“Respekt i përjetshëm për të gjithë ata që vdiqën në mbrojtje të atdheut” shkroi sot kryetari i Parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefanchu në Facebook krahas fotografive prekëse të funeralit që u mbaj për zyrtarët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes që humbën jetën në një rrëzim tragjik me helikopter afër Kievit, më i rëndë akoma nga fakti se u rrëzua mbi një çerdhe fëmijësh.
Ndër 14 viktimat, ishte edhe vetë Ministri i Brendshëm, Denys Monastyrsky, 42 vjeç. Zyrtarët ukrainas thanë se në bordin e helikopterit ishin gjashtë zyrtarë të ministrisë dhe tre anëtarë të ekuipazhit. Zëvendësministri i parë Yevhen Yenin vdiq së bashku me Sekretarin e Shtetit Yuriy Lubkovych, detyra e të cilit ishte të organizonte punën e ministrisë. Edhe Tetiana Shutiak, një ndihmëse e z. Monastyrskyi, gjithashtu vdiq në aksident.
“Ceremonia e lamtumirës…shumë e vështirë .. – shkroi ai. Ukraina ka humbur njerëz të ndershëm dhe të denjë që punuan për vendin e tyre dhe që e donin vendin e tyre. I përjetshëm kujtimi për ju miq. Nuk është e drejtë kur vdesin të rriturit, dhe nuk mund ta kuptosh kur vdesin fëmijë të pafajshëm…Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të të gjithë atyre që u vranë në rrëzimin e helikopterit në Brovary. Respekt i përjetshëm për të gjithë ata që vdiqën në mbrojtje të atdheut,” përfundon mesazhi i kryetarit të “Verkhovna Rada” të Ukrainës, Ruslan Stefanchuk.
Po ashtu, në ceremoninë shtetërore të përcjelljes së këtyre figurave të larta mori pjesë edhe Presidenti Volodymir Zelenskyy, i cili po ashtu publikoi pamjet dhe një mesazh.
“Dhimbja po mbush zemrën. Trishtimi i papërshkruar po mbulon shpirtin. Ukraina po humb çdo ditë bijtë dhe bijat më të mira. Faleminderit për punën tuaj të rëndësishme dhe të denjë në dobi të Ukrainës. Jeni pergjithmonë në zemrat tona. I përjetshëm kujtimi!”