TIGRAT E YLBEREVE
Uji shpërthen nga vrima mes barkës,
Të gjallët magjepsen nga klithma e të vdekurve!
Nga xhunglat fluturuese të shtrëngatës
Dalin tigrat e rrezikshëm të ylberëve!
Ku vallë, ku vallë është Morali dhe Nderi?
Trutë e gjenive të shpërbërë në pluhur!
E kap dhe e nguros këtë rreze Dielli
Relike e një magjie në shekuj e humbur!
KOZMOSI I YLLËZUAR
Kujtesa humbet e zbraz çdo hambar,
Stinët e dikurshme janë thjesht kristale!
Qiriri i Meshës së Zemrës lind i madh
E vdes i vogël gjersa zhduket fare.
Filozofët janë çmendur, cullakë mes erërave,
Mendimi s’pikëzohet më në letra,
Të vetburgosur jemi në prangat e vertebrave,
Por kozmosi i yllëzuar na hyri në eshtëra.
VJESHTA S’ËSHTË MË MBRETËRESHË
Biblioteka i Vërtit librat si Tespije
Dhe unë nuk mund të qaj, as të qesh.
Diadema e gjetheve të zbehta bije
Dhe Vjeshta, Vjeshta s’është më Mbretëreshë!
Gurët e peizazhit kanë ngrirë si kukulla,
Si vallë, si vallë t’i lëviz dhe t’i grish?
Dy duart e mia mbi dy ijet e tua
Si vegjet e amforës së Dashurisë!
TJETËRSIMI NË ABSURD
Njollat e penës i kam lule të këmishës,
Fletët e pashkruara më treten si shkumë.
Vjen ora e mesnatës për ballon e Hirushes
Dhe tjetërsohet gjithçka në absurd.
Dogmat e Mesjetës si marimangat që endin
Mëndafshin e Vdekjes për të çmendurit e varfër!
Erërat e droguara lëkunden dhe vjellin
Si në orgjitë e Borxhias kardinalët e majmur!
GJOKSI DETAR
Me paralele dhe meridiane të Krimit
Është burgosur çdo ideal i llagartë.
Dhe mbaj talismanin e gjallë të Drinit
Në gjoksin tim të pafund detar!
Bankat e mëdha janë tempuj krize
Të kanibalizmit të parasë në çdo kohë.
Nga arkivoli piano në studion time
Del çdo natë Drakula Bet’hoven!
ZDRUKTHTARI I MREKULLUESHËM
Mitet e Botës realiteti i tret
Dhe vetë e ardhmja është plot ngricë e llohë.
Fati si Njeriu i Padukshëm godet
Me grushtin vdekjesjellës ajrin pa formë.
S’di ç’të bëj tani të flas a ta hesht,
Por prap s’më mposht asnjë frikë.
Me drurin e Edenit arkivolin ma gdhend
Vetë zdrukthtari i mrekullueshëm Jezu Krisht.
SHPRESA UTOPIKE
Qerosi i përrallës së vjetër në garderobë
Gjen dhe vesh vetë rrobat e Volterit.
Zambakët e ujërave e formojnë një flotë
Të një shprese utopike të planetit!
Rrëzohem e bije për t’u ngritur prap,
Asnjë kumt s’më grish më për shpëtim.
O malet e Shqipërisë me lisat naimianë
Tani ju jeni kordat e zërit tim!
KËMISHA E FORCËS
Ç’jehohon kështu në ndriçimet e majit?
Ç’ABC ka shpikur jeta e paanë?
Se vetë jargavani i mushkrive të Whitmanit
Mbush kopështin e muzgut të mbramë!
Refugjatët ikin. Lihet bosh Shqipëria.
Nga gjumi i pafajshëm ka mërguar dhe ëndërra!
Penelopa e thurr që nga motshmëria
Këmishën e forcës për Homerin e çmendur!
FLOKËT E TMERRSHËM TË SHIRAVE
Ç’heshtje fatale vijnë mbas klithmave?
Si humbi liria e humorit therrës?
Majmunet e zhdukur mbas Hiroshimave
Shfaqet befas sërish si njerëz!
Specia e luanëve po humb mes heshtjes,
Amnezia është substanca e mortit.
Dhe rriten shirat me fuqinë e vjeshtës
Si flokët e tmerrshëm të Samsonit!
EPITAFI SUBLIM
Ç’gojë e vorbullave profecira më flet?
Ç’sekret në terr vezullon tek drita?
Çdo pulëbardhë e brishtë e mallit tënd
Ka një zemër tigri në Currila!
Zëri bëhet pemë e lulëzuar e mendjes,
Njerëzimi po vdes pa shpresë, pa prarim!
Veç gjarpëri i rrokjeve të emrit të Evës
Bëhet epitafi sublim i varrit tim!
MONA LIZA QË S’LIND MË
Në vetmi në kthetra na ka kapur Brenga,
Çdo gur kërcen si të ishte një xhind
Mona Liza i frymëzon tërë femrat shtatzëna
Por ajme! Vetë ajo asnjerë më s’lind!
Ende e shoh zjarri që Neroni i vu Romës,
Fantazmë inkandeshente që lëkundet në zgrib
Në festat fallike ngre shtyllën e Vandomës,
Por mitrën e qiellit më Napoleonin s’e ngjiz!
KRYQI-SPIRANCË
Ç’qumësht ulkonje vallë i ka mëkuar
Jetimët e botës, fëmijët e braktisur?
Jam pirati i nëmur përherë i kryqëzuar
Në kryqin-spirancë të anijes së mbytur!
Arti më çmend, më ngjeth në errësirë,
Thyhet para meje xhami i horizontit
Në dëborërat e letrës kërkoj e vdes i ngrirë
Si dikur vetë Skoti pa e arritur polin!
KATËR MARI HORIZONTE
Luhatem i dlirë me flladet e Fatit,
Rebel dhe i gjallë në viset përrallore.
Jam Fëmija Mesi e Ardhmërive të Artit
Mes katër Marish horizonte!
Tani në trup çdo sekondë më dhëmb,
Rrufetë më bëjnë akopuntura të Kohës.
Naim, Naim, nëma qiririn tënd,
Të ndez shpërthimin e Apokalipsit të Botës!
SYRI I QYTETIT
Çdo mal në Shqipëri ka fantazi profeti!
Kush vallë e lexon alfabetin e gjurmëve?
Në largësi më rishfaqet qyteti –
Syri madhështor me qerpikët e rrugëve!
Jam tek koha që s’ka as gëzim e as tmerr,
Lëvizja e shekujve asnjë shahu s’i ngjan!
Veç me fashat e bardha të mjegullave në erë
Unë e balsamos një muzg egjiptian!
PËR LAJMËTARIN E MADH
Sa porta ka për të hyrë në Ferr?
A s’është vetëvrasja një formë e Golgotës?
Floririn elektrik të shpërndarë në terr
S’e peshojnë dot tërë argjendarët e botës!
Ç’Lajmëtar i Madh do të shfaqet sëshpejti?
Zogjtë janë si vorbulla mbi hon.
Çdo fjalë është mali që vjen tek Muhameti.
Nata me Hënën si negri me saksofon!
Ç’VETMI E POPULLUAR ME TË VDEKURIT E MI
Tani s’më tundon as Gënjeshtra, as Arti,
Polipi i katastrofës është emblema e planetit
Veç ëndërrat i kam skafandra kozmonauti,
Po jam krejt pakuptim si druvari mes detit.
Këpucët e Van Gogut i kam lënë pas pragut,
Vec këmbëzbathur vrapoj në përjetësi.
Në qiejtë e dejeve kam rrufetë e gjakut.
Ç’vetmi e populluar me të vdekurit e mi!
ARKEOLOGJIA E KUJTESËS
Ç’trill tani e lulëzon lofatën?
Ç’magji e lëviz gjithçka në përjetësi?
Ja Hëna, Hëna – bisht peshku mbi pjatën,
Ku është ngrënë gjithçka me babëzi!
Ç’fërgëllon në zenit në amëshimin prej ere?
A mundet prej kometash të bjerë një rrebesh?
Maja e heshtës ilire është gjethe legjende,
Arkeologjia e kujtesës ka statuja idesh!
LIBËR I MBYLLUR
Bimët e rigonit kundërmojnë mes greminave,
Stina shumëfishon magjinë e vetvetes.
Kaçurrelat e purpurta të trandafilave
Rrethojnë fytyrën botiçeliane të Verës!
Vetëtima vizaton një xhamadan në shkrep,
Por heronjtë kanë ikur lakuriq në Had.
Fjalët janë prej qelqi. Mes tyre a më sheh?
Jam libër i mbyllur që veç Dashuria e hap!
HËNA, BUKA E KRISHTIT
Gjethet drithërohen në ndjeshmërinë e prillit,
Por erërat e papritura s’kanë frerë.
hëna, Hëna është buka e Krishtit –
Hahet përherë e s’mbaron asnjëherë!
Dhe një molekulë tingëllon si këmbanë,
Përthyhet e shurdhët e tërë hapësira.
Kohërat fluturuese të stuhive nuk kanë
Shenja trafiku metaforat e mia!
NJË GJARPËR RRUFEJE
Një gjarpër rrufeje ndron lëkurën mbi hon,
Gjithashtu lëvizin metamorfozat e kohës
Don Kishoti tani më nuk sulmon
Mullinjtë e erës, por akrepat e orës!
Grigja e dhive lëviz mbi tërthore,
Himara e miteve as s’shndrit, e as nxin.
Një ëngjëll e shet pasaportën hyjnore
Në tregun e zi për pak kokainë!
EDIPI I FJALËKRYQEVE
Ç’mbretëri e harruar dhe e kotë e Mendjes!
Ka nisur numrimi i sekondave nga fundi.
Heshtja, heshtja është luksi i Vdekjes
E unë jam Edipi i çdo fjalëkryqi!
Përplasem dhe grindem me veten çdo ditë!
Sa yje më ngurosen tek pragu i shtëpisë!
Se unë biletën që të shkoj në Antlantidë
E paguaj me kometa të vetë Fantazisë!
GRIFONI I HARRIMIT
Mjerimi shumëfishohet me absurd të pasosur,
Zgjat kthetrat e nëmura Grifoni i Harrimit.
Makbethi e fshin thikën e gjakosur
Te vetë mjekra e Uilliam Shekspirit!
Pse vallë u bë mjegull vetëdija e Nderit?
Në oazin e natës vdesin peshqit prej drite
Me ujësjellësin romak të ylberit
Do të sjell për ju eliksirin e hyjnive!
KALORËSI I NGUROSUR
Ende Sfinksi i Madh s’ka thënë asnjë fjalë,
Tek zanoret e gjuhëve përgjon një tërmet
Karonti e shet barkën për të blerë një kalë
Për të shkuar sërish tek fëminia e vet!
Rrëzohen zogjtë alienë përmbi dhe,
Tokat djerrë ëndërrojnë për të korra.
Më i shpejtë, më i shpejtë se mendimi je
Kalorësi im i ngurosur në kohëra!
KULLA E IMAGJINATËS
Kush e ndjen në shqisa epokën?
Ç’Gjykatës Hyjnor pretencën e tha?
Një shtrëngatë po e kurdis si orën
Të më zgjoj një mëngjes mes letargjive të mëdha!
Sa iluzione që pjell realiteti konkret!
Sekretin e botës kush vallë e shpall?
Çdo Kullë të Imagjinatës e kam ngritur përpjetë
Me tulla fëminie të naivitetit të rrallë.
ASKUSH S’BESON
Çdo tekst i imi tani thyhet si xham,
Kuptimi i fjalëve ka forma prej ere
Dhe Librin e Xhunglës së Kiplingut e kam
Si qime me gjoksin e adoleshencës së herëshme!
Askush s’beson në alternativa pranvere,
Poeti vetmohet në Apoteozën e Murgut!
Ky shekull miop djeg gishtat me shkrepse
Për të lexuar në terr Librin tim të Muzgut!
DASHURI STUHISH
Nuk kam ç’të ndreq, as se ç’të prish.
E dashur! Prania tënde – kumti i tërmetit!
Le të bëjmë sëbashku një dashuri stuhish
Në shtratin martesor të detit!
Nuk kam ngazëllim, por as edhe frikë,
Jam gati të përplasem tek balli i shqotës,
Të paralizuarit i bëj kampionë olimpikë
Dhe të verbërit – mjeshtra teleskopësh!
KËMISHA E CENTAURIT
Sa shumë tragjedi, dhimbje dhe plagë!
Çdo tatuazh rrufeje qiejtë do t’i grisë!
Me trumcakun e Migjenit në të njëjtën kohë
Vetëvritet dhe Majakovski futurist!
Do të ngrihem, do të ngrihem dhe prej varrit,
Ringjallja është më sublimja ide!
Si këmishë magjike të vetë Centaurit
Kam veshur detin… sa herë futem në të!
BARLETI, REDAKTOR I POEZIVE
Minutat e kohës janë ndryshkur si hekur
Dhe oksidohet me tmerr hapësira!
Unë shetis kaq shpesh me Barletin e vdekur,
Që i besoj redaktimin e poezive të mia!
Karnavalet kthehen në orgji të egra,
Ëndrrat janë në delir një lloj shpure.
Vrapon si Ana Komnena vetë Vjeshta
Me paruken e shirave në supe!
HIEROGLIFI TRONDITËS
E dashur, e dashur, pse s’më shohin më sytë?
Pse ti je kaq larg dhe unë në vetmi?
Me biçikletën e numratoreve telefonikë
Unë rris shpejtësinë e dashurisë për ty!
E papritura shfaqet si kometa mes ditës,
Koha e munguar më rënqeth dhe më tremb!
Dhe befas një hiroglif është kaq tronditës
Sa gjetja e një skeleti peshku në Hënë!
LËKURËT
Jetë lëviz në iluzione, mashtrime,
Ah pyetja hamletiane “Të rrosh a të mos rrosh?”
Unë përleshem me Kasius Klein e hijes time,
Përplasem, gjakosem… e askush s’fiton!
Nga ankthi shndrohet çdo imazh a pamje,
Inflacioni përhapet e ku nuk futet!
Vjeshtat dhe gjarpërinjtë janë raca të ngjashme
Çdo vit i ndrojnë ritualisht lëkurët!
HORROR
Ç’bakterie lëvizin në Sagën e Kalbjes?
Pse koha e ardhme është dhe koha e vjetër?
Shqipja dykrenare e syve të De Radës
Nguroset tani mbi Milosaon e vdekur!
Çdo çast i rastit kthehet në horror,
Shiu i pikëpyetjeve na baltos mes gjurmave!
Dhe shfaqet diku një Trandafil Perandor
Mbi haremin e brishtë të fluturave!
NJERI I VËRTETË, A DIGJITAL?
Jam njeri i vërtetë, a njeri digjital?
Me lëkurën e shekujve ç’është pickimi i një morri?
Dhe Homerit i kërcen damari mbi ballë
Një gjarpër i frikshëm Laokoonti!
Fantazma e Shpresës rri mbi humnerë,
Foshnjat e palindura e shohin dhe presin
Dhe dhëmbët e shkulur të Cerberit në Ferr
Si xhingla cigane në panaire i shesin!
GARGARA PREJ RËRE
Enigma ka mbyllur me pezhishkë çdo derë
Dhe është katafalk i padukshëm në gjumë!
Unë skeletin e rrugëve e kam mbushur përherë
Me mishin e trupit tim të pafund!
O nxihet, o përflaket e bardha e borës!
Si vezë prehistorike janë zajet e lumit!
Në fytin e klepsidrave Kotësia e Botës
Bën gargarën prej rëre të Absurdit!
REQUEM
Ekzistenca e ka ndjesinë e rëmetit
Dhe Paqja pa rrufe në qiell vetëtin
Mbreti, Mbreti ja merr jetën Poetit
Por Poeti ja rrëmben Pavdekësinë!
Shekujt janë kaledoiskopë të formave
Simbolet janë semantika të Fatit
Veç Demokriti i lashtë me pjanon e atomeve
E rikrijon Requem-in e Mozartit.
KATEDRALJA E ARTË
Tërë rrugët e fëminisë i kam si një remb,
Vdekja ka vënë parzmore me hekur.
Tek Uria ime e Shenjtë tani vjen
Lumbardha e Anakreontit… e pjekur!
Arti i droguar tani është skandal
Dhe shqiponjat kanë ngrirë në fluturime!
Metafora është Katedralja e Artë
Mes arkitekturës time ateiste!
FENERI SURREAL
Kudo fërshëllen Apoteoza e Erës
Me autostradat e mëdha me rite mortore.
Mjel lopën e natës nga gjiri i Hënës
Për fëmijët e mi të metaforave!
Ç’peshë të Universit kam në duar?
Si ta transformoj vetë këtë hapësirë?
Në shtigjet e Hadit një pulëbardhë e praruar
Si një fener surreal më ka prirë!
LULE HIBRIDE
Ç’lule hibride po i sjell pranverë
Vetë Bodlerit blinduar me Vetmi?
Si Njeriu i Padukshëm i Uellsit Kujtesa
Vesh kostumin shkronjor të librave të mi!
Mjerimi rritet dhe Cinizmi tallet,
Muzgu tjetërson çdo ftillesë mistike.
Djegjen e Xhordano Brunos kardinalët
E kanë bërë kalorifer në altaret e tyre!
JERUZALEM VARGJESH
Sekondat dhe minutat shpërthejnë si teshtimë.
Si ta bëj, si ta bëj një Jeruzalem prej vargjesh?
Metaforat, metaforat janë dashuri platonike,
Por Poeti i madh s’lind dot pasardhës!
Kafshoj një mollë – ka shije fortune!
Heshta e Akilit më godet, por s’më vret.
Gjon Buzukun do ta mbaj mbi supe
Si Eneu i Trojës babain e vet!
LIRIA NË ASKUND
Në Bizantin e Ri asgjë s’më mahnit!
Pi ambrozin e hyjnive që s’janë!
Dhe ne përpara jush dhe Universit poezitë –
Gosti Mbretërore me flakë!
Rrokjet këputen si hallka zinxhiri,
Liria ikën, në Askund mërgohet
Mjellma ndalet tek një kullë meditimi
Dhe sytë më zmadhohen nga vizionet!
ODISEU I RINGJALLUR
Shoh në pasqyrë e mbushem me ngjeshje
Dhe më paralizohet ritmi i së Ardhmes,
Ku lumi i Vjosës mbulohet me gjethe
Si hindjanët e famshëm të Hajavathës!
Asnjë të Vërtetë Absolute s’kam shpallur,
Por luftë sizifiane kam bërë me gënjeshtrat!
Kujtesa është Odiseu i ringjallur,
Që shkon dhe bëhet kurban për sirenat!
SAPO E MBAROVA SE LEXUARI TUFEN E POEZIVE, MBUSHUR I TERI STUHI NDJENJASH, EMOCOESH, I RASHE NUMURIT TE TELEFONIT TE SHTEPISE TENDE, ALLO MOIKOM, ALO, ALLO, ALLO MOIKOM ALO…, SI, SI ? TI PO FLE, PO UNE DUA
TE FLAS PER DY FJALE PER CIKLIN TEND SIPERAN MBI CIKLET ME SUPERANE TE
POETEVE TE BOTES…
TI S’PO ZGJOHESH… ATEHERE PO JU DREJTOHEM HORIZONTEVE, KOLEGEVE TE TU, QIEJVE, KUPES SE EPERME QIELLORE.., EDHE PSE AYJE, NE LARTESI TE TILLA TE EPERME S’ARRIN ZERI IM…!
Faslli Haliti
FASLLI 1 min agoReply
SAPO E MBAROVA SE LEXUARI TUFEN E POEZIVE, MBUSHUR I TERI STUHI NDJENJASH, EMOCOESH, I RASHE NUMURIT TE TELEFONIT TE SHTEPISE TENDE, MOIKO DUKE THIRRUR, ALLO MOIKOM, ALO, ALLO, ALLO MOIKOM ALO…, SI, SI ? TI PO FLE, PO UNE DUA TE FLAS DY FJALE PER CIKLIN TEND SIPERANE MBI CIKLET ME SUPERANE TE POETEVE TE BOTES…
TI S’PO ZGJOHESH… ATEHERE PO JU DREJTOHEM HORIZONTEVE, KOLEGEVE TE TU, QIEJVE, KUPES SE EPERME QIELLORE.., EDHE PSE ATJE, NE LARTESI TE TILLA TE EPERME S’ARRIN ZERI IM…!
Faslli Haliti
Sapo e mbarova së lexuari tufën e poezive, mbushur i tëri stuhi ndjenjash, emocoesh, i rashë numurit të telefonit të shtepise tende Moikom,duke thirrur, allo Moikom, alo, allo, allo Moikom alo…, si, si ? Ti po fle, po unë dua të flas dy fjale për ciklin tënd sipëranë mbi ciklet më superane të poetëve të botes…
Ti s’po zgjohesh, Moikom… atëherë po iu drejtohem horizonteve, kolegëve të tu, qiejve, kupës së epërme qiellore.., edhe pse atje, në lartesi të tilla të epërme s’arrin zeri im…!
Faslli haliti