470 VJET MESHAR DHE NJË LUTJE PRESIDENTIT… – Zdritje… Eh seh dasunit seh botesse saneh… – Nga Visar Zhiti
Të marrësh Mesharin tonë ndër duar:
Zdritje… Eh seh dasunit seh botesse saneh… Janë fjalë në gjuhën e vjetër shqipe, në atë që fliste dhe Skënderbeu dhe arbërit në trojet e tyre gjithandej.
Siç e dimë. Është libri ynë i parë, u botua në vitin 1555, në 5 janar, si sot, pra 470 vjet më parë dhe e vetmja kopje që i ka shpëtuar rrebesheve të shekujve, nga errësira e gjatë e pushtimit dhe e zjarreve të tyre, për fat është dhe ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit.
LIBËR NË ERRËSIRË
Autori Gjon Buzuku, prifti arbëror katolik nga Veriu i Shqipërisë, mbase nga fshatrat e bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës, famullitar i një kishe jo larg vendit të botimit të librit, nëse u shtyp në trevat e Ulqinit a të Tivarit, mbase dhe gjetiu në Bregun Dalmat, por ka shumë mundësi dhe në Venedik, sipas një mendimi më të përgjithshëm, se nuk është përcaktuar se ku, se i mungojnë faqet e para, 16 bashkë me ballinën, që i shtojnë misterin dhe dhembshurinë. Libër i plagosur.
Vendi po bënte shekullin e pushtimit nga perandoria otomane dhe do të rrinte dhe shekuj të tjerë në robëri.
Buzuku ynë, është kështu dhe autori i parë i letërsisë shqipe, që dimë.
“Meshari” i tij nuk është thjeshtë një libër kishtar, që përmban lëndë të ndryshme biblike të përkthyer, liturgji, të shoqëruar me copëza proze tregimtare. Rëndësia e tij është e jashtëzakonshme, jo vetëm për historinë e gjuhës tonë, por për gjithë kulturën e kombit, identitetin e tij.
Vepra është parë dhe si sintezë e botës së një populli, gjuhë dhe shpirt dhe mendësi, kahu i ecjes së Arbërisë dhe çelësi i shumë enigmave.
Aty është e foluar e shqiptarëve në Mesjetën e tyre, pa evoluimin e dukshëm të dy dialekteve tona dhe na bën të besohet se do të ketë patur dhe ka patur dhe vepra të tjera pararendëse.
Të zhdukura (!?!).
Buzuku duket se ndjek kështu një traditë të formësuar të shkrimit të shqipes, që do të vijojë dhe me autorë të tjerë. Gjuha shqipe aty është e kultivuar, kurse në pasthënie shprehet qartazi dashuria për arbërit dhe dheun e tyre, – Eh seh dasunit seh botesse saneh, – si frymëzuese e kësaj bëme për të ndritur mendjet e bashkatdhetarëve, zdritje – shkruan Buzuku, Më drithëron kjo fjalë, mos vjen nga “zë + dritë”
“Meshari” është shkruar me alfabetin latin me shkronja të tipit gjysmëgotike, i zakonshëm në atë kohë në Italinë e Veriut. Dhe për tingujt e shqipes që nuk i ka latinishtja, janë përdorur dhe pesë shkronja të posaçme, të ngjashme me ato të alfabetit cirilik. Gjithsesi libri ndihmon dhe linguistët indo-europianistë në rrafsh të gjerë.
Mbi të gjitha është dëshmi dhe kurajo për ne, shqiptarët. Nxorëm libra në errësirë..
ZBULIMET E LIBRIT TONË TË PARË
Është mbuluar dhe zbuluar herë pas here…
Mesharin tonë së pari e gjeti në Vatikan gjakovari Gjon Nikolë Kazazi më 1740. Deri atëhere dihej i humbur. Pastaj sikur u harrua prapë dhe më 1909, një vit pas Kongresit të Manastirit, kur si alfabet i shqipes u konfirmuan sërish shkronjat latine, ato të Mesharit, e rigjeti Pal Skiroi nga Palermo dhe përsëri më 1930 At Justin Rrota nga Shkodra, që e fotografoi në tre kopje dhe i shpërndau.
Më 1968 “Mesharit” iu bë një (ri)botim shkencor në Tiranë me faksimile dhe trasnskribim, pajisur me një studim të gjerë nga profesor Çabej.
Ndërsa origjinali dergjej atje, në Vatikanin e ndaluar. Duke u harruar. Studiuesit nuk kishin mundësi të dilnin nga Shqipëria diktatoriale sa herë t’u duhej, por kur nisnin ndonjë, misioni ishte ndryshe…
Vendoseni në një shtrat topi si heronjtë Librin e Parë, mbështilleni me Flamurin Kombëtar dhe çojeni drejt qendrës së Kryeqytetit, aty ku pret në bronz Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Dhe të vihemi presin në radhë shqiptarët, me mijëra, të ardhur nga të gjitha trevat e të shohin Librin e tyre të Parë, ta prekin. Kemi udhëtuar me shekuj drejt tij… Në kërkim të mesharit:
RRËFIME DIPLOMATIKE ME MESHARIN:
1. Edhe unë e kam kërkuar Mesharin tonë, kam ëndërruar të jem përballë tij…
Kisha hyrë në portat e shtetit të Vatikanit, të rrethuar me mure të larta dhe me roja zviceriane me shtiza të gjata ndër duar. Më ishte dukur sikur isha futur në një katedrale qiellore, jo në një tjetër kohë, por në vetë përjetësinë.
U ktheva andej nga Biblioteka e famshme. Plotësova ç’duhej me rigorozitet dhe kërkova Librin e Parë Shqip. Doja ta shihja, ta merrja ndër duar, ta ledhatoja…
Vetë Prefekti i atëhershëm i Bibliotekës, një kanadez hollak, i veshur me te zeza, me koletën e bardhë të priftit katolik, se nga shkoi nëpër ca labirinthe, në Mesjetë me siguri dhe u kthye me një sasi fletash ndër duar, pergamena apo fotokopje të tyre?
– Ky është libri që kërkon? – më pyeti në italishten e tij të bukur, me akcent. – Shikoje…
E mora librin me duart që më dridheshin.
– Jo, jo! – thashë me pikëllim të thellë, – s’është ky, – megjithëse nuk e kisha parë kurrë “Mesharin”.
– Do ta gjejmë, – shtoi gjithë siguri. – Këtu asgjë nuk humbet. Do të jetë në rikonstruktim.
Ndjeva dhëmbje, dyshim dhe frikë. Të jetë zhdukur vërtet? I vetmi ble që kishte mbetur në të gjithë botën, që për çudi nuk ndodhej në atdheun e vet.
Rreziku i grabitjes, i zhdukjes së tij, me qëllim, pa qëllim, ishte, është… unë s’besoj se bleu tjetër i “Mesharit” tonë humbi rastësisht në Raguzë, para do kohe. Ç’duhet bërë?…
Dhe kundërlajmi mbërriti. Gjithë ngazëllim u ula mbi makinën e shkrimit, poshtë në zyrën time të nëndheshme, kantinë a bodrum, ç’kishte qenë dikur, në vilën e Ambasadën dhe shkruajta fjalinë e parë, rraha tastat me po ato shkronja si të “Mesharit”.
U gjet… – dhe thashë me vete: Shekulli nuk mund të mbyllej pa ‘Mesharin’ tonë… të rikonstruktuar. Po çoja informacionin në Tiranë, ku qe përhapur lajmi në media se në Vatikan nuk gjendej më Meshari ynë. Po mua më lajmëroi vetë Prefekti i Bibliotekës, se “atje asgjë nuk humbiste”, kush i përhapte këto lajme të pavërteta? Libri është gati për përdorim, – përfundoi ai me një zë paksa solemn. Po gati për në atdhe kur do të jetë?
2. Dhe në një ditë romane plot me diell, në fundin e dhjetëvjeçarit të parë të shekullit XXI, u nisëm nga ngrehina apokaliptike e ambasadës tonë.
Megjithatë më dukej si ditë shelbuese.
Takim drithërues, i ëndërruar gjithë jetën. Vetura e sorrtë e ambasadorit na futi në shtetin e vogël, por të madh në atë shpirtëror, të Vatikanit.
Ja portat e Bibliotekës. Kolegu ynë, Zef Bushati, kishte folur me miqtë e tij për një takim me… Mesharin. Po dridhesha. Sikur ndizeshin vetvetiu qirinj. Mezi po prisja në sallë.S’po kuptoja ç’po flisnim. Dhe ja, një nga punonjësit e Bibliotekës së famshme erdhi, e solli. I ngazëllyer dhe ai prej ngazëllimit të syve tanë. M.E.SH.A.R.I. Ja, i vërteti, i gjallë.
E prekëm me radhë. Sipas hierarkisë. Me kujdes, jo ashtu, gati thirri punonjësi i Bibliotekës. E kishte me ambasadorin.
Unë i fundit. Doja të qaja. Kur m’u duke se nuk po më shikonte kush, e putha. Fletët ishin të mbrojtura.
Duhet ta sjellim në Shqipëri, gjëmoi një zë brenda meje. Patjetër, patjetër. Unë kam parë “Mesharin”, doja t’i tregoja kujtdo që takoja, kam prekur Librin tonë të Parë dhe ditët e mia sikur u ndanë para dhe pas Mesharit.
Sa i madh do të ishte gëzimi i përbashkët, kur shqiptarët të gjitha ta shihnin librin e tyre të parë në vendin e tyre!
Natyrisht që duhet festuar…
3. Dhe sërish shkova në Bibliotekën Apostolike si drejtues i Ambasadës së vendit tim në Selinë e Shenjtë. Doja librin tim, “Mesharin”, më kishte marrë malli… ai Libër-At’, të përulesha para Tij dhe të lutesha në heshtje. Rivjen ai emocion, kur më priti Prefekti i Bibliotekës, Mons. Cesare Pasini, dhe së bashku mbajtëm “Mesharin” tonë të shenjtë. Duart e mia u mbushën me mornica si me shkronjat tona. Se me këtë libër kishim zbuluar një fillim…
REALIZIMI I ENDRRëS
Por dhe mund të kërkohej të vinte këtu për pak kohë ky libër i mërguar, të ekspozohej, të vizitohej nga të gjithë, të prekej me sy, me duar, të shikonte ai libër shqiptarët e vet. Po, na thoshin, mund të bëni një kërkesë zyrtare. Por… ngrinin supet. S’ka ndodhur ndonjëherë. Si me Mona-Lizën, edhe ajo ka dalë nga Luvri. Buzëqeshnin.
Shteti mund të bëjë, ja, ne jemi shteti, ka ambasadorë, avionë, reciprocitet, agjentë, të ketë dhe pakëz fantazi dhe dashuri më shumë… për të kaluarën. Ne i dhamë kohë më parë Vatikanit Kodikët tanë për një ekspozitë atje, u befasua Roma e madhe, çuam dhe të famshmin, të Purpurtin, që me të drejtë u vu mbi një shtrat topi, kur e nisëm. Dhe Vatikani mund të na i kthejë nderin duke na dërguar “Mesharin” mysafir në dheun amë, kështu bisedonim me njëri-tjetrin në tryeza diplomatike. Dhe harrohej “Meshari”… duart e diplomacisë tonë merreshin më shumë me librin e trashë të menysë së restoranteve.
Ndërroheshin ambasadorët, ministrat e Kulturës, por jo dëshira e thukët për të pasur Mesharin mes nesh.
Dhe një ditë, kur isha kthyer në atdhe, ia thashë ministrit të kulturës, z. Aldo Bumçi, e dëgjoi, heshti, u entuziazmua kujdesshëm, u prek… Po, po, u përgjigj, do ta sjellë Qeveria jonë në këtë 100 vjetor të themelimit të shtetit modern shqiptar.
Dhe nisi çështja “Meshari”. U hartuan shkresa, marrëveshje, me po ato shkronja me të cilat është shkruar dhe “Meshari”, i firmosi Ministri, pastaj Biblioteka jonë Kombëtare me Biblioteka e Vatikanit… erdhën përgjigjet nga jashtë me po ato shkronja me të cilat është shkruar dhe “Meshari”. U bënë verifikimet e sigurisë, u kontrolluan kushtet. Meshari do të vijë do të ekspozohet në Tiranë. Mbas 457 vjetësh. 5 shekuj…
Nderimet më të mëdha meriton dhe Meshari ynë, – rindiznim bisedën. Një tempull, një piedestal. Pranë armëve të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Dhe ato do të vinin…
Të derdhim në bronz fjalët e shqipes së vjetër, me shkronjat latine, ato zgjodhëm, edhe pse ishim të rrethuar nga alfabete cirilikë. Ishte prirja jonë natyrale me Perëndimin Evropian, ën së dashunit së botës s’anë.
…U Doni Gjoni, i biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gjã të ëndigluom ën së shkruomit shenjtë… desha me u…për sã mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e…
Të ndriçojmë mendjet e njerëzve, ja si thotë, përsëritnim fjali të shenjta të Mesharit, pra ky ka qenë edhe njëri nga qëllimet për të cilin e bë Meshari ynë. Dhe është dhe një lutje që nuk e ka asnjë meshar në botës, e shtoi Buzuku ynë: Gjithë popullsinë… ndër Arbanit ata n’mortajet largo, ty të lusmë. O Zot. Te Arbëria, pra aty i rreh zemra Buzukut.
RADHA SHEKULLORE
PËR TË PARË LIBRIN
Dhe do të shkruaja: Pritje e grumbulluar në breza, ëndërr e përbashkët dhe e atyre që s’janë! Përzierë me ca mister dhe me gëzim! Një libër!… i pari fare. Aty nisi… Do t’i afrohemi më shumë se kurrë, do të mund ta shohim si dorën tonë, që shkruan… Meshari i shqiptarëve, i gati 5 shekujve më parë, që ka mbetur i vetmuar në një Bibliotekë të huaj, ndër më të mëdhatë në botë e më të rëndësishmet, vjen në tokën e gjuhës së vet për herë të parë. Sikur kthehet nga një mërgim i gjatë si harrimet. Dhe shpërthejnë emocioni dhe malli, përsiatjet dhe kujtimet. Rimëkëmbja e një kombi vjen nga e kaluara, nëse e dashuron atë, thotë një i mençur i madh. Do të vijë nga qielli Meshari, se libër qiellor është.
Me avion nga Roma do të zbresë në aeroportin “Nënë Tereza” dhe mes pritësve, sigurisht do të dalin dhe hijet e Budit, Bardhit e Bogdanit, e poetëve themeltarë, Naimi e Fishta, do të dalë hija e romancierit të parë shqiptar, Ndoc Nikaj, e atyre që nisën prozën moderne shqipe, Koliqi e Kuteli, gruaja e parë shkrimtare, Musine Kokalari, do të vijnë nga Kosova Mekuli, Shkreli, Podrimja, do të dalin fëmijët me tufa me lule.
Meshari mbi një shtrat topi, Libri i Parë i Shqiptarëve, i një nga gjuhët më lashta të botës, asaj që shpjegon emrat e perëndive, siç thoshin rilindasit tanë. Tallazitet Flamuri Kombëtar që e mbështjell Veprën. Nga të dy anët e bulevardit njerëzit duartrokasin. Makina që tërheq topin me Librin përsipër, sipas protokollit, i afrohet qendrës së kryeqytetit. Ndal aty tek shtatorja e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, Heroit Kombëtar, po aq dhe europian. Libri gati është moshatar me armët e Skënderbeut, po është më i ri Libri se armët në përgjithësi dhe bota duhet të kthehet tek arma e librit për t’u harruar gjithë armët e tjera, përsërisja me vete.
Dhe njerëzit në rradhë për të parë Librin e tyre të Parë. Qëndrojnë para tij, përkulen me nderim.
Nga fletët e tij gumëzhijnë zëra, pyje, lumenj, vringëllima shpatash, orteqe eposesh, digjen qirinj, dridhen gishtrinj, mijëra – të një populli, shkëlqejnë sy, si yjet, që edhe kur shuhen, drita e tyre vjen e pavdekur, diellore, gjithë dashuri e amëshueme, del frymë nga ato fletë, por edhe gjak, del vetë ëndrra, fjalë, fjalë, fjalë të librave pafund të një populli, shkresa, memorandume, ultimatume, përgjigje, kujtesa kolektive, e folura jonë që përmbledh jetë, atë që shkoi e atë që do të vijë, vetë përjetësinë.
U kthye Meshari, Mesh- ari, meshë e artë është kjo ditë. Dhe më shumë…
DHURATA E PAPA FRANÇESKUT
DHE LUTJA PRESIDENTIT
Papa Françesko zgjodhi Shqipërinë për të bërë vizitën e parë apostolike në Europë, sepse, siç e tha dhe vetë, është një vend emblematik përsa i përket harmonisë ndërfetare, që ka vuajtur në shekuj dhe ka një kishë të hershme, qëndrestare dhe martire, e cila është persekutuar, është vrarë dhe ringjallur përsëri.
Dhe në një ditë shtatori të 2014 Papa Françesku zbriti në aeroportin e vetëm të Tiranës që mban emrin “Nënë Tereza”. Dukej sikur vetë Nënë Terezës, si bijë e këtij vendi, sipas zakoneve shqiptare e ballkanike kishte dalë, ashtu shpirt prej ere, në pragun e shtëpisë për të pritur atin, Atin e Shenjtë Papa Françeskun siç kishe bërë e gjallë për të pritur në prill të vitit 1993 Papa Gjon Palin II.
Ati i Shenjtë në takimet e mëdha theksoi, se kishte dëgjuar që emri i vendit tonë rridhte nga emri “shqiponjë”, prandaj, na porositi, që të fluturonim lart si shqiponjat, por të mos harronin folenë dhe plagët.
. Dhe Presidentit të atëhershëm të Republikës i dhuroi librin e parë të gjuhës shqipe, “Mesharin” të dixhitalizuar… por presidenti nuk e kuptoi dhuratën, e ka vendin në Bibliotekën Kombëtare, tha, dhe e çoi atje, ku dhe e kishin.
Kumti i asaj dhurate, sipas meje, ishte që edhe Presidenti duhet të dijë, ja, libri i parë, lexojeni, që Presidenca të ketë bibliotekën e vet patjetër, jo vetëm garden…
Do t’i lutesha sinqerisht Presidentit të tanishëm që ta rikthente dhuratën e shenjtë “Mesharin” në vend, në Presidencë, ta vinte në një vend të lartësuar si monument në një nga sallonet para derës së bibliotekës. Nëse s’ka, ta krijojë.
“Mesharin” e ka, të parin…
Zakoni i kahershëm i kameleonit shfaqet çuditërisht edhe në miqësitë dhe dashuritë e mëdha të regjimeve po edhe të njerëzve.
Në vendin tonë, pas dashurisë së madhe me Jugosllavinë dhe mareshallin Tito, do të konsolidohej dashuria tjetër sllave, ajo ruse. Pa kushte. Siç janë të gjitha dashuritë e mëdha që nuk pyesin as moshë, as acarin e dimrit e as zhegun e vapës së gushtit.
Dhe robi i ngratë, i adopton ndjesitë sipas këtyre dashurive.
***
Shoku Ropi, ushtarak i nivelit të lartë i sapograduar një shkallë më lart në karrierë, hyn në një nga restorantet kryesore të qytetit, i shoqëruar nga dy vartës. Uniforma tok me gradat i ri bukur dhe e bën edhe më imponues në sytë e kureshtarëve. Shtatlartë si një kavak i drejtë, ecën madhështor sic thuhet. me supe.
Orkestra në cep të sallës së madhe të restorantit luan ato çaste melodinë “Московский вечер” (“Mbrëmja e Moskës”) . Pastaj, “Oci ciornie”( Очи чёрные). Klientët shijojnë gjellët e servirura dhe padyshim, muzikën e ditës në modë. Në sfond tani po luhet “Katyusha “dhe pas pak orkestra bën një pushim . Njeri nga orkestranët e plotëson vakuumin pa vonesë me një pllakë gramafoni dhe në sallë përhapen tingujt e të famshmes “Kalinka” nga Kori i Ushtrisë së Kuqe dhe këngëtari Evgeny Belyaev.
Salla e restorantit klas mbushet nga meloditë sipas një programi ritual që do të vijojë me hite muzikore të kohës nga vendi, Bashkimin Sovjetik dhe krejt kampin socialist.
Atmosferë tërheqëse. Muzika përzihet me zëra të gëzueshëm dhe herë pas here me tingëllimat e gotave prej qelqi me të cilat bëhet ‘gëzuar’ nga klientët.
Kamerieri tek e shikon ushtarakun e ri në tavolinë, imponues dhe madhështor si Kutuzovi, i afrohet me hap të nxituar gjithë përulësi.
-Urdhëroni, shoku komandant….
-Sillna në fillim sallatën!-porositi me ton imponues ushtaraku.
Tjetri, mori porosinë dhe fluturoi në portën e kuzhinës prej nga vinin erërat e mira që po sulmonin stomakun madhështor të komandantit.
Kamerieri që iku si rrufe u rikthye pas një grimë here, suferinë.
Vendos mbi tavolinë gjithë stil e delikatesë sallatën në një pjatellë të madhe porcelani të dekoruar.
-Urdhëroni, shoku komandant! Kjo, është sallata dhe pas pak, do të sjellim edhe mish fileto dhe pjatat e tjera…Sigurisht të ngrohta….
Komandanti me grada të rënda mbi spaleta që të kujtonin tujet e dikurshme, hodhi një sy mbi porosinë e parë dhe u ngrys. Pastaj, ngriti vetullat kaleshe dhe hodhin shigjetat e vështrimit shpues mbi kamerierin që tashmë ishte në pritje si mbi gjemba .
-Ç’është kjo?!-thirri muzgët ushtaraku me pamje të rëndë.
-Saa..sallatë…, -tha kamerieri i drojtur.
Ushtaraku lëvizi nga vendi dhe vartësit e tij, njeri majtas dhe tjetri djathtas, po e ndiqnin me sy si në nje operacion delikat që po zhvillohej mbi tavolinë.
-Ç’far sallate është kjo, more shok? Ç’farë sallate është kjo, more, more…!? Gjë, e shpifur që, meriton ta hedhësh në mur dhe të ngjitet atje si llaç ose, si mastiç?!….-.e ngriti zërin kreshendo njeriu i veshur me kostum festiv.
Tjetri e sheh i habitur. Lebetitet nga toni i porositësit me grada.
Pastaj, shoku Ropi e provon me pirunin që e merr nga tryeza si një bisturi. Dhe mbledh buzët.
-Ç’është kjo dreq sallate, kështu? Kjo është të tallesh me klientët.Të tallesh me popullin! Pa le me kuadrot që ju, merrni kurajon me këtë biçim gjëje që i thënkeni sallatë !
Hodhi edhe një sy nga salla dhe kuptoi se kishte tërhequr vëmendjen.
– Hiqe, se do ta hedh në mur ose mbi surrat!
Tjetri afrohet i hutuar. Me drojtje dhe një ndjenjë faji merr sërish pjatellën që sapo vendosi në tryezën e ushtarakut.
Klientët rrotull tashmë kane ngulur sytë nga skena me shefin e ri me grada që dukej se ishte persni më i rëndësishëm zyrtar në atë sallë.
Pa bërë as dy çapa dhe pa i kthyer shpinin klientit të pazakontë, kamerieri mundi të bëjë një sqarim me gjysmë zëri.
-Më falni, shoku komandant po ajo, është sallatë… Sallatë ruse, madje!
Tjetri, befas u kthjell si pas nje trandje nga përgjumja ose si ta kish pickuar dicka e padukshme në karrige.
– Sallatë ruuuse? Si more, sallatë ruse?
-Po, shoku komandant!
-Ruu-use? Ruse the? Po, përse nuk ma the që në fillim?!
Dhe, duke parë me krenari nga klientët e tjerë rrotull, kumtoi sikur jepte urdhër para një batalioni ushtarësh:
-Ik dhe më sill tani, një dopjo sallatë ruse! Dheee, për gjellërat e tjera, këtu jemi!.
Tjetri u përkul i bindur dhe pas pak, u bë erë drejt portës së kuzhinës prej nga ndiheshin në të gjithë sallën e madhe aromat e mira.///
—- o0o —–
DITA E PARË E VITIT TË RI
.
Nga Kim Addonizio
.
Shiu këtë mëngjes bie deri
në fund të borës
.
E di, do ta lajë atë. Unë mund të nuhas
përsëri barin dhe gjethet e grisura
duke u zbutur poshtë në baltë.
.
Ato pak dashuri më janë lejuar
për të mbajtur ëndrrat që janë ende duke fjetur
në Bregun Perëndimor. Këtu në Virxhinia
.
Unë eci nëpër fusha vetëm me
disa lopë mështjerra që më bëjnë shoqëri.
.
Të bukura dhe të turpshme,
si ato vajzat e druajtura që më kujtohen
kur i shikontë një djalë çapkën,
.
Ato kurrë nuk u
folën, mbanin kokën
ulur dhe krahët e kryqëzuar mbi
gjoksin e tyre të ri. Ato vajza
tani janë gati në të dyzetat. Ashtu si dhe unë.
.
Ndonjëherë duhet të qëndrojmë në këmbë
në një dritare deri natën vonë, duke parë jashtë
në një oborr të heshtur, një
karrige të ndryshkur dhe muret e tejdukshme
të shtëpive të njerëzve të varfër.
.
Ata duhet të presin deri pasdite shpresën e Vitit të Ri,
dhe qaj fort për ta,
.
Në pamundësi për t’i bërë ata të lumtur,
dhe pyes veten se si jetojnë
e kanë bartur jetën
deri tani pa asgjë
duke shpjeguar jetën bosh. Nuk e di
pse po iki nga këtu
me pallton që më errësohet
me çizmet që me zhyten, duke u ngjitur
me një tingull të lehtë shiu
.
Më pëlqen të dëgjoj. Nuk më intereson
ku janë ato vajza tani.
.
Çfarëdo që ato të kenë bërë në jetën e paskaj
mund të kenë ecur,
mund të kenë shkuar në botë
.
Sot unë dua vetëm të eci
pak më gjatë në të ftohtë
nën bekimin e shiut,
dhe ngre fytyrën time drejt tij
.
Në këtë Vit të Ri
Shplarjeje dhe harrimi.
.
VITI I RI
.
Nga Carol Ann Duffy
.
Vitin e vjetër e lë pas vetes si një shall
dhe le të bjerë. Fishekzjarret shpërthyese fluturojnë
në natë, si lulet e dëshirës, si zjarret e dashurisë.
Jashtë hapësirës rreth meje, duke qëndruar këtu, më vjen
trupi yt i munguar kundrejt timit. Ti më prek si ajri që mw jepet.
.
Më larg, më afër, krahët e tu janë errësira, duke më mbajtur,
kështu që unë mbështetem tek ti, lexoj për buzësh qiejt duke flakëruar në dritë,
yje rrokjesh. E shoh, më në fund, ata luten per ne. Fryma juaj
është mesnata, duke jetuar, në lëkurën time, edhe pse kilometra mes nesh,
fusha, autostrada dhe qytete, miliona shtëpi të vogla të ndezura.
.
Kjo dashuri që kemi, pikëllimi ynë si një rimë e plotë, në një vend të gabuar,
Në kohë të gabuar, punë e ëmbël për duart, vokacioni i zemrës, flakërima
për të udhëhequr Vitin e Ri.
Brenda nesh, ditët dhe netët larg qiellit
det i errët. Goja jote është borë tani në buzët e mia, e ftohtë, intime, si puthja e parë,
Koha bie dhe bie në hapësirën e pafund, deri sa të jemi në kete jetë që ndërron pa fund.
.
SHUARJA E VITIT TË VJETËR
.
Nga Naomi Shihab Nye
.
Letrat shuhen në pak sekonda,
Lajmet nga miqtë presin në dorezën e derës,
Si në femijeri,
Një letër e kuqe transparente,
cëcërine si krahë zogu,
Më duket sikur po martohem
me ajrin.
.
Pjesa më e madhe e jetës është e ndezshme,
Si nata e Vitit të Ri me
Një listë perimesh, frutash, pijesh, poezishe të pjesshme dhe
Flaka rrotulluese, vetë portokalli i ditëve, që ikin dhe ikin
kaq pak është një jetë
Që ndryshon pamëshirshëm çdo 31 dhjetor
Aty ku kishte diçka, papritmas nuk është,
një mungesë bërtet, feston nje fitore, lë hapësirë shpresa.
.
Filloj përsëri me numërimin e ditëve të reja
Vallëzim i shpejtë, ndërrim i humbjeve dhe gjetheve,
vetëm gjërat që nuk i kam bërë
kërcasin pas meje,
flakërojnë dhe vdesin,
Si endrrat…
.
31 DHJETOR
.
Nga Richard Hoffman
.
Të gjitha punët e mia të pabëra enden
lakuriq përgjatë kalendarit,
një grup gjuetarësh të dobët,
bora e fryrë e shpërndarë aty-këtu,
.
Pëngon të ardhmen tonë
palosur në Vitin e Ri
në një varëse rri fotografia e janarit
një pikturë e shekullit të 17-të,
një jetë e qetë:
.
Kafka dhe pasqyra,
derdhur në një çantë si lule.
.
RESHJET E BORËS
.
Nga Ravi Shankar
.
Flok-flokë, bie bora e parë e Vitit të Ri
mbi çatitë me maje, mbi makinat në lëvizje dhe kodrat e valëzuara,
si një imitim i jetës që lëviz rrugës, relievit të thyer,
.
kaskadave statike, poshtë ekraneve të mbremjes, ndërsa
zbret poshtë, këmbëngulëse, e grimcuar me një dridhje
mistike që shpërndahet si një vazhdimësi imazhesh,
.
Fushës së bardhë: grilave gjashtëkëndore të ujit
molekulave që grumbullohen në lëvizje shumë shpejt
të spërkatur me erë, në kristale bore, që kthehen në llucë.
.
MËNGJESI I VITIT TË RI
.
Nga Carl Adamshick (1969 )
.
Një muzikë e qetë po luhet—
Si një linjë e grisur e basit,
dritareve të bardha të shtepive. Pëllëmbët e mia
janë si dy altoparlantë
të mbuluar nga bora e tingujve të ngrirë
I shtrij në ajr,
I përcjell në botë
Si një lutje njerëzore
në tryezën e errët të kësaj mbrëmjeje
Për të riparuar jetën që lamë pas
Dhe të ardhmen…
.
NË DITËN E PARË TË KËTIJ VITI TË RI
.
Nga Lisa Olstein
.
Pikërisht përballë meje
në e-mail, më vjen një mesazh i
përcjellë nga nëna ime
në ditën e parë të këtij viti të ri.
.
Një balenë është e ngatërruar në rrjeta dhe linja
dhe ka vetëm një mënyrë që ta
nxirrni jashtë, na thotë ajo
me sytë e saj sa një vaskë.
.
Dhe vrapoj të gjej një zgjidhje,
Të gris rrjetën e saj
Të liroj pengun e gjorë, të pakujdesshme
Që ngjan aq shumë me jetën tonë.
.
Po ne kush do të na shpetojë me një email
Nëna ime ?
Na ishte njëherë një peshk. Tetis e quanin. Ai e donte shumë detin e tij ku kishte lindur. Nga agimi i herët në muzgun e vonë, në ditë të bukura me diell a në shtrëngatë, me plot dëshirë e gëzim, notonte në ujërat e dashura pa u lodhur aspak. Qe aq i shpejtë, aq i shkathët, aq i zhdërvjellët, aq refleksiv, sa vështirë të besohej se ndonjë qenie tjetër e detit mund ta mbërrinte e ta zinte rob. Dukej një peshk i kënaqur nga jeta, madje i lumtur, ama, nga ana tjetër, qe gjithnjë në stres dhe i trembur.
I bëhej pareshtur se, nga çasti në çast, qenie uji më të mëdha e më të forta se ai do ta sulmonin befas e do ta gëlltisnin. Kështu që në jetën e tij të shkurtër kurrë s’kishte gjetur prehje të vërtetë, kurrë s’kishte bërë një sy gjumë të qetë, pa andralla e shqetësime, të fantazuara e të sajuara si zakonisht nga ai vetë. Tek flinte vetëm për pak çaste, edhe ato të trazuara, zgjohej papritur i llahtarisur nga ëndrra të tmerrshme me balena e delfinë, peshkaqenë e oktapodë, që në një ndjekje të pandërprerë e arrinin sakaq, e përfshinin egërsisht, e copëtonin midis dhëmbëve të mprehtë dhe e kollofisnin pa mëshirë. Ja që jeta është e çuditshme, e paparashikueshme dhe me plot të papritura.
Ndryshe, krejt ndryshe nga ç’e kishte përfytyruar për një kohë të gjatë fundin e vet, gjithnjë tragjik, natyrisht, një ditë vere, tek notonte në ujëra të thella e të ftohta, ngeci, u ngatërrua keq, në rrjetën e imët e të najlontë të një peshkarexhe dhe s’mundi që s’mundi të dilte s’andejmi, sado që u mundua shumë. Meqë ishte peshk i bukur, një larosh i bëshëm dhe i këndshëm, me pika të praruara, nuk përfundoi si gjithë të tjerët në tiganin vajvluar të ndonjë amvise, por në akuariumin e qelqtë të një shtëpie.
* * *
Nuk ishte i vetëm në akuarium. Banorë të tjerë ujorë, më të hershëm, shkonin e vinin të ngeshëm, të qetë e të shpenguar. Kureshtarë në fillim, ata iu afruan miqësisht, e cikën lehtësisht, si ta përkëdhelnin dhe t’i uronin mirëseardhjen, pastaj vazhduan ritualin e tyre monoton të ecejakeve pa mbarim.
– O perëndi, – thirri i lehtësuar peshku Tetis, – sa të urtë, sa të ndjeshëm, sa paqësore e të dashur qenkan. Më në fund, shpëtova nga ankthi i përditshëm i ndjekjes së egër dhe i ngrënies prej më të mëdhenjve. Vetëm tani mund të çlodhem e të bëj një sy gjumë i qetë dhe fare i shpenguar.
Me këto mendime dhe shpresën për ditë më të mira, pa e kuptuar, iu mbyllën sytë e vockël dhe fjeti thellësisht si asnjëherë tjetër.
Një çast, në bash të gjumit, u zgjua i llahtarisur prej një ëndrre tmerri, nga ato që shihte thuajse çdo natë, por shpejt u përmend. U qetësua tek e pa veten në ndërtesën e qelqtë, i rrethuar mrekullisht nga banorë krejt të ndryshëm nga ata të detit. Kur u zgjua, e ndjeu veten të çlodhur e të ngopur me gjumë, si të kishte fjetur një vit të tërë. Majtas e djathtas, lart e poshtë, qetësisht, i shkonin pareshtur në brinjë, gati pa u ndier, si të mos ekzistonin, miqtë e rinj të akuariumit, të cilët tani ai po i shihte me dashamirësi.
Vetëm këtë kohë, pothuajse i çliruar prej anktheve e maktheve torturuese, mund ta shihte me më shumë vëmendje mjedisin e qelqtë të akuariumit. Nuk qe më i madh se një kuti boshe televizori të zakonshëm. Në zemër të tij pluskonin pareshtur bulëza të rrumbullakëta ajri, që sapo formoheshin pëlcisnin sakaq, si të qenë tullumbace nga ato që fëmijët mbajnë në ditë festash e që, herë pas here, u plasin në duar përmes thirrjeve gazmore, por ndonjëherë edhe pezmatimit e dëshpërimit. Fundi i akuariumit i përngjasonte një copëze të shkëputur nga deti i tij: rërë e imët gri e errët, guaska lloj-llojesh, të madhësive e ngjyrave të ndryshme, leshterikë ngjyrëkafe, alga të gjelbra, korale rozë e pjesëza të vogla shkëmbinjsh nënujorë. Shtëpia e re e qelqtë ndriçohej këndshëm prej llambave blu, që shpërndanin përreth një dritë të butë të kaltër.
Peshku Tetis u lumturua. Vetëm tani mund të parashikonte pa u gabuar aspak se brenda ndërtesës së qelqtë do të rronte shumë e shumë vjet pa u rrezikuar nga askush e prej asgjëje. S’kishte më përreth armiq të sojit të vet, grabitqarë të egër e të pamëshirshëm. Ushqim sa të dëshironte, pa u lodhur e pa munduar aspak. Mjaft të zbrisje butësisht në fund të akuariumit e veç të hapje gojën.
Sërish gogësiu dhe u përgjum. Dremiti për të disatën herë atë ditë. Kështu edhe të nesërmen. Kështu tërë javën. Dukej si një peshk i pafjetur dhe i pangrënë prej muajsh. Meqë me oreksin ishte ende goxha mirë, hante e pinte si i babëzitur, duke i lënë të pamend e gojëhapur vëllezërit dhe motrat e tij, që syshqyer e vështronin të habitur e marramendur.
* * *
Muajt e parë të iluzioneve të ëmbla kaluan shpejt. Çdo ditë që shkonte, peshkun Tetis po e merrte malli gjithnjë e më shumë për detin e tij. Kujtonte notimet e tij të lira, gazmore e të hareshme, të gjata, madje tepër të gjata, gjer në sfilitje të ëmbël. I dhembnin përfytyrimet e mallshme thellë në shpirt sa herë që hunda e vockël i ndeshte befas me qelqin e akuariumit në ato lëshimet e vrullshme, të shpejta, gati instiktive, drejt hapësirave të ujëta, shpesh duke harruar, një çast të vetëm e të shkurtër, se qe tashmë vetëm brenda një shtëpize të xhamtë, të mbyllur hermetikisht, si një burg. Jeta brenda akuariumit po i bëhej gjithnjë e më e mërzitshme. Një monotoni e padurueshme. Ditë e net krejt të njëllojta.
Ecejake të pareshtura, fare të kota e të pakuptimta. Që të gjitha vetëm disacentimetërshe; takim i beftë në qelq, kthesë e detyruar e përsëri cikje padashur, përplasje në murin e xhamtë, kthesë, notim, cikje, përsëri kthesë. Oh, Zot, ç’torturë! Armiq të egër jo që jo, por as edhe kundërshtarë të paqtë e të butë brendapërbrenda akuariumit, aq sa për të mos e ndier veten fillikat të vetëm në këtë botë dhe për dreq, as lodhje e as mundimin më të vogël për të siguruar vetë pakëz ushqim. E ç’mbetej tjetër të bëje në gjithë këtë kotësi boshe e vrastare, veçse të qëndroje pezull në ujë, si i varur, me instinkte gati të shuara të rrezikut e vetëmbrojtjes, të dremisje, të flije e të shihje ëndrra jo më me balena e delfinë, peshkaqenë e oktapodë, por çuditërisht gjithnjë me guaska të vockla, alga, leshterikë e barishte të çfarëdollojshme të funddetit, në fijet e pleksura të të cilave, shpeshherë në gjumë, ngecte, ngatërrohej, bëhej lëmsh e zihej në grackë si ahere në rrjetën e najlontë të peshkarexhës.
Ah, ishte krejt gati të përballej sërish me rreziqet e mëdha të detit, veç të kthehej edhe një herë atje, i lirë, mes hapësirash të pamata e të notonte pambarimisht, ditë e natë. Le ta ndiqnin egërsisht për jetë a vdekje grabitqarë të stërmëdhenj, ai do t’u shpëtonte doemos. Le t’i mungonte ushqimi për ditë të tëra, do të përpiqej shumë e do të luftonte për ta gjetur. Le të binin mbi të furishëm dallgët e larta sa një mal të stuhisë, le ta përplasnin tallazet e egra tërë forcë në shkëmbinjtë e thepisur nënujorë, me plagë në trup do të mbahej e do t’u qëndronte. Le të mbërrinin papritur dhe me revan ditët e acarta të dimrit, do të shtrëngonte fort dhëmbët e vegjël e do të duronte pa u epur deri në pranverën e ngrohtë. Le t’i ofronin grremça të rendë, me karrema joshës e gënjeshtarë në majë të tyre, nuk do të mashtrohej. Le të hidhnin mbi të e të tjerët rrjeta të mëdha e të rënda peshkimi, do t’u dredhonte në çast e do t’u largohej si vetëtima përpara se ta mblidhnin, t’ia shtrëngonin lakun dhe ta ngrinin lart në anije, të mbushur plot e përplot me të tjera gjallesa, ku ai doemos do të mungonte të ishte.
Ah, medet! Akuariumi shpejt, shumë shpejt, i qe bërë varr i hapur e Tetisi çdo ditë po tretej dhe po sëmurej nga mërzia e trishtimi i thellë.
* * *
I zoti i shtëpisë u ndal gjatë, si i mëdyshur, përpara akuariumit. Me duart kryqëzuar në gjoks, s’ia ndante sytë peshkut Tetis që në pak muaj, si të vuante nga depresioni peshkor, qe tretur e bërë si cironkë edhe pse po lëvizte çdo ditë e më pak. Peshku, si zakonisht, po flinte. I zoti çokiti në xham, por Tetisi nuk lëvizi, si të kishte ngordhur. Çokiti përsëri edhe më fort, duke dashur të sigurohej para se të merrte një vendim të fundit. Sërish Tetisi nuk u bë i gjallë.
– Ah, jo, – thirri burri nervoz duke e humbur durimin, – ky peshk nuk është lindur për në akuarium. Për atë s’mund të ketë një vend këtu. Jo, nuk mund të ketë. S’është më veç një cironkë e pavlerë.
E përplasën pa u ardhur keq në dysheme dhe Tetisi u përmend i llahtarisur. Drejt tij, e egër, e sigurt, pa u nxituar, me çape të ngadalshme, të rënda, po afrohej macja e shtëpisë. Në përpjekjen e dëshpëruar për të ikur, Tetisi u përpëlit disa herë dhembshëm në çimenton e ftohtë, duke shëmbëllyer lëvizjet e ethshme ujore për t’u shpëtuar armiqve në një ikje të vrullshme si shigjeta. Por e kotë. E ngeshme dhe e nginjur, macja e shtëpisë, tragjikisht, nisi të luajë me të. Midis dhëmbëve të mprehtë brisk, Tetisi ndjeu shtrëngimin e fortë therës si në darë që sa vinte e shtohej dhe iu mor fryma.
Në çastet e fundit iu shfaqën përsëri, krejt të gjalla, hapësirat e kaltra të pafundme, retë e bardha pupëlore në një sfond të kaltër qielli, dielli i kuq i perëndimit të vonë, qindra pulëbardha që klithnin pareshtur, guaska shumëngjyrëshe, të vogla e të mëdha, në fund të detit, alga të gjelbra, korale rozë, leshterikë ngjyrëkafe, mizëri qeniesh të gjalla ujore, që shkonin e vinin pambarimisht, shkumëzime të bardha valësh në breg, dallgë sa një mal të stuhisë së egër, vetëtima verbuese në qiellin e errësuar të natës dimërore dhe pastaj, si në një finale të një simfonie të trishtë, zhaurima e përjetshme e detit, një muzikë e ëmbël drithëruese. Dritë, errësirë. Errësirë, dritë, shtrëngim i fortë mbytës si në lak dhe… Ah!
Tetisi lëshoi një klithmë të fortë e gjithçka u errësua.
Një pikë loti dhembjeje të thellë a, më shumë, dëshpërimi, bulëzonte në cep të syrit të kokës së këputur të Tetisit.
*Marrë nga vëllimi me novela dhe tregime ” Një Natë Jete”, botimi i dytë, ” Onufri” 2024.
Shqipëri, me ty po ngre fjalën time të vockël
skenarë korbash të frikshëm na i ranë atdheut
që nga Troja e lashtë pellazgo-ilire e deri në
ditët tona, atdheut iu këputen pjesë nga më
të butat, krahina të tëra shqiptarësh janë nën
pushtim dhe të kryqëzuara me emra të tyre.
Shprishësit e gjakut të Arbrit janë shumëzuar
egërsisht e kërcënojnë ekzistencën e kombit
përmes mërgimit ekonomik dhe shpërnguljes
i thoshte Nëna e lashtë, Nënës së kohës sonë;
bija ime kujdes gjuhën shqipe, shkronjat e saj
flamurin dhe territorin, këngët dhe vallet tona
xhuranë, fustanellën çame dhe xhubletën ilire.
Në atdheun tonë nuk ka fushë buke as grykë
mali,as përrua arash e as lum dhe breg të detit
që nuk është larë me pika të gjaku të luftërave.
Arti që na bën të lirë është në brendësinë tonë
Shprishja e gjakut të Arbrit përmes mërgimit e
shpërnguljeve është gjëma më e rëndë që i ka
rënë atdheut! Edhe në kohën tonë shqiptarët
kërcënohen nga shpërngulja dhe nga mërgimi.
Poezia që shkruajmë e do një gjetje të veçantë
të kohës,një çast poetik ndryshe do i përgjigjej
mesazhit të Himnit dhe të Flamurit Kombëtar
Shqipëri, me ty po ngre fjalën time të vockël
nga një vend që s´është i imi dhe është i huaj
gjaku i shprishur edhe prishet i thoshte Nëna e
lashtë Nënës së kohës sonë, -Nënave shqiptare:
është koha, Gjaku i Arbrit më të mos shprishet!
Atdhe Geci – Dortmund, 03.01.2025
Poezia “Buzë lumit” e Mirko Gashit shpreh ndjenja universale me një finesë të veçantë- Nga TIMO MËRKURI
Sa të shkurtëra janë largësitë
nganjëherë
deri në breg të lumit
Kur kitara thërret
lumi vlon
peshqve zëri u shterret
Ti për bukuri
zgjon puhinë
fjetur në flokët e së dashurës
dhe ia lëshon frerët
…ec e mos buzëqesh, titulli thoshte “Edi Rama si Kronos: po i ha të gjithë këlyshët e vet”, padyshim ky do jetë titulli më simpatik i fundvitit 2024, e paskan bërë Ramën Kronos, sipas Gjergj Zefit (autori i tekstit tek Pamfleti) Kryeministri Rama na qenka Kronos (dmth. Titan, vetë babai i Olimpianëve, ai Kronosi që kullufiste gjithçka… që i hante fëmijët e vet), mirëpo nëse e kujtojmë Kronosin e “vërtetë” nuk ishte i palajthitshëm as ai, psh. e pati “hëngër” gurin e mbështjellur si Zeus, ia patën hedhur dmth., vetë motër-gruaja e vet ia pati hedhur…
…sipas Hesiodit, Kronosi i gëlltiste fëmijët e vet menjëherë sapo lindnin, sepse profecia e parashihte që fëmijët e tij do ta rrëzonin nga froni hyjnor, njësoj siç dhe ai vetë e pati rrëzuar babain e vet – për ta shpëtuar Zeusin si foshnje, nëna perëndeshë Rea (motra e Kronosit dhe gruaja) e mashtroi Kronosin duke ia dhënë një gur të mbështjellur (që dukej si foshnjë) në vend të Zeusit, perëndesha Rea pastaj ia dha Zeusin nimfës Adamantea për ta ushqyer, nimfa do kujdesej për Zeusin, e fshehur diku në një shpellë të Kretës dhe Zeusi do rritej (ky është njëri nga versionet)…
…ndërsa sipas Apollodorit, Rea ia dha Zeusin jo nimfës Adamantea por nimfave Adrastea dhe Ida për ta ushqyer, dhe ato do e ushqenin me qumështin e dhisë Amaltea, nimfat Ida dhe Adrastea (së bashku me nimfën Amaltea) ishin vajzat e perëndisë akuatike, Oqeanit, kur Zeusi qe rritur do ta shpërblente “dhinë” (nimfën Amaltea) duke e vendosur mes yjeve si yllësia “Capra”, e që do t’thotë thjesht “dhia” – mirëpo Capra s’duhet ngatërruar me cjapin e detit, me Bricjapin e Zodiakut, i cili s’ka ndonjë lidhje me dhinë Amaltea….
…në këtë linjë paralelizuese, Tirana dhe mund ta kishte “mbështjellur” Zeus foshnjarakun, do kafshonte SPAK-u dhe çfarë pastaj, asgjë, do kërcisnin paksa dhëmbët dhe Kronosi do i fërkonte nofullat, nëse SPAK-u na qenka goja e Kronosit atëherë padyshim as vetë Kronosi s’do jetë i pagabueshëm, shumkush dyshon se vetë ai do jetë Krye-Kapoja… peshku i madh, jo peshkaqeni por qen-a-peshku i madh i politikës shqiptare…
…problemi është që Kronosi s’ka si e kullufit veten me gojën e vet, tani duket sikur i paprekshëm nga drejtësia e SPAK-ut, pa fakte s’ke si… kështu që thjesht duhet pritur, helbete, ku i dihet, mund ta ketë kafshuar dhe qen-a-peshku ndonjë “grep”, as Kronosi hyjnor s’mund ta llogariste secilin detaj të ardhmërisë, andaj dhe kishte frikë – nëse mbjell panxharsheqer sipas logjikës s’ke pse pret surpriza as korrje të hidhura…
…nga ana tjetër Kronosi s’ditka të ndalur, sa e sa kokat i paska hëngër, sa e sa Ali-Pashallarë paskan vajtur në tepsinë e Sulltanit, autori Zefi i kishte vargëzuar mjaft emra, siduket edhe Kronosit të Tiranës iu paska “mjegulluar mendja nga profecia” dhe i kullufitka gjithë të pafajshmit e politikës shqiptare, pakëz e çuditshme pse u brengoska autori Gjegj Zefi, pse duhet t’i dhimbsen, pse t’i dhimbset Zeus-Veliaj, le t’i kullufitë, pse të dhimbka ty, ku të dhimbka ty, le t’i hajë…
…nëse Rama na qenka Kronos atëherë i bie që s’paska as faj, as pikë faji (nëse “faji” t’na ishte i lëngshëm), aktet e tij qenkan legjitime deri në thelb, të arsyeshme deri n’bërthamë, gjithkush lufton për faqebardhësinë e vet, të shërbesh 3 mandate dhe në fund i baltosur, i përlyer, i njollosur… qebesa mjaft inat, edhe Kronosi s’pati bërë gjë tjetër por pandehte mbrojtjen e fronit të vet, qëkur aq i pafajshëm s’ishte as ai vetë, edhe ai vetë e pati rrëzuar babain e vet – mos vallë na paska frikë Rama nga Zeus-Veliaj… or something?!
…imagjinata e artikujve s’ka frerë, as gjuha s’ka eshtra, e tultë, mund t’i japim sa andej sa këndej, mirëpo s’ia vlen përhumbja, shtrohet pyetja vallë cili do jetë pra “motivi” i vërtetë i Titanit të Tiranës (natyrisht, mund t’ketë më shumë motive, 2-3-4 apo dhe më shumë, sidoqoftë prapë 1-ri nga motivet e Kronosit do jetë më i madhi, kryesori) derisa Kronosi dikur kishte frikë për fronin hyjnor (ky ishte dikur motivi kyç), atëherë çfarë na humbka Titani ynë, ky pothuaj se është “lodhur” duke qeverisur, tamam si ata Kryepleqtë e Sijuksve a të Apaçëve, nëse hajn… kuptohet keq, mos pyet, deri tani do i ketë mbushur me hejbe me hambarë, e mori dikur “fronin” si një Qemal djaloshar tani do ikën si një Qemal mjekërbardhë, Shqipëria s’do ketë Kronos më të madh, dihet… i tashmi Qemal dhe ai i dikurshmi, analet historike të Shqipërisë do i kenë 2 Mjekër-Qemala të mëdhenj…
…si një detaj më tepër i komentit tonë, sipas nesh paksa e çuditshme dhimbshuria e autorit Zefi, “pamfleti” i tij pakëz i paqartë, ehuuu… le t’i hajë, çfarë humbka Kronosi i Tiranës nëse i “hëngërka” ca këlyshër, mashtrues të popullit, nëse Tirana na paskësh qenë e verbër duke i zgjedhur kryebashkiakë vetë mashtruesit, vetë hajnat, vetë këlyshët e Kronosit, atëherë kujt i plas… le t’i kullufit ai vetë, pse të dhimbsen ty i dashur Gjergj : )
…shqiptari me një tym e komandon mbarë nëntokën dhe mbitokën e trafikut të kokainës, me një cigare dhe me rrotullamat e tymit, nga errësira e qelisë si një kryeplak i apaçëve e udhëheqë perandorinë e drogës… është e mundur, jo e pamundur, s’ka impossible, me kusht që t’jesh shqiptar : )
* democracy dies in darkness – moto, slogan i Washington Post
***
…Trumpi do duhej t’i fuqizojë tarifat për Kokainën – kishte shkruar dikush si parodi tek komentet e artikullit të Washintron Post, një dikush tjetër kishte shkruar “bujë e potere, gjithë ajo bujë pompoze, luftë drogës, vdekje drogës, por ja që droga e fitoi pra luftën, tani legalizoje, administroje, kontrolloje”, kishte aty rreth 140 komente në kohën kur iu qasa shkrimit, sipas shkrimit të “Washington Post”, Samantha Schmidt paska “raportuar” nga Ekuadori, kolegu Arturo Torres paska “raportuar” nga Kolombia, ndërsa Anthony Faiola paska udhëtuar në Shqipëri për ta dokumentuar rritjen e trafikimit me drogën kohëve të fundit gjatë bumit me kokainën jugo-verio-amerikane…
…është e vërtetë se dy Amerika-kontinentet, Jugu dhe Veriu, kurrë s’kanë qenë më prodhuese, më të begata, më “pjellore” sa i përket narko-industrisë, është marramendëse sa shumë drogash qarkullojnë andej… akoma pa dalur në oqean, akoma pa u nisur drejt destinacioneve globale, drejt Evropës, Azisë, Australisë… e vërtetë se janë kapur 22 tonelata nga autoritetet ushtarake-policore të Ekuadorit në Janar 2024, me të cilën video të “narko-bodrumit” dhe fillon artikulli i Washington Post, 22 tonelata është diç si rekord, kurrë s’janë kapur aq shumë gjatë historisë…
…e vërtetë se zyra e Kombeve të Bashkuara (UN) për Narkotikët dhe Krimin pati ardhur me shifrën rekord prej 2.757 tonelatave të kokainës prodhuar botërisht në v. 2022, 20% rritje krahasuar me v. 2021, e vërtetë se dhe shqiptarët dinë t’bëjnë tregti me drogat, amerikanët i prodhojnë… shqiptarët dhe narko-bosët e gjithë botës i tregtojnë, gjysmën e qarkullimit rishtas ua shesin vetë amerikanëve, dhe gjysmën tjetër kuptohet… botës, në ndonjë rast, në ndonjë rutë, në ndonjë “market” ndodhë shqiptarët mund t’jenë më të zotët se italianët, më të zotët se amerikanët, më të zotët se rusët, ukrainasit etj. por të shkruash shqiptarët e udhëheqin globin e narkotikëve, dhe atë nga qelia (si apaçët me sinjale tymi, mbase duke i ndezur cigaret)… sorry Washington Post, por është marrëzi, shkrimi juaj i ashtuquajtur “investigativ” nuk ka mbulesë dhe s’e ka besueshmërinë, as afër – vetë narko-tregtarët e Kolombisë kur ta lexojnë do qeshin e do shkoklohen me hamendësimet e “reporterëve” tuaj nga Kolombia e Ekuadori…
…të raportosh nga hoteli yt në Ekuador a Kolombi dhe të merresh me storie (ndoshta fiksionale) se shqiptari nga qelia e atjeshme e komanduaka rrjetin ndërkombëtar të kokainës amerikane, meksikane, jugo-amerikane, evropiane, aziatike, australiane, afrikane, thjesht qenka miqësuar me shefat e atjeshëm të drogës, gjithë kartelat e Latino-Amerikës unanimisht qenkan pajtuar që ky t’jetë “boss-i” të gjithëve, boss global, boss universal, (bosat e drogës e kanë këtë ves, kurrë s’kanë dëshirë t’jenë vetë krye-bosa, sapo dëgjojnë se fjala na qenka për 1 shqiptar, sakaq heqin dorë, i dorëzojnë me ambicje e me gjithçka, 1 shqiptar dhe përulet i gjithë globi, shqiptar i ngujuar në qeli por s’ka problem… OK, në rregull si teori, por SI, NA E SQARO SI?
…no problemos amigos, e ke aty brenda pultin e lidhur me gjithë satelitët, me gjithë Internetin, jo vetëm TV-pulti, jo vetëm antenat, tualeti yt ku ulesh është diç si antenë jep-e-marrëse, telekomandoja i dërgon valët dhe i pranon të cripto-kuantizuara, s’ka CIA a djall që i deshifron, jo vetëm pulti as jo vetëm iPhone (drogaxhi i rrezikshëm, shqiptar i rrezikshëm, por nuk ta sekuestrojnë as telefonin) në qeli si narko-boss i rrezikshëm ke qasje në big-data të AI sa u përket rrjeteve të Dark Web (njësoj si CIA, si FBI, si Interpol-i, si Europol-i etj)…
…tekefundit thjesht e ndez një cigare dhe me rrotullamat e tymit, nga errësira e qelisë si një kryeplak i apaçëve e udhëheqë perandorinë e drogës, narko-pernadorinë globale, mbarë bota e narko-bosave i kuptojnë sinjalet e tua – pa një pa dy i vëjnë direktivat në punë, urdhrat e tu zbatohen automatikisht amembanë globit, sidomos kolombianët janë fort të dëgjueshëm, amerikanët fort të devotshëm, meksikanët… kartelat e tyre rrinë gatitu në gjunjë, në co kohë në secilën sekondë, me 1 cigare nga qelia, me një tym e sinjalizon-komandon mbarë nëntokën dhe mbitokën e trafikut të kokainës, me kusht që t’jesh shqiptar, kudo që t’jesh, qoftë në Ekuador i ngujuar në qeli e qoftë në Turqi, duke qenë shqiptar je diç si superman i mbarë narko-trafikut botëror…
…të “raportosh” nga Kolombia është fort e besueshme, gazetari juaj (z. Drejtor i Washington Post, njësoj si Superman-i i filmave tuaj përnjëmend) duhet t’jetë edhe gazetar edhe superman, ndërsa si na e paska “dokumentuar” ky Faiola rolin e madh të shqiptarëve rreth “bumit” jugo-verio-amerikan me kokainën duke pyetur e hulumtuar në Shqipëri, as nuk është sqaruar nga vetë raportuesi juaj, nga i famshmi “raportuesi Faiola”, kuptohet as lexuesit anembanë botës të artikullit të Washington Post s’e kanë idenë, duhet t’merren me imagjinatën…
…natyrisht, ta pyesësh një polic italian, si artikullshkrues a si editor telefonon nga Washington-i dhe inspektori italian e konfirmon, patjetër, do thotë “shqiptarët janë më të rrezikshmit, më të mirët (varet nga përpsektiva), ua kalojnë Ndragheta-ve tona, brigadave t’kuqe… ua kalojnë të gjithëve, shqiptarët janë narko-mafiozër superiorë, thjesht janë të lindur me “superioritetin”, s’ka italianë që do thotë no nooo italiano sono buoni, per mangiare macaroni… jemi ne narko-mafiozët më të mëdhenj të botës, o ne o kolumbianët, jooooo shqiptarët, s’ka italian që thotë ashtu, askush i botës s’do thoshte nuk janë shqiptarët më të rrezikshmit, të dobët janë ata, as italianët, as holandezët, as kolombianët, as amerikanët askush i kësaj bote nuk thotë jemi ne supermanat e narkotikave, natyrisht klishe i përkryer, e dinë dhe filmat e Hollivudit madje, shqiptarët njihen botërisht tashmë, janë më të zotët me narko-zotësinë…
…shkrimin e Washington Post e paskan përkthyer dhe postuar pothuaj të gjithë mediatikët shqip (më dolen me dhjetra), me titullimat se shqiptarët qenkan bumi i trafikut global të kokainës, e paskan tejkaluar dhe Escobar-in etj. – ok, nëse ashtu thotë Samantha Schmidt, Arturo Torres dhe Anthony Faiola, padyshim atyre dhe u shitet, sepse punojnë për Washington Post, për mua NUK është shkrim bindës, s’ka bazë për të qenë “bindës”, nëse shkrimi i Washington Post na qenka “investigim gazetaresk” atëherë i bie se ne duhet besuar dhe filmin e Tom Cruise, gjoja si aksion-komedi (kam harruar si quhej ai filmi, nëse s’gabohem “American Made”, por Cruise e luan rolin kryesor), ku ai si pilot i angazhuar gjoja si “undercover” nga vetë CIA, nga DEA e furnizon gjithë Amerikën me drogë, për vite të tëra biznesi lulëzon, trafiku i narkotikëve lulëzon, investigimi i DEA-s, i CIA-s (i 4-5 organizatave federale) lulëzon, Amerika thjesht e pangopshme me narkotikat, nuk shihet as fundi as fillimi, më shumë duket si një cikël, si një “rreth”, në fund kur ndërrohen “peshqit” e mëdhenj të politikës në ShBA, asgjë – akteri ynë kryesor natyrisht “izolohet”, e bëjnë t’jetë një askushi, apo dhe e zhdukin dhe asgjë, mbaron “filmi”, njësoj si në realitet tutje asgjë, e shkuar e harruar…
…no no sorry Washington Post, democracy dies in darkness, demokracia vdes në errësirë, e vërtet por gjithashtu as zhurnalizmi, as gazetaria e errësirës duke prekur kuturu, si pulat qafëkëputura duke kërcyer nga cungu i kalbur, pothuaj nga balta… pa bazë, s’mund të thuhet se gjallon, se qenka gazetari e gjallë…
Për të shkuar te prindërit e mi që banonin në krahinën malore të Gurajës, udhëtova në rrugën e re automobilistike, të përuruar disa muaj më parë. Më kishin thënë se banorët e moshuar të kësaj krahine e kishin kundërshtuar projektin e kësaj rruge që kalonte nëpër Pyllin e Zanave. Ata besonin se ky ndërtim i ri do t’i trazonte qeniet e mbinatyrshme që banonin në pyllin e virgjër, të cilin e kishin mbajtur si një vend të shenjtë shumë breza malësorësh.
Para argumentit të pakundërshtueshëm se udha e re do ta përgjysmonte largësinë midis Gurajës dhe qendrës së rrethit; banorët e moshuar kishin hequr dorë nga protestat e tyre. Unë vetë e vura re se udhëtimi nëpër Pyllin e Zanave nuk ishte vetëm më i shkurtër, por edhe shumë tërheqës, falë peizazhit të pashoq që shpalosej ndanë rrugës së re.
Kur ua thashë këtë gjë prindërve të mi, im atë pohoi se ai kishte qenë një nga ata që e kishin kundërshtuar projektin në fjalë, sepse ai do të përdhoste Pyllin e Zanave.
-Çfarëdo që të thonë librat tuaj, unë besoj se Zanat ekzistojnë dhe do të ekzistojnë gjithmonë, – nguli këmbë im atë. – Edhe ata që dyshojnë në ekzistencën e tyre, duhet të ndryshojnë mendim pas asaj që i ka ndodhur kushëririt tënd, Tomës.
-Çfarë i ka ndodhur? – e pyeta unë.
-Është më mirë ta dëgjosh këtë histori nga goja e atij që e ka jetuar.
M’u duk me vend mendimi i tim eti. Ndonëse nuk besoja në ekzistencën e qenieve të mbinatyrshme, isha kureshtar të merrja vesh se çfarë i kishte ndodhur kushëririt tim, të cilin e kisha bashkëmoshatar. Atë e kisha pasur shok në lojërat e fëmijërisë. Ne kishim mbaruar së bashku shkollën fillore dhe tetëvjeçare, që ishin të detyrueshme. Në vend që të vazhdonte të mesmen, ai kishte parapëlqyer të ndiqte kursin në një autoshkollë, e cila i kishte dhënë mundësi të plotësonte ëndrrën e tij rinore: të merrte patentën.
Gjatë studimeve të larta dhe pas emërimit tim si mësues në qendër të rrethit, unë kisha udhëtuar shumë herë me Tomën. Kisha dëgjuar se atë e çmonin jo vetëm për zotësinë e tij, por edhe për sjelljen e njerëzishme ndaj udhëtarëve.
Ngaqë e dija se ditën kushëriri im ngiste furgonin, i shkova për vizitë në mbrëmje. Ai banonte nja njëzet minuta larg nga shtëpia e prindërve të mi. Nëna e Tomës, të cilën e kisha teze, Toma, e shoqja dhe fëmijët e tij më pritën me ngrohtësi. Pas përshëndetjeve të zakonshme, e zonja e shtëpisë na solli kafe dhe raki të bërë vetë.
Në një çast të caktuar, unë i kërkova Tomës të më tregonte atë që i kishte ngjarë kohët e fundit në Pyllin e Zanave.
-Yt atë të ka folur për këtë gjë? -buzëqeshi kushëriri im.
-Po…Ai nguli këmbë që këtë histori ta dëgjoja nga goja jote.
Toma kroi fytin, u kollit lehtë, pastaj zuri të tregonte takimin më të çuditshëm të jetës së tij.
Një ditë me diell, aty nga fundi i pranverës së sivjetme, ai po ngiste furgonin në rrugën e re për të shkuar në qendër të rrethit. Kur kishte mbërritur në mes të Pylli të Zanave, aty ku xhadeja kalon ndanë një përroi të thellë, ai kishte vënë re një gjarpër të gjatë e të larmë që po kapërcente rrugën. Toma e kishte ulur shpejtësinë menjëherë për të mos e shtypur. Kur gjarpri ishte dalë matanë dhe ishte futur në pyll, ai kishte shtuar shpejtësinë dhe kishte vazhduar udhëtimin.
Pasi e kishte kaluar natën në qendër të rrethit, të nesërmen ai kishte udhëtuar në të njëjtën rrugë, në drejtim të kundërt. Në çastin që kishte mbërritur te vendi ku një ditë më parë kishte takuar gjarprin e gjatë e të larmë duke kapërcyer xhadenë, buzë rrugës kishte dalë një nuse e bukur, e veshur me petka shumë të hijshme. Ajo kishte ngritur dorën para makinës. Ngaqë e kishte marrë me mend se ajo do të kishte pasur ndonjë hall të madh që e kishte detyruar të ecte fillikat nëpër pyll, Toma e kishte ndalur furgonin pranë saj dhe kishte hapur derën e kabinës. Nusja kishte hyrë brenda, e kishte përshëndetur dhe ishte ulur në ndenjëse. Pas një heshtjeje të shkurtër, e panjohura i kishte thënë:
-Dje, çfarë takove në këtë xhade?
-Një gjarpër të gjatë e të larmë.
-Pse e ule shpejtësinë dhe u ndale?
-Për të mos e shtypur gjarprin që zvarritej para meje.
-Përse nuk e shtype?
-Si mund ta bëja këtë gjë ? Ashtu si mua, edhe atë e ka krijuar i Madhi Zot. Përse ta vrisja një gjallesë që nuk më kërcënonte, nuk donte të më bënte keq ? Ajo kafshë po shkonte në punë të vet. Do të ishte mëkat, po t’ia kisha marrë jetën me dashje.
-Pikërisht në këtë vend, një shofer tjetër ka takuar një gjarpër që po kapërcente xhadenë. Ai kishte në kabinë gruan e tij shtatzanë që po e çonte në qendër të rrethit për të bërë një vizitë mjekësore. E shoqja i ishte lutur burrit të saj të mos e shtypte gjarprin, sepse edhe ai ishte një krijesë e gjallë. Në vend që ta dëgjonte këtë lutje, t’i linte kohë gjarprit të dilte matanë xhadesë, shoferi e kishte shtuar shpejtësinë qëllimisht për ta shtypur. Sapo kishin ndeshur trupin e gjarprit, rrotat ishin zmbrapsur si të kishin goditur një shkëmb të patundur. Furgoni kishte dalë nga rruga dhe kishte rrëshqitur buzë humnerës që soste në shtratin e përroit. Gjatë rrokullisjes, dera e kabinës nga ana e gruas ishte hapur. E nxjerrë jashtë nga makina, gruaja shtatzanë kishte rënë në shpatin me bar të dendur, pa pësuar ndonjë dëmtim, ndërsa burri i saj kishte ngecur në kabinën e furgonit që kishte përfunduar në shtratin e përroit, ku kishte mbetur i kacavarur në një shkëmb. Punonjësit e ndihmës së shpejtë kishin mundur të nxirrnin nga makina vetëm një kufomë të dërrmuar nga rrokullisja.
-Kush je ti që i di gjithë këto që po m’i thua? – e kishte pyetur Toma.
-Unë jam një Zanë e këtij pylli. Unë rroj këtu bashkë me shoqet e mia. Ne mbrojmë bimët, kafshët, burimet dhe rrëketë. Ne kujdesemi për të gjitha krijesat e gjalla, që nga thnegla deri te njeriu. Ne nuk i bëjmë keq askujt. Ne ndëshkojmë vetëm keqbërësit, vetëm ata që shkatërrojnë dhe vrasin pa kurrfarë aryesje. Udhë të mbarë!
Toma kishte kthyer kokën drejt saj, për t’iu përgjigjur, por ai kishte vënë re se ndenjësja ku ishte ulur nusja e bukur ishte e zbrazët. I tronditur nga ai takim i pazakontë dhe nga zhdukja e të panjohurës, ai kishte vazhduar udhëtimin. Qysh nga ajo ditë, ai e kishte vështruar me një sy tjetër mjedisin që e rrethonte…
Tiranë, 2024
Marrë nga ExLibris
Mendoj për ty në këtë mbrëmje
Mendoj për ty në këtë mbrëmje,
Sa vite ka që s’jemi parë
Ti erdhe kur doje dhe ike prapë
Si bleta që merr pak nektar.
Pastaj erdhi vjeshta, erdhi dimri
Dhe pranvera erdhi përsëri
Por si bleta që nuk shkon më tek e njëjta lule,
Edhe ti bredh andej, këndej,nuk e di.
Mbase ke mbetur në zgjua dhe kujton kohët e bukura
Dhe s’të bën zemra të më thërrasësh.
Vitet ikin dhe mbase kopshti ka ndryshuar
Dhe as vrulli dhe energjia nuk janë të parët.
Rri në verandë dhe shoh mbrëmjen që bie.
Mengadalë,si koha që ikën pa u ndier.
Fluturojnë zogj në ajër dhe nuk e di nga shkojnë.
A thua, takohen më pas fluturimeve!?
Në Sarajevë
Po dëgjoj këngë jugosllave sonte
në një restorant në Sarajevë.
Kam nostalgji kur i dëgjonim këto këngë
në vitet 80 në Shqipëri.
Sikur na hapnin horizonte,
si iriqi kur del në liri,
edhe një lëndinë e vogël i duket e mrekullishme
krahasuar me ferrën ku jeton.
Kush kishte një radio dore,
ishte i privilegjuar,
Mund t’i dëgjonte këto këngë kur të donte.
Pale kur kalonte rrugës përmes pazarit,
me zërin e radios ngritur në qiell,
Sa e kishin zili njerëzit!
Dhe ai i shijonte edhe më tepër këto këngë
në mosvëmendjen e Sigurimit.
Bie gjethja
Bie gjethja prej pemës
Nuk pret ta heqin, as ta këpusin
Njeriu s’e ka kuptuar esencën e mëmës natyrë,
Prandaj shpiku luftën
Bie gjethja prej pemës
E zverdhur, e vyshkur, kupton se nuk vlen më.
Mirëpo njeriu nxiton drejt së pamundurës
pastaj rrëzohet, vdes, pa u plakur ende.
Bie gjethja prej pemës,
Duket se e ka kryer ciklin e plotë
Ia lëshon vendin një tjetre të re
Por jo pa kaluar dimrin me ngricë e të ftohtë.
Bie gjethja prej pemës
Pastaj shkelet, thahet, bëhet humus
I shërben së ardhmes, i shërben jetës
Të ripërtërihet natyrshëm, pa rendje, pa ngut.
Nëna në shtrat
Ne nuk rrimë gjithë natën zgjuar me të.
Ajo rrinte me ne.
Sado që i themi fjalë të mira
Nuk i këndojmë dot ninulla në djep.
Ëndrrat e saj janë për ne, jo për veten.
A thua do t’ia dalë djali ose vajza, thotë, edhe pa mua.
Nuk na i thotë të gjitha, si ne dikur asaj,
E ruan dhimbjen për vete, nuk e ndan krejt me ne.
Nëna në shtrat, kurorë e jetës,
Lule e vjeshtës, këngë e pranverës.
I shkundi mirë gjethet
I shkundi mirë gjethet dhjetori i egër,
si frutat e fundit të vjeshtës së vonë
Akoma këto këtu! E dua të pastër vendin,
kur të fryjë veriu me ngricë e me borë.
Nuk i duroj këto mbulesa, tha muaji i mrrolur,
që stinën e ftohtë e mori në dorëzim
Të më dëgjohet kuja pa fund e paanë,
si luani që shkon vrik me turfullim.
I shkundi mirë pemët dhjetori i kërthndeztë,
Qielli me tokën të mos ketë ndërmjetës,
derisa ta pastroj zonën nga ushtari i fundit,
të krihem në pasqyrën e tokës dhe të qiellës.
Tundi fort, dimër mizor, derisa të mos mbesë asnjë!
Se kështu pastrohet toka për pranverën tjetër.
Kur mendon se e ke zhbirë dhe nuk mbin më asgjë,
prite se do të zërë prapë e fuqishme fara e jetës.
Dimri i parë pa nënën
Fryjnë erërat nga të katër anët
Dhe s’ka kush të më mbrojë.
Është bërë më ftohtë sivjet.
Mbërthehem me një qyrk të trashë
Dhe prapë mërdhij.
Më duket një dimër i gjatë pafund
A thua do të dalë pranvera e të ngrohem pak.
Ajo është një engjëll që më sheh lart nga qielli
Dhe prapë më ruajnë bekimet e saj.
Dimër i ashpër sivjet.
A do të mësohem pa ty, nënë,
Të të mbaj si diçka të shtrenjtë, të padukshme
Që as nuk e zotëron, as nuk heq dorë prej saj,
si shpirti që e ndiejmë por s’e shohim.
Lajmet me interesante
-
Rritja e infeksioneve në Kinë- Dasho: Metapneumovirusi s’është virus i ri… Ja kush duhet të ketë kujdes
January 5, 2025
-
“Dridheshim, një roje i pashpirt pa një të burgosur që kishte mbi krye plasmasin, e nxori nga rreshti dhe e…”- Zbardhen kujtimet e ish-Ipeshkvit të Shkodrës
-
Djali: Babë, pse nuk të japin ty pension të veçantë?!- Nga YMER BALA
January 2, 2025
-
Urime nga botuesit e VOAL: Gëzuar Vitin e Ri 2025, me fat Viti i Ri 2025, vëllezër shqiptarë, motra shqiptare!- Nga Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
January 1, 2025
-
DOPJO SALLATË RUSE- Tregim satiriko-humoristik nga SHKËLQIM HAJNO
January 4, 2025
-
Poezia “Buzë lumit” e Mirko Gashit shpreh ndjenja universale me një finesë të veçantë- Nga TIMO MËRKURI
January 2, 2025
Lajmet e fundit
-
“Konsumin më të lartë e ka pasur familja Hoxha, me rreth 2 tonë mish“- zbulohet dokumenti për abuzimet e udhëheqjes së lartë të PPSH-së
By voal.ch | January 6, 2025
-
Këngë për ditën e ujit të bekuar, gurugoxhet- Këngë rituali nga Albert HABAZAJ
By voal.ch |
-
M*sakra në kështjellën e Janinës dhe ekzekutimi i pabesë i Ismail Bej Vlorës! Komanda italiane nga frika e rebelimit urdhëroi që në ceremoninë e varrosjes të mos përdorej asnjë flamur shqiptar
By voal.ch |
-
Dardha, e bukur në verë, e mrekullueshme në stinën e dimrit- Fotoreportazh nga Vepror Hasani
By voal.ch |
-
Trumpi kërkon shtyrjen e shpalljes së dënimit në rastin e blerjes së heshtjes
By voal.ch |
-
Biden: Të mos lejojmë nënvlerësimin e sulmit të 6 janarit në Kapitol
By voal.ch |
Komentet