STOKHOLM – Ukraina është fituese e festivalit evropian, Eurovison 2016. Ukraina u përfaqësua me këngëtaren Jamala me këngën e saj ‘1944’.
Të gjitha shtetet pjesëmarrëse kanë dhënë pikët e tyre për këngët, duke iu referuar votave të publikut dhe jurive respektive. Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit ka ndryshuar mënyra e votimit. Australia ishte e para nga pikët që dhanë shtetet, por publiku e përmbysi duke nxjerrë fituese Ukrainën.
Nëna e këngëtares Jamala është armene, ndërsa babai tatar. Origjina e saj është nga Kirgistani, por që pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në Krimenë tashmë të aneksuar nga Rusia.
Kënga e saj flet për shpërnguljen e tatarëve nga Krimea në kohën e Stalinit. Refreni është në gjuhën tatare: Fjalët që i ka dëgjuar nga stërgjyshja për rininë e humbur larg vendlindjes.
Shqipëria pikët maksimale, (12 pikë) i ka dhënë për Australinë, ndërsa këngëtarja Dami Im në shenjë mirënjohje ka bërë me duar shqiponjën.
Në finalen e madhe të Eurovision morën pjesë 26 shtete, 10 të kualifikuara nga gjysmëfinalja e parë, ndërsa 10 të tjera të kualifikuara nga gjysmëfinalja e dytë. 6 shtete kualifikohen automatikisht për në finale për shkak të kontributit që japin për organizimin e këtij kompeticioni.
Shqipëria këtë vit u përfaqësua nga Eneda Tarifa me këngën ‘Fairytale’, por nuk arriti të kualifikohet për në finale. Eurovision këtë vit u zhvillua në Stokholm të Suedisë.
Komentet