*Pritja e kombëtares, bllokohet rruga Rinas-Tiranë
TIRANE- Europiani ka përfunduar për Shqipërinë dhe bashkë me të edhe qëndrimi i Kombëtares Kuqezi në Francë. Skuadra më e dashur për të gjithë shqiptarët u kthye pasditen e sotme në Tiranë në orën 15:38. Pavarësisht se futbollistët apo anëtarët e stafit teknik mund të kenë destinacione të ndryshme për ditët në vijim, është vendosur që i gjithë grupi, lojtarë, staf teknik, apo drejtues të vijnë të gjithë së bashku në aeroportin e Rinasit.
Nisja nga Franca u programua në orën 14:00 në aeroportin e Iannon.
Në aeroport, kombëtarja do të pritet nga kryeministri Rama me të gjitha nderimet ushtarake dhe rojën e nderit. Më pas, skuadra e kombëtares do të spostohet me një autobus të hapur drejt Tiranës, ku ndalesa e parë do të jetë përpara Bashkisë së Tiranës. Pikërisht aty, Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, do t’u japë djemve të kombëtares simbolin e Tiranës, çelësin e qytetit.
Ndalesa e dytë për kombëtaren do të jetë Ministria e Punëve të Jashtme, ku ministri Bushati do të presë skuadrën kuqezi, të cilët do të bëjnë edhe aplikimin për pasaportën diplomatike, premtim ky i kryeministrit Rama.
Ndalesa e tretë do të jetë në Kryeministri, ku shefi i Qeverise do të presë zyrtarisht skuadrën e kombëtares dhe ku të ftuar do të jenë edhe futbollistët më të shquar kuqezi ndër vite.
Etapa tjetër do të jete sheshi ‘Nënë Tereza’, pikërisht ‘Fun Zone’ nga ku qytetarët e Tiranës ndoqën me emocion ndeshjet e kombëtares. Në ‘Fun Zone’ do të ketë një koncert madhështor me DJ dhe këngëtarë të njohur, ndërkohë që djemtë e kombëtares do të kenë mundësinë t’i flasin sportdashësve shqiptarë nga një skenë e ngritur posaçërisht për këtë ditë.
Në mbrëmje, kryeministri Rama do të shtrojë një darke në nder të ekipit kuqezi, ku do të marrin pjesë personalitete të larta të shtetit shqiptar dhe të Kosovës.
ULET AVIONI I KOMBËTARES NË ‘NËNË TEREZA’
ORA: 15:38- Avioni me të cilin udhëtoi nga Franca drejt Shqipërisë është ulur tashmë në aeroportin “Nënë Tereza”.
Ja axhenda që do të ndjekë ekipi kombëtar:
1- Në 15:30 ekipi kombëtar mbërrin në aeroportin e Rinasit
2- Nisja nga aeroporti drejt Tiranës
3- Ceremonia e dhënies së çelësit në Bashkinë e Tiranës
4- Ministria e Jashtme, procedurat për pasaporta diplomatike
5- Kryeministri, pritja në COD me kreun e Qeverisë
6- ‘Fan Zone’, stacioni i fundit i ceremonialit për kombëtaren
PRITJA E KOMBETARES, BLLOKOHET RRUGA RINAS-TIRANE DHE DISA AKSE TE TJERA
Masa të rrepta policie për mbërritjen e kombëtares. Policia e Tiranës kalon në gatishmëri. Pas mbërritjes së kombëtares në aeroport do të bllokohet aksi Rinas-Tiranë. Autobusi i kombëtares do të shoqërohet nga policia rrugore. Përkohësisht do të bllokohen dhe rrugët që do të përshkojë autobusi i kombëtares. Bllokimi i rrugës do të nisë prej orës 15:00.
NJOFTIMI I POLICISE
Më datë 23.06.2016, Policia e Tiranës, me rastin e mbërritjes së Kombëtares së Futbollit, pasi do të zhvillohet ceremonia zyrtare e mirëseardhjes në aeroport, me qëllim sigurimin e rendit dhe të qetësisë publike si dhe për garantimin e sigurisë për zhvillimin normal të festimeve ka ndërrmarë masa për bllokimin e disa segmenteve rrugore.
Sa më sipër, do të ketë bllokime duke filluar nga ora 15:00 – 20:00, të segmenteve rrugore:
• Segmenti rrugor nga Aeroporti “Nënë Tereza” – mbikalimi i “Qafës së Kasharit” – Autostrada “Durrës-Tiranë” – mbikalimi i Kamzës – Sheshi “Shqipona” – Rruga “Dritan Hoxha” – Sheshi “Karl Topia” – Rruga e “Durrësit” – Sheshi “Skënderbej” – Bashkia e Tiranës
• Segmenti rrugor nga Bashkia e Tiranës – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” – kryqëzimi i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me Bulevardin “Bajram Curri” – Bulevardi “Bajram Curri” – Bulevardi “Bajram Curri” në kryqëzim me Rrugën Bardhyl dhe Bulevardin “Zhan Dark” – Bulevardi “Zhan Dark” – Ministri e Jashtëme
Segmenti nga bulevardi Ministria e Jashtëme – Bulevardin “Zhan Dark” – kryqëzimi i Bulevardit “Zhan Dark” me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” – Kryeministri
• Segmenti rrugor nga Kryeministria – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” – Sheshi “Nënë Tereza”
Drejtoria Vnedore e Policisë Tiranë, kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe gjithë përdoruesve të rrugës, të shmangin kalimin në segmentet e përcaktuara si dhe fton gjithë qytetarët të bëhen pjesë e këtij festimi.
JA KUSH DO T’I MARRË PASAPORTAT DIPLOMATIKE
Ata që do të përfitojnë pasaportat diplomatike do të jenë 23 lojtarët që na përfaqësuan në Kampionatin Europian, trajneri De Biasi, Tramezzani, Armando Duka, Erion Bogdani, si dhe menaxheri Alban Bushi.
Kombëtarja shqiptare do të mbërrijë në Tiranë pasditen e sotme pas përfaqësimit dinjitoz në Euro 2016 dhe përveç pritjes që do t’i bëhet, stafi i kombëtares do të bëjë edhe aplikimin për pasaporta diplomatike
Ky është vendimi i firmosur nga kryeministri Rama, i cili menjëherë pas fitore me Rumaninë i premtoi të gjithë lojtarëve të kombëtares pajisjen me pasaporta diplomatike.
Mësohet se ata që do të përfitojnë pasaportat do të jenë 23 lojtarët që na përfaqësuan në Kampionatin Europian, trajneri De Biasi, Tramezzani, Armando Duka, Erion Bogdani, si dhe menaxheri Alban Bushi. Pasaportat janë gati. Kombëtarja do të bëjë aplikimin brenda zyrave të ministrisë.
Komentet