Titulli i shkrimit mund të duket i ekzagjeruar.
Le ta bëjmë një analizë mbështetur në të dhëna zyrtare.
Sipas censit të vitin 2001 popullsia e Shqipërisë ishte 3.069.275 banorë.
Sipas censit të vitit 2011 popullsia e Shqipërisë ishte 2.821.977 me një rënie 8%.
Dihet se më 1945 popullsia e Shqipërisë ishte 1.2 milionë banorë dhe në censin e viti 1985 Shqipëria kishte arritur 3 milionë banorë.
Sipas të dhënave zyrtare, popullsia e Shqipërisë më 1990 ka qenë 3.3 milionë banorë.
Emigracioni nisi me hyrjen në Ambasadat;
largimi drastik nisi prej 1997 dhe
kulmoi gjatë dekadës së fundit me shpopullimin katastrofik të Shqipërisë.
Thuhet katastrofik sepse Shqipëria po shpopullohet nga banorët e saj autoktonë, që flasin shqip.
Sipas censit të 2023 – Shqipëria ka zbritur në 1.4 milionë banorë me një rënie 50%. Gati sa në vitin 1945.
Vetëm në konflikte dhe kriza humanitare mund të ndodhin shpopullime të tiĺla.
Prandaj e nxjerr në spikamë se Edi Rama vetëm me kryekasapin e Ballkanit mund të krahasohet, sepse krimineli Milosheviç e konsideronte lindshmërinë e lartë të Kosovës “genocid demografik ndaj serbëve” dhe, për ta ndaluar, ndërmori spastrim etnik kundër shqiptarëve.
Milosheviçi përdori dhunën dhe makinerinë ushtarake kundër popullsisë civile shqiptare në Kosovë.
Edi Rama e shpopulloi Shqipërinë përmes korrupsionit, krimit të organizuar dhe zhdukjes të të gjitha elementëve të shtetit të së drejtës.
Në censin zyrtar të 2023 që qarkullon popullsia në Shqipëri rezulton të jetë rreth 2.76 milionë banorë.
Këtu bëhet një manipulim i pastër sepse llogaritemi edhe ne, diaspora, që kemi lindur aty, por jo fëmijët që kemi lindur në Perëndim.
Pra, ndërsa në Shqipëri kanë mbetur 1.4 milionë banorë, diaspora shqiptare jashtë llogaritet të paktën 3 milionë banorë.
Duhet të vë re:
Shqipëria hyri në një sistem diktatorial menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore që u shoqërua me vrasje, burgosje, torturime të elitave dhe kundërshtarëve politikë, me internime të familjeve dhe diskriminim të familjarëve, duke nisur prej fëmijve, grave e të moshuarve. Sistemi komunist në Shqipëri, prej 1944 deri më 1991, kreu krime kundër njerëzimit.
Rrëzimi i diktaturës ishte gjysmak, pa plotësuar kushtin e domosdoshëm të dekomunistizimit dhe hapjen e Dosjeve,
duke i dhënë shans më 1997 rikthimit me dhunë të ish komunistëve përmes një konflikti civil;
gjatë 1997 deri më 2005 trashëgimtarja e PPSH, PS rehabilitoi nomenklaturën e regjimit komunist që vuante dënimet nëpër burgje për kafe dhe lëng portokalli, ndërkohë që riktheu ish Sigurimin dhe Shqipëria filloi të krahasohej – për sa i përket lulëzimit të trafikimit të qënieve njerëzore dhe narkotikëve – me Afganistanin;
Qendra e djathtë që u rikthye në pushtet më 2005, në vend që të reformohej, vazhdoi të distancohej me shtresat që e votuan, i largoi zyrtarët me integritet, hyri në aleancë me LSI dhe i thelloi gabimet, por pati arritje me rëndësi kombëtare sikur hyrja e Shqipërisë në NATO, në zonën Shengen, Rruga e Kombit dhe Tuneli i Krrabës, duke e kthyer Elbasanin lagje të Tiranës. Gjatë kësaj periudhe Shqipëria u shënua nga Lazarati, 21 janari dhe Gërdeci.
Pas rotacionit, më 2013 vjen PS me në krye Edi Ramën dhe, për dhjetë vjet, sistemi demokratik tashmë është i kapur në çdo segment, çdo pushtet është në duart e udhëheqësit, përfshi mediat, drejtësia është e sfiduar nga krimi i organizuar e mafia që kanë hyrë në simbiozë me shtetin. Shqipëria është kthyer një lopë për ta mjelë vetëm Edi Rama me oligarkët, administratën, militantët, elitën skllave dhe shërbyesit, ku informaliteti mbizotëron ekonominë, ku kryetari i opozitës është në arrest shtëpie, ndërsa opozita s’ka asnjë fuqi vote dhe shumë e dobësuar, jo vetëm prej Kolonës së Pestë, deputetë të PD dhe kryetarë partish me nga 5 mijë anëtarë, që Edi Rama i ka blerë dhe komprometuar por edhe për faktin sepse ende kjo forcë politike nuk ka një strategji kombëtare dhe operon me elementë të konsumuar, duke i mbajtur të larguar figurat që do t’i kthenin shpresat elektoratit të qendrës dhe atij gri.
Vendi do vazhdojë të mbetet në kolaps deri kur shqiptarët të kenë një sistem zgjedhor demokratik, ku të përjashtohet roli i kryetarëve të partisë për të zgjedhur deputetët e listave dhe t’i hapet garë zgjedhjeve të lira. Sa i përket sistemit zgjedhor shembull për t’u marrë është Kosova.
Që Shqipëria të mos përmendet si narkoshtet e të përfaqësojë realisht një shtet anëtar të NATO-s, duhet të përmbushë obligime sikur Gjermania Perëndimore veproi nën protektoratin e Aleatëve me në krye SHBA menjëherë pas LDB me denazifikimin apo pas riunifikimit të saj më 1989-1991. Pra duhet të startojë nga dekomunistizimi, dënimi i krimeve kundër njerëzimit gjatë diktaturës, dënimi i përgjegjësve, pastrimi i shtyllave të shtetit, pastrimi i NGO, mediave nga ish eksponentët e Sigurimit e figurave të përlyera apo militantë të partisë në pushtet, lufta kundër korrupsionit përmes spastrimit të administratës nga të favorizuarit prej nepotizmit, klientelizmit, lidhjeve familjare që do t’i shërbejë sigurisë së vendit dhe të çdo qytetari.
Kompromentimi nga njerëz pranë Edi Ramës të ish shefit të kundërzbulimit të FBI-së New York Charles McGonigal tregon metodologjinë sovjetike që ka trashëguar kryeministri i Shqipërisë nga diktatura komuniste.
Sa për Partinë Socialiste, ky formacion politik me këtë background, që i qendron besnik me fanatizëm së djeshmes, duhet të zhbëhet.
Ka plot socialistë me bindje europiane dhe po ashtu të rinj eurosocialistë që duan të ndërtojnë një Shqipëri ku të funksionojë shteti i së drejtës, me shtet social për një jetë të dinjitetshme, i dalë nga zgjedhje të lira e të drejta. Shqipërisë duhet t’i kthehet pluralizmi politik, garës së më të mirit, meritokracisë, që vendi i punës të mos trashëgohet për bindje politike e duke shërbyer qorrazi, por prej aftësive dhe shërbimit të barabartë ndaj qytetarëve, pa dallime partiake.
Vetëm shteti i së drejës mund të ndalë shpopullimin dhe drain brain, përkundrazi të kthejë trurin, fuqinë punëtore dhe shpresën për rininë.
Kush është shqiptar, pavarësisht bindjeve politike, duhet t’i bashkohet një projekti të përbashkët kombëtar për një Shqipëri për të gjithë, me duart të pastra, pa reminishenca nga e shkuara që po e mbyt vendin prej 80 vitesh.
Duke patur parasysh burimet natyrore që i ka falur Zoti Shqipërisë, pozicionin strategjik dhe burimet e vërteta njerëzore, që duan ta fitojnë jetën e tyre, të familjeve dhe të fëmijëve të tyre me punë të ndershme dhe dinjitet, për Shqipërinë dhe shqiptarët ka shpresë.