Forcat ukrainase po punojnë për të fituar terren në kuadrin e kundërofensivës ndaj ushtrisë ruse, ndërsa po vazhdojnë të përqëndrohen tek teknologjitë novatore ushtarake. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze, vizitoi objektet industriale në Ukrainë dhe Poloni ku prodhohet dhe testohet teknologjia e lartë ushtarake, që evoluon me shpejtësi.
Kur Rusia sulmoi Ukrainën, Kateryna Mykhalko sapo kishte filluar karrierën e saj për të ndihmuar në bashkëpunimin mes kompanive të teknologjisë dhe qeverisë.
Ajo vazhdon të jetë në Ukrainë dhe tashmë po ndihmon për zgjerimin e industrisë së teknologjisë ushtarake, e cila po rritet me shpejtësi.
Si drejtuese operacionale e një shoqate ku marrin pjesë gjashtë kompani teknologjike, zonja Mykhalko demonstroi një nga dronët e shumtë që prodhohen në Ukrainë.
“Këta dronë gjenden tashmë në front, dhe ushtria ukrainase po i përdor për të arritur avantazhin në fushëbetejë”, thotë ajo.
Në më pak se gjashtë muaj, ukrainasit projektuan dhe prodhuan dronin e zbulimit SHARK UAV, që lëshohet me katapultë dhe përdor një parashutë për uljen.
I prodhuar nga kompania Ukrspecsystems, droni mund të penetrojë në territoret e marra nga forcat ruse, mund të bëjë mbikëqyrje ajrore të detajuar dhe mund të japë udhëzime për artilerinë dhe madje edhe për raketat HIMARS.
Fushata “Ushtria e Dronëve”, e mbështetur nga qeveria ukrainase, ka kontribuar në shkallë domethënëse për prodhimin e dronëve.
“Këto kohëra të vështira lufte na japin mundësinë që ta zhvillojmë teknologjinë me shumë shpejtësi, pasi inxhinierët marrin të dhëna nga fronti dhe nga vetë ushtarakët”, thotë zonja Myhalko.
Pranverën e kaluar, Ukraina filloi projektin e teknologjisë ushtarake BRAVE1, që mblodhi së bashku firma ushtarake, shtetërore dhe të sektorit privat.
Brenda pak muajsh, projekti BRAVE1 regjistroi mbi 300 prototipë dhe mori fonde të shumta, thotë drejtuesja e projektit Nataliia Kushnerska.
“Shtabi i përgjithshëm na dha 12 prioritete kryesore. Nuk kanë të bëjnë vetëm me mjetet ajrore pa pilot. Por edhe me të dhënat e zbulimit. Ka të bëjë me gjithçka që lidhet me teknologjinë e mbrojtjes”, thotë ajo.
Dronët mund të mbartin gjithashtu eksplozivë në përmasa të vogla, që mund të hidhen mbi llogoret e forcave ruse, apo mbi tanket dhe autoblindat. Duke reaguar ndaj këtyre sulmeve, forcat ruse kanë vendosur pajisje që prishin valët e navigimit satelitor.
Eugene Nayshtetik, themelues i kompanisë së re teknologjike Radio Bird, ka ofruar zgjidhjen për këtë situatë. Droni i tij Defender mund të fluturojë pa navigim satelitor dhe mund të pikasë objektiva të ndryshëm që transmetojnë komunikime në valë radioje…apo edhe sistemet e luftës elektronike.
“Detyra e këtij droni është të identifikojë objektiva që komunikojnë me valë dhe për të kuptuar se ku ndodhen objektet e luftës elektronike, njësitë anti-ajrore, radarët, njësitë e zakonshme etj. Kjo do të ndryshojë gjithçka”, thotë zoti Nayshtetik.
Kompania Radio Bird po bashkëpunon me kompaninë polake Air Res Aviation për të bashkërenduar prodhimin.
“Çdo punë që ndihmon në këtë moment për t’i dhënë fund luftës, është shumë e rëndësishme për mua”, thotë Jerzy Nowak, drejtues i kompanisë “Air Res Aviation”.
Kështu mendon edhe zoti Nayshtetik.
“Na duhen shumë dronë. Është një luftë dronësh”, thotë ai.
Sipërmarrësit ukrainas të teknologjisë po luajnë një rol kyç për t’ia mundësuar ushtrisë dhe qeverisë që t’i rezistojnë Rusisë. Përkushtimi dhe novacioni i tyre janë faktorë kryesorë për rezistencën ukrainase.