VOAL

VOAL

Urimi i veçantë i ambasadorit Lu për Vitin e Ri dhe një premtim për vizat

December 30, 2016

Komentet

Mbyllja e TikTok, organizatat ndërkombëtare: Ndalimi i plotë i një platforme, kufizim ekstrem i lirisë së shprehjes

Rrjeti SafeJournalists dhe Media Freedom Rapid Response kanë reaguar në lidhje me vendimin e qeverisë shqiptare për mbylljen e aplikacionit TikTok për një periudhë një vjeçare.

Ata e kanë konsideruar mbylljen e plotë një kufizim ekstrem të lirisë së shprehjes.

Reagimi: 

Rrjeti SafeJournalists (SJN), partnerët e Media Freedom Rapid Response (MFRR) dhe organizatat e shoqërisë civile shprehin shqetësim serioz lidhur me vendimin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë më 6 mars 2025 për të pezulluar aksesin në platformën TikTok në shkallë kombëtare për 12 muaj. Duke e mirëkuptuar synimin e pohuar të qeverisë për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet e dëmshme dhe për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale, theksojmë me forcë se masa të tilla mbrojtëse duhet të respektojnë plotësisht të drejtat themelore të njeriut, veçanërisht lirinë e shprehjes, aksesin në informacion dhe procesin e rregullt ligjor.

Liria e shprehjes dhe proporcionaliteti
Theksojmë se ndalimi i plotë i një platforme përfaqëson një kufizim ekstrem të së drejtës për lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion. Pezullimi në tëresi i një platforme të tërë tejkalon ndjeshëm parimin e proporcionalitetit, duke ndikuar në shprehjen legjitime të të gjithë përdoruesve dhe duke kufizuar debatin publik si dhe aksesin në burime të ndryshme informacioni.

Zgjidhje alternative të synuara, si moderimi i përmbajtjes, verifikimi i moshës dhe programe të përmirësuara të edukimit të përdoruesve, duhet të ishin shqyrtuar përpara se të vendosej një ndalim i përgjithshëm. Natyra e gjerë e kësaj mase krijon një precedent të rrezikshëm për ndërhyrjen joproporcionale të shtetit në të drejtat digjitale.

Si një vend kandidat për anëtarësim në BE, Shqipëria pritet të respektojë standardet evropiane për shtetin e së drejtës dhe liritë themelore. Kuadri ligjor i Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA) të BE-së thekson llogaridhënien e platformave dhe transparencën në moderimin e përmbajtjes përmes një qasjeje të bazuar në analizën e riskut dhe proporcionalitet. DSA favorizon bërjen e platformave përgjegjëse për menaxhimin e risqeve në shërbimet e tyre, në vend që të ndëshkojë përdoruesit duke mbyllur platformat. Ne inkurajojmë Shqipërinë të harmonizojë qasjen e saj me këtë paradigmë.

Shqetësimet lidhur me procedet demokratike dhe zgjedhore
Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare në maj 2025, momenti i këtij pezullimi është veçanërisht shqetësues. TikTok është shndërruar në një platformë në rritje për komunikimin politik dhe angazhimin e votuesve, veçanërisht për të rinjtë, votuesit për herë të parë dhe partitë politike apo lëvizjet e reja, të cilat argumentojnë se do të preken në mënyrë joproporcionale.

Duke kufizuar aksesin në këtë platformë, qeveria rrezikon të shtypë këto zëra në zhvillim, të dobësojë pluralizmin politik dhe të krijojë një efekt frikësues që mund të shtrihet përtej përdoruesve të TikTok-ut, duke ndikuar gazetarët, krijuesit digjital, aktivistët e shoqërisë civile dhe organizatat monitoruese të procesit demokratik.

Procesi i Rregullt Ligjor dhe Transparenca
Vëmë re se ky vendim pason njoftimin publik të Kryeministrit Rama në dhjetor 2024, ku ai përmendi konsultime me një grup të përzgjedhur prindërish dhe arsimtarësh. Megjithatë, ende mungojnë prova të mjaftueshme publike mbi shtrirjen, përfaqësueshmërinë dhe rezultatet e këtyre konsultimeve.

Theksojmë se vendime të kësaj shkalle dhe rëndësie duhet të bazohen në konsultime të plota, transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë organizatat e shoqërisë civile, organizatat mediatike, industrinë, avokatët e të drejtave digjitale dhe komunitetet e prekura.

Rreziqet e krijimit të një precedenti të rrezikshëm
Shprehim shqetësimin tonë se zbatimi i një ndalimi të përgjithshëm të një platforme krijon një precedent alarmues për Shqipërinë dhe rajonin. Kur qeveritë pretendojnë autoritet të gjerë për të mbyllur platforma popullore për shkak të shqetësimeve mbi përmbajtjen, ato rrezikojnë të hapin rrugën për kufizime të mëtejshme, duke kërcënuar lirinë e internetit në mënyrë më të gjerë.

U bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të shmangin krijimin e një precedenti të tillë dhe të sigurojnë që në të ardhshme aspektet e rregullimit të përmbajtjes në platformat digjitale të trajtohen përmes masave të specifike për grupe të ndryshme, të bazuara në evidenca dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit.

Rekomandime
I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të shfuqizojë menjëherë pezullimin e TikTok-ut dhe të nisë një proces konsultimi gjithëpërfshirës dhe transparent, duke përfshirë parlamentin, shoqërinë civile, organizatat mediatike, avokatët e të drejtave digjitale dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ky proces konsultimi duhet të synojë zhvillimin e një kuadri rregullator proporcional dhe të bazuar në evidenca, në përputhje me standardet evropiane, veçanërisht Aktin e BE-së për Shërbimet Digjitale (DSA). Një qasje e tillë do t’i mundësojë Shqipërisë të adresojë në mënyrë efektive shqetësimet legjitime mbi sigurinë e fëmijëve dhe mbrojtjen e të dhënave, duke garantuar plotësisht lirinë e shprehjes, diskursin demokratik dhe procesin e rregullt ligjor të cilat janë elemente thelbësore në kontekstin e zgjedhjeve të ardhshme.

UGSHPD: RAMA NË DY ANËT E DREJTËSISË

 
(Kur njëkohë tërheq dhe hesht drejtësinë)
 
Përmes një skice nga LD-NY24,  gjetjen ia kushton realitetit të vështirë shqiptar ku verbëria propagandistike bëhet pjesë e zhvillimeve të luftës së brendshme në elitën e Rilindjes Socialiste, e cila ka plot një muaj që i ka prishur ekuilibrat. Për hir të ruajtjes së imazhit Erion Veliaj (i arrestuar në detyrë për 9 raste të korrupsionit pasiv), vazhdon të jetojë në botën e lajmeve njëkohësisht në dy realitete. Arresti në burg, si realiteti kryesor priret të jepet i padukshëm ndërsa bota e imazhit elektoral e tregon në detyrë dhe ku shpesh Veliaj çuditërisht del me statuse dhe me qëndrime.
Njerëzit po ushqehen me këto dy gjendje si pa e kuptuar pikun e një fushate zgjedhore, aty ku ndërhyrja e politikës në punët e drejtësisë dhe sidomos e ushtruar prej forcës politike që mban pushtetin ka arritur shkallën më të lartë të mediokritetit në drejtimin e shtetit e cila vështirë se do të shkulet. 
Vetëm në Shqipëri, aty ku korrupsioni mesa duket ka forcë ta blejë integritetin e medias dhe e pronëson të vërtetën për ta shpërndarë në kohën e duhur. 
Lajmi me dy kuptime është një strategji e sundimtarit që mendon se i kontrollon “turmat”.
 
 
 
10 Mars, 2025

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Studentët bllokojnë hyrjet e dy televizioneve në Beograd dhe Novi Sad

Pamje të studentëve duke bllokuar hyrjen e Radiotelevizionit të Serbisë (RTS) në orët e para të 11 marsit 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Në kuadër të protestës masive të studentëve në Serbi, ndërtesa e Radiotelevizionit të Serbisë (RTS) në Beograd është bllokuar, dhe në një moment protestuesit janë përleshur me policinë.

Protestuesit kanë bërë të ditur se bllokada para ndërtesës së RTS-së do të zgjasë për 22 orë.

“Sonte jemi përshkruar si bandë nga një moderator i RTS-së. Prandaj jemi duke bllokuar ndërtesën e RTS-së sonte. Nuk do të ketë dhunë dhe asnjë ndërhyrje. Të gjithë punëtorët do të mund të largohen nga ndërtesa, por askush nuk mund të hyjë”, kanë thënë studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Beograd.

Hyrja e RTS-së ka qenë e bllokuar përgjatë gjithë natës, me rreth 100 persona të mbledhur në hyrje të ndërtesës në Beograd. Pjesëtarët e policisë janë brenda ndërtesës.

Studentët e kanë bllokuar edhe ndërtesën e Radiotelevizionit të Vojvodinës (RTV) në Novi Sad.

Drejtori i këtij televizioni, Goran Karagjiq e ka refuzuar kërkesën e studentëve për të raportuar se çfarë është duke ndodhur në hyrje të ndërtesës, prandaj studentët po vazhdojnë bllokadën, është raportuar të ketë thënë student Boris, sipas agjencisë Beta.

Dhjetëra studentë dhe shtetas tjerë të Serbisë janë mbledhur para hyrjes së Radiotelevizionit të Kragujevcit (RTK) në shenjë solidariteti me studentët që janë duke bllokuar shërbimet publike në Beograd dhe Novi Sad, ka raportuar televizioni N1.

Përmes bllokadave dhe protestave, studentët po kërkojnë që autoritetet të mbahen përgjegjëse për vdekjen e 15 personave, si pasojë e rrëzimit të një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

Beta ka raportuar se disa studentë kanë shkuar në Koshtunjak, një lagje në Beograd, me synim të bllokimit të studios tjetër të RTS-së, prej së cilës mund të ketë transmetim programesh.

Policia ka thënë se do të intervenojë vetëm nëse protestuesit përpiqen të hyjnë në ndërtesë me forcë.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se policia nuk ka vepruar kundër protestueseve, por që ajo është sulmuar, ndonëse në pamjet në rrjetet sociale shihet qartë se policia i ka sulmuar dhe rrahur studentët dhe qytetarët tjerë, ka raportuar Beta.

Një zyrtar policor është plagosur, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se plaga e tij e rëndë në sy është shkaktuar nga protestuesit, të cilët i ka quajtur “anëtarë të pleniumit bolshevik”.

Beta raporton se pamjet në rrjetet sociale tregojnë se zyrtari policor i plagosur ka qenë me veshje civile në protesta dhe ka mundësi të jetë plagosur nga kolegët e tij në uniformë.

Marshet masive të organizuara nga studentët në shumë qytete të Serbisë kanë qenë paqësore dhe nuk është raportuar për incidente.

Përmes bllokadave dhe protestave, studentët janë duke kërkuar publikimin e gjithë dokumentacionit për rindërtimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad, për të vërtetuar se kush është përgjegjës për aksidentin.

Protestuesit kërkojnë edhe ndjekjen penale të personave që kanë sulmuar protestuesit si dhe pezullimin e procedurave kundër atyre që janë arrestuar gjatë demonstratave.

Qeveria pretendon se i ka plotësuar kërkesat e studentëve, derisa një grup ekspertësh i formuar nga Senati i Universitetit të Beogradit i ka mohuar këto pretendime përmes një raporti.

Studentë prej shumë pjesëve të Serbisë veçse janë nisur drejt Beogradit, në një protestë të re që është planifikuar për 15 mars.

Shqipëri, Raporti vjetor: Gazetarët nën presione dhe pengesa të mëdha

Pamje nga një protestë e gazetarëve para Kuvendit

 

VOA

Në Tiranë, Rrjeti BIRN dhe Qendra SCIDEV sapo kanë publikuar Raportin Vjetor 2024 mbi lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve, ku renditen pengesa të shumta, të cilat, sipas autorëve, rrezikojnë pavarësinë, sigurinë, integritetin dhe profesionalizmin e gazetarisë në Shqipëri. Vitin e kaluar u regjistruan 45 incidente ndaj gazetarëve, që kanë rritur pasigurinë dhe vetë-censurën e tyre në punë. Vëzhgues të pavarur pohojnë se organet e drejtësisë lëvizin ngadalë për të mbrojtur gazetarët e kërcënuar dhe kjo dekurajon gazetarët të bëjnë më shumë denoncime, si dhe nxit dhunuesit e tyre në përkeqësimin e gjendjes.

Raporti 1

Raporti 1

Në Raportin vjetor hartuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative BIRN dhe Qendra studimore SCIDEV mbi progresin e Shqipërisë në lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në përputhje me standardet e BE-së, theksohet se “situata e lirisë së medias dhe siguria e gazetarëve nuk patën asnjë përmirësim të konsiderueshëm në vitin 2024”. Në Raport thuhet se “Shqipëria përballet me probleme të mëdha, si ndërhyrja politike, përqendrimi i madh i pronësisë së medias në pak duar dhe vështirësitë ekonomike që komprometojnë integritetin e gazetarëve”.

Blerjana Bino, SCIDEV, bashkautore e studimit

Blerjana Bino, SCIDEV, bashkautore e studimit

“Studimi tregon që më shumë se 45 për qind e gazetarëve shprehen se ata ndjehen të kërcënuar ose kanë qenë nën presion dhe të intimiduar. Burimi kryesor i këtyre presioneve janë pronarë të mediave, funksionarë publikë, aktorët politikë dhe individë të tjerë privatë të lidhur me interesa të fuqishëm”, thotë për Zërin e Amerikës Blerjana Bino, bashkautore e studimit dhe drejtuese e Qendrës SCIDEV.

Autorët vërejnë se gazetarët në Shqipëri përballen me kërcënime dhe presione në rritje, jo aq me sulme fizike, se sa me presione, padi gjyqësore dhe ngacmimet online, të cilat rritin autocensurën dhe pasigurinë.

Raporti 2

Raporti 2

Ata theksojnë se frikësimet ndaj gazetarëve vijnë nga aktorë shtetërorë e joshtetërorë dhe kanë krijuar një atmosferë të vazhdueshme kërcënuese dhe fushata padish e shpifjesh për reporterët, që pengojnë të përmirësohet mbrojtja e lirisë së shtypit.

Të 45 incidentet e raportuara për dhunë ndaj gazetarëve në 2024-ën janë gati sa dyfishi i 24 episodeve të raportuara në 2023-shin. Sipas Rrjetit të Gazetarëve të Sigurtë (SafeJournalists Network), ngjarjet ishin kryesisht “sulme verbale dhe debate anti-media nga aktorët politikë të të gjithë spektrit”.

Dorian Matlija, Qendra Respublica

Dorian Matlija, Qendra Respublica

“Rastet e sulmeve ndaj gazetarëve janë shtuar, por po ashtu janë shtuar edhe reagimet. Gjykatat janë shumë të ngadalta, por tek gazetarët shihet një ndërgjegjësim më i lartë. Ata po i ndjekin më shumë procedurat, po adresojnë më shumë çështje drejt policisë, prokurorisë, por ka ende një mosbesim të lartë ndaj organeve ligjzbatuese. Gazetarët që të mos denoncojnë rastet, megjithatë ata po i denoncojnë kanosjet, por institucionet po punojnë shumë ngadalë. Unë do të doja të punonin më shpejt dhe të raportonin në mënyrë konkrete për hapat e ndërmarra në çdo rast, sepse kjo dekurajon denoncimet nga gazetarët dhe kjo nxit elementët kriminale që nga kjo zvarritje besojnë që kanosja e tyre funksionon. Ligjet janë të mira, por zbatimi duhet përmirësuar”, thotë për Zërin e Amerikës avokati Dorian Matlija, drejtues i Qendrës Respublica, organizatë që mbrojtjen e gazetarëve e ka në qendër të punës së vet.

Raporti 3

Raporti 3

Raporti vjetor përfshin edhe një anketim të gazetarëve, ku doli që pjesa dërrmuese i njoftuan rastet e kërcënimit në polici dhe më pak në prokurori, por një pjesë e madhe e cilësuan reagimin nga policia dhe prokuroria shumë joefektive. Mbi tre të katërtat e gazetarëve të anketuar ndjehen të pasigurtë dhe besojnë se forcimi i mbrojtjes ligjore do të rriste këtë siguri. Pjesa më e madhe e tyre u shprehën se reagimi më i ashpër nga organet e zbatimi i ligjit dhe nga gjyqësori ndaj kërcënimeve dhe sulmeve do të përmirësonte sigurinë e gazetarëve.

Gentian Mullai, përfaqësues i Policisë së Shtetit në marrëdhëniet me mediat

Gentian Mullai, përfaqësues i Policisë së Shtetit në marrëdhëniet me mediat

“Policia e Shtetit e ka qendër të vëmendjes rritjen e sigurisë së gazetarëve, sepse i quan aleatë në zbulimin dhe goditjen e shkeljeve ligjore në vend. Policia ka caktuar punonjës të posaçëm për të ndjekur denoncimet për incidente me gazetarët dhe i ndjek me shumë seriozitet ato dhe në mënyrë dinamike. Ka një pikë kontakti në policinë e shtetit ku gazetarët duhet të kontaktojnë fillimisht. Kemi një oficer të posaçëm që merr kallzimet e gazetarëve. Gjithë drejtoritë policore dhe çdo punonjës policie i ka në vëmendje prioritare për të ndihmuar gazetarët në terren, për çdo shqetësim dhe nevojë që ata mund të kenë”, thotë për Zërin e Amerikës Gentian Mullai, pas një takimi konsultativ, me organizata të gazetarëve dhe qendra studimore të shtypit, mbi Udhëzuesin e Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve.

Raporti 4

Raporti 4

Midis kolegëve të tjerë, edhe mbi 20 për qind e grave gazetare në Shqipëri pohojnë se kanë hasur në kërcënime ose frikësime me bazë gjinore që lidhen me punën e tyre. Shumica e gazetarëve janë shprehur se situata mund të përmirësohet me një vullnet më të madh politik në mbrojtje të lirisë së shtypit, Më shumë se dy të tretat e të anketuarve raportojnë se janë ndeshur me kufizime në punën e tyre për të raportuar lirisht, shpesh nga frika e hakmarrjeve apo censurës. Këtu kanë ndikuar interesat e biznesit dhe kontrolli editorial i pronarëve të mediave, gjë që pengon gazetarinë investigative dhe integritetin e raportimit.

Për shumicën dërrmuese të gazetarëve temat me më shumë pengesa për raportim janë korrupsioni, krimi i organizuar, korporatat e mëdha dhe abuzimet ekonomike.

“Shifrat e incidenteve të raportuara janë dyfishuar, sepse tani ka një monitorim më të madh e më të detajuar, por edhe sepse është bërë më shumë ndërgjegjësim me gazetarët për të mos normalizuar asnjë rast sulmi, intimidimi apo kërcënimi ndaj tyre. Ne e kemi në vazhdimësi thirrjen që kjo kulturë dhune nuk normalizuar dhe duhet të kemi tolerancë zero ndaj çdo rasti të presionit dhe sulmit ndaj gazetarëve , thotë zonja Bino e Qendrës SCIDEV.

Raporti Vjetor 2024 përshkruan “një mjedis kompleks dhe të vështirë për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në Shqipëri pa progres të konsiderueshëm, ndërsa zbatimi i rekomandimeve të BE-së në këtë fushë mbetet i kufizuar.

Raporti thekson se gazetarët durojnë kushte të pasigurta pune, paga të ulëta, pagesa joformale dhe të vonuara dhe mungesa e masave mbrojtëse në detyrë. Kjo i gjendje, theksojnë autorët, nxit autocensurën tek profesionistët e medias përballë presioneve të jashtme, dhe dëmton pavarësinë dhe cilësinë e punës së tyre.

Në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin e kaluar Shqipëria u rendit e 99-ta midis 180 shteteve, çka shënon një rënie prej tre vendesh krahasuar me një vit më parë, si dhe sfidat e vazhdueshme që hasin liria e mediave dhe siguria e gazetarëve.

Vizita e shefit të NATO-s si rikonfirmim për praninë e forcave evropiane në Kosovë

Krenare Cubolli

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Mark Rutte, pritet ta shfrytëzojë vizitën e tij në Prishtinë, më 11 mars, për të ofruar garanci se kontingjenti evropian brenda misionit të aleancës në Kosovë, KFOR, do të mbetet aty, pavarësisht ndonjë lëvizjeje të forcave ushtarake amerikane.

Kështu thotë Ivan Vejvoda, hulumtues në Institutin për Shkenca Humane në Vjenë, sipas të cilit vizita e Mark Ruttes në Kosovë tani është shumë e rëndësishme, duke marrë parasysh situatën gjeopolitike, administratën e re amerikane, vazhdimin e luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe “thashethemet – të bazuara ose jo – që Shtetet e Bashkuara janë duke rishqyrtuar pozicionin e tyre në NATO”.

Shto këtu edhe “faktin që, siç thonë amerikanët, ka ende punë të pakryera në Ballkan”, shprehet Vejvoda në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.

Çështja e rishqyrtimit të pozicionit të SHBA-së në Evropë ka nisur të qarkullojë prej deklaratave që ka bërë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në shkurt, kur ka thënë se evropianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në kontinent do të zgjasë përgjithmonë, teksa u ka bërë thirrje evropianëve që t’i rrisin shpenzimet për mbrojtje.

Edhe presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë thirrje që evropianët të paguajnë më shumë në këtë sektor, duke ngritur dilema nëse ata do të ishin tani në gjendje të mbronin SHBA-në, siç e kërkon Neni 5 i NATO-s.

SHBA-ja i ka rreth 100.000 trupa në Evropë, ndërsa prej tyre 600 janë të vendosura në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, që në total i ka rreth 4.600 pjesëtarë.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes i ka thënë ditë më parë Radios Evropa e Lirë se tani për tani nuk ka ndonjë ndryshim të planifikuar sa i përket pozicionimit të forcave të tyre.

As Vejvoda nuk beson se trupat amerikane mund të largohen nga Kosova, të paktën në gjashtë muajt e ardhshëm. Ai mendon se KFOR-i do të funksiononte në mënyrë stabile edhe pa prezencën amerikane.

Vetë shefi i NATO-s, Rutte, ka thënë ditë më parë se stabiliteti në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi është në interesin e të gjithëve në aleancën ushtarake perëndimore, dhe se ai nuk sheh arsye të besojë se mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në NATO.

Misioni i NATO-s në Kosovë

KFOR-i ka zbarkuar në Kosovë në qershor të vitit 1999, nën komandën e NATO-s. Misioni i tij është që të garantojë sigurinë, lirinë e lëvizjes dhe të mbështesë zhvillimin e një Kosove stabile, demokratike dhe multietnike.

KFOR-i operon sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përmes së cilës është autorizuar prezencë ushtarake ndërkombëtare në Kosovë, pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova.

Në fillim, NATO-ja i kishte rreth 50.000 trupa, ndërsa tani i ka rreth 4.600 të tillë prej 27 vendeve kontribuuese.

KFOR-i e ka rritur prezencën në Kosovë më 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e vendit.

Vizita e Ruttes në Kosovë zhvillohet pas asaj që ai bëri në Bosnje e Hercegovinë, më 10 mars, ku dha mesazhin që aleanca nuk do të lejojë që “të rrezikohet paqja e fituar me shumë vështirësi”.

“Nuk jemi në vitin 1992 dhe nuk do të lejojmë krijimin e ndonjë vakumi sigurie. E di që EUFOR-i [Forca e Bashkimit Evropian] është plotësisht i përgatitur për të garantuar ambient stabil të sigurisë”, ka thënë Rutte, duke iu referuar periudhës së shpërthimit të luftës në këtë shtet.

Ai ka deklaruar, po ashtu, se NATO-ja mbështet plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës, dhe që Marrëveshja e Dejtonit – e cila u ka dhënë fund luftimeve më 1995 – është themeli që duhet të respektohet.

Më 7 mars, EUFOR ka bërë të ditur se do të rrisë përkohësisht numrin e pjesëtarëve që ka, si masë parandaluese, pas rritjes së tensioneve në këtë shtet.

Forca e BE-së i ka rreth 1.000 pjesëtarë në këtë shtet dhe e ka zëvendësuar misionin e NATO-s, SFOR, prej vitit 2004.

Nevoja e koordinimit me aleatët

Kosova synon anëtarësimin në NATO dhe udhëheqësit e saj bëjnë vazhdimisht thirrje për përshpejtim të hapave të vendit për në aleancë.

Teksa rruga deri tek anëtarësimi mund të jetë potencialisht e gjatë – për faktin që disa vende anëtare nuk e njohin shtetësinë e Kosovës – Vejvoda përmend rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët, dhe u bën thirrje vendeve të Ballkanit, në veçanti Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, që të jenë të dëgjueshme.

“Kujtojmë fjalët e ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Jim O’Brien, që pati thënë se ‘ai që nuk bashkëpunon me aleatët, ai nuk do të ecë përpara’. Ky paralajmërim vlen edhe tani, që nëse Kosova dëshiron të ketë marrëdhënie të intensifikuara me SHBA-në dhe me administratën e re, duhet të dëgjojë me kujdes, ashtu sikurse i gjithë rajoni”, shprehet Vejvoda.

Ai rikujton edhe vizitën e ish-shefit të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, i cili u tha se bëri paralajmërime në Prishtinë, Beograd dhe Sarajevë, që liderët e këtyre vendeve të mos përshkallëzojnë situatën.

“Ndoshta mesazhi mund të ketë qenë që të mos merren vendime të njëanshme dhe nëse duhet të merren vendime në këto shtete, duhet të jenë në koordinim me aleatët”, thotë Vejvoda.

Ndonëse KFOR-i është garantuesi i tretë i sigurisë në Kosovë, prania e tij konsiderohet jetike, sidomos në pjesën veriore të vendit ku patrullon në vijën kufitare me Serbinë.

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, i ka thënë Radios Evropa e Lirë ditë më parë se vendi, aktualisht, nuk është në gjendje të vetëmbrohet, ndonëse FSK-ja është në proces të shndërrimit të ushtri të rregullt, dhe i ka rritur së voni shpenzimet për mbrojtje.

Buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes në Kosovë do të jetë 207.8 milionë euro në vitin 2025, apo 54 milionë euro më shumë sesa vitin paraprak. REL

Kurti: Qeveria e re do të udhëhiqet nga LVV-ja dhe unë

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ai do të udhëheqë sërish me ekzekutivin e ri të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

“Së pari rezultatet përfundimtare, pastaj certifikimi, pastaj bisedimet. Qeveria, e sigurt, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe unë”, tha Kurti shkurt për mediat pas pjesëmarrjes në një ngjarje në Prishtinë më 10 mars.

Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit me 42.27 për qind të votave të fituara apo 48 ulëse në Kuvendin me 120 vende. Kjo nënkupton se kjo parti nuk mund ta formojë e vetme ekzekutivin e ri, për të cilin duhen 61 deputetë.

Kurti nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve se me cilat parti opozitare partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, është më e përafërt.

Numri dy në LVV, Glauk Konjufca, ka deklaruar për një media italiane se synojnë që ta formojnë Qeverinë me partitë joserbe.

Partitë joserbe kanë të rezervuara 10 ulëse në Kuvendin e Kosovës, aq sa kanë edhe partitë serbe. Në mesin e partive serbe, partia e ministrit për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, ka fituar një mandat, ndërkaq nëntë të tjera i ka marrë Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Konjufca ka thënë se me bashkëpunimin me partitë joserbe, përjashtohet që Lista Serbe të ketë “pushtet vendimtar”. Kjo parti ishte lënë jashtë Qeverisë edhe pas zgjedhjeve të kaluara dhe LVV-ja e formoi Qeverinë me partitë joserbe dhe emëroi Rashqin ministër, pasi Kushtetuta kërkon që një ministër të jetë nga radhët e komunitetit serb.

Konjufca, që është nënkryetar i LVV-së dhe kryeparlamentar, tha se ka pak të ngjarë që partia e tij të bashkëpunojë me partitë e mëdha shqiptare.

Edhe partitë shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur kundër bashkëpunimit me LVV-në e Kurtit.

Megjithatë, “vija të kuqe” për koalicion të mundshëm me LVV-në e as me partitë që aktualisht janë në opozitë nuk ka vendosur Fatmir Limaj, kreu i Nismës, parti që në zgjedhjet e 9 shkurtit ishte pjesë e koalicionit me AAK-në dhe disa parti të tjera.

Rruga për formimin e institucioneve të reja do të hapet vetëm pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ketë certifikuar rezultatin zgjedhor. Numërimi i votave ka përfunduar dhe tani procesi është në fazën e ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s nesër në Kosovë, takon Osmanin e Kurtin

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të vizitojë Kosovën nesër, për herë të parë që kur ka marrë postin.

Lajmin është konfirmuar nga NATO-ja përmes një komunikate për media.

“Më 11 mars 2025, Këshilli i Atlantikut të Veriut, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Mark Rutte, dhe Zëvendës-Sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, znj. Radmila Shekerinska, do të vizitojë KFOR, misionin e udhëhequr nga NATO në Kosovë, dhe Ekipin e Këshilltarëve dhe Lidhësve të NATO-s (NALT)”, thuhet në komunikatë.

Në njoftim, bëhet e ditur se sekretari Rutte do të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministri aktual, Albin Kurti.

“Ata gjithashtu do të zhvillojnë një shkëmbim mendimesh me drejtorët e misioneve të Bashkimit Evropian, Ambasadorin Aivo Orav dhe Misionin e Sundimit të Ligjit të BE-së në Kosovë (EULEX), Gjeneral Major Giovanni Barbano, përfaqësuesen e posaçme të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe Shefen e Misionit të UNMIK-ut, znj. Caroline Ziadeh, dhe Kryetaren e Përkohshme të Misionit të OSBE-së, znj. Cornelia Taylor”.

Përveç Ambasadorëve nga partnerët që kontribuojnë me trupa në KFOR, Rutte do të takojë edhe komandantin e KFOR-it, gjeneral Major Enrico Barduani, dhe drejtorin e NALT-it, Brigadier General Christian Nawrat.

Vizita e Ruttes vjen disa javë pas përfundimit të procesit zgjedhor në Kosovë.

Ai deklaroi atëherë se pret formimin e një qeverie stabile dhe funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe se NATO-ja do të punojë me këdo që do të udhëheqë me vendin.

Ai theksoi gjithashtu se stabiliteti në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi është një çështje e rëndësishme, duke shtuar se nuk sheh arsye për të dyshuar nëse do të ketë ndonjë ndryshim të theksuar në angazhimin e Shteteve të Bashkuara në NATO.

Ndryshe, stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka qenë një prej çështjeve kryesore që ka dominuar diskutimet ndërkombëtare për dekada, kryesisht për shkak të tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë. NATO-ja ka mbi 4 mijë trupa në Kosovë.  sn

Miqtë dhe shokët, burimi kryesor nga e blejnë- Shqiptarët kanë konsumin më të lartë të kokainës në Europë, e marrin edhe në zyrë

Përdoruesit shqiptarë të drogave kanë nivelin më të lartë të konsumit të kokainës në Europë, me 41% të përdoruesve që kanë konsumuar kokainë, përkundrejt 21% që është mesatarja e Ballkanit Perëndimor dhe 29% e Bashkimit Europian, sipas të dhënave të sondazhit të Agjencisë së Drogave të Bashkimit Europian EUDA (shiko grafikun Përdorimi i drogave në 12 muajt e fundit sipas substancave).

Anketa Europiane në Internet mbi Drogat (European Web Survey on Drugs) mblodhi të dhëna midis majit dhe korrikut 2024 nga persona përdorues të drogës, të moshës 18 vjeç e lart, që jetojnë në vendet e BE-së dhe jashtë saj. Në total, morën pjesë mbi 66 000 persona nga 31 vende.

Në Ballkanin Perëndimor u përgjigjën 4,442 individë të moshës 18 vjeç e lart, që përdorin droga (Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi).

Analiza e përgjigjeve të të anketuarve zbuloi gjetje kyçe mbi përdorimin e tyre të drogave në 12 muajt e fundit. Të dhënat publike përfshinë gjetjet e përmbledhura të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.

Të dhënat e përgjigjeve nga individët shqiptarë për Shqipërinë u vunë në dispozicion nga EUDA posaçërisht për Monitor dhe u përpunuan nga Monitor.

Shqipëri, kanabisi dhe kokaina drogat më të përdorura

Kanabisi mbetet droga që konsumohet më shumë nga individët shqiptarë, me 56% të të anketuarve që kanë deklaruar që e përdorin atë. Përdorimi i kësaj substance është shumë pak më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian (59%) dhe më i lartë se në Ballkanin Perëndimor (42%).

Shqipëria është e vetmja ku kokaina është substanca e dytë më e konsumuar pas kanabisit. 41% e përdoruesve të drogave thanë se kishin konsumuar kokainë në 12 muajt e fundit. kjo përqindje është dy herë më e lartë se mesatarja e Ballkanit Perëndomor dhe shumë mbi nivelin e BE-së prej 29%.

Në Ballkanin Perëndimor, substanca e dytë më e konsumuar është Benzodiazepines (pa recetë), me 22% të përdoruesve, kundrejt 5% në Shqipëri.

Në Shqipëri, substanca e tretë më e konsumuar është MDMA/Ecstasy (16%) e ndjekur nga kërpudhat dhe truflat (11%).

Kokaina mbizotëron në bare

Kokaina pudër e ka konsumin më të lartë në bare, me 75% të përdoruesve të tij shqiptarë që thanë që e pinin atë në lokale. Në shtëpi e kishin konsumuar 69% e të anketuarve, në festa ose festivale muzikore (51%), në makinë (35%), në hapësirat publike si parqe (29%), në natyrë (29%).

Kokaina kristal (crack) konsumohet më shumë në ambientet e shtëpisë (75%) dhe më pak në bare (33%).

Arsyeja kryesore e përdorimit të kokainës pudër është për të ardhur në qejf/ për argëtim (58%), për të reduktuar efektet e alkoolit (39%), për të reduktuar stresin/relaksuar (31%), për të bërë shoqëri (24%), për të qëndruar zgjuar (22%).

Kanabisi konsumohet në natyrë, për të reduktuar stresin

Ambientet e hapura janë mjedisi kryesor ku konsumohet kanabisi nga përdoruesit shqiptarë, me 67 % të përgjigjeve. Edhe shtëpia (e vetja ose e dikujt tjetër) mbetet një ambient i preferuar (61%). Në festa ose festivale muzike ishte zgjedhja për 44% e të anketuarve.

Arsyeja kryesore që i nxit shqiptarët të përdorin kanabis është për të reduktuar stresin dhe për tu relaksuar (70%), për të ardhur në qejf/ për argëtim (58%), për të përmirësuar gjumin (43%), për të menaxhuar depresionin (41%), për arsye spiritualë (31%), për varësu (24%), për të bërë shoqëri (19%).

Kanabis edhe në shkollë, kokainë në punë

17% e të anketuarve shqiptarë thanë se një nga vendet ku ata konsumonin kanabis ishte në shkolla. 11% thanë se e konsumonin në punë.

Ndonëse me përqindje të ulëta, kokaina hyn edhe në shkolla, me 4% të të anketuarve se thanë që e konsumonin dhe në shkollë.

Më i lartë është konsumi i kokainës pluhur në punë, me 20% të të anketuarve që thanë se kishin pirë kokainë në zyrë.

Edhe për kokainën kristal, 17% e përdoruesve shqiptarë thanë se e kishin marrë në punë.

Kanabis me cigare e alkool dhe kokainë me alkool e nikotinë

Përdorimi i shumëfishtë i substancave, i cili nënkupton konsumimin e dy ose më shumë substancave në të njëjtën kohë, është raportuar për të gjitha llojet e drogave. Sipas të dhënave të anketimit për Shqipërinë rezulton se 70% e të anketuare thanë se përdornin kanabis me cigare/nikotinë dhe 46% thanë kanabis me alkool.

83% e përdoruesve të kokainës pluhur thanë se e kombinonin me alkool dhe po aq me cigare/nikotinë. 26% e kombinonin kokainën dhe me bar kanabis.

Ku i gjejnë drogat shqiptarët

Një nga pyetjet e anketimit lidhet me burimin e blerjes së substancave të drogës.

Për kanabisin, 46% e përdoruesve shqiptarë thanë se e gjenin nga të afërm, ose njerëz që njohin, 31% thanë që i kontaktojnë direkt burimet përmes telefonit, email ose mesazheve.

Miqtë dhe shokët janë dhe burimi kryesor i gjetjes së kokainës (68%) dhe 47% përmes kontakteve direkte nga telefoni, mail ose mesazhet.

Edhe për substancat e tjera si Methamphetamine, Amphetamine, heroinë, burimi kryesor mbetet blerja nga miqtë./Monitor

Osmani thotë se Kosova i bashkohet qëndrimit të SHBA-së kundër veprimeve të Dodikut në Bosnje

Radio Evropa e Lirë

Presidentja Vjosa Osmani tha se Kosova i bashkohet deklaratës së sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe rithekson mbështetjen e plotë për integritetin dhe sovranitetin territorial të Bosnje e Hercegovinës.

“Ne gjithashtu dënojmë fuqishëm çdo veprim që minon themelet e Bosnje e Hercegovinës, sepse kërcënon paqen dhe stabilitetin që rajoni ynë ka punuar palodhshëm për ta arritur—përmes sakrificave shumëvjeçare dhe me mbështetjen e palëkundur amerikane”, shkroi Osmani në X të dielën.

Sekretari amerikan i Shtetit Rubio tha të shtunën se veprimet e presidentit të Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik, përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës, si dhe i minojnë institucionet shtetërore të saj.

Dodiku i dekretoi më 5 mars ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës Sërpska – entiteti serb i Bosnjës – të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Por, më 7 mars, Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës i shpalli jokushtetuese këto ligje, duke i pezulluar përkohësisht, ndërsa pritet t’i ndalojë ato përfundimisht pas një shqyrtimi të plotë.

Liderët në Sarajevë dhe mbështetësit perëndimorë të Bosnjës i kanë akuzuar liderët etnikë të RS-së se po synojnë ndarjen eventuale nga Bosnja, ndonëse këta të fundit i kanë mohuar akuzat.

Disa veprime të tjera të lidhura me këtë entitet kanë përshkallëzuar tensionet në muajt e fundit.

Gjykata e Bosnjës e dënoi Millorad Dodikun, presidentin e Republikës Sërpska, me një vit burgim dhe ia ndaloi ushtrimin e detyrës së presidentit për gjashtë vjet.

Dodik – i cili ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe i ka mohuar akuzat – është nën sanksione nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për veprimet që, sipas qeverive perëndimore, synojnë ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnja.

Sistemi i qeverisjes në Bosnje e Hercegovinë – vend me rreth 3.1 milionë banorë – është ndër më të ndërlikuarit në botë.

Që nga Marrëveshja e Dejtonit për paqe, e cila u nënshkrua në vitin 1995 dhe i dha fund luftës në Bosnje, vendi përbëhet nga Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Sërpska e dominuar nga serbët etnikë, nën një qeveri të dobët qendrore.

Derisa Republika Sërpska mund të miratojë ligje për çështje të brendshme, ligjet dhe institucionet në nivel shtetëror mbeten mbi të gjitha, sipas kushtetutës.

Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova nuk e njohin njëra-tjetrën, për shkak të kundërshtimit nga Republika Sërpska.

Kurti: Kemi prova se Serbia ndërhyri drejtpërdrejt në zgjedhjet e 9 shkurtit

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë të dielën se ka ndërhyrë drejtpërdrejt në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, dhe se ka ndikuar në zgjedhjen e deputetëve serbë dhe të pakicave të tjera.

“Aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, veçanërisht Partinë për Liri, Drejtësi e Mbijetesë dhe Partinë Demokracia Serbe, si dhe votuesit të subjekteve të komuniteteve të tjera, kryesisht romë dhe ashkali”, tha ai.

Partia për Liri, Drejtësi e Mbijetesë udhëhiqet nga Nenad Rashiq, i cili është ministër në Qeverinë e Kurtit, i emëruar pas largimit të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës.

Përfaqësues të caktuar nga pothuajse të gjitha subjektet e tjera politike serbe janë tërhequr nga gara pas kërcënimeve që kanë marrë, sipas Kurtit.

Ai tha se këto raste janë shënuar në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, por edhe në gjashtë komunat e tjera në jug të vendit.

“Për shumicën e këtyre rasteve, institucionet tona kanë dëshmi të cilat për hirë të privatësisë dhe sigurisë së qytetarëve serbë, nuk e dobishme të bëhen publike”, tha Kurti.

Misioni vëzhdues i BE-së, në prezantimin e gjetjeve preliminare të tij për zgjedhjet e 9 shkurtit, tha se Serbia kishte ndërhyrë në zgjedhje përmes trysnisë ndaj votuesve serbë në Kosovë.

Serbia u akuzua edhe nga Gjermania për ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, Lista Serbe – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka marrë mbi 38.000 vota, ndërsa partia e Rashiqit rreth 4.000 vota.

Kushtetuta e Kosovës garanton dhjetë nga 120 vendet e Kuvendit për komunitetin serb dhe dhjetë të tjera për komunitetet e tjera joshumicë.

Ky lajm do të përditësohet

UGSHPD: 8 MARSI NË TITUJT E PROPAGANDËS SË RILINDJES SOCIALISTE

Pas shprehjes së dëshirës për mbylljen e tik-tok nga ana e një kryeministri që kërkon ta çojë në 16 vite sundimin në Shqipëri pas tre mandateve(!) të deritanishme, makineria zgjedhore e Rilindjes Socialiste bashkë me atë propagandistike po tregojnë se elita e forcës politike të Partisë Socialiste është tërësisht e shkëputur nga realiteti historik ndërkombëtar dhe ndryshimet që po kalon vendi. 12 vitet e progresivizmit të majtë politik (e majta ekstreme), janë vetëm rezistenca e një sistemi të shembur që po përshkohet nga rrjedha e forcës së fjalës së lirë, e së vërtetës dhe e lëvizjeve shoqërore për të drejtën dhe barazinë përmes ligjit.  
Zgjedhjet e 11 Majit në këtë këndvështrim po e bëjnë Ramën të jetojë ditët me xhirot më të shpejta të marrëzisë kombëtare dhe ndërkombëtare në politikë tek sa ai kërkon të kapet pas gjithshkaje që i duket se e mban në pushtet. 
Mbyllja e tik-tok rrjedhojë e censurës si fakt, ngritja e Komisionit Parlamentar i Dezinformonit dhe forca e kartonit të  mazhorancës socialiste për të kaluar qorrazi çdo ligj që hedh për zbatim kabineti i njëzëshëm i VKM-ve të kryeministrit, janë shprehja më e mirë për të kuptuar frymën që sundon si dhe propagandën elektorale me shumicë që hidhet në media, por që nuk mund të përtypet dot nga një publik qytetar është rrudhur nga shpopullimi dhe opozitar prej varfërisë dhe korrupsionit. Shqiptarët gjithashtu janë edhe një publik i tej ngopur i cili nuk reagon dot as me protestë për shkak të këtij hutim propagandistik që prodhon parti-shteti. 8 Marsi, ishte një dukuri e përditshmërisë dhe shpërtheu si pjesë e dukshme mes shifrave feministe me të cilat Rama dhe propaganda e tij bombarduan me festën.  ATSH-ja dhe pas saj të gjitha mediat nën mjegullën e festimeve për gratë, nënat dhe motrat, dhanë mesazhin elektoral i cili u copëtua në fragmente të “programit” të Rilindjes Socialiste.
Titujt e gjetur, bënë namin që prej presidentit, krye parlamentares, kryeministrit e deri tek dhjetëra funksionarë të rrethuar në veprimtari e më pas në statuse të rrjeteve sociale që sigurisht filtrohen si lajme. Glorifikimi i 8 Marsit me këtë intensitet përdorimi ditor të lajmit tregon pikërisht atë që 8 Marsi nuk është një festë e lirë. Në fund të ditës festa vetë të lë përshtypjen një dite të marrëzisë kolektive  pikërisht sepse përdoret nga propaganda shtetërore e cila edhe vetë  konceptin emancipues e lodh ashtu sikurse bllokon aksionin shoqëror.
Çfarë kohe po jetojnë shqiptarët?
Politikanë, të gjithë në fushatë elektorale dhe pushtim mesazhesh.
Kryeqyteti Tirana pas disa vitesh këtë rradhë shpëtoi nga spektakli/koncerti në shesh, por jo u siluruar në brendësi të titujve të tjerë me statuset nga mjediset e paraburgimit prej kryetarit të bashkisë Erion Veliaj i cili ndodhet në arrest prej gati një muaji (10 Shkurt).
Përveç një proteste qytetare përpara kryeministrisë gjithshka tjetër i takoi sukseseve të qeverisë e cila korrupsionin ja ka lënë në dorë drejtësisë dhe kjo shenjë e mirëqeverisjes janë për më tej sfida e një mandati të katërt ku çdo gjë shpallet vetëm si arritje, mobilizim dhe vendosmëri për ta ndjekur pas Rilindjen Socialiste, por sigurisht ende pa e ditur se çfarë drejtimi lideri i saj global Rama po ndjek.
Në dhjetëra tituj ku në shifra jepen pjesëmarrja e gruas në jetën shqiptare, rezultate të ideologjizuara në koncept dhe në formë i bëjnë publikut “të besojë” se arritje brenda tre mandateve  kërkojnë natyrshëm edhe  qeverisjen për BE-2030. Këto bashkë tregojnë se Shqipëria po i afrohet vërtetë regjimit parti-shtet të përmbysur 34-35 vite më parë.
 
Por, po t’i vini re titujt e ATSH pasi ajo i pudros me ndonjë qëndrim dhe reagim nga ngjarjet politike të ditës së festës pak kampin opozitar, pjesa tjetër është hidhja me vrull nga njëri vlerësim me cilësimin e programit tek analizat propagandistike të gjithanshme të Rilindjes Socialiste si;
Begaj: Bekuar qofshin gratë shqiptare, forca e vërtetë e jetës sonë  
 
Spiropali: Shoqëria shqiptare e përmbushur, kur gruaja të jetë plotësisht e respektuar në lirinë e saj 
 
Takimi për 8 Marsin, Rama ndan lule për gratë dhe vajzat 
 
Balluku uron 8 Marsin me zërin e grave që punojnë në energjetikë 
 
8 Marsi, Balla: Çdo grua meriton të festojë çdo ditë në një familje të lumtur dhe në një shoqëri të shëndetshme
 
Hasani: Gratë përbëjnë rreth 60% të stafit diplomatik shqiptar 
 
Pirdeni: Mbi 55% e kolegëve në administratën publike janë gra 
 
8 Marsi, Denaj: Gratë janë frymëzim dhe forcë e pashtershme 
 
Dita Ndërkombëtare e Gruas, politika mesazhe urimi
 
…ku tek ky titull futen në një lajm disa ministra si Hoxha, Manastirliu, Koçiu dhe kryebashkiaku Veliaj  i cili nënvizon edhe nga mjediset e burgut se;- “Është 8 Marsi dhe u lashë porosi kolegëve të Bashkisë që, të gjitha nënat, zonjat, dhe vajzat, të cilat i japin çdo ditë kaq shumë nga dashuria, përkushtimi dhe këmbëngulja e tyre qytetit, të udhëtojnë falas në të gjitha linjat e transportit urban të Bashkisë së Tiranës. Faleminderit për punën tuaj të jashtëzakonshme!”. 
E përsa ky ishte kryeqyteti i parë nga vipat drejtues politik, 8 Marsi nuk u harrua edhe për peshën ndërkombëtare të lajmit përmes bashkëshortes së kryeministrit në takimin e Abu Dhabi-t 30/50*;
Linda Rama në Samitin Global të “Forbes” : Fuqia pas progresit dhe rrugëtimi i Shqipërisë drejt tryezës së BE (mjaft interesant nga përbërja).
 
Do të dukej tendencioz përdorimi i fjalës monitorim pas kësaj renditje të mësipërme pasi shteti në fjalë dhe në ligje ka institucione e veta që merren pikërisht me këto raporte të propagandës elektorale dhe medias në pragun e zgjedhjeve të cilat duket se janë bërë një me politikën në pushtet kundër interesave të publikut. Për vëzhgimin tonë e rëndësishme është që të shihet pesha dhe vendndodhja e këtij informacioni pasi Rilindja Socialiste dhe elita e saj jetojnë me arrogancën e parasë dhe me mekanizmin propagandistik i partisë shtet, të emulacionit-socialist të dikurshëm.
Brezi i ri i shqiptarëve sot nuk arrin dot ta kuptojë pasi kjo histori e dhimbshme e shkëputjes nga diktatura nuk u është mësuar kurrë në tekstet mësimore. Tashmë dëmi është bërë. Ajo që nuk mësohet në shkolla, është ushqyer me të kundërtën në mediat sociale. Ideologjizimi i partisë shtet i Rilindjes Socialiste që është një formacion i heshtur politik dhe me demokraci të brendëshme të vrarë në rradhët e saj, daljet në publik dhe zëri i tyre vinë vetëm nga një zë. Vetëm nga zëri i Ramës në larminë mediatike të podkastit, Moduleve të Akademisë Politike Socialiste, rubrikat sy m’sy, e në gjithë statuset e tjera të papërtuara që tregojnë krizën dhe gjendjen e tronditur të pozitave të tij dhe karriges në pushtet.
Kur mendon se edhe Gratë me Festën e 8 Marsit i shpërbekan një mandati të 4-rt, të shkon mendja tek filmi Kapedani në cilësinë e rinovuar HD ose 4K të realizuar një vit më parë ku Rama në një status ndër të tjera shkruante:-“… se historia e luftëtarit me mustaqe të bardha Sulo, i cili niset nga fshati i tij për në kryeqytet për të zbuluar se pse grave u janë dhënë të njëjtat të drejta si burrat, zë ende vend të rëndësishëm në kujtesën kolektive të shqiptarëve dhe transmetohet rregullisht nga televizionet kombëtare”.
Morali i asaj fabule 52 vjeçare të filmit Kapedanit nuk ka të bëj sot me shprehjen “na mbytën gratë”, por me humorin e ëndrrës së pushtetarëve dhe drejtuesve të institucioneve shtetërore që në një ditë si kjo, u marrin frymën edhe nga ekranet qytetarëve.
Kjo që shohim me sy të parë dhe pa e futur në filtrin e fushatës elektorale siç bëjnë monitoruesit profesionist të shtetit shqiptar është pak. Edhe aty ku nuk ta merr mendja roli i gruas  në një ditë si kjo na del i lidhur me kulinarinë që të kujton më pas fluksin e turizmit, e prej këtej kuptohet se vetëm një fill i rilindësve të përkushtuar do ta gjente një titull të tillë pavarësisht se brendësia në të është tjetër gjë. Me kushtet e sotme të shoqërisë shqiptare mund të kuptohej ndryshe, edhe pse titulli nënvizon;  BBC: Falë gjysheve kuzhina shqiptare po rilind.  
Për çdo shqiptar të larguar në emigracion shkrimi nuk është as realitet i pa njohur , por edhe as ekzotikë sipërfaqësore. Kësaj propagande i duhet shpjeguar se një nënë e gjyshe veç se ruan receta dhe di të gatuaj kuzhinë shqiptare ka së pari  fëmijë, nipa dhe mbesa apo edhe me dhjetëra të afërm që bashkë me komshinjtë/gjitonët bëhen qindra mijë dhe miliona shqiptarë që i janë larguar Shqipërisë. Janë shpërndarë nëpër botë dhe për shkak të politikës dhe qeverisjes së keqe janë larg nga sa do të mund që edhe t’ua uronin festën fizikisht, pra të ishin ekonomikisht më të fuqishëm dhe politikisht të lirë.
______________
*Samiti Global Forbes 30/50 – për pjesëmarrjen rezervimi kushton nga 6,500-8,500 dollarë.
 
 
8 Mars, 2025
 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Rritje e besimit për presidentin ukrainas Zelensky

Sipas një sondazhi të fundit, 67% e ukrainasve i besojnë kreut të shtetit

VOAL- Besimi i qytetarëve ukrainas te presidenti Volodymyr Zelensky ka fituar 10 pikë përqindjeje në 67%, me gjasë për shkak të mosmarrëveshjeve me Donald Trump dhe J.D. Vance në Shtëpinë e Bardhë më 28 shkurt.

Kjo është sipas sondazhit të fundit, të kryer nga 14 shkurti deri më 4 mars nga Instituti i Sociologjisë në Kiev (KIIS). Sipas sondazhit, ndërsa 67% kanë besim te presidenti, edhe pse ai nuk u rizgjodh vitin e kaluar për shkak të gjendjes ushtarake, 29% e ukrainasve kanë një mendim negativ për të, përveç 4% që nuk kanë mendim. Më 4 shkurt, besimi ishte 57%, mosbesimi 37% dhe i pavendosur 6%, ndërsa më 24 dhjetor opinionet ishin përkatësisht 52%, 39% dhe 9%.

Besimi në Zelensky, shkruan Kiis, “është pak më i ulët në Ukrainën lindore”, ku vlerësimet pozitive janë 60 për qind dhe vlerësimet negative janë 36 për qind. Në rajonet e tjera të Perëndimit, Qendrës dhe Jugut norma e besimit është 66%, me kulmin 69%, shkalla e mosbesimit është midis 28% dhe 30%, pa të pasigurta. Agjencitë e lajmeve/RSI


Send this to a friend