Një nga universitetet më të mira në botë ka ekspozuar përzgjedhjen nga koleksioni i kullës, e cila deri më tani kishte qenë e hapur për një numër të kufizuar hulumtuesish
LONDËR – Biblioteka e Universitetit të Kembrixhit ka hapur për vizitorët kullën 17-katëshe në të cilët ka të deponuara afër një milion libra të cilat nga aspekti akademik i konsideronte të parëndësishme ose “problematike” dhe një ekspozitë me këto vepra.
Një nga universitetet më të mira në botë ka ekspozuar përzgjedhjen nga koleksioni i kullës, e cila deri tani kishte qenë e hapur për një numër të kufizuar hulumtuesish.
Sipas një ligji të vitit 1710, nga një kopje e çdo libri dhe reviste që botohet në Britani dërgohet në këtë librari, ndërsa në kullën 17-katëshe të hapur për vizitorët, deponoheshin veprat të cilat konsideroheshin të parëndësishme nga aspekti akademik ose “problematike” për shkaqe të caktuara.
Me 48 metra lartësi, kulla paraqet ndërtesën më të lartë në qytetin e Kembrixhit, ndërkohë që librat në të janë të klasifikuara sipas datës së hyrjes.

Në mesin e veprave që janë sjellë në kullë si të parëndësishme, janë edhe botimet e para të librit “The Hobbit” nga J.R.R. Tolkien dhe “Casino Royale” nga Ian Fleming, krijuesi i karakterit James Bond.
Disa nga veprat prapa dyerve të mbyllura të kullës, të cilat shkaktojnë një mjedis misterioz, presin të zbulohen në raftet në të cilat janë vendosur madje edhe pa u nxjerrë nga pakot.
Liam Sims, eksperti i librave të rralla në Universitetin e Kembrixhit dhe kuratori i ekspozitës, për Anadolu Agency (AA) tha se përmbajtja e pashoqe brenda kullës tregon për historinë e shtypit të Britanisë.
“Kjo përmbajtje në të njëjtën kohë është një arkiv me rëndësi globale”, tha Sims.
“Librat ushqimore të periudhës së Mbretëreshës Victoria ose romanet e shtypura nga Penguin, të cilat u vendosën në kullë pasi u konsideruan të parëndësishme në kohën kur hynë në bibliotekë, aktualisht janë në mesin e koleksioneve më të rëndësishme të botës perëndimore”, shtoi ai.
Sims tha se me hapjen e ekspozitës, vizitorëve u mundësohet të shohin koleksionin e pashoq të veprave dhe korridoret misterioze të kullës.
Raftet me gjatësi totale 200 kilometra
Biblioteka kryesore e Universitetit të Kembrixhit është një nga bibliotekat më të mëdha në botë, në saje të afër tetë milionë librave dhe historinë prej rreth 600 viteve.
Gjatësia totale e rafteve në bibliotekë arrin deri në 200 kilometra. Krahas librave, në bibliotekë gjenden edhe afro një milion harta dhe mijëra dorëshkrime. Biblioteka zgjat raftet e saj çdo vit me nga dy kilometra për të krijuar hapësirë për koleksionin në rritje.

Në bibliotekën kryesore gjenden një varg veprash që radhiten nga eshtrat e përdorura për parashikim nga kinezët në vitin 2000 para erës sonë, e deri në dorëshkrimet e Mesjetës.
Koleksioni në të njëjtën kohë përfshin shkrimet e Sir Isaac Newton, letrat e Charles Darwin dhe dokumentet personale të shumë shkencëtarëve të tjerë.
Universiteti i Kembrixhit, i cili daton që nga viti 1209, nën ombrellën e saj posedon 31 kolegje të pavarura dhe 150 departamente, fakultete dhe institute. 98 persona të diplomuar në këtë universitet janë nderuar me Çmimin Nobel, ndërsa studimet ndjekin 19 mijë studentë, prej të cilëve 3.700 të huaj nga 120 shtete.
Komentet