unë jam Amerika
nga qielli dhe toka ime ngrihen
dhe aterrojnë çdo të mijtën e sekondës
avionët
si shqiponja
me krahë gjigandë
duke e shpuar
tej e përtej
trupin e brishtë
të mjergullës
nga Paqsori në Atlantik
amerika jam
një sanduiç gjigand McDonaldi
midis dy oqeanëve
për të ngopur
oqeanët e emigrantëve
që po vdesin urie
për liri
për të prehur në paqe
eshtrat e gjyshit tim
që nuk na pa asnjëherë
kur erdhi këtu fëmijë
kur e la nënën e tij
në shtëpizën e zbrazur
ndërtuar me thupra malli
aty buzë Liqenit të Ohrit
e nisi të punojë tek Fordi në Miçigan
unë jam Amerika
hyra si zog shtegtar
i kalova të gjitha telat me gjemba
muret e larta si pishat e pyllit
fluturova mbi detra e oqeanë
të frikshëm e të panjohur
që i kisha parë vetëm
në globa si topa llastiku
në harta prej letre dhe atlasë
që të jem Amerika
nga hiri u rilinda pafundësisht
s’lashë sakrificë e vuajtje pa provuar
shita shtëpinë
mbeta në mes të rrugëve të egra të botës
gjithçka që kisha e dhashë
i lashë fëmijët thatë
pa asnjë trashëgimi
për tokën e premtuar
pagova trafikantët
e të gjitha ngjyrave
u bëra hiç
u bëra bagëti
nēpër hangarët e kamionëve
hyra nga Alaska
nga Kanadaja,
Meksika,
me pasaportë fallco
lumenjtë i thava
dhe krijova rrugë të pashkelura
as nga indianët
apo kërkuesit e arit
i rash botës rrotull
nga njëri kontinent në tjetrin
sa herë më shporrnin
unë rikthehesha
e cfilitur, e mpakur
humba gjithçka
se më mashtruan
tē gjithë
në fund
mbeta një lypëse e lirisë
e shkela ligjin
si e vetmja mundësi
pēr të arritur tek ty
kur flokët e mija biond
u bënë tela të bardhë
kur prej meje s’mbeti
më asgjë
atēherë nga vuajtja ime
mbiu farë
gruri e guri
gruri për t’u bërë bukë për ëndërrat
e për t’u mbjellë
e ringjallur çdo vit
brez pas brezi
të gjithë të parët e mi
dhe ata që të deshën
por nuk të arritën dot kurrë
megjithë mundin
dhe mundimin e Sizifit
dhe farë guri
për t’u ngulitur
aty rrethuar
nga kaktuset
e shkretëtirës
dhe fëmijët e lirisë
unë jam Amerika
Eldorado jam
(Marrë nga libri i autores Ujshëm, Onufri 2019)