Po çfarë soj Ungjilli ka lexuar, studjuar e dashuruar Vladimir Mihajloviç Gundjaevi, Patriarku ortodoks i Moskës e i gjithë Rusisë, me emrin Kirill? “Nga pikpamja shpirtërore e morale”, ka thënë pardje duke folur për mësyemjen e Ukrainës, “operacioni ushtarak i veçantë është një luftë e shënjtë, në të cilën Rusia dhe populli i saj, duke mbrojtur të vetmen hapësirë shpirtërore të Rusisë së Shenjtë, kryejnë misionin e “atij që mban” (ose Katékon), duke mbrojtur botën nga sulmi i globalizmit e fitores së Perëndimit të rënë në satanizëm”.
Fjalë në kundërshti verbuese me ato të përdorura nga papa Françesko: “Është nevoja të hiqet dorë nga lufta, vend vdekjeje ku etërit e nënat varrosin bijtë, ku burrat vrasin vëllezërit e tyre, ende pa i parë , ku të fuqishmit vendosin e të varfërit vdesin. Lufta nuk shkatërron vetëm të tashmen, por edhe t’ardhmen, shkakton tronditje dramatike në më të vegjëlit e më të pafajshmit ndërmjet nesh. Ja shtazëria e luftës, veprim barbar e sakrilegj! Lufta nuk mund të jetë diçka e pashmangëshme: nuk duhet të mësohemi me luftën! Ndërsa duhet të kthejmë pezmatimin e sotëm në zotimin e nesërm. Sepse nëse nga kjo ndeshtrashë do të dalim si më parë, do të jemi të gjithë fajtorë në një farë mënyre. Përballë rrezikut të vetëshkatërrimit, njerëzimi duhet të kuptojë se është çasti të shfuqizojmë luftën, të fshijmë atë nga historia e njeriut më parë se ajo të fshijë njeriun nga historia”. Përsëri: “Besimet fetare nuk mund të përdoren për luftën. Vetëm paqja është e shënjtë e askush nuk duhet të përdorë emrin e Zotit për të bekuar terrorin dhe dhunën”. Përsëri: “N’emër të asnjë Zoti mund të quhet “e shënjtë” një luftë”.
Siç duket ndryshimi ndërmjet dy burrave në krye të dy Kishave të krishtera nuk është vetëm në zgjedhjen e orës së dorës, që në rastin e Françeskut është minimalist e n’atë të Kirillit është një Breguet madhështor prej 30.000dollarësh, i përjetësuar në një fotografi zyrtare e pastaj i zhdukur në mënyrë trashamane me Fotoshop. Sigurisht që thënia ungjillore “duaje fqinjin tënd si vetveten” është më i ngatërruar të korigjohet…
“Corriere della Sera”, 2 prill 2024 Përktheu Eugjen Merlika