Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës thanë se duan të krijojnë raporte të reja me Sirinë dhe bënë thirrje për tranzcion paqësor, teksa gjatë vizitës në Damask u takuan me liderin e ri de facto Ahmed al-Sharaa në emër të Bashkimit Evropian.
Kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, dhe ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, janë ministrat e parë nga BE-ja që vizitojnë Sirinë pasi rebelët morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor dhe detyruan presidentin Bashar al-Assad të ikte për në Rusi pas më shumë se 13 vjetësh luftë civile, duke i dhënë fund sundimit dekadësh të familjes së tij.
“Vizita ime sot… është mesazh i qartë për sirianët: se është i mundur një fillim i ri politik mes Evropës dhe Sirisë, mes Gjermanisë dhe Sirisë”, tha Baerbock para se të largohej nga Damasku.
Barrot tha se shpreson për “për një Siri sovrane, të qëndrueshme dhe paqësore”. Ai në Damask po ashtu vizitoi Ambasadën franceze, e cila është e mbyllur që nga viti 2012.
Që nga rrëzimi nga pushteti i Assadit, rebelët islamistë të udhëhequr nga Sharaa’s Hayat Tahrir al-Sham (HTS) – grup i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – kanë kërkuar që të sigurojnë shtetet arabe dhe komunitetin ndërkombëtar se ata do të qeverisin në emër të të gjithë sirianëve.
Qeveritë perëndimore kanë nisur gradualisht të hapin kanalet e komunikimit me Sharaa dhe HTS dhe po nisin debatin nëse duhet ta largojnë këtë grup nga lista e organizatave terroriste.
Para vizitës në Siri, Baerbock tha se nga kjo vizitë kishte “pritje të qarta” nga sundimtarët e rinj, të cilët, sipas saj, do të gjykohen për veprimet e tyre.
Qëllimi për Sirinë është që ky shtet të bëhet sërish një anëtar i respektuar i komunitetit ndërkombëtar, tha kryediplomatja gjermane.
Ndërkaq, Barrot, që u takua me patriarkun e Kishës Ortodokse Greke, tha se Franca është e përkushtuar për një Siri ku do të mbroheshin të drejtat e të gjithëve.
Ai po ashtu qëndroi në ndërtesën e mbyllur të Ambasadës në Damask dhe tha se Parisi po punon drejt rivendosjes së pranisë diplomatike. REL
Komentet