shkakun. Pa mohuar rolin e domosdoshëm të trajtimit të pasojave, theksojmë se për të parandaluar komplikime të tilla duhen marrë masat që në fillim, nëpërmjet ushqimit: shumëllojshmërisë, sasisë dhe cilësisë së tij.
Shumëllojshmëria e ushqimit:
Në Shqipëri, shpesh në familje, mëngjesi është i njëjtë, një ose e shumta dy ushqime njësoj për të gjithë. Edhe darka po kështu, mbase shumë pak më e ndryshme. Ajo që mundohemi të ndryshojmë është kryesisht dreka, por edhe ajo sipas stinës dhe shpesh, sipas shijes së prindit. Por nga sa u shpjegua më lart, sa më i shumëllojshëm ushqimi, aq më e paktë do të ishte sasia e elementëve ushqimorë që nuk përputhen me metabolizmin e veçantë të çdo njeriu. Dhe organizmi i njeriut, nëpërmjet sistemit imunitar ka kohë dhe mundësi për neutralizimin dhe jashtëqitjen e tyre. E kundërta ndodh kur njeriu ushqehet vazhdimisht me pak lloje ushqimesh. Ndonjë prej tyre mund të mos përputhet me metabolizmin e tij dhe neutralizimi dhe jashtëqitja të mos realizohen plotësisht. Nga ana tjetër, shumëllojshmëria e ushqimit krijon mundësinë e ekuilibrimit të tij, pa nevojitur domosdoshmërish llogaritjen dhe peshimin e përditshëm të llojeve të ndryshme të ushqimeve, që mund të realizohet në klinika të specializuara, por që është praktikisht e pamundur në kushtet shtëpiake.
Prandaj, le ta rikujtojmë, ta përdorim dhe pasurojmë dietën mesdhetare me shumëllojshmërinë e produkteve të vendit, të prodhuara me praktika të mira e të shëndetshme.
Sasia e ushqimit. Nëse një njeri ha sasi të mëdha ushqimi dhe vazhdimisht gjatë ditës dhe sidomos kur ushqehet me pak lloje ushqimesh, elementët ushqimorë të tretur nuk arrijnë të asimilohen nga organizmi, por mbeten rrugëve të transportit të tyre (gjak dhe limfë) apo grumbullohen në qelizat e çdo indi. Mundësia e eliminimit dhe jashtëqitjes së tyre është shumë e pakët dhe e vështirë.
Sot flitet vazhdimisht për ushqime kalorike, që merren por nuk “digjen”. Por ushqimi dhe mbetjet e tyre në inde nuk përmbajnë vetëm karbohidrate (sheqere), yndyrna dhe proteina, që prodhojnë “kalori”. Ato përmbajnë edhe elementë të tjerë ushqimorë si vitamina dhe kripëra minerale, të cilat mbeten të papërdorshme për organizmin. Të gjitha së bashku mund të dëmtojnë, sepse jo vetëm pamjaftueshmëria, por edhe tepria e tyre sjell probleme në organizmin e njeriut. Sidoqoftë, duhet pranuar se sasia e ushqimit të marrë duhet të jetë më e madhe për njerëz që merren me punë apo aktivitete fizike, në krahasim me ata që bëjnë jetë sedentare.
Nuk duhet harruar edhe fakti që ashtu si njeriu, edhe qeniet e tjera të gjalla, që shërbejnë si ushqim për njeriun, kanë mekanizma mbrojtës. Këto mekanizma mbrojtës përfaqësohen nga substanca kimike që janë toksike për qeniet e tjera të gjalla. Shembulli më domethënës janë kërpudhat toksike dhe të helmëta që janë produkte bio dhe që shkaktojnë helmimin dhe vdekjen e njerëzve që nuk i njohin dhe i hanë. Shembulli i këtyre kërpudhave është më dramatiku, por edhe ushqime të tjera bimore përmbajnë substanca të tilla. Në sasi të vogla dhe të rralla ato janë të dobishme dhe nuk krijojnë asnjë shqetësim, sepse organizmi i eliminon. Por, kur njeriu i merr shpesh dhe në sasi të mëdha, ato dëmtojnë për arsyet e sipërpërmendura. Nga ana tjetër, për të gjitha llojet e ushqimeve janë përcaktuar standardet e sasive të lejuara të kimikateve dhe mikroorganizmave që duhet të përmbajnë. Pse? Sepse organizmi i njeriut ka një kapacitet të caktuar për përballimin e tyre. Nëse ato janë në sasi mbi atë të lejuar, organizmi rrezikon të sëmuret, sepse nuk mund t’i eliminojë. Prandaj, ashtu siç ne e ndjejmë të nevojshme të pushojmë e çlodhemi, po aq të nevojshme e kanë edhe organet apo organizmi në tërësi që të çlodhet e të pushojë. Siç lahemi e pastrohemi nga jashtë, edhe organizmi duhet të pastrohet nga brenda. Prandaj rregullin e ka përcaktuar populli me shprehjen: “Ngrihu nga tavolina pa u ngopur”.
Cilësia e ushqimit
Shumë më të rënda janë pasojat në organizëm, kur ushqimi i konsumuar përmban mbetje kimike të dëmshme që vinë nga një ushqim i prodhuar në mënyrë të gabuar. Këto kimikate mund të futen në rrugët metabolike duke i bllokuar ose devijuar në drejtime të gabuara dhe/ose të depozitohen, duke shkaktuar sëmundje. Prandaj rregulli që duhet të zbatojë çdo industri ushqimore është që asnjë shtesë (aditiv) apo kimikat nuk duhet të përdoret në ushqime me doze baktericide, sepse do të dëmtojë shëndetin e konsumatorëve. Kurse për uthullën dhe etanolin për shembull, duhen përdorur vetëm ato që rrjedhin nga fermentime biologjike dhe asnjëherë nga sinteza kimike! Por, a janë me origjinë fermentative uthulla dhe etanoli që përdoren në Shqipëri? E vërteta është që nuk mund të dimë se sa është doza e përdorur e konservantëve dhe origjina kimike apo fermentative e tyre. I theksoj këto, sepse pas viteve ‘90, pak nga pak, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë filloi ta harronte traditën e dietës mesdhetare të përmendur më lart, duke rendur pas ushqimeve të gatshme të fabrikuara, fast food-eve etj.
Në përfundim do të kujtoja që Lyi Pastëri e zbuloi dhe e këshilloi trajtimin termik të ushqimeve që në 1860-ën, ndërkohë që duhet të kalonin dhjetëra vjet (po tek ne?) që njerëzit të ndërgjegjësoheshin për praninë e shumë mikrobeve patogjene në ushqime. Sot njerëzit e ziejnë qumështin pa pasur nevojë të dinë emrat e mikrobeve dhe të temperaturave të ndryshme të eliminimit të tyre. E ziejnë, se kështu shpëtojnë nga sëmundje të lehta e deri në vdekjeprurëse. Është bërë “edukatë”. Kështu ndodh edhe me ushqimin dhe lidhjen e tij me shëndetin. Zgjidhja mund të jetë e thjeshtë, por njerëzit kanë nevojë të informohen e të njohin argumentet se përse dhe si duhet të ushqehen, që të bëhen të ndërgjegjshëm. Kjo ”edukatë” ngulitet vetëm nëpërmjet mesazheve të përsëritura rregullisht dhe pafundësisht, se jo vetëm duhet shkulur me rrënjë edukata antishëndetësore që po “fitojmë” dhe vuajmë përherë e më shumë, por edhe për të evituar rreziqet e kthimit mbrapa. Dhe në këtë “shkollë edukative”, shteti dhe mjekët duhet të luajnë rolin kryesor, si organi më i fuqishëm dhe efikas për organizimin dhe vënien në praktikë të edukimit që në bankat e shkollës, ndërsa mediat duhet të shërbejnë si vektori më i përshtatshëm dhe më i ndjekur nga populli për përsëritjen e vazhdueshme deri në ngulitjen në nivel “instiktiv” të këshillave mbi praktikat ushqimore të shëndetshme. Vetëm kështu do të “bëhet edukatë” mënyra dhe sasia e ushqimit dhe njerëzit do të dinë pse-në e kërkimit të cilësisë së tij.
*Pedagog në Fakultetin e Bioteknologjisë, UBT
Komentet