Të pjekur mirë e të gatshëm për t’u shërbyer në tavolinë. Është kjo që, me gjasë Vladimir Putini mendon për ne ndërsa vëren lëvizjet tona. Përballë belegëve ndërkombëtarë demokracitë nuk mund të bëjnë asgjë nëse nuk kanë mbas veti, të lidhur ose pothuajse, opinionet publikë. Dhe atë lidhje Putini, sigurisht, nuk e sheh. Me fjalë, në Perëndim është vetëdija se sa katastrofike do të ishte, jo vetëm për ukrainasit, një fitore ruse në Ukrainë.Me fjalë.
Faktet thonë tjetër gjë. Faktet thonë se qeveritë perëndimore kanë shumë vështirësi të mbajnë një front të përbashkët mbi krizën ukrainase, sepse opinionet e tyre publikë janë të ndara. Ndërsa lufta shkon keq për Ukrainën perëndimorët lëshojnë sinjale kundërthënëse edhe se në përputhje me traditat kombëtare përkatëse. Nëse Emmanuel Macroni thekson se nëse gjërat do të shkonin vërtetë keq, perëndimorët do të duhej të ndërhynin drejtpërsëdrejti në Ukrainë, qeveri të tjera evropiane (gjermanë e italianë në krye) qëndrojnë larg, e përgënjeshtrojnë: armë po, ushtarë në terren jo, kurrë. Veç faktit që këto ndarje bëjnë të kuptohet se sa utopi ka në aq biseda të bukura mbi mbrojtjen e përbashkët evropiane, si mendohet që kundërshti të këtyre përmasave mund të ndërpretohen nga strategët e Kremlinit? Me që ra fjala, vetë pohimet e Macronit nxjerrin lakuriq dobësinë perëndimore. Duke mos qenë frut i një qëndrimi të NATO-s, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuar e të bashkëndarë nga qeveri të tjera evropiane, në sytë e rusëve quhen si vetëmburrje (të përqeshura si të tilla), e jo shënja force.
Në dëshmi të faktit se sa peshojnë trashëgimitë kombëtare në drejtimin e opinioneve publike e pra të qeverive, përceptohet mirë edhe në luftën ukrainase, ndryshimi i përçapjeve të britanikëve e francezëve në një anë e të gjermanëve e italianëve në tjetrën. Në çdo rast, është një lloj mrekullie fakti që deri tani nuk ka patur shmangie, që asnjë qeveri evropiane nuk e ka thyer frontin, të ketë pushuar të mbështesë Ukrainën. Duke mbajtur parasysh faktin që, në brendësi të tyre, janë të pranishme rryma të fuqishme të opinionit që, n’emër të paqes, do të dëshironin t’i a dhuronin Ukrainën Putinit; duke besuar ose duke u shtirë se besojnë se, mbas ngrënies së Ukrainës, Rusia më së fundi do t’ishte e ngopur, nuk do të kishte më oreks, në këtë kuadër mund të thuhet se për rusët lufta e Gazës ka qenë një bekim sepse huton e ndan opinionet publike perëndimore. Është qumësht dallandysheje për ta mobilizimi studentor në veprim në të gjithë Perëndimin për Palestinën. Ndihmon në coptimin e opinioneve publike e largimin e vëmëndjes të shumëve nga ajo që ndodh në Ukrainë.
Në përgjithësi mendohet, e përvoja historike e vërteton, se tiranët priren të nënvlerësojnë fuqinë e demokracive, i quajnë shumë më të thyeshëm se sa janë në të vërtetë. Në çastin e rrezikut demokracitë – kështu ka ndodhur në të shkuarën – janë në gjëndje të arrijnë të shfrytëzojnë rezerva, lëndore e morale, që tiranitë nuk i kanë. Por ajo që ka qenë e vërtetë në kohë të tjera mund të mos jetë më sot, për shumë arsye. Duke filluar nga rrethana fatlume e tetëdhjetë viteve të pandërprera paqeje që kanë gëzuar evropianët perëndimorë. Peshon edhe fakti që shoqëritë e pasura, të ngopura e të plakura (ka mjaft raste të shkuar historikë), shpesh nuk janë kundërpëgjigjur me energjinë e nevojshme përballë gjallësisë e agresivitetit të grupeve njerëzorë, stili i jetës së të cilëve ka qenë gjithmonë shumë më pak i rehatshëm.
Peshojnë barazpesha ndërkombëtare e nyjëtime politiko-diplomatike. Është diçka e zakonshme të thuhet se periudha e jonë është një kohë shumëpolëshe me një shumësi fuqish në beleg me njëra tjetrën. Vetëm se nuk duket e qartë për të gjithë se çfarë do të thotë kjo për demokracitë. Moshë shumëpolëshe do të thotë se nuk ka, siç kishte në kohët e Luftës së Ftohtë, një rrezik të vetëm. Atëherë opinionet publikë e kishin të qartë se ku ishte e kush ishte armiku. Tashmë belegë e kërcënime vijnë nga të gjitha anët. Mjaft të mendohet se çfarë përfaqëson për mirëqënien perëndimore zgjedhja e Hutëve (e mbështetësve të tyre iranianë) për të bllokuar, me sulmet anijeve në Detin e Kuq, një arterie jetike të tregëtisë ndërkombëtare. Është e vërtetë që ndërmjet këtyre krizave ka ndërvartësi. Rusët janë aleatë të ngushtë të Iranit e të Hamasit. E kinezët mbështesin rusët e iranianët kundër perëndimorëve. Përballë sfidave të shumta opinionet publikë perëndimorë çoroditen. E qeveritë e demokracive, për pasojë, vështirë se arrijnë të mbajnë lidhjen e njënjësinë e synimeve.
Nuk dijmë si do të mbarojë lufta në Ukrainë e as nëse armët do të heshtin shpejt në Palestinë, dhe as cila do të jetë sfida e ardhëshme që do të paraqitet n’Evropë e në Lindjen e Mesme që duhet të përballohet nga perëndimorët. Por e dijmë se pa mbështetjen e opinioneve publikë, qeveritë e demokracive janë gjeneralë pa ushtri, nuk shkojnë n’asnji kah.
Votime evropiane, votime amerikane. Në një farë drejtimi stuhia e përsosur. Në se demokracitë, në provën zgjedhore që i presin, do t’i qëndrojnë sirenave të skajshmërive, ndoshta do të krijohet mundësia për të sqaruar mirë opinionet publikë se cilat janë përparësitë. Ndërkaq, nuk mund të lodhemi së kujtuari votuesve se ukrainasit janë duke luftuar edhe për neve.
Duke lënë mënjanë retorikën politike, do t’i pëlqente të gjithëve një Evropë e fuqishme, e aftë të vetëmbrohet, e të mbronte demokracitë e saj. Por sot mundet vetëm të kërkohet të pakësohen skajshmërisht dëmet.
“Corriere della Sera”, 4 maj 2024 Përktheu Eugjen Merlika