Antropologji kulturore – Histori:
Abstrakt
Në këtë punim, vertikalisht ngushtë, trajtojmë raportin e marrëdhënieve thrako – ilire, qysh nga antikiteti nëpër rrjedhat e kohës, parë nga harmonizimi i dy këndvështrimeve: në rrafshin e historisë së dy popujve dhe atë të antrologjisë kulturore. Ndërkohë, trajtesa është nismë për të vijuar punën studimore në rrafshin e marrëdhënieve të të parëve tanë me kufitarët e tyre, me fqinjët historikë, siç janë grekët, serbët, malazestë dhe popujt e tjerë të rajonit, si copëza shumëngjyrëshe etnokulturore, që zbukurojnë mozaikun e kulturave ballkanike dhe të popujve mesdhetarë, jo vetëm bardhë e zi apo, aq më keq, zi e zi. Ballkani, që përfshin vendet e Europës juglindore e që shtrihen në jug të lumenjve Danub e Drava, ndërmjet Detit Adriatik e Jon në Perëndim, Detit Egje dhe Detit të Zi në Lindje, dhe Detit Mesdhe në Jug, është atdheu i popujve të ndryshëm, që përfshijnë shqiptarët, grekët, serbët, bullgarët, turqit dhe vllehët. Ballkani, një zonë gjeografikisht e afërt me Europën, është parë jo rrallë herë konceptualisht e largët, sidomos nga observuesit europianoperëndimorë të Ballkanit. Përdoret rëndom nga të tjerët cilësimi “fuçi baroti” për ne, ballkanasit dhe shtëpinë tonë të përbashkët, Ballkanin. Jo pak herë, vetë, ne banorët rinj të kësaj shtëpie të lashtë i kemi fryrë zjarrit për ta ndezur, jo për ta fikur flakën e urrejtjes “midis vedit”, përleshjes me njeri-tjetrin. Rikthimi tek tradita e bukur dhe e dobishme e “Udhës së Mëndafshit” në Ballkan, në udhëtakimin e Lindjes me Perëndimin, mund të bëhet një motiv produktiv për të shembur muret e ndarjes dhe urrejtjes e të ngremë urat e bashkëpunimit e harmonisë.
Fjalët çelës: ilirë, thrakë, antropologji kulturore, histori, kultura ballkanike, shqiptarë, bullgarë.
Abstract
In this article, vertically close, we treat the propotion of Thraco – Illyrian relations, from antiquity through the course of time, seen by the harmonization of two perspectives: in the field of the history of both peoples and that of cultural anthology.
Meanwhile, this paper is an initiative to continue the study work in the field of our ancestors’ relations with their borders, with historical neighbors, such as Greeks, Serbs, Montenegrins and other peoples of the region, as multicolored ethno-cultural pieces that adorn the mosaic of Balkan cultures and Mediterranean peoples, not just black and white or, worse, just black and black.
The Balkans, which includes the countries of southeastern Europe, stretching south of the Danube and Drava rivers, between the Adriatic Sea and the Ionian Sea in the West, the Aegean Sea and the Black Sea in the East, and the Mediterranean Sea in the South, is the homeland of different peoples, including Albanians, Greeks, Serbs, Bulgarians, Turks and Vlachs. The Balkans, a geographically close area with Europe, has been seen as conceptually distant, especially by the Western European observers of the Balkans. It is commonly used by others the “gunpowder barrel” for us, the Balkans and our common home, the Balkans.
Not a few times, we, the young residents of this ancient house, have swollen the fire to light it up, not to turn the hail of “hatred” between ourselves and the struggle with each other. Returning to the beautiful and useful tradition of the “Silk Road” in the Balkans, in the East-West journey, it can become a productive motive to collapse the walls of separation and hatred and build bridges of cooperation and harmony.
Key words: Cultural anthropology, history, Balkan culture, Illyrians, Thracians, Albanians, Bulgarians.
Hyrje
Identiteti i Ballkanit është i dominuar nga pozicioni i tij gjeografik, historikisht zona ishte e njohur si një udhëkryq i kulturave të ndryshme. “Deri në fillim të shekullit të XIX, Gadishulli i Ballkanit nuk kishte emër. Ishte në 1808 – ën, kur gjeografi gjerman August Zeune, ii dha emrin Hämushalbinsel, që më vonë e ndërroi në Gadishulli i Ballkanit, duke ndjekur traditën e zakonshme të emërtimit të një zone sipas një vargmali të njohur. Zgjedhja e Zeunit ishte pak si tepër arbitrare – thekson, mbështetur në shkrimet e balkanologëve, studiuesi slloven Bozidar Jezernik – megjithatë, Malet e Ballkanit, më parë të njohura si Haemus (nga haima, gjaku i Tifonit) ku ndodhet Bullgaria e sotme, e njohur si Stara Planina (Mali i Vjetër) nuk përbëjnë sistemin malor më të gjerë apo më të lartë në gadishull. Mjafton të kujtojmë që emri Balkan vjen nga turqishtja dhe nënkupton një mal apo vargmal të ashpër të pyllëzuar me pemë me trungje të trashë, më simbolikisht male mbrojtëse. Nga të tjerët, dikur përdorej shprehja: “Janë ballkane” (kupto: fusha, rrafshe të pabanueshme).
Ballkani ka qenë një nyje ku kontaktonin etnitë e vjetra autoktone, modeli latin perandorak, destinacionin e një fluksi masiv të sllavëve paganë, një zonë ku takoheshin ortodoksët dhe katolikët, si edhe pika e takimit mes Islamit dhe Krishtërimit. Qytetërimi ballkanik u zhvillua si një amalgamë e çuditshme e së vjetrës me të renë, pasi katër qytetërimet e mëdha e tronditëse, treguan paaftësi mbizotërimi në gadishull e rajon si kulturë e qytetërim në Europën JL.
Në periudhën arkaike dhe antikitetit, rajoni, që sot quhet Ballkan i Jugut, ishte shtëpia e përbashkët për Grekët, Epiriotët, Ilirët, Thrakët etj. Popujt që u bënë më të njohur në historinë e lashtë të Ballkanit, përveç Helenëve, ishin dhe Thrakët e Ilirët. Mesdheut qyterimformues (Hamendësimet romantike të pasionantëve na i shpien rrënjët tona Po të kthehemi në tejlashtësi, Ilirët dhe Thrakasit, nuk bënin përjashtim nga civilizimet e vjetra të në Pellazgjì, si farë të Pellazgut Yjnor, por opinioni shkencor ende nuk është shprehur).
- Thrakët dhe Ilirët
Në një kontakt të gjatë mes tyre, thrakët dhe ilirët, si dy vëllezër binjakë, me një gjuhë të njëjtë indoeuropiane, por dialekte te ndryshme, i kanë dhënë Ballkanit kulturë materiale dhe jomateriale (shpirtërore) të vetën, me shumë elementë të përbashkët kulturorë, kultik e gjuhësor. Kultura Ézero (e thrakëve) në Bullgarinë Jugore dhe kultura e Devollit (e Maliqit, ilire) në Shqipërinë Juglindore, janë një dëshmi e procesit të ngjizjes etnike të këtyre dy popujve të lashtë, bartës të individualitetit dhe vlerave të përbashkëta, me veçoritë etnopërbashkuese dhe etnopërveçuese. Duke lexuar shkrimet e gjeografit të antikitetit, Strabonit, vërehet se ai e ka të vështirë diferencimin midis fiseve ilire, thrake dhe epirote. Kështu ai, fiset paione i konsideronte në atë kohë, herë si ilirë, herë si thrakë, herë si epiriotë, (Strabonis, Geographica).
Thrakët e lashtë ishin një grup i fiseve indoeuropiane, të cilët flisnin gjuhën thrake. Këta shtriheshin në pjesën lindore, qendrore dhe jugore të Gadishullit Ballkanik. Ata përhapeshin në jug deri në Thesalinë greke, dhe ishin të përzier me fiset maqedone, siç pohon Straboni kur thotë, se matanë maleve të Pindit në Maqedoni jetonin dhe epirotë dhe “malësorë thrakë”.
- Cili është opinioni shkencor?
Është pohuar se Thrakasit janë të një gjaku e të një gjuhe me Ilirët dhe e adhuronin Diellin. Ribezzo, Mustilli etj, kanë nxjerrë prova të shumta për të vërtetuar se Thrakas e Ilirë, në kohën romake, kanë banuar në territore përbri njëri – tjetrit, se “kanë folur një gjuhë të vetme”, se “Thrakët edhe Ilirët përfaqësojnë dy emra të një ethnosi të vetëm të ndarë dysh vetëm politikisht dhe gjeografikisht”.
Vladimir I. Georgiev (linguist bullgar) e fut gjuhën ilire dhe shqipen në relacion të ngushtë me thrakishten. Çabej besonte se thrakishtja dhe ilirishtja ishin të ngjashme në strukturë dhe leksik.
Arshi Pipa thotë se në Toskëri kishte më shumë komponente thrakase, ndërsa Gegëria ishte kryesisht ilire. Herodoti dhe historianë të tjerë të lashtë, tregonin se Ilirët dhe Thrakët pa dallim, bënin tatuazhe në trup, flijonin njerëz për nder të perëndive, gruaja luante rol në shoqërinë fisnore patriarkale, në ndryshim nga helenët ku gruaja shihej si robinë. Gjithashtu dhe mitologjia e tyre përputhet në disa aspekte. Kështu Sabazi ka qënë perëndi thrake, gjithashtu dhe ilire. Bindi po ashtu. Në shqip, emri i Bindit vazhdon të kujtohet në fjalën “përbindësh”.
Ndër popujt e parë paleoballkanas, Thrakët dhe Ilirët kanë qenë shumë të afërt me njëri – tjetrin dhe një ndarje e prerë midis tyre ka qenë e vështirë për studiuesit e lashtë dhe të sotëm. “Barinjtë shqiptarë, njësoj si barinjtë e famshëm vllehë, përmenden nga gjysma e shek. XIII”. Sot aktualisht ruhen shumë fjalë thrake në dialektin tosk. Antropologjikisht, me një krahasim më lokal, Shqiptarët dhe Bullgarët ngjajnë, si brenda nesh, Gegët e Toskët, banorët e dy grupeve më të mëdha të krahinave etnografike të popullit shqiptar. E theksojmë këtë, sepse nga pikëpamja historike – etnografike, vetëm një nëndarje e madhe njihet në gji të popullit shqiptar: Veriu i Shqipërisë, që quhet “Gegni” ose “Gegëri” dhe Jugu i saj që quhet “Toskni” ose “Toskëri”, si dy grupe të mëdha krahinash etnografike shqiptare. Thrakët dhe Ilirët janë dy margaritarë të çmuar në mozaikun ylberor shumëngjyrësh të kulturave në gadishullin (ujdhesën) e quajtur Ballkan. Qytetërimet tona nuk e kanë ulur kurrizin, se nuk kanë patur popuj të mundur. Në kontekst, duke mos e harruar historinë dhe me vështrim përpara, vlen ta flakim mosnjohjen, shpërfilljen, përbuzjen, urrejtjen e tjetrit dhe të përparojmë duke u përmirësuar në sakrifica, “rrezatim, grumbullim të mirash kulturore, trashëgimi inteligjence”. Thrakët dhe Ilirët dhe, në vijim, Bullgarët e Shqiptarët janë të mbrujtur me gurra historike, siç pohojnë dhe shumë studime të historianit të madh francez Frenand Braudel (1902 – 1985), ndër më kryesorët dhe në mbarë botën gjatë shek. XX. Bullgaria dhe Shqipëria përbëjnë një afresk të shkëlqyer në këtë djep qytetërimesh të mëdha, siç është Ballkani ynë, ku për shekuj me radhë historia e njerëzimit ka shkruajtur disa nga faqet e saj më emocionuese. Popullsia autoktone ilire dhe trake e këtyre krahinave me kalimin e kohës u asimilua nga bota sllave (vitet ’80 të shek. VI – mes shekullin VII). Vëllezërit Kirili dhe Metodi për ta janë si dy korifej, sepse hartuan Fjalorin e parë të sllavishtes. Gjuhët sllave “u bënë gjuhë ballkanike, Ilirishtja dhe trakishtja edhe pse u zhdukën në këto vise, kanë lënë gjurmët e tyre me anë të emrave tipikë të burimit ilir e trak…”. Qëndrimi i Bullgarëve në Shqipëri prej shek. VII-X, që jetuan në paqe, por edhenë shek. XI, XII, XIII ka lënë shumë fjalë në gjuhë e sidomos shumë emra në toponomastikë. Në territoret shqiptare, qysh nga fundi i shek. X regjistrohen edhe toponime, emërtime të vendeve, fshatrave etj. me origjinë bullgare. Pasi janë marrë gjatë me barinjtë shtegratë të rajonit, Antropologët njoftojnë se rrugët e krahinave të Ballkanit i rrahin tre grupe barinjsh shtegtarë: jurukët e ekstratit turk që lanë Europën pas shfaqjes së shteteve kombëtare të Ballkanit; Sarakatsanët e ekstratit grek, një pjesë e të cilëve jetojnë akoma në Bullgari dhe përmenden si karakaçanë (Marimov, 1964), por shumica jeton në Greqi; dhe më në fund, armane që nga popujt e tjerë të Ballkanit njihen si Vllehë; ekstrat rumun që ka lidhje me rumunët. Armanë s’janë vetëm barinjtë nomadë, por edhe grupet e ngulura sedentare. Ata janë pasardhës të thrakasve dhe ilirëve të mëparshëm të romanizuar; në antikitet ata jetonin gjithkund në krahinat e Ballkanit. Mbijetojat e tyre jetojnë sot në Serbi, Maqedoni e ish-shtetet jugosllave, në Shqipëri, Bullgari e Greqi. Pa u futur në detaje etno – antropologjike, po përmendim këtë informacion për barinjtë shtegtarë të rajonit: “Nusja e re nuk i drejtohet burrit të saj me emër; në qoftë se ajo ka për t’i thënë diçka, ia thotë atë prindërve të tij dhe kur ajo flet për të, përdor fjalën “ai”. Dhe ndër shqiptarë e bullgarë, dhe ndër malazëezë e popujt e tjerë ka qenë në fuqi dhe ka vepruar rreptë ky “kanun”, kod dokesor. Sipas traditës së të parëve, gruaja duhet të sjellë fëmijë në këtë botë, veçanërisht djem: “Lindja e djalit lajmërohet me të shtëna pushke nga babai. Me t’u dhënë kjo shënjë, të gjithë të afërmit dhe miqtë e shprehin gëzimin e tyre duke zbrazur armët e veta” (Stephanopoli, 1798, f. 293). Lindja e vajzës pritet si fatkeqësi, sidomos kur ajo nuk ishte e parë (Lidika, 1977, f. 72). Shembuj të tillë kemi dhe personalisht njohim femra të lindura deri në vitet 1960 në Labëri, (duke u ngushtuar në etnologjinë gjeografike, pa u futur thellë në Kartotekën e onomastikës) që kanë emra si Sose, Mjaftime, Mbarime, Pikëllime, Pikërrime etj. “Lindja e djalit siguron pozitën e gruas në shtëpinë e burrit, ndërsa gruaja që nuk lind, e humb vlerën”. Nga të gjithë banorët e Lindjes, myslimanë e të krishterë, gruaja është parë në pozitë më të ulët, si plaçkë e burrit, si skllave, jo si shoqe e tij, por si kafshë pune. Siç dhe cituam një rast, atë nuk e flasin kurrë me emrin e saj. Ja dhe një detaj antropologjik: “Nuk është e hijshme që të pyesësh një burrë diçka për gruan e tij; në sytë e të huajve ajo duhet konsideruar sikur nuk ekziston fare”…Serbët e bullgarët, kur flasin për gratë e veta, përdorin fjalën “ajo”, ndërsa serbët, ndandonjëherë, kur përmendin gruan, përdorin shprehje edhe më pak dashamirëse: “gruaja ime, me nder të thuash” (me nder me thanë). Nuk bëhet fjalë që gruaja t’i flasë në emër burrit apo të hante bukë në një sofër me të. Pra gruaja trajtohej gati njësoj si mushka. Te bullgarët, gjendja e gruas duket më e mirë dhe i ngjason asaj të grave rumune. Për vëllazërinë kanë qëndrim të gjerë humanobashkues, edhe gjetkë, por më e theksuar tek malazezët që e numërojnë farefisninë të pastër deri në brezin e shtatë dhe i përmbahen mendimit se një farefisni e tillë përbën një familje të vetme, prandaj midis tyre janë të pamundura.
- Antropologji kulturore: ne dhe ata
3.1. Kujtesë etnografike
Një fletë palosje për Festën e Verës dhe simbolin e verores në traditën bullgare, që Konsullata e Nderit të Republikës së Bullgarisë në Republikën e Shqipërisë u shpërndau pjesëmarrësve të ftuar në Takimin e organizuar më 7 Mars 2017 në mjediset e Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, ku punojmë, na bëri t’i flasim kujtesës për të na shpurë në vitet e fëmijërisë, kur ne gëzonim e festonim Ditën e Verës çdo 14 mars… Hareja jonë, herë-herë çamarroke, shpërndahej në mëhallë e lagje si cicërimat e zogjve, që lajmëronin pranverën, lulëzimin e jetës. Populli ynë është i lashtë dhe ka tradita etnokulturore me vlerë, sikurse dhe popujt e tjerë. Shqiptarët kanë festa popullore dhe festa historike, (patjetër, si çdo popull). Vërejmë me keqardhje se bëhen më shumë festa historike. Ato janë legjitime, se kanë të bëjnë me krenarinë tonë historike për pavarësi, liri e arsim, që duhet të jenë në funksion të mirëqenies e përparimit. Bëhen edhe festa politike, ku njeriu (jo pak herë i detyruar) del nga natyraliteti i tij biologjik. Festat popullore ende nuk bëhen ashtu siç ato janë POPULLORE, të thjeshta, të lirshme, të gëzueshme, të dëlira, të qeta në gëzueshmërinë njerëzore, me emocione pozitive, siç i bën bota, në Itali, Greqi, Spanjë, Skoci, Rusi, Porto Rico e gjetkë, pa kollarecitete, pa ato pamjet stoike të sforcuara, duke ngatërruar dhe funksionin argëtues, kulturor dhe estetik të festave popullore me funksione edukativo – atdhetare, që i përkasin festive historike. Pesë vjet kemi rastisur të jemi festues në Takimin e Brezave në disa fshatra të Italisë (Coppito, Colle apo San Marco di Preturo, Copitto, L’Aquila etj., në provincën e Abruzzos, Italia Qendrore). Pa fjalime, pa presidiume, etj., por me takime me mall e çmallime, me gëzim, me pije, me muzikë, këngë e vallëzime, me dëfrime kënaqësore. Ndër ne, banorët e Elbasanit i kanë dhënë e rikrijuar qytetit të tyre profilin e duhur tradicional të festës më popullore që kemi: Ditës së Verës. Të tjerët, ndër ta dhe Vlora, ende jo.
3.2. Dita e Verës, festa shqiptare e perëndive
Më të moshuarit tregojnë se në kalendarin e vjetër, kur njerëzia orientohej nga dielli, hëna e gjelbërimi, ka ekzistuar një ditë adhurimi. Të parët tanë, ilirët, udhëtonin nga të katër anët për t’ju falur perëndisë së ripërtëritjes dhe gjithësisë e njohur me emrin Diana Candieviensis. Dita e Verës është festë e gjithë shqiptarëve, por Elbasani quhet zemra e saj. Tempulli i festës ka qenë në zonën e Çermenikës. Në rrjedhën e shekujve, ajo dalëngadalë zbriti në qytetin e luleve, këngës e dashurisë. Dita e Verës është një festë pagane, mbarëpopullore, festë e të gjithëve, e të pasurve dhe të varfërve, pa dallime fetare e racore. Asgjë nuk mundi ta bënte këtë festë të sajën, as feja, as ideologjia dhe sё fundi as politika. Më 14 mars, të gjithë bashkohen për të festuar, sepse Dita e Verës është edhe festa e jetës dhe vazhdimësisë. Në se Elbasani ka traditë ballokumen, Lezha ka traditë ndezjen e zjarreve purifikues për t’i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte. Më 13 mars, njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 mars në shtëpi. Ky zakon i lashtë ruhet jo vetëm në Elbasan, por edhe në Dibër, Strugë e Prespë. Dita e verës ishte dita e fillimit të vitit, sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishtërimi. Ajo kremtohej më 1 mars të Kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri, ngaqë me këtë kalendar, marsi është muaji i parë i vitit; (sipas Kalendarit Gregorian – 14 mars). Në origjinë, kjo e kremte, që zgjaste 3 ditë, ka lidhje me vitin e ri të romakëve të lashtë që fillonte më 1 mars. Janë me interes të veçantë, në pikëpamje krahasimi, afritë dhe pikëtakimet në terminologji dhe praktika rituale në mes kësaj feste të lashtë shqiptare me atë romake. Studiuesit tanë pohojnë se kemi të bëjmë me rite e besime, që populli ynë i trashëgoi që nga lashtësia dhe jo nga huajtjet mekanike, pa mohuar disa ndikime romake. Ndoshta këtu kemi të bëjmë me një shkrirje festash të përafërta të së njëjtës date, që u përgjithësuan me kohë në vitin e ri romak, shumë kohë pas shfuqizimit të tij zyrtar, por që jetoi, u përgjithësua dhe më tepër në popuj të ndryshëm gjatë antikitetit të Vonë dhe në Mesjetë.
“Është me interes të dihet – thekson prof. Tirta – se edhe Egjiptianët e lashtë më 1 mars, sipas Kalendarit Julian, kishin një festë të rëndësishme, që kishte të bënte me vërshimin pranveror të Nilit. Kjo e fundit nuk do të jetë pa lidhje me atë romake. Ndoshta duhet vërejtur këtu një festë e popujve mesdhetarë”. Në rrjedhat e kohës, rite të Ditës së Verës kanë kaluar edhe në festa të tjera krishtere a islame, në disa raste kanë kaluar edhe në festën e Novruzit, që bie 10 ditë më vonë.
3.2.1. Dita e Verës në Elbasan dhe rituali
Edhe kjo festë pagane ka ritualin e saj, trashëguar brez pas brezi, që nga gjysh-stërgjyshërit, ndoshta qysh 24 shekuj me radhë a më tepër e kështu djalë pas djali në funksion të mbarësisë e pjellorisë në bujqësi e blegtori. Kur flet për ritet kalendarike e zjarret ritual në pjellori, mitologu Tirta shkruan: “Dihet nga mitologjia krahasuese, se … kanë të bëjnë me kultin e diellit dhe të zjarrit, në lidhje me besimin në forcën e tij fuqidhënëse e pastruese (“purifikuese”) e prej këtej dhe mbarësi e prodhim”. Dikur, dedikimet i kushtoheshin perëndisë Dianë, sot ato praktikohen për një jetë më të mirë të mbushur me gëzim, dashuri dhe begati. Edhe studiuesi Thanas Meksi e ndan në katër faza Festën e Ditës së Verës. Faza e parë është faza përgatitore, që nis me grumbullimin e zaireteve që janë të nevojshme për Ditën e Verës. Faza e dytë është nata e Verës, që nis në mbyllje të 13 marsit, faza e tretë – mëngjesi i Ditës së Verës, që nis më 14 mars, dhe së fundi, pikniku i Ditës së Verës, në mesditën e 14 marsit. Në prag të natës së Ditës së Verës, çdo shtëpi e qytetit të Elbasanit është e mbushur me një gëzim të veçantë dhe një ndjesi e hareshme i pushton njerëzit fare pa e kuptuar. Ndoshta nga ndikimi i diellit, gjelbërimit apo shpërthimit të farës dhe sytheve, që janë shprehje e begatisë dhe vazhdimësisë. Shtëpia mbushet plot me gjëra të mira dhe me bollëk. Porta zbukurohet me lule dhe lastarë të gjelbër, të cilët simbolizojnë futjen e mirësisë dhe natyrës. Gjatë kësaj nate, të afërmit, por edhe shokë e miq të ardhur nga viset e tjera, këndojnë këngë të vjetra, shoqëruar me guzhinën me nam të Elbasanit. Disa nga gjellët, që nuk i gjen në vend tjetër, janë tava me pistil, tava e kosit, kabunia, çomleku, gjeli i detit, etj. Gjatë kësaj nate, fillon të ndahet edhe hiseja e nesërme për njerëzit më të afërm. Mëngjesi është jashtëzakonisht i gëzuar dhe festiv. Elbasanasit zgjohen herët më 14 mars dhe me një përkushtim të veçantë hapin derën që të futet e mira dhe tё dalë e liga. Ata lajnë sytë me lulet e verës, me manushaqe dhe me karakafte dhe më pas pinë ujë në “bukën e derrit”, i cili është një zhardhok, që gjendet nën tokë në zonat me pyje dhe gjelbërim. Uji në “bukën e derrit” simbolizon një vit të shëndetshëm. Më pas nisin vizitat tek të afërmit, ku djali më i vogël i familjes nxiton të dërgojë hisen e ndarë. Pikniku nis në orën 10.00. Këto vitet e fundit, aktivitetet për rastin e festës nisin një orë më parë. Në piknikun e Ditës së verës, elbasanasit lënë qytetin dhe u drejtohen pikave turistike në Byshek, Gjinar, Gurrën e Labinotit, Ullirit të Qefit, Kroit të Kalit, Çezmës së Lepurit, Ujit të Ftohtë në Labinot etj.
Dita e Verës nuk ka kuptim pa lulet dhe këngët. Prej kohësh, elbasanasit njihen si kopështarë (bahçevanë) me emër dhe këngëtarë të shpirtit. Lulet më karakteristike në Elbasan janë jasemini, karafili, trëndafili, zymbyli, karakaftet etj. Kultivuesit kujdesen për lulet në mënyrë që ato të shpërthejnë Ditën e Verës. Vitet e fundit ansambli i luleve është pasuruar me trëndafila dhe karafila të ardhur nga disa vende të Botës, nga Egjypti deri në Holandë. Gjatë natës dhe Ditën e Verës këndohen me pasion të veçantë këngët e mjeshtrit të muzikës popullore qytetare Isuf Myzyrit. Këngë të tilla si “Një lulishtë me trëndafila”, “Ç’u dëshiruesh me të pa”, “Ma mirë n’pyll se sa n’qytet”, “Si bilbili në pranver’” etj., këndohen jo vetëm nga elbasanasit, por në mbarë trojet shqiptare. Pikniku shtrohet në natyrë dhe aty shijohen gjellët dhe frutat karakteristike të zonës.
3.2.2. Ballokumja
Për këtë festë, Elbasani ka traditë gatimin e ballokumes. Ёshtё ёmbëlsirë karakteristike vetëm në Elbasan. Ka qenë dhe është sinonim i Ditës së Verës. Ka një formulë të veçantë gatimi, e njohur vetëm në këtë qytet. Në vija të përgjithshme një ballokume përgatitet si vijon: Në një enë të posaçme prej bakri e ndërtuar posaçërisht për ballokume futen sipas radhës gjalpë i freskët, sheqer, vezë, maja miell misri dhe pak finjë zjarri. Të gjitha asortimentet përzgjidhen në kushte natyrale. Gjalpi duhet të jetë prodhuar në fshat dhe të ketë një ngjyrë të veçantë. Gjalpi i freskët tretet dhe vendoset në enën e ballokumes. Mbi gjalp hidhet pak e nga pak sheqer dhe të dyja rrihen gjatë nga një lugë druri. Më pas hidhen vezët një e nga një, ndërkohë që rrahja me lugë vazhdon. Pastaj e ka radhën hedhja e majasë së miellit të misrit. Majaja e miellit hidhet me ngadalë dhe përzihet vazhdimisht me lugën e drunjtë. Në masën e formuar, hidhet pak finjë zjarri. Rrahja e ballokumes duhet të bëhet me dorë. Të gjithë asortimentet hidhen sipas një gramature të caktuar, deri sa masa të arrijë të mpikset. Brumi i formuar nga kjo përzierje merret me lugë druri dhe vendoset në topa në tepsi. Pastaj ballokumja vendoset në furrën me dru zjarri. Piqet dhe shërbehet në formën e kuleçëve të ballokumes. Për shkak se është një ëmbëlsirë karakteristike me një shije pikante, kërkohet nga të gjithë qytetet e vendit. Në Ditë Vere, në Elbasan porositen mijra ballokume.
3.2.3. Ritet e festës sot në Elbasan
Koha shkoi, por ritet mbetёn. Megjithatё, nga viti nё vit festa pasurohet me gjёrat qё burojnё nga shpirti i vetё njerёzve. Mё 14 mars, Elbasani kthehet nё epiqendrёn e pelegrinazhit. Festa ka njё ndikim tё çuditshёm tek tё gjithё. Duhet tё vish nё Elbasan qё ta provosh kёtё ndjesi. Jo vetëm shtëpitë, por i gjithë qyteti vishet me dekor shumëngjyrësh, ashtu si lulet e pranverës. Në prag të festës, ndërmarrja e dekorit zbukuron rrugët dhe sheshet kryesorë të qytetit. Ndërsa ndërmarrja e gjelbërimit mbjell lule dhe sipërfaqe të gjelbëruara. Për çdo vit, bashkia Elbasan akordon një fond të veçantë për festën. Në pikat turistike dhe në parqe janë programuar të organizohen koncerte, lojëra popullore, pjesë humori, etj.
3.2.4. Dita e Verës ndër shqiptarë
Festat popullore quhen edhe festa tradicionale apo kalendarike, etj. Zanafillën Dita e Verës e ka në faltoren Zana e Çermenikës, perëndeshë e gjuetisë, pyjeve dhe të gjithë natyrës, që quhet ndryshe perëndesha Diana Candieviensis. Para disa vjetësh kemi pasqyruar në shtypin e shkruar dhe atë elektronik disa nga festat popullore shqiptare në studimin: “Një vështrim mitologjik mbi festat kalendarike e tradicionale të vitit dhe lirikën rituale”. Po risjellim vetëm fragmentet që trajtojnë veprimtarinë, ritualet e ditës së Verës, sipas studiuesit Gjergj Komnino, (i paharrueshëm me prurjet e tij etnologjike, por i panjohur nga shqiptarët apo të pasmit e tij të fushës, më saktë i pluhurosur: “Kemi patur dëshirën dhe mundësinë për t’u njohur me burime e studime mbi festat kalendarike, ritualet e motmotit, ritet parake dhe letërsinë popullore mbi to. Përmendim me nderim botimet monografike “Mitologjia ndër Shqiptarë” dhe “Etnologjia e Shqiptarëve” të akademik Mark Tirta, “Etnologjia dhe folklori shqiptar” nga prof. dr. Agron Xhagolli, punimin dispencial “Ritet dhe këngët e tyre” nga prof. dr. Miaser Dibra, artikuj të tjerë shkencorë nga prof. dr. Afërdita Onuzi, prof. dr. Arbnora Dushi, prof. as. dr. Nebi Bardhoshi, si dhe studiuesit Kadri Halimi, Halil Kajtazi, Albana Velianj, Bledar Kondi, Shefqet Hoxha, Fejzullah Gjabri etj.
3.2.5. Konica: Dita e Verës – festa e lumturisë së ëmbël
Faik Konica, qysh në vitin 1911, e zbërthen kështu shpirtin e festës më popullore ndër ne: “Ç’është Dita e Verës? Ësht dita në të cilën stërgjyshërit tane, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashke me romakët dhe me grekët e vjetër, perënditë e luleve, të shelgjevet. Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Botiçelit, ‘zemra e njeriut shkarkohet nga nje barrë, shijon një qetësi, një lumtësi të ëmbël. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë, t’u falen perëndivet që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajmë Dita e Verës. Në pak ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikë pa dashur dhe pa dijtur, do të rrethojnë me verore degët e thanavet, të dëllënjavet, të dafinavet, të gjithë shelgjeve të nderuara. Do të këputin degë të gjelbra dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpivet. Të mos lëmë që të na humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Në një vend ku jeta e të vegjëlvet është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer. Për më të mbëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike, të hollë e të rrallë.” Qysh para një shekulli e më shumë, Konica, me diturinë dhe stilin e tij elegant, na ka dhuruar kështu një dokument të vyer etnologjik për praktikimin e njërës nga festat, e cila nga shumica e shqiptarëve konsiderohej si Kryeviti, pra si Viti i Ri.
3.2.6. Dita e Verës sipas studiuesit Gjergj Komnino
Gjatë kërkimeve të motivuara për të gjetur arketipin, gërmonim nëpër bibliotekat e Tiranës dhe të Vlorës, vërenim ku shiteshin libra të vjetër, kur fati na bie në dorë afërsisht ç’kërkonim.
Një ish-student nga Vlora, na dhuron një libër, ku, nga kapaku, faqja e titullit dhe kolofoni, bëhet fjalë për monografinë “Këngë popullore lirike”, Instituti i Shkencave, punuar nga Gj. Komnino, Tiranë, 1955, f. 346. Bëhet fjalë për një nga punët e vlerta të poetit, përkthyesit, antifashistit të orëve të para, atdhetarit, që dhe në burg mblidhte folklorin, intelektualit të persekutuar, profesorit të Letërsisë së Durrësit, Gjergj Komnino. Studiuesja dhe poetja Flora Gjondeda Dervishi, me monografinë “Viset e preme” njeh lexuesit e sotëm dhe studiuesit e rinj me personaliletin e të paharrueshmit Gjergj Komnino, ngritur mbi dy kolona të forta, kolona e parë: Krijimtaria letrare e Gjergj Komninos, me shtatë vepra të botuara nga Marzocco, Firence në vitet 40-të, si dhe disa materiale dorëshkrimore; si dhe kolona e dytë: veprimtaria kërkimore, në 50 volume me Visaret e Kombit, të mbledhura nga Gjergj Komnino në vitet 1949-1857, të kyçura në arkivin e Institutit të Kulturës Popullore, me kodin sekret: AF2. Kur ai punonte si bashkëpunëtor shkencor, në Institutin e Folklorit, në disa nga ekspeditat kërkimore folklorike, ishte me të shoqen Veronikën, si mbledhëse. (edhe ajo e koduar AF3). Një histori e hidhur e jetës së këtij çifti është sa absurd, aq tronditëse: më 1957 u prangosën edhe Gjergji, edhe Veronika 24 vjeçe, me vajzën e vogël dhe përsëri shtatzanë…Në studime dhe botime të ndryshme, për festat parake (ato më të vjetrat, të lashtat), gjejmë cilësime të ndryshme, si Rite Kalendarike, (Tirta), Këngët e Motmotit (Xhagolli), Këngët Rituale (Dibra), Festat Tradicionale (Onuzi), Festat e Vitit (Komnino). Sipas punimeve etnokulturore të Gjergj Komninos, për popullin shqiptar kanë qenë të pranishme Festat e Vitit, nga të cilat, disa prej tyre mbahen mend edhe sot deri tek banorët e moshës 55 apo dhe 50 vjeç. Duke bërë një udhëtim përmes kohëve, kujtesa sociale na sjell festat për Kolendrat, Vitin e Ri, Ditën e Verës, Llazoret, Rusicat, Shëngjergjin dhe Për të rënë shi në verë. Pikërisht për këto festa të vitit marrin informacionin e mjaftueshëm lakonik nga shkrimet e Gjergj Komninos (1920-1996).
Dita e Verës festohet më 14 Mars dhe zgjat dy ditë. Çdo festë fillon që pas darke të ditës së parë. Gjithë njerëzit, po sidomos fëmijët, dalin nëpër fusha, këndojnë, lozin valle, mbledhin lule; djemtë mbledhin edhe dëllinja. Lulet vajzat i vënë nëpër vrimat e murit, nëpër dritoret e nëpër portat. Gjithë pasdrekja shkon duke shëtitur nëpër fusha. Në mbrëmje ndezin dëllinja (bëjnë dumenë). Dumenë e ndezin rreth shtëpisë ose nëpër livadhet pranë; fëmijët hidhen përsipër zjarrit, tundin edhe zile. Kur ndezin dumenë, ndodhen edhe gjithë njerëzit e shtëpisë. Më vonë bëjnë “piligrinë” e në këtë kohë thonë: “piligri, moj piligri, mos dil jashtë, t’i mbush sytë me hi”. Në Kosovë të Përmetit darkën e Ditës së Verës bëjnë gati kuleçët. Në mëngjes pa gdhirë nëna vete në krua, lag kulaçin dhe kthehet me dorjen plot me ujë kroi e me bar të njomë. Me të hyrë në shtëpi, spërkat çdo qoshe që të mos ketë pleshta e çimka gjatë verës. Pastaj u njom fytyrën gjithë njerëzve të shtëpisë që të mos i zënë ethet dhe uron për shumë vjet Ditën e Verës. U jep ëmbëlsira e vezë fëmijve duke u thënë: “qofshi të ëmbël si sheqeri e të bardha si veza”. Para se të gdhihet, nusja e re merr një vezë, pak verë e bukë, rri në oborr dhe, duke përsëritur: “Qofsha e bardhë si veza dhe e kuqe si vera”, ha nga pak bukë e pi pak verë dhe vezën e shkon rreth fytyrës. Në Opar fëmijët, kur ngrihen në mëngjes, prekin me dorë nga një copë hekur, se e kanë për mirë. Ditën e Verës ngrihen të gjithë shumë shpejt dhe duke marrë me vehte kuleçë, vezë, sheqer, mjaltë, venë në krua që të lahen. Në krua thonë tri herë: “Mirë mëngjes, o krua, lashë të ligat dhe mora të mirat”. Edhe kulaçin e lagin tri herë dhe secili e kafshon tri herë; gjithashtu edhe vezën. Në krua vete çdo djalë me babanë, nënën ose me ndonjë të afërm të shtëpisë. Kulaçi që hanë në krua quhet “kulaçi i kroit”. Kur kthehen nga kroi, u thonë njerëzve të shtëpisë: “mirë mëngjes” dhe këta u përgjigjen: “mirë se na arthtë”. Pastaj përsëri ata që ishin në krua u thonë: “me shëndet, me bereqet”. Në shtëpi fëmijët marrin nga një mollëe nga një lugë sheqer. Bukët në këtë ditë i zënë me qiqër. Fëmijët shëtitin nëpër fshat, venë në çdo shtëpi, ku marrin vezë. Ata i urojnë: “paçi këmbën e mbarë!” Për atë që vete për herën e parë Ditën e Verës në një shtëpi thonë “na bëri këmbë”. Me vezët që mbledhin fëmijët lozin duke i përpjekur dhe kujt i del veza më e fortë ja merr tjetrit. Ditën e verës fëmijët lyhen me mjaltë në ballë. Të gjithë vishen me rroba të ra e nuk punojnë gjithë ditën. Duke u bazuar në tekstin “Këngë popullore lirike” Tiranë, 1955, botim i Institutit të Shkencave, punuar nga Gj. Komnino, janë botuar 9 këngë për Ditën e Verës dhe përkatësisht të regjistruara në Shkodër, Lumë, Servan – Skrapar, Shqiptarët e Molizës, Shpat – Elbasan, Këngët Nº. 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, që gjenden në tekst nga f. 266 – 269 këndohen ditën e verës, sipas kërkuesit shkencor Komnino).
Po paraqes për lexuesin e “Tirana Observer” dy njësi folklorike. E para vjen nga Shkodra: “Tue dalë e duel vera, joho del verë,/ Ti na dalsh me t’mira shumë,/ Ti na dalsh me djem shumë, /Ti na dalsh me nuse shumë, / Ti na dalsh me shtjerra shumë,/ Ti na dalsh me dhen shumë!” Tjetra vjen nga Shpati i Elbasanit: “Lumja ti, moj lulevere,/ Q’ më ke nanën topsheqere;/ Kur të çon, të ledhaton,/ Tyj qafën, moj, të drejton./ Mjera ti, moj manushaqe,/ Q’më ke njerkën si farmaqe;/ Kur të çon, moj, të dërmon,/ Tyj qafën, moj, të shtrembron” etj.
3.2.7. Dita e Verës ndër të parët tanë dhe të të tjerëve, sipas etnologut Mark Tirta
Botime të veçanta etnologjike që kanë peshë në botën etnokulturore dhe opinionin shkencor janë veprat e studiuesit të fushës Mark Tirta: “Etnologjia e përgjithshme” Tiranë, Geer, 2008 me 292 faqe, (Bot.1-2001) “Mitologjia ndër shqiptarë” Tiranë, Shkenca, 2004 me 452 f. dhe “Etnologjia e shqiptarëve”, Tiranë, Geer, 2006 me 540 f. (Bot.1-2003) Studimi i mitologjisë dhe besimeve, në rastin konkret, i kulteve të bujqësisë dhe blegtorisë, sipas akademikut Tirta, ka rëndësi të madhe historike sepse vlen për të sqaruar shumë dukuri shoqërore të periudhave të ndryshme historike. “Ato kanë qenë të lidhura ngushtë me prodhimin, me burimet ekonomike, me veçoritë etnokulturore e me kushtet gjeografike, ku u formua e u zhvillua për shekuj të tërë ky popull…”. Duke trajtuar festat e vitit ai shkruan: “Dita e Verës (një marsi). Në një shumicë fshatrash të viseve të ndryshme të vendit tonë Dita e Verës konsiderohej si Kryeviti, pra si Viti i Ri. Sipas kujtimeve të të vjetërve, thuhej se një marsi ishte tamam Viti i Ri, “Motmoti i Ri”. Në Veri njihet edhe me emrin “Nata e Mojit” me kuptimin e Vitit të Ri. Ndër karakteristikat e riteve të kësaj dite, sipas tij, janë kurbani, buka rituale, zjarret e fisit në kopshte, ara e në kodra, lidhja a qepja e të ligave, gjelbërimi i dyerve, i kasolles së bagëtive, i dybekut, i enëve e orendive të tjera të ushqimit si magjja e me radhë, “ujët e ri” që mbushej pa folur, vizitori si përshëndetës i parë këmbëmbarë: një a disa fëmijë që vinin e përshëndetnin e një sërë ritesh të tjera që kishin të bënin me fat, pjellori e prodhimtari të mbarë në bujqësi e blegtori në familje. Janë shumë të njohura ndër shqiptarë zjarret e vitit për mbarësi e pjellori në bujqësi e blegtori. Më tepër përdorej kashtë misri, byk gruri a thekre, si dhe dëllinja (përcja) apo shqopja, që janë dru e shkurre, që ndizen e digjen më kollaj. Ndizej kashta e bërë dëng e sjellë me një litar në ajër në formë rrethi. Në mungesë të tyre përdoreshin edhe dëngje me fier, dushk apo kashtë duhani dhe lidheshin me bisht kulpre të gjatë për ta mbajtur kur të sillej rreth kokës. Në zona të ndryshme të vendit, shtëllunga e ndezur e kashtës vihej mbi një shkop e sillej në ajër. Shtëllungat e kashtës ndizeshin në të dy anët në një majë kodre dhe aty silleshin rreth kokës duke thirrur: “Dalinat e pranverës marrshi ethet e verës!”. Në kodrat më të dukshme të katundit delnin bashkë gjithë familja, gjithë fisi apo mëhalla, ndiznin dalinat dhe hynin në garë se kush do t’i bëjë ndezjet më të mira, duke e vënë shtëllungën e ndezur të kashtës mbi një shkop e sillej në ajër. Ato ndizeshin jo vetëm për Ditën e Verës, Ditën e Nevruzit (Ditën e Zojës, e Vangjelizmoit) por edhe për Kolendra, Kërshëndella (Krishlindje), Viti i Ri, Ujët e Bekuar, Shëngjergj, Shëngjin a në ndonjë festë tjetër. Të tilla zjarre janë rite për pjellori, për shtesë prodhimi, për mbarësi në familje. Djegia e kashtës në këto zjarre nuk është gjë e rastit; në kohën kur këto rite ishin më të plota, ajo ka pasur një kuptim e rëndësi të veçantë në ritet e besimet popullore. Për këtë na flet edhe mitologjia krahasuese ndër popujt e ndryshëm të botës, se zjarret duhej të ndizeshin doemos në tokën e fisit, në kopësht, në oborr, në arë, por ndodhte që ndizeshin dhe në kodra. Është e ditur që këto zjarre në origjinë kishin për qëllim t’i jepnin fuqi diellit e pastaj dielli t’i jepte forcë prodhimit të ri bujqësor. Në përgjithësi, këto zjarre kishin të bënin me ripërtritjen e natyrës, të bimësisë në këtë stinë, kishin të bënin dhe me vdekje simbolike e ringjallje të hyjnisë së prodhimit, sidomos zjarret me kashtë e gjëra të vjetra të shtëpisë. Djegia e kashtës, zjarret në kopshte, hedhja e hirit në vazhdim, japin simbolikën e djegies së hyjnisë së drithit, me qëllim që ajo të ringjallej e të ripërtrihej me anë të hirit të saj. Me ritin e sjelljes së kashtës së ndezur në ajër, lidhur me një litar ose mbi një shkop, kemi të bëjmë me formimin e rrotës së zjarrtë dioellore, fenomen që e ndeshim edhe në popuj të tjerë të Europës, por në variante të ndryshme. Ky veprim, në fund shek. XIX, e në shek. XX, për fëmijët e të rinjtë qe lojë e argëtim, ndërsa për të rriturit, qysh nga lashtësia, riti ka patur kuptimin e formimit të diellit të zjarrtë në lëvizje dhe që bëhej si një veprim magjik për t’i dhënë atij fuqi. Kemi të bëjmë me kultin e diellit e lidhjen e tij me pjellorinë ë në bujqësi, nëpërmjet demonit të drithit, kashtës, që, në thelb, simbolozon hyjninë e drithit e lidhjen e saj me diellin, aftësinë e saj për t’u kthyer, si të thuash, në diell, për t’i ngjarë atij e për të marrë prej andej forcën që t’ja japë prodhimit të ri bujqësor të familjes, fisit, grupit.
Me pak fjalë, ritet në përgjithësi, kishin lidhje me ripërtëritjen e ringjalljen e natyrës në pranverë dhe me purifikim, siç ishin djegia e mbeturinave të shtëpisë në oborr të saj. Rite të Ditës së Verës kanë kaluar edhe në festa të tjera të krishtere; në disa raste edhe në festën e Nevruzit, që bie 10 ditë më vonë.
Etnologu Tirta 25 marsin e quan Dita e përtëritjes së natyrës dhe sqaron se, ndër shqiptarët, njihej ndër ata që ishin katolikë me emrin “Dita e Zojes”, ndër ata që ishin ortodoksë “Vangjelizmoi” dhe në atë datë binte dhe “Nevruzi”, për ata që ishin myslimanë. Kjo festë bie në afërsi të kthesës pranverore të diellit, kur dita e nata bëhen njësoj (ekuinoksi i pranverës). Me këtë festë, siç duket, ka lidhje dhe 19 marsi, një festë e vjetër që kishte të bënte me gratë e me vajzat. Më 19 mars bëhej tatuimi i vajzave në Shqipërinë Veriore e në Mal të Zi, sipas të dhënave që na jep M. Durham. Në origjinë këtu kemi të bëjmë me mitet mbi vdekjen dhe ringjalljen e perëndive të pjellorisë e të bujqësisë te popujt e lashtë të Mesdheut dhe të Lindjes, kemi të bëjmë me kultin e perëndisë “Nëna e Madhe”, me kultin e Atisit, që aq shumë qe përhapur në këta popuj bujqësorë. Kështu, Atisi, perëndi e bimësisë dhe e bujqësisë në Azinë e Vogël (te Frigët), në lashtësi, sipas mitologjisë, vdiste dhe ringjallej më 25 mars. Kulti i këtij dhe i nënës së tij, Kibela – “Nëna e Madhe” e perëndive, e gërshetuar me rite vendëse të këtij lloji, u përhap në Grekët e Vjetër e në Romakë. Në Romë, në shekullin e III para Kr., nga 15 deri 27 mars u bë festa zyrtare e “Nënës së Madhe” të Atisit, i cili me shkopin e tij shpoi veten dhe skuqi tokën me gjakun e vet. Nga ky gjak toka mori forcë gjelbërimi të veçantë e u zbukurua me lule. Atisi vdes, por më 25 mars festohet ringjallja e tij. Ritin e vdekjes dhe të ringjalljes së perëndive e gjejmë dhe te Grekët e Vjetër në lidhje me Dionisin dhe me ndonjë perëndi tjetër të pjellorisë; e gjejmë edhe tek Egjiptianët, te Feniko-Asirianët me Adonisin. Këto rite u përhapën e u gërshetuan midis tyre që në lashtësi në popuj të ndryshëm të Mesdheut dhe përbënin tipare karakteristike për popujt bujqësorë të këtij pellgu. Riti i vdekjes dhe i ringjalljes së perëndisë së pjellorisë në kthesën pranverore të diellit, kur dita e nata bëhen njësoj, e gjejmë te Sumerët në Mesopotami, te kulti i Mitrës në Persinë e lashtë e kështu me radhë.
Lidhur me këtë M. Tirta shkruan: “Ndër Shqiptarë në këtë të kremte ndeshim këto rite e zakone: vizitorin e parë përshëndetës këmbëmbarë, ndalime në prerjen e druve a çdo gjeje nga bimësia e njomë; “as toka nuk preket” se është “me barrë”. Kryhen rite të ndryshme që kanë të bëjnë me yshtje, përzehen gjarpërinjtë nga fëmijët duke tingëlluar kambana, zile, teneqe, duke fërëshëllyer nëpër ara e kopshte; kjo ishte ditë praktikash të karakterit magjik”.
3.2.8. Dita e Verës dhe Novruzi në Labëri
Zhvillimet demografike në valët e kohëve e reja e kanë lëvizur gjeografinë fizike të trevës së Labërisë, duke e zgjeruar atë jo vetëm në hapësirë, por edhe në doke, folkor, mënyrë jetese, virtyte apo dhe vese, gjithsesi, në përfshirje të njërit nga grupeve të mëdha të krahinave etnografike të popullit shqiptar, që morën pjesë në formimin e tij kombëtar, pra, siç shprehet dhe prof. Zojzi, në grupin e krahinave etnografike të Toskërisë
Ndër autorët e parë shqiptarë, që janë marrë me festat kalendarike e tradicionale të vitit dhe besime të popullit në Labëri janë dy studiues shkodranë: albanologu Kolë Kamsi (1886-1960) dhe etnologu Rrok Zojzi (1910-1995). Punimet e tyre janë bazike për studime ngushtësisht më të thelluara nga autorë të tjerë që janë marrë e merren me etnokulturën e kësaj krahine etnografike.
Dita e verës mbahet mend si festa më e gëzueshme popullore, ajo është festë pagane, që vjen nga thellësia e shekujve dhe mijëvjeçarëve. Lindi në kohën kur njerëzit u faleshin perëndive. Ashtu si grekët, thrakët, romakët dhe ilirët besonin në perëndi. Një prej perëndive të ilirëve, sipas mitologjisë, thuhet se ishte Diana Candieviensis, e cila simbolizonte natyrën, përtëritjen, gjelbërimin e mirësinë dhe, sipas të parëve tanë, kjo perëndia e natyrës ndodhej në Çermenikë. Mbi 22 shekuj më parë, ilirët, romakët dhe grekët udhëtonin drejt Çermenikës, për t’iu falur perëndisë Diana Candieviensis. Etnologët kanë shpjeguar prejardhjen e këtij rituali në malet e Çermenikës, ku Zana e ripërtritjes sillte pranverën. Për nder të kësaj zane njerëzit filluan të festonin Ditën e Verës, si një festë falënderimi, bollëku dhe argëtimi… që simbolizonte fatin, mirësinë e mikpritjen.
Dita e Verës njihet si festë e gjallërimit të natyrës dhe vazhdimësisë së jetës. Thuhet se kjo ditë ka lidhje me Zanën e Çermenikës. Kjo Zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit. Kjo ditë quhet dhe dita e luleve, dita e mbarimit të dimrit. Sipas mitologjisë, përfaqëson bukurinë dhe pjellorinë femërore. Kjo ditë festohet në të gjithë vendin. Në Gjirokastër këndohet: “Moj zonjë e uruar,/ fle, apo je zgjuar?/ Hidhi llozë derës,/ se erdhi dita e verës./ Ngrehu, nuse, hap qilarë,/ të gostish këta beqarë”. Kjo ditë ka qenë një festë pranverore pagane (një marsi alla turka, d.m.th. 14 marsi). Sipas kalendarit Julian, marsi është muaji i parë vitit. Në këto ditë në Labëri njerëzit visheshin me rroba të reja, organizonin vizita te njëri-tjetri. Në këtë ditë fëmijët lidhnin në qafë dhe duart disa fije peri, me disa ngjyra, verërat, të cilat i mbajnë deri më 12 mars, që ishte dita e Novruzit dhe pastaj ato vareshin në degën e thanës, që fëmijët të bëheshin të fortë si thana.
Dita e Novruzit dikur në mesjetë duhet të festohej me gjak, me mish të pjekur në hell. Atyre djemve që lindnin më 12 mars, u vihej emri Novruz. Në ditën e 1 marsit tundeshin zilet dhe këmborët e bagëtive, për të treguar se kishte ardhur pranvera. Në Labëri e kudo bagëtia që therej për Novruz, u ndahej më tepër atyre që s’kishin bagëti e që s’kishin mundësi ta festonin me mish ditën e kësaj feste. Në Labëri zbatohen festat pagane të Vitit të Ri. Sipas kalendarit të vjetër, ndërrimi istinëve bëhej në muajin mars të çdo viti.
Njerëzit besojnë atë që dhe studiues të ndryshëm shkruajnë se si dhe pse u spostua dita e vitit të ri nga 1 marsi në 1 janar. Studiuesi ushtarak B. Hysenaj do të merret edhe me këtë detaj, ku thekson: “Para 2000 vjetësh, perandori i Romës kërkonte t’i hapte luftë shtetit fqinj në muajin dhjetor, po pleqësia mbretërore nuk ishte dakord, e cila zgjidhej në Vitin e Ri të çdo viti (në 1 mars). Atëhere mbreti nxorri vendimin që Viti i Ri të bëhej në 1 janar, kjo ditë do të quhej dhe ndërrimi i vitit. Atëherë bëri zgjedhjen e pleqësisë së re dhe filloi luftën. Qysh atëherë një janari mbeti viti i ri.
Kur trajton elemente të lashtësisë në kulturën shpirtërore të trevës së Kurveleshit, që përbën dhe qendrën gjeografike të krahinës etnografike të Labërisë, prof. Memushaj, duke zbërthyer gjurmë të kalendarit diellor (kalendarit të vjetër) të të parëve tanë, shkruan: “Në festën e Ditës së Verës, që, sipas kalendarit të vjetër, binte më një mars, fëmijët vinin në duar e në qafë plekjse penjsh të kuq e të bardhë, që i quanin verore, apo guduvere,të bëra me pleksje penjsh të bardhë, të kuq dhe të zinj; dilnin lëndinave për të mbledhur lule e bënin me to kurora, që i vinin në kokë; tundnin këmborë e zile dhe shkonin shtëpi më shtëpi, duke simbolizuar me këto ripërtritjen e natyrës së fjetur dhe një blegtori të mbarë.
- Dita e Verës ndër bullgarë
Festa e Verës dhe simboli i verores në traditën bullgare na vlen ta njohim jo thjesht si një kulturë të tjetrit, por që edhe ne t’i bëjmë festat popullore të bukura, të gjalla, gëzueshmërisht të freskëta, siç i kanë festuar të parët tanë brez pas brezi. Për bullgarët, “Gjyshja Marta” është një nga festat më të bukura. Çdo 1 Mars, Bullgaria ndriçon me ngjyra të bardha e të kuqe. Rikujtojmë ritualet tona, si vepronte ndër ne nusja në ag të mëngjesit, tek fekste në oborr të shtëpisë, me urimet për fëmijët, vijimin e jetës, që të jenë të shëndetshëm, të dashur, të pastër, “të ëmbël si sheqeri, të bardhë si veza, të kuq si vera”. Ja këto janë elemente përbashkues në traditat e banorëve të dy ndër popujve më të vjetër të rajonit tonë të Ballkanit. Në Bullgari, të vegjëlit dhe të mëdhenjtë zbukurojnë me fije të ndërthurura të bardha e të kuqe. Dielli ndriçon më fort, dita bëhet më e gjatë, njerëzit buzëqeshin më shumë. Dimri po largohet, ndërsa pranvera po vjen, lind shpresa për më shumë shëndet, mirësi dhe bereqet. Në këtë punim, aq sa na lejon hapësira e një shkrimi, trajtuam këndvështrimin e folkoristit dhe etnologut Gj. Komnino. Është e mbarënjohur, se dhe në Shqipëri “Dita e Verës”, siç quhet festa jonë më popullore, është festuar që në lashtësi. Kjo ditë është data 14 Mars, kur njerëzit urojnë njeri-tjetrin për një vit të mbarë, për më shumë fat dhe shëndet. Në mënyrën më të bukur dhe më festive kjo ditë organizohet tradicionalisht në qytetin e Elbasanit. Sheshet dhe rrugët e këtij qyteti mbushen me njerëz të të gjitha moshave dhe ndjekin programe të ndryshme kulturore dhe festive. Simbol i kësaj feste dhe këtu janë veroret, që bëhen me fije të bardha dhe të kuqe, të thurura, si dhe ballokumet, simbol i dashurisë dhe ëmbëlsisë. Kujtojnë djalin dhe vajzën për të qenë të lidhur përjetësisht. E kuqja simbolizon dashurinë e pastër e të zjarrtë, e bardha pastërtinë e dëlirë me dritë qumështi.
4.1. Besimet popullore për “Gjyshe Martën”
Sipas besimeve popullore, “Gjyshe Marta” jeton larg, larg në mal. Ajo sheh e dëgjon gjithçka që ndodh në tokë. Emri i saj “Marta” vjen nga emri i muajit “Mars” (“mart” përkthyer në bullgarisht). Në qoftë se “Gjyshe Marta” buzëqesh, dielli ndriçon; në rast se zemërohet, moti keqësohet, bëhet ftohtë, fryn erë, bie borë dhe shi, zogjtë nuk cicërojnë. Prandaj, që nga kohërat më të lashta deri më sot e kësaj dite, çdo vit më 1 Mars bullgarët stolisen me fije të bardha e të kuqe, që të jetë e kënaqur “Gjyshe Marta”. Sipas traditës, duhet stolisur edhe bagëtia dhe dera e shtëpisë, që të mos ketë sëmundje dhe për të prishur syrin e keq. Besohet, se pasi i sheh këto fije, “Gjyshe Marta” do të buzëqeshë dhe dielli do të ndriçojë. Siipas traditës, çdo vit, më 1 Mars bullgarët i dhurojnë njëri-tjetrit verore, ose “martenica”, siç është fjala bullgare.
Ngjyrat e martenicës mbjanë simbolikën dhe magjinë e lashtësisë. Fija e kuqe është e lidhur me forcën, gjakun, diellin dhe ngrohtësinë. Në fakt, e kuqja përdoret shumë dhe në kostumet popullore bullgare dhe në qëndisjet bullgare. Nga ana tjetër, fija e bardhë është fillimi i mirë dhe drita. Sipas traditës, verorja hiqet dhe vihet nën ndonjë gur të madh, kur shohim lejlekun e parë. Pas nëntë ditësh, duhet të shohim se çfarë insektesh ka nën gur. Sa më shumë janë ato, kaq më i madh do të jetë bereqeti i vitit. Sipas një besimi tjetër, veroret hidhen në lumë, që të na ecë mbarë. Ka dhe një zakon tjetër. Çdo njëri duhet të zgjedhë një ditë nga 1 marsi deri më 22 mars. Në vartësi të motit në këtë ditë, i tillë do të jetë edhe fati i njeriut gjatë tërë vitit. Në qoftë se moti është me diell dhe i ngrohtë, njeriu do të ketë fat të mirë, në rast se është i keq, do të ketë një vit të vështirë.
Sot martenica është simbol i dashurisë, shëndetit dhe jetës së gjatë. Ngjyra e bardhë simbolizon pastërtinë e marrëdhënieve midis njerëzve, kurse e kuqja është simbol i ngrohtësisë dhe miqësisë. Sipas traditës, veroret bëhen me fije të kuqe e të bardha prej leshi, por fantasia e bullgarit nganjëherë e ndryshon pak martenicën, duke ndërthurur dhe fije me ngjyra të tjera, rruaza, monedha etj. Veroret më të përhapura janë byzylykët. Më 1 mars disa njerëz madje vishen me rroba të bardha dhe të kuqe. Në qoftë se deri më 25 mars nuk shohim lejlek, verorja lidhet te ndonjë pemë.
Ka disa legjenda për prejardhjen e verores bullgare, por të gjitha ato janë lidhur me protobullgarët dhe me themeluesin e shtetit bullgar Hanin Asparuh. Një prej tyre na kthen rreth 1300 vjet prapa, kur Hani Asparuh kërkonte troje të reja për bullgarët, pasi Hunët e kishin shpartalluar atdheun e tij dhe e kishin zënë robinjë të motrën, Huba. Pasi mbërriti në trojet e sotme bullgare, Hani Asparah i dërgoi motrës së tij një lajm me anën e një sokoli, ku e informonte atë për trojet e gjetura nga ai në jug të lumit Danub, ku kishte si qëllim të themelojë shtetin e ri bullgar. Huba arriti të ikë, i lidhi sokolit një fije prej mëndafshi, që ta lajmërojë vëllanë për mbërritjen e vet. Sokoli e çoi vajzën në tokën e re, por një shigjetë armiku e goditi shpendin, ndërsa gjaku ngjyrosi fijen. Pas lajmit të mirë për shpëtimin e motrës së tij, Hani Asparuh filloi ta griste fijen e lidhur në këmbën e sokolit dhe t’ua lidhte duarve të ushtarëve të tij, duke dhënë urdhër që këto dy ngjyra të jenë gërshetuar gjithmonë në këtë mënyrë sis simbol i unitetit bullgar. Kjo ndodhi më 1 Mars të vitit 681. Atëherë këtë ditë festohej Viti i Ri. Që nga ajo kohë deri më sot fija e bardhë dhe e kuqe simbolizon unitetin e bullgarëve dhe na kujton për udhëheqësin e parë bullgar Aspahuh.
- Rrjedhave të kohës
Ballkani multietnik, ky gadishull i mbushur edhe me tragjedi njerëzore, jo rrallë herë ka qenë i paragjykuar pikërisht nga europianët, që e pagëzuan me këtë emër (shtysa nga malet Ballkan në Bullgari?!). “Shtetet bymeheshin e tkurreshin, dhe popullsitë e tyre bëheshin, zyrtarisht të paktën, nënshtetas të një sundimtari të ndryshëm nga i mëparshmi”. Ka qarkulluar një shprehje këto shekujt e fundit: “Ballkani është fuçi baroti”, e cila nuk duhet të trashëgohet brezave që vijnë. Për këtë çdo qytetar i Ballkanit duhet të punojë, të kontribuojë, që Ballkani të mos jetë fuçi zjarri, por një vazo me lule të bukura në kopështin e botës njerëzore. Të mos jetë Ballkani një fuçi baroti, por një pikël e kaltër në glob [se ndër 9 planetet e Sistemit Diellor, sipas largësisë nga Dielli: Mërkuri, Afërdita (Venusi), Toka, Marsi, Jupiteri, Saturni, Urani dhe Plutoni, planeti ynë i Tokës, me moshë rreth 4.57 miliardë vjeç dhe i vetmi trup qiellor ku dihet se ka jetë, është një grimcëz në Galaktikën tonë, por, edhe pse ka formën e dardhës, ende nuk është një dardhëz e ëmëbël për banorët e saj. Të mos ketë Ballkani njerëz që e urrejnë njëri tjetrin, por të ketë burra me dinjitet, zonja aristokrate, dhëndurrë hyjnorë e nuse bregdeti. Për këtë synim human e altruist, në traditat më të mira të të parëve tanë, mbështetur në Etnologjinë dhe Folkorin e dy popujve tanë, me afritë në jetën ekonomike (me ushqimet, mënyrën e të ushqyerit, traditat bujqësore e blegtorare, veshjet popullore, banesat tradicionale e artin e të ndërtuarit), në kulturën shoqërore e shpirtërore (me familjen, lidhjet e afërisë së gjakut, farefisin, të drejtën dokesore, migrimet e formimet e diasporave, mitet, ritet e besimet popullore) me artet popullore të aplikuara dhe me thesaret e folklorit, si krijimtari artistike specifike, bullgarët dhe shqiptarët mund ta japin fisnikërisht kontributin e tyre qytetar, që mozaiku ylberor i kulturave të këtij qytetërimi të pasur, të feks bukurisht në qiellin e ballkanasve me emër. Cilësojmë se, mbi këtë lidhje të lashtë nëpër mijëravjeçarë e shekuj dhe në rrjedhat bashkëkohore, sot, shqiptarët e bullgarët kanë ura të forta komunikimi. Hristo Botev është poeti kombëtar i Bullgarisë, sjellë në shqip nga i madhi Fatos Arapi dhe shumë i përqyer nga letrësidashësit shqiptarë dhe nga gjithë liridashësit me dinjitet.
Letërsia e Elin Pelinit është e ngrohtë, e dashur, e pëlqyeshme edhe nga shqiptarët, sepse është letrësi e vërtetë dhe në shërbim të edukimit estetik e arrtistik të të gjithë njerëzvve, jo vetëm Bullgarëve. Janë botuar edhe dy libra të shkrimtarëve të njohur Ivan Vazov dhe Nikola Vapcarov. Nga vitet 1940-1960, në Bullgari kanë mbaruar shkollat e larta rreth 400 studentë shqiptarë. Këta janë bërë ambasadorët dhe propaganduesit më të mirë të historisë dhe kulturës së lashtë dhe bashkëkohore të popullit bullgar në vendin tonë.
Bullgarët e shqiptarët kanë karakteristikat e tyre e tashmë dallohen nga gjuha, por veshjet, poezinë popullore, muzikën, instrumentet, vallëzimin popullore e kanë burimor, të bukur, brilant. Bartësit, interpretuesit dhe përhapësit e folklorit janë konsujt vullnetarë të dashurisë mes popujve tanë. Nuk është e nevojshme të rendisim kronograma (detaje kronologjike) për zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro – bullgare, mjafton të përmendim Festivalin Ndërkombëtar të Vlorës. Kujtojmë që kjo veprimtari nisi 9 vjet më parë e vijon çdo vit, po në Vlorë. Krahas grupeve të tjera folkorike, mori pjesë dhe Ansambli Folkorik Akademik Sofje, me një biografi të pasur artistike, gati 70 vjeçare, me drejtor të përgjithshëm artistik Ivan Todorov. Nga biseda me drejtuesin, mbajmë mend, që na thoshte, se në Bullgari, çdo valle e kërcim ka kostumet e veta, sepse veshjet popullore janë shumë të rëndësishme për prezantimin shpirtëror të një vendi. Një kërcim është i mirë kur shikuesi e ndjen në të vërtetë, e nëse nuk ekziston kjo ndjenjë e veçantë, ajo mbetet thjesht gjimnastikë, pa u bërë dot kërcim. Në pesë rajonet që ka Bullgaria, përveç veshjes së burrave ku diku dominon ngjyra e bardha, diku e zeza e në tjetër rajon veshja me ngjyra të errëta, paraqet interes veshja e grave. Tek kostumet e tyre, dallojmë sa vjeçe është gruaja. Kuptojmë se janë të fejuara apo jo edhe nga pasuria e kostumit. Me kalimin e kohës për to, kostumet bëhen më të thjeshta, nuk mbahen ngjyrat e çelëta, por kalohet tek e errëta. Edhe mënyra e lidhjes së shamisë është e rëndësishme, për të kuptuar nëse është e fejuar, e martuar, apo ka fëmijë të vogël. Më miqësore e bëri bisedën, kur Ivani na tregon se në vitet 1960-’70, Radio Sofje kishte një program dy herë në javë, ku transmentonte muzikë shqip. Një pikë e fortë kontakti, që e mban miqësinë korrekte, është kolonia me shqiptarë që banon në Bullgari.
- Dëshira, ide
Për nder të Festës Kombëtare të Republikë së Bullgarisë (3 Mars 1878), që përkon me Ditën e Verës “Gjyshja Marta”, simbolin e verores në traditën bullgare, që e festojnë çdo 1 mars (ndërsa ne, shqiptarët çdo 14 mars), Ambasadori i Republikës së Bullgarisë në Republikën e Shqipërisë Z. Dimitar Arnaudov, mirëpriti iniciativën e Konsullit të Nderit të Republikës së Bullgarisë në Shqipëri z. Selim Hoxhaj për të ndërtuar një urë lidhëse midis kulturave përkatëse dhe në Vlorë. Në bashkëpunim me Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës dhe mbështetjen e nevojshme nga Rektori prof. Roland Zisi, organizohet ky takim mbresëlënës, shoqëruar dhe me prezantimin e 21 hartave (posterave), ku njihemi me historinë dhe etnokulturën e thrakëve dhe bullgarëve. Ky takim po ndërton një urë komunikimi miqësor për të ardhmen me veprimtari të mira, të bukura e të dobishme, midis institucioneve tona që përhapim kulturë, shkëmbim eksperience, tregtie etj., si dhe për t’u integruar në BE, në Botën qytetare.
Në mbyllje, do të dëshironim, të mos ishte vetëm Tirana qendër e shkëmbimit të informacionit kulturor dhe shkencor me Sofjen, por edhe Vlora bregdetare, gjykojmë se e meriton jo vetëm takimin e dorën së miqësisë në kuadrin global, ceremonial apo festiv, por edhe në një rrafsh më të ngushtë të Sofjes me Vlorën për lidhje e bashkëpunim, shkëmbime përvojash në nivel universitar, por edhe në fushën e bibliotekave, me Sektorin tonë të Shërbimeve të Librit dhe shkencën e Bibliotekonomisë. Sistemi bibliografik rajonal COBISS.Net, si mbështetje për dije dhe dialog ndërkulturor, ku krahas vendeve të tjera të Ballkanit, përfshihen dhe Bullgaria e Shqipëria, mund të jetë një dallëndyshe tjetër ogurbardhë në pranverën e ngrohtë të miqësisë së dy vendeve tona me rrënjë në tejlashtësi, por të forta, se nuk i shkulën dot furtunat e kohërave. Edhe pse “është tjetër gjë lashtësia e një populli dhe tjetër niveli kulturor që ai arrin në një periudhë të caktuar historike të tij”, – sqaron prof, Korkuti dhe, se patjetër “të gjithë duan të dinë kush ishin stërgjyshërit e shqiptarëve, ç’lidhje kishin me arbërit, me ilirët dhe më lashtë me parailirët (pellazgët?)”. Po kështu gjykojmë për banorët e sotëm të krahinave që trajtuam, se për çështje madhore për historinë e shqiptarëve dhe bullgarëve, siç është etnogjeneza e tyre, duhet të sinkronizohen me atë të banorëve të tjerë të Europës JL.
Kultura paleoballkanike thrake dhe ilire, jo vetëm për thrakologët dhe ilirologët, mendojmë se duhet të jetë objekt studimi me gjuhët përkatëse, letërsinë, historinë, fenë, artin, ekonominë dhe etikën, sepse udhën e kanë çelur Wilhelm Tomaschek etj., në fund të shekullit të 19-të për thrakologjinë apo Hahn, S. Frashëri, Jokli, Çabej, Hasan Ceka, Frano Prendi, Skënder Anamali, Jakov Milaj, Buda, A. Stipceviq etj.
Përfundime
Jemi të mendimit, se vlen të bëhen apo të bëjmë studime ngushtësisht të thelluara mbi raportet tona me fqinjët. Në qoftëse do ta quanim Ballkanin një mëhallë të vjetër të Europës, do ta gjykonim jo vetëm me vend, por edhe pak të vonuar në kohë, për një pëllëmbë hapësirë që përbën Ballkani apo dhe vetë rajoni i Mesdheut, shikimin në rrafshin e antropologjisë kulturore dhe sociale të marrëdhënieve shqiptaro-greke, shqiptaro-serbe, shqiptaro-maqedonase, shqiptaro-rumune, shqiptaro-bullgare, në përgjithësi marrëdhëniet tona me vllehët, ato shqiptaro-kroate, shqiptaro-malazeze, shqiptaro-boshnjake, shqiptaro-italiane, edhe shqiptaro-sllovene, sipas kriterit kronologjik, duke nisur studimtarinë nga zanafilla e mënyrës së jetesës, kontaktet, shkëmbimet, shtegtimet etj., ndjekur në përditësimin e tyre deri në sotmëri, me përveçimet dhe përbashkimet e tyre dokesore, referencat morale, etj. Non de solo pane vivit homo (jo jetëm buka e mban njeriun gjallë). Shtegtarët në rajonin tonë janë sulur e turren për të shijuar bukuritë apo pasuritë e nën tokës? Deri tani kemi arritur në këto paraqitje, por ndoshta pas një kohe, në respektim të kriterit “ethnographie at home” (etnografi në shtëpi, kultura tradicionale) vlen të studiojmë jo vetëm si na kanë parë të tjerët, ç’mendojnë të tjerët për ne si ballkanas, si mesdhetarë, si shqiptarë, por si jemi ne në realitetin e përditshëm jetësor. Nga studimet e bëra, kemi vërejtur se tendenca e jo pak perëndimorëve për Ballkanin ka qenë klasifikimi orientalist, që i bëjnë ata, duke e “katandisur” për një kohë të gjatë në cepin më pak të njohur të Europës. Ndërkohë, lëvizja e mentaliteteve është pozitiviste dhe progresiste për ne. Edhe europianët, edhe ballkanasit synojnë europianizimin e Ballkanit, ku, në këto zhvillime të vrullshme, vërehet se Kosova është faktor bazik i këtij europianizimi. Nuk do të merremi me ato grupime a klika të errëta ekstremiste, që gërvishin keq plagë të mbyllura apo të paqena për “ballkaninizim” të Europës, edhe pse etnocentrizmi është karakteristikë e çdo shoqërie, edhe pse koncepti kultural: “Ne jemi më mirë se të tjerët”. Gjykojmë se ka ardhur koha të synojmë, që Ballkanin nga “një fuçi baroti” ta bëjmë “një fuçi vere”, së pari për veten tonë, për njei-tjetrin, për miqtë, pastaj për të tjerët, si pjesë e së tërës.
*MSc. Albert HABAZAJ/ studiues, Dr. Evis ÇELO/ përkthyese, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, Albania
Bibliografi
Braudel, Fernand: “Mesdheu, hapësira, historia, njerëzit dhe traditat”, Tiranë, Botimet IDK.
Habazaj, Albert: “Një vështrim mitologjik mbi festat kalendarike e tradicionale të vitit dhe lirikën rituale”, “Tirana Observer”, e përditshme e pavarur, viti XI i bot. nr. 3103, 25 korrik 2015.
Hysenaj, Bardho: “Histori e Labërisë”, Tiranë, Redona, 2011.
Jezernik, Bozidar, “Europa e egër”, Tiranë, Plejad, 2010.
Konitza, Faik: “Vepra”, Tiranë, Konica, 2007.
Korkuti, Myzafer: “Parailirët, Ilirët, Arbërit, histori e shkurtër”, Tiranë, Toena, 2003.
Ribezzo, Francesco: “Premesse storico – linguistiche sull’ autoctonia ilirica degli Albanesi”: Rivista d’Albania, Viti 1940.
Mustilli: “L’iliriccità del popolo Albanese”, Rivista d’Albania, 1942.
Milaj, Jakov: “Raca shqiptare – studim anthropologjik e historik”, bot. 2, Tiranë, Euroriliondja, 1995.
Memushaj, Rami; “Histori e Kurveleshit, 1”, Tiranë, Toena, 2004.
Murzaku, Thoma; Mullai, Abaz: “Historia e Ballkanit – nga antikiteti i vonë deri në shek. XVII”, Tiranë, SHBLU, 2002.
Nopça, Franc Baron: “Udhëtime nëpër Ballkan”, dispencë.
Turchi, N.: “La religion di Roma antica”, Bolonjë, 1939.
Tirta, Mark: “Etnologjia e shqiptarëve”, Tiranë, Geer, 2006.
Tirta, Mark: “Mitologjia ndër shqiptarë”, Tiranë, Shkenca, 2004.
Turchi, N.: “La religion di Roma antica”, Bolonjë, 1939.
Wachtel, Andrew Baruch: “Ballkani në historinë botërore” Tiranë, Toena, 2012.
Zojzi, Rrok: “Etnografia shqiptare, I”, Tiranë, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, Sektori i Etnografisë, 1962.
http://habazaj1.rssing.com/chan-20649031/all_p3.html; “Dielli” / “The Sun”, 03/13/2014- -05:52; “Dielli” / “The Sun”, 03/15/2014- -06:04.
http://habazaj1.rssing.com/chan-20649031/all_p3.html
http://24-ore.com/?p=124680
Kostum popullor i Lunxhërisë, Jugu
Kostum popullor, Serbi
Krahasim kostumesh popullore serbe dhe shqiptare
Mozaiku kulturor i popujve ballkanas
Komentet