Nga studio e emisionit Log, dy ditë më parë, Prof.Paskal Milo, ish-Ministër i Jashtëm i Shqipërisë (1997-2001) veçoi një takim me ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit Madame Albright.
Prof.Milo kujtoi vitin 1997 gjatë një vizite zyrtare në New York, kur ai shoqëronte si shef i politikës së jashtme kryeministrin e asaj kohe Fatos Nano.
Duke iu referuar raporteve nga Ambasada Amerikane në Tiranë, zonja Albright në atë takim, që ishte edhe i pari mes tyre, tërhoqi vemendjen për dy probleme: revanshin politik ndaj opozitës dhe rikthimin në administratë të ish agjentëve të Sigurimit të Shtetit. Prof. Milo tek Log tha se Fatos Nano e kishte garantuar Zonjën Albright se raportimet nga Ambasada Amerikane në Tiranë nuk ishin të sakta, as sa i përket revanshit dhe as sa i përket kthimit në administratë të ish Sigurimsave.
Garancia që Fatos Nano i dha Zonjës Albright ishte vetëm demagogjike se, në fakt, të dhënat që kishte Sekretarja e Shtetit ishin mëse të vërteta. Më 1997 u rikthyen ish eksponentët e Sigurimit të Shtetit dhe ndaj opozitës nisi hakmarrja, pushimet nga puna dhe spastrimet e administratës me fshesë të hekurt. Përveç kësaj, pati edhe eleminime politike, siç ishte tentativa disa herë deri tek vrasja e Azem Hajdarit, vrasja e Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës Ahmet Krasniqi. E majta u rikthye në pushtet përmes bandave të Zani Çaushit e plot kriminelëve të tjerë që shpërthyen burgjet, si dhe eksplorimit të metodave të vjetra. Shqipëria kishte hyrë në një spiral dhune shumë afër luftës civile, duke bërë të harrohen 1992-1996, kur shqiptarëve iu lindi shpresa për liri dhe demokraci.
Asaj kohe, së cilës i referohet Prof.Milo, me firmën e tij, u shkarkua i gjithë trupi diplomatik i Republikës së Shqipërisë dhe pothuaj të gjithë diplomatët me familje në shtetet e BE ku shërbyen morën statusin e azilantëve politikë, pra Perëndimi e pranoi de jure se qeveria e Shqipërisë as nuk garantonte jetën e zyrtarëve të opozitës dhe as nuk ishte një vend i sigurt.
Me këtë rast, do t’i kujtoj Prof. Milos ambasadorin e emëruar në vitin 1997 në Zvicër, Vladimir Thanati, i cili, sapo vuri këmbën në Ambasadën e Shqipërisë në Bernë, ato pak ditë që ishim aty, na trajtonte si armiq. Por nuk u mjaftua vetëm me kaq. Në mënyrë të sinkronizuar me Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, sapo u mor vesh se do të qëndronim në Zvicër, përmes buletinit në anglisht të ATSH – domethënë agjencisë së lajmeve shtetërore, do të shpërndante lajmin e rrejshëm se “Zvicra e kishte shpallur diplomatin Skënder Buçpapaj non grata”, ndërsa nga ana tjetër Vladimir Thanati do të thërriste të gjithë përkthyesit shqiptarë që bashkëpunonin pranë Zyrës Federale për Refugjatë dhe do t’i urdhëronte që tek autoritetet zvicerane “të nxinin gjithçka për çiftin Buçpapaj me qëllim që të mos merrnin azilin politik”. Padyshim që përkthyesit i kanë ndjekur urdhërat e shokut Vladimir e shefave të tij, ndërsa shteti zviceran nga ana e tij, së pari, na dha të drejtën të ushtronim profesionin e gazetarit, më vonë azilin politik deri sa do të natyralizoheshim.
Prej famëkeqit 1997 e deri më sot Ambasada e Shqipërisë në Bernë është kthyer në një fole të molepsur të ish nomenklaturës komuniste dhe padyshim e ish Sigurimit të Shtetit.
Po i kujtoj Prof.Milos se Vladimir Thanati, në një Shqipëri të izoluar bunker, ku nuk dilte dot as edhe një mizë, si një njeri shumë të besuar, Partia e Punës e kishte çuar për studime në Paris. Ambasadori i dytë i emëruar në Bernë pas 1997 ishte Leontiev Çuçi, një ish Anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, i treti Mehmet Elezi ish Kandidat e censor i KQPPSH ,ndërsa Ilir Xheli Gjoni, like Father, like Son, që po le detyrën për ta vijuar si Ambasador në NATO (!!!!) pas dhjetë vjet “shërbimi” në Bernë – për dy mandate e gjysmë është arketipi i një trashëgimtari gjenetik direkt i PolitByrosë. Të gjithë kanë vijuar veprën e pararendësve, të etërve ideologjikë e biologjikë, duke shpërdoruar postin, duke shkelur ligjin dhe duke vënë në përdorim metoda që i aplikonte sidomos DDR në kohën e vet me ata që i konsideronte “armiq të regjimit”. Mediat e Tiranës kanë bërë me dije se kandidate për Ambasadore e RSH në Malin e Zi është ish gruaja e Bledi Çuçit, Ministrit të Brendshëm të Edi Ramës. Bledi Çuçi është bashkëshorti aktual i Delina Ficos, ish bashkëshortes së kryeministrit! Në cilin vend të BE mund të ndodhë kjo katrahurë!
Meqë Prof.Milo ka hapur arkivin, po kujtoj se në vitin 2008, pas dhjetë vjet kontributi të pandalur tek e përditshmja Bota Sot me qendër në Zürich, Skënderi si kryeredaktor dhe unë si editorialiste, pas sa e sa përpjekjesh, më në fund arritën të na largonin nga gazeta, e cila gjatë atij dhjetëvjeçari (1998-2008) u kthye në një institucion të fjalës së lirë, si gazeta me tirazhin më të madh në mbi një shekull histori të shtypit shqiptar, që shitej çdo ditë nëpër kioskat dhe Bahnhof-et e Konfederatës Helvetike, shtetet e BE-së, në New York, SHBA, Kosovë dhe një kohë të shkurtër edhe në Maqedoni, sot MV. Keni dëgjuar ndokënd të flasi për të. Nuk e përmendin. Është një nga temat tabu, sepse ishte modeli i gazetarisë profesioniste, çka bie ndesh me modelin e shëmtuar të gazetarisë sot.
Largimi ynë nga gazeta dhe shkatërrimi i gazetës Bota Sot ishte “një sukses” i kësaj bande dhe i dedikohet pikërisht këtyre “çinovnikëve” të zinj, për të cilët e kishte fjalën atë ditë të vitit 1997 në New York Sekretarja Amerikane e Shtetit Madame Albright, kur i tërhoqi vemendjen pa dobi Fatos Nanos dhe Prof. Milos. Edhe sot e kësaj dite, kur Shqipëria është anëtare NATO-s, zyrtarët dhe diplomatët e shtetit shqiptar janë të përzgjedhur me të njëjtin kriter nga një njeri që, me shpurën e tij, ka eleminuar pavarësinë e të gjitha institucioneve, përfshi edhe pluralizmin. Sot opozita ose më mirë të thuhet populli opozitar është pothuaj në të njëjtën pozitë si në vitin 1997, por nën mjete të tjera revanshi.
Prof.Milos si konkluzion dua t’i them se deduksionet e Zonjës Albright dhe kërkesat që ajo i bëri Fatos Nanos qëndronin dhe ishin të bazuara në të dhëna të sakta, por që ranë në vesh të shurdhër në dëm të shtetit. Më 1998 Fatos Nano do ta provonte edhe në lëkurën e vetë rrezikun pikërisht nga segmenti më ekstremist brenda PS dhe falangat e ish Sigurimit të Shtetit. Prej 1997 jo vetëm që nuk u morën parasysh këshillat e Madame Albright, por u thelluan rrugët dhe metodologjitë e njohura të diktaturës staliniste shqiptare për të rekrutuar dhe komprometuar zyrtarë Perëndimorë. E vetmja shpresë dhe faktor pozitiv në këtë histori për Shqipërinë është anëtarësimi në NATO, por nuk dihet se kur duhet të vijë momenti t’i kërkojë shtetit shqiptar standarde demokratike, që lidhen direkt me sigurinë e Aleancës Verio-Atlantike.
Prej 1997 nisi shkatërrimi i demokracisë së brishtë shqiptare që vazhdon pa u ndalur. Përgjegjës për këtë shkatërrim nuk është vetëm PK-PPSH-PS me në krye Edvin Ramën, që mbeti e pareformuar dhe peng i nepotizmit, kronizmit, karrupsionit e krimit të organizuar, por edhe e ashtuquajtura qendra e djathtë, PD që, megjithë arritjeve të padiskutueshme shumë të rëndësishme e jetike për vendin siç janë anëtarësimi në NATO, Rruga e Kombit, Liberalizimi i Vizave dhe aleanca luajale me administratat e SHBA, e zhgënjeu popullin dhe shmangu detyrimin për të bërë dekomunistizimin e pastrimin e aparatit shtetëror nga figura pa integritet. Ndërsa prej 1997, PS i riktheu masivisht ish Sigurimsat, e dëmshpërbleu dhe rehabilitoi ish Nomenklaturën, mbrapa nuk mbeti as PD, çka i është kthyer në boomerang duke e lënë në opozitë, por, siç e shohim, nuk ka ndonjë shqetësim të madh. Tre-katër protestat sa janë organizuar në dy vitet e fundit, me skenar e regjizurë, nuk zgjasin më shumë se dy-tre orë dhe pastaj krerët partiakë kthehen në strofullat e tyre luksoze.
Do të ishte mrekulli e Zotit sikur pasojat e këtij dëmi kaq të madh kundër sistemit, që i ngjan një gangrene të qelbëzuar, për të cilën tërhoqi vemendjen Madam Albright përpara 26 vitesh, t’i vuanin partitë dhe partiakët! Por mjerisht, këtë katrahurë e vuan shteti Shqiptar me sistemin demokratik që janë zhbërë dhe sidomos e vuajnë shqiptarët.
Establishmenti i vjetër 32 vjeçar, me të njëjtat fytyra që i lexojmë, dëgjojmë e shohim nëpër ekranet dhe mediat totalisht nën kontroll, ku përfshihet edhe vetë Prof.Milo, janë gurë shahu të kryeministrit dhe ruajtës të status quo-së. Asnjëherë nuk thonë, duke e parë veten të konsumuar shterrshëm si dordolecë, se pas tre dekadash tërheqje zvarrë popullit shqiptar, më në fund u ngopën me pushtet, për t’i lënë vendin, më në fund, në politikë një elite të re shqiptarësh të ndershëm, qofshin majtas e djathtas, që nuk kanë skeletë në sirtarë, që i falen ligjit dhe e duan Shqipërinë të jetë pjesë e Perëndimit Euroatlantik, si Europë e vlerave.
Milo tregon detajin interesant nga takimi me Albright: Na kritkoi për revansh ndaj opozitës dhe rekrutim të ish-sigurimsave të shtetit
http://www.panorama.com.al/paskal-milo-zbulon-ne-panorama-tv-takimin-e-pare-me-madeleine-albright-na-kritikoi-per-revansh-politik-ndaj-opozites-dhe-rekrutimin-e-ish-agjenteve-te-shish-ja-reagimi-i-fatos-nanos/
Zhaklina Peto, ish gruaja e Bledi Çuçit kandidate për Ambasadore në Malin e Zi: Nisma Open Balkan ogur i mirë!
https://pamfleti.net/politike/qokat-e-bablokut-motra-e-sander-frangaj-dhe-ish-gruaja-e-bledi-ucit-eme-i174616
https://shqiptarja.com/lajm/kandidatja-per-ambasadore-ne-malin-e-zi-nisma-opena-balkan-ogur-i-mire-shpresoj-qe-shume-shpejt-te-realizohet