Ushtria ukrainase tha se ka rimarrë platformat e naftës në Detin e Zi që ishin pushtuar nga forcat ruse, duke e përshkruar këtë zhvillim si një hap kyç për rimarrjen e Krimesë. Luftëtarët ukrainas kanë bërë përparim domethënës edhe për rimarrjen e Bakhmutit, qytetin që u rrethua dhe u pushtua nga forcat ruse në maj.
Që kur pushtoi platformat e naftës në vitin 2015, Rusia i ka përdorur ato si pista për nisjen e helikopterëve ushtarakë, si baza për forcat e saj dhe si platforma të larta për lëshimin e raketave me rreze të gjatë. Historikisht, Rusia ka orientuar raketat e saj drejt anijeve që transportojnë grurë dhe materiale të tjera jetike drejt Ukrainës.
“Rusisë i është mohuar aftësia për të kontrolluar plotësisht ujërat e Detit të Zi, dhe kjo e bën Ukrainën të jetë shumë hapa më pranë rimarrjes së Krimesë”, tha shërbimi i zbulimit ushtarak të Ukrainës.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk pati komente të menjëhershme për këto njoftime.
Me rimarrjen e këtyre platformave, Kievi ka siguruar kështu edhe një burim energjitik tepër të nevojshëm për luftën.
Zëvendësministri i Mbrojtjes tha se luftëtarët ukrainas kanë rimarrë një qytet në provincën Donetsk dhe kanë marshuar drejt dy qyteteve të tjera në jug të Bakhmutit.
Ndërkohë, Gjermania ka premtuar të vazhdojë t’i ofrojë Ukrainës ndihma ushtarake, ekonomike dhe humanitare, duke njoftuar se mbështetja e saj e deritanishme prej 23.6 miliardë dollarësh e bën atë mbështetësen e dytë më të madhe të Kievit, pas Shteteve të Bashkuara.
Këto zhvillime vijnë pasi Ukraina pritet të jetë në gjendje të përdorë brenda tre muajsh avionët F-16 të huazuar nga Shtetet e Bashkuara, pasi pilotët e tyre të marrin mësime të përshpejtuara në Bazën Morris të Gardës Kombëtare Ajrore në Tucson, të Arizonës.
Presidenti rus Vladimir Putin tha të martën se dërgesat perëndimore të avionëve luftarakë F-16 në Ukrainë vetëm se do ta zgjasin konfliktin.
Duke folur në një forum ekonomik në Vladivostok, zoti Putin tha se 1,000 deri në 1,500 rusë dalin vullnetarë për në ushtrinë ruse çdo ditë dhe se 270,000 ishin regjistruar gjatë gjashtë muajve të fundit. Ai vazhdoi duke shtuar se pret që politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara për Rusinë të mbetet e njëjtë, pavarësisht nëse Presidenti Biden do të mbetet në këtë detyrë apo jo.
Zoti Putin tha gjithashtu se kundërofensiva e Ukrainës, e nisur në qershor në përpjekje për të rimarrë territorin nga forcat pushtuese ruse, kishte dështuar.
Shtetet e Bashkuara njoftuan paketën e tyre të fundit të ndihmave ushtarake për Ukrainën javën e kaluar, ndërsa Sekretari i Shtetit Antony Blinken udhëhoqi një delegacion në Kiev për t’u konsultuar me udhëheqësit ukrainas. Sekretari Blinken e përshkroi përparimin e kundërofensivës si “shumë inkurajues”.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha gjatë një konference për shtyp të hënën se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të vlerësojnë përparimin që forcat ukrainase po bëjnë në terren dhe se objektivat e përgjithshme strategjike të Rusisë në Ukrainë kanë dështuar.
“Objektivi i tyre ishin të merrnin Kievin, të merrnin pjesën më të madhe, nëse jo të gjithë vendin, për të rrëzuar qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Ukrainës. Në të gjitha këto gjëra ata kanë dështuar”, tha ai.
Zoti Miller vuri në dukje se ukrainasit kanë rimarrë rreth 50% të territorit që Rusia kishte pushtuar në kulmin e sulmit të saj frontal.
* Për këtë artikull u morën të dhëna nga agjencitë e lajmeve The Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.