E di se drita rend me shpejtësi kozmike.
Dhe çasti qenka veç një grimcë budallaqe (atomike)
Milionvjeçare.
E di se je fluide dhe e prekëshme. E je, si unë: udhëtare.
E di! Të gjithë vjedhin! Deri edhe vetë Apostujt
Merren çdo orë me pedofili e kontrabandë.
E di se unë e ti jemi male të lartë, gjethe e milingona.
E po kështu: jemi dy yje gjigantë!
E di se pas pak çastesh shfaqet Roma. Karantina!
Ashtu siç shtrihen nëpër maja e kodrina
Sirakuza, Moska, Vjena e Athina.
E di: je manushaqe plot aromë e je grua. Unë të përkëdhel si bebe.
E di: je yll flakëritës i gjithçkaje.
Dhe bisht rrenacak i çdo amebe.
E di se çastet iu përngjajnë luleve të borës, që në sekondë shkrin.
E di se Ti po ikën përgjithmonë.
Dhe nuk ka Perëndi që të arrin!
–
Nga libri “Mirëmëngjesi Shqipëri”, 2012
Komentet