Voal – Çështja e kufijve është e vjetër tashmë, e kemi hedhur pas. Pyetja më e rëndësishme është: A mund të krijojmë shoqëri njerëzore? A kanë fëmijët tanë çfarë të hanë? Pastaj mund të flasim për gjëra të tjera”.
Uliks Fehmiu në rolin e priftit në tragjedinë “Romeo dhe Zhulieta” Bir i një babai shqiptar dhe i një nëne serbe, Uliks Fehmiu është rritur me filozofinë se dashuria thyen çdo barrierë, çdo kufi, i bën njerëzit më të mirë. I biri i aktorit të madh me origjinë shqiptare, Bekim Fehmiut, por tepër i njohur në ishJugosllavi dhe në mbarë botën për interpretimin dhe talentin e tij, Uliksi, ndodhet për të parën herë në Tiranë, për të interpretuar rolin e priftit në tragjedinë “Romeo dhe Zhulieta” të Uilliam Shekspir. Një shfaqje e veçantë, që vjen nën regjinë e Miki Manojlloviç dhe interpretimin e një trupe aktorësh shqiptarë e serbë. Një vepër që vjen në Tiranë, pasi është shfaqur në Beograd, Zagreb, Sarajevë e Prishtinë.
“Është kënaqësi e madhe që të jem në Tiranë, në Shqipëri, për herë të parë në jetën time. Jam shumë i lumtur dhe shumë i kënaqur që erdha në shfaqjen “Romeo dhe Zhulieta”, tema e së cilës do të jetë e përhershme. Urrejtja është temë e përhershme, ndërmjet popujve, shteteve dhe familjeve. Por ky është një tregim edhe për dashurinë, e cila është më e fortë dhe e përhershme. Artistët janë shpesh ata të cilët i ndërtojnë të parët urat e rrënuara ndërmjet popujve. Shpresoj që publikut do t’i pëlqejë shfaqja jonë edhe se do ta kuptojë në mënyrë të drejtë. Puna në këtë shfaqje ka qenë fantastike dhe emocionuese, prandaj do të ketë vend të veçantë në kujtesën time. Shpresoj që edhe publiku do të ndihet po njëlloj”, u shpreh gjatë një konference për mediat, Uliks Fehmiu, i cili ka trashëguar hijen dhe zërin e të atit.
ÇËSHTJA E KUFIJVE
“Romeo dhe Zhulieta” është një nga ato vepra që flet për dashurinë dhe urrejtjen, për jetën dhe vdekjen, që kanë forcën të ndajnë e të bashkojnë. Siç do të thoshte regjisori Manojlloviç dhe dramaturgu e regjisori Jeton Neziraj, në kushtet në të cilat ndodhet Kosova e Serbia, një bashkëpunim artistik, që do të kishte qenë gjëja më normale, nuk mund t’u shpëtojë dot ngjyrimeve politike.

Bekim Fehmiu në rolin e Odisesë “Qëllimi ynë nuk ka qenë ky, por nuk i shpëtojmë dot”, tha Neziraj.Ndërsa për Manojlloviç, i rëndësishëm është komunikimi përmes dashurisë, që thyen të gjithë kufijtë dhe i bëjnë njerëzit të kuptohen, pavarësisht se flasin në gjuhë të ndryshme, si në këtë rast shqip e serbisht. Kur e pyet në lidhje me pavarësinë e Kosovës, Manojlloviç përgjigjet se është rritur në një familje që i respektonte shqiptarët dhe se shfaqja është si fryt i kësaj mendësie, por e ka të pamundur të ndikojë në politikë, në lidhje me këtë çështje. Një përgjigje ndryshe, por shumë më largpamëse ofron Uliks Fehmiu, tanimë jo më me letër në shqip, por anglisht.
Për ta bërë sa më të kuptueshëm konceptin e tij mbi kufijtë, ai sjell rastin e të atit, një shqiptar që luante në Teatrin e Beogradit, që vizitoi Shqipërinë në vitin 1972 dhe përballë saj, Jugosllavia iu duk më humane.
“Ku mendoni se do të kishte jetuar babai im sot, nëse do të ishte gjallë? A mendoni se ka një vend në rajon, ku ai do të ishte ndier i lumtur? A besoni se ai do të ishte ndier i lumtur në ndonjë pjesë të ish Jugosllavisë? Këtu, në Kosovë, në Serbi, Kroaci apo kudo në planet? Unë do të përgjigjem: Jo! Dhe kjo nuk ka të bëjë me dashurinë, vlerësimin dhe me grupet e ndryshme etnike. Ai ka qenë mysafir në Shqipërinë komuniste në vitin 1972, si një aktor shqiptar, jugosllav dhe botëror. Cili vend ka qenë më i afërt për të atëherë? Shqipëria në vitin 1972, apo Jugosllavia në 1972? Unë mendoj se të gjithë e dinë atë përgjigje: Jugosllavia ka qenë. A besoni se ai ka dashur më tepër serbo kroatët, sesa njerëzi e vet: Jo. Ai i ka dashur njerëzit e tij, ai ka qenë shumë krenar që ishte shqiptar. Por Jugosllavia në atë kohë ka qenë më njerëzore, më e hapur. Një vend më normal sesa ka qenë Shqipëria në atë kohë. Sot, ai mund ta kishte pasur dyfish më të vështirë se ku mund të shkonte. Prandaj ai iku dy herë, kur Jugosllavia pushoi së ekzistuari dhe ai e vrau veten si artist dhe kur vrau veten 20 vjet më vonë, kur pa se asgjë nuk po ndryshonte. Kjo ndodhi në vitin 2010 dhe Kosova ishte e pavarur. Prandaj pyetja e kufijve është e vjetër, e kaluar. Çështja është të ndërtojmë një shoqëri më humane”, thotë ai.
TË NGRESH URA
Kudo që ai shkon e paraqesin si djali i Bekim Fehmiut. Ai tashmë është vetë një personalitet i teatrit, por hija e të atit e ndjek kudo. E duket se edhe ai, gjatë gjithë kohës është përpjekur ta bëjë krenar pikërisht atë. Çka e bën të ndihet i paplotë është fakti që nuk di ta flasë gjuhën shqipe. E kupton, por për të folur s’mundet.
“Një prej gjërave që mua më mungon në jetë, është që nuk mund të flas shqip ashtu si do të doja të flisja. Fakti që nuk e flas shqipen shumë mirë më bën të mos ndihem i plotë. Por, dëshira për të luajtur shqip në skenë, veçmas në Teatrin Beogradit ku nuk është folur kurrë shqip, në Prishtinë dhe në Tiranë ka qenë shumë e madhe. Shpresoj që dhe ai (babai) të ndihet krenar për mua, sepse kjo është ajo që unë kam dashur. Përse ai është kaq i respektuar, përtej faktit që ka qenë një artist i madh? Përse njerëzit me personalitet si ai janë kaq të rrallë sot? Për shkak se ne bëjmë gjërat që besojmë, kur të tjerët besojnë të kundërtën. Kjo është ajo që unë thashë pak më parë me shqipen time të tmerrshme. Kjo është ajo që ne dimë të bëjmë, që njerëzit e mirë dhe të guximshëm bëjnë: Ndërtojmë ura, kur të tjerët i shkatërrojnë ato”.
Manojlloviç: Bota po mbytet në gjak, duhet dashuri për t’u kuptuar
. Tragjedia “Romeo dhe Zhulieta”, një produksion i Radionica Integracije (Punëtoria e Integrimit) Beograd dhe Qendra Multimedia Prishtinë, nuk paraqet vetëm situatën mes Kosovës e Serbisë.

Miki Manojloviç
“Në Europë dhe kudo në botë ka shumë tensione politike. Kjo është diçka e përjetshme. Toka po mbushet me gjak. Nëse do të flasim për shfaqjen “Romeo dhe Zhulieta”, e cila luhet në shqip dhe serbisht, që janë dy gjuhë larg njëratjetrës, ashtu si Serbia dhe Shqipëria janë dy vende larg njëritjetrit, problemi qëndronte se si t’i miksonim këto gjuhë, t’i bënim një. Romeo dhe Zhulieta kuptohen edhe pa folur, sepse është dashuria që flet për ta”, thotë regjisori serb Miki Manojlloviç. Në vepër janë dy të rinj që dashurohen dhe dy grupe që urrehen dhe do të jetë pikërisht dashuria që do t’i lidhë këto dy grupe, dy familje. Sepse, siç thotë Manojlloviç, arsyeja e botës është dashuria. Pikërisht kjo i ka bërë bashkë shqiptarë e serbë, në të njëjtën shfaqje. Një nga bashkëproducentët e shfaqjes, Jeton Neziraj, tregon momentin, kur iu paraqit ky projekt. “Më kujtohet kur para dy vitesh e gjysmë e takova Mikin në shtëpinë e tij në Beograd. Ishte fare qetësi e unë po prisja se çfarë do të më thoshte. Kur më tha se donte të vinte në skenë “Romeo dhe Zhulietën”, m’u duk si një ëndërr dhe as tani nuk e besoj dot se u bë realitet. Ndonjëherë edhe ëndrrat mund të të befasojnë”, tha Neziraj, duke e përshkruar gjithë procesin e punës si tepër të veçantë dhe emocionues. “Romeo dhe Zhulieta u shfaq mbrëmë dhe do të vijojë edhe sot, nën interpretimin e Uliks Fehmiut, Anita Manciqit, Mensur Safçiut, Tristan Halilajt, Milica Janevskit etj//panorama.al
Komentet