Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka vënë në pah qëndresën heroike të popullit të tij përballë pushtimit të paprovokuar nga Rusia, teksa vendi feston Ditën e Pavarësisë më 24 gusht.
Kjo datë gjithashtu shënon edhe 30-mujorin e luftës tragjike.
“Pavarësinë e ndiejmë secili nga ne. Dhe, të bashkuar, ne mund të fitojmë…Ne i bëmë ballë, e frenuam dhe e zmbrapsëm armikun, dhe tani jemi duke e fundosur. Ne e dimë çfarë është pavarësia, sa e vështirë është ta ringjallësh atë, sa e vështirë është ta mbrosh atë. Por, ne e dimë gjithashtu se çdo gjë varet nga ne”, tha Zelensky.
Ukrainasit po e festojnë pavarësinë në një kohë kur forcat ukrainase po kryejnë një inkursion befasues në rajonin Kursk të Rusisë, në kufi me Ukrainën. Kievi thotë se tani i ka nën kontroll 92 vendbanime dhe 1.260 kilometra katrorë territor rus.
Ukraina thotë se inkursioni, i cili e zuri në befasi Moskën dhe i tronditi udhëheqësit elitarë të Rusisë, ka për qëllim krijimin e një zone të sigurisë brenda Rusisë, për t’i mbrojtur civilët ukrainas nga bombardimet ruse nga matanë kufirit.
Udhëheqësit e Ukrainës kanë sqaruar vazhdimisht se inkursioni nuk synon kapjen e territorit rus, për dallim nga Rusia që e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022, saktësisht para dy vjetëve e gjysmë.
“Duhet ta kemi patjetër një kufi të fuqishëm mes nesh dhe armikut, dhe jo mure midis ukrainasve, sepse Ukraina është e jona”, tha Zelensky.
Zelensky gjithashtu e paralajmëroi tërthorazi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, se lufta e tij do të dështojë, duke thënë se “gjyshi i sëmur nga Sheshi i Kuq… nuk do të na i diktojë vijat e tij të kuqe”.
“Vetëm Ukraina dhe ukrainasit do të vendosin vetë se si jetojmë ne, se çfarë rruge zgjedhim dhe çfarë vendimesh marrim. Sepse kështu e ka pavarësia”, shtoi ai.
Derisa inkursioni i Ukrainës po vazhdon në Kursk, Rusia, në anën tjetër, është duke e shtyrë përpara një ofensivë në rajonin lindor të Ukrainës, Donjeck, pasi synon ta kapë Pokrovskun.
Ukraina është duke i sulmuar objektet e naftës dhe karburantit brenda Rusisë, të cilat punojnë për ushtrinë ruse, pasi Moska për vite e ka rrënuar infrastrukturën energjetike të Ukrainës me sulme me dronë.
Dronët ukrainas kryen një sulm mëngjesin e 24 gushtit në rajonin Voronezh të Rusisë, duke ia vënë flakën një depoje të municionit.
Guvernatori rajonal Aleksandr Gusev shkroi në Telegram se zjarri u shkaktua nga rënia e copëzave të dronit dhe nxiti shpërthimin e municionit. Ai tha se nuk ka viktima.
Edhe rajoni i Belgorodit u sulmua nga dronët gjatë natës, tha guvernatori rajonal Vyacheslav Glakov, i cili shtoi se dy njerëz u plagosën.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se pesë dronë u rrëzuan mbi Voronezh dhe nga një dron mbi rajonet Belgorod dhe Briansk. REL