E lodhur prej kushteve atmosferike vjetore dhe e zbehur prej pluhurave të përditshme nga sheshet e ndërtimit të kryeqytetit, baneri me mbishkrimin “Vetëm Përpara” në hyrje të ndërtesës së Partisë Socialiste mori jo pak vëmendje kombëtare dhe ndërkombëtare nga protesta e 7 Tetorit. Protestuesit dhe forcat politike opozitare me një rrugë të ndjekur ndryshe për forcat e policisë e lanë nën flakë portretin e kreut të Rilindjes Socialiste. Hedhja e shisheve me lëndë djegëse aty shënoi një nga rastet e rralla në natyrën e protestave në Shqipëri gjë që e bën publikun të mendojë për rëndësinë e situatës, kur dialogu mungon dhe acarimi mes forcave politike bazohet përpjekja për vlerat e votës dhe rezultatin që del prej zgjedhjeve e ardhshme parlamentare. Nga zhvillimet e protestës mbarë kombëtare mund të veçojmë katër gjendje të paqarta për publikun i cili në jetën e përditshme ndjen peshën e korrupsionit të shtetit dhe krizën në të cilën e ka futur shoqërinë shqiptare;
1-Media dhe informimi.
2-Rotacioni politik për ruajtjen e pluralizmit.
3-Demokracia dhe diaspora aktive si thyerja e heshtjes politike për të siguruar zgjedhje të lira dhe votën e patjetërsueshme të shtetasve shqiptarë.
4-Dobia e Heshtjes.
Gjendja e parë, lidhet me kundërsulmin e hapur informativ të mediave mbështetëse të pushtetit për objektivitetin e ngjarjes ku paragjykohet pritshmëria finale e vetë thelbit të protestës. Populli opozitar dhe partitë politike bashkë në opozitë e kanë bërë të qartë se kërkojnë një qeveri teknike për zgjedhjet e ardhshme dhe jo mirëqeverisje prej pushtetit të korruptuar. Disa orë përpara se protesta të mbahet, për hir të informacionit dhe transparencës mediat treguan imtësisht akset rrugore kombëtare dhe qytetase të bllokuara nga policia dhe se çfarë i lejohej protestës. I tërë ky proces lidhet me psikologjinë e tërheqjes së qytetarëve nga pjesëmarrja fizike në të. Kështu që prej fillesave të grumbullimeve ashtu edhe sikurse gjatë zhvillimit të drejtpërdrejtë media e ndoqi zemërimin protestues si një përplasje të mundshme, të paorganizuar për shkak të mungesës së fjalimeve nga drejtuesit politik. Kur këto të fundit i mungojnë protestës, pra kur nuk dalin në pah si të tjera herë oratorë frymëzues e ligjërues politik dhe vetë qytetarët, mediat hidhen për nxjerrjen e një opinioni tek vetë protestuesit. Pamja, veshja, emocioni, flamujt e deri tek dialekti, këto forma paraqitjeje janë një luks i përgatitjes së opinionit për ata që ndodhen larg ngjarjes dhe përpara ekranit. Pikërisht kjo çarje mes shumicës së pakënaqur i bën diferencat për presionin që propaganda shtetërore ushtron mbi atë që njerëzit edhe pse ata janë njësoj të pakënaqur duke i lënë të pa angazhuar. Pra shtetasit janë të pakënaqur me korrupsionin e qeverisjes dhe drejtimin e luftës politike dhe jo mes njëri tjetrit si popull për përkatësitë e tyre dhe nga ana tjetër pa motive dhe kërkesa. Përpjekjet që përshkruajnë si p.sh numrin e pjesëmarrësve, shtrirjen gjeografike apo dhe kush i kryeson grupet dhe që merr drejtimin, janë disa tregues domethënës për subjektet politike në protestë, për sondazhet etj. pa u ndarë nga ajo që përplasjet me policinë kanë mbetur të pa evitueshme. Por kur dhënia e një lajmi fillon me përdorimin e terminologjisë luftarake, pra sheshe ku palët dallohen me sulme, me mbrojtje dhe me kundërsulme, sikurse hyn edhe terminologjia specifike “molotov”, “gazi lotues” si edhe “ujë hedhëset” e fuqishme për të shpërndarë protestën, i gjithë ky përshkallëzim në ndeshje u jep palëve të kuptojnë se ato ende nuk janë në paqe për ta zgjidhur problemin. Pluralizmi në Kuvendin e Shqipërisë pushon së vepruari dhe njerëzit pa dyshim do të dalin në sheshe për kërkesën kryesore; Zgjedhje e Lira që të mund të sigurohen vetëm nga një qeveri teknike dhe jo nga ky pushtet i korruptuar. Në këtë kuptim sado qytetare dhe e vetëpërmbajtur të ketë nisur protesta, thelbi i saj është e drejta për të shprehur indinjatën dhe ajo vjen përmes ndërgjegjësimit të popullatës, të kundërtën e asaj që shteti bën me propagandën dhe me median si dhe të gjitha mjetet dhe mënyrat e veta për ta përballuar dhe zbehur zemërimin mbarë popullor.
E papritur për ekranin ishte nga protesta e 7 Tetorit edhe befasia e ngjarjes që e shpuri tek ndërtesa e Partisë Socialiste e cila e zbrazur në ato orë mori goditjet nga mos përmbajtja dhe nga provokimi. Gjendje këto që nuk mund të mbeten jashtë ngarkesave psikologjike dhe emocionale që bartin protestuesit. Nga kjo përplasje si dhe nga dhjetëra të tjera më parë policia e shtetit veç zbutjeve të tensionit ka gjetur edhe mënyrat e ndëshkimit përmes, shoqërimeve, arrestimeve dhe procedimeve penale të cilat në këtë rast rezultuan në disa qytetarë dhe drejtues politik të Partisë Demokratike. Në fund të këtij mandati me plotfuqinë e kartonave në kuvend ushtrojnë një Komision për Dezinformimin, një mjet shtrëngues dhe kontrollues i informacionit në mbrojtje të qeverisë.
Gjendja e dytë, vlerëson kohën. Shqipëria ndodhet në periudhën e fundit të tre mandateve të gjatë të një elite prej një force të vetme që po shteron hapësirën dhe të drejtën e opozitarizmit. Liria politike në parlament është përfaqësimi përmes të zgjedhësve i zërit të qytetarëve i shumicës apo i pakicës qoftë ky. Por vit pas viti qeverisja dhe drejtimi pa fantazi i shtetit e ka bërë Shqipërinë pronë përdorimi nga një elitë. Tek ajo sheh qartas grupet e interesave, përfitimin dhe shfrytëzimin që del nga zotërimi i një posti zyrtar dhe institucioni e deri vlerën e mandatit të një deputeti të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Shqipëria ka arritur në këtë periudhë të fundit dukshëm një kalbëzim politik dhe kjo është shenja e skadencës së produkteve ideologjike të prodhuara nga Rilindja Socialiste për ekonominë, ushtrinë, arsimin, shëndetësinë, mjedisin, shfrytëzimin e burimeve natyrore, marrëdhëniet ndërkombëtare, emigrimin masiv që në tërësi kanë rrënuar ndjenjën e atdhedashurisë, sigurinë e familjes dhe të pronës për shqiptarët në të gjithë territorin e vendit. Me bunkerin ideologjik të partisë-shtetit në qendër dhe në rrethe ky sistem ka gjetur mburojën vetëm disa muaj para mbylljes së mandatit të tretë (në qoftë se zgjedhjet do të mbahen në muajin Maj 2025), pa i hapur rrugë garës së ndershme zgjedhore dhe rotacionit politik.
Pushteti dhe media sillen me dobi reciproke ndaj njëra tjetrës për ta konfuzuar publikun për çdo ngjarje që ndodh pavarësisht nga gjuha e propagandës zyrtare. Protesta edhe pse u bë krye lajm nga mediat vendase, nuk e kërkoi as vendndodhjen dhe as qëndrimin e kryeministrit Edvin Rama më pas mbi gjendjen. Përkundrazi ato e kaluan me heshtje duke e përcjellë atë në takimet e zakonshme për ditët në vazhdim me agjendën personale, gjë që nuk e bëri media ndërkombëtare.
Agjendë personale duhet theksuar dhe jo shtetërore, pasi Edvin Rama asgjë nuk bën asgjë pa llogaritur përfitimin dhe jetëgjatësinë e pushtetit të vet nga pjesëmarrja në politikë.
Thënë ndryshe ishte një strukje taktike e tij që kërkoi të largonte frikën nga vetja. U kujdes mirë për zjarr-fikjen sa me ndihmën e medias aq edhe të forcave policore e trupave speciale nga përballjet me protestuesit shqiptar duke e ruajtur për një herë tjetër revanshin përsa pësoi baneri elektoral dhe portreti i tij që e mbulojnë dukjen e ndërtesës së Partisë Socialiste prej kohësh.
Grumbullimi prej 5-6 orësh në protestë dhe ku qarkullimi rrugor e lëvizjet qytetare u paralizuan në pjesën më të madhe të ditës dhe patën një efekt goditës për opinion kombëtar dhe ndërkombëtar. Mos reagimi personal nga Rama ruante zhvillimet e së nesërmes ashtu sikurse edhe të gjithë javës në vazhdim ku parashikoheshin vizita të larta ndërshtetërore, brenda dhe jashtë vendit. Kjo ishte kohë e duhur për të shmangur të vëmendjen dhe mundësia për ta “ruajtur imazhin”.
Kështu e Marta më pas 7 Tetorit, ende pa u bërë postimet-propagandë të mëngjesit, na e shfaqën kryeministrin në një takimi me kryetarët bashkiak të Shqipërisë me tematikën rreth emergjencave civile, platformat e dialogut, ndihmat sociale. U fol aty për të gjitha krizat, madje edhe për përmbytjet e fundit, por ku ende nuk ka përgjegjës sepse me shifra pushteti vendor në shumicën dërrmuese i takon socialistëve pas zgjedhjeve vendore të 14 Majit, 2023. Rilindja Socialiste drejton me 53 kundrejt 7 në favor të socialistëve. I përditësuar në letrat e 2024 në 54 me 6 pas marrjes së Bashkisë Himarë (me rizgjedhje).
Tema e diskutuar shkoi larg deri tek pasojat e tërmetit 2019 ku ende 100 familje në Mirditë: “…janë konsideruar për ndërtimin e banesave, për të cilat është ndërprerë edhe bonusi i qirasë”, sipas kryetarit të Bashkisë Mirditë (BF), Albert Melyshi.
Por si ka mundësi që pas pesë vitesh 2019-2024, magnituda e tërmetit 5 vite/ballë, më pas të kapet nga qendra sizmike e kryeministrisë dhe problemet të kenë mbetur pa u zgjidhur edhe pse po afrohen zgjedhjet e tjera?
Shpjegimi i saj është se mandati socialist bashkë me sloganin dhe banderolën nën flakë të kryeministrit kanë brenda të gjitha mos përgjegjësitë disa vjeçare. Ato lidhen me skadencën politike që shkakton kriza dhe i gjithë ato vetëm me premtimin elektoral kur zgjedhjet e reja afrojnë.
Pra pavarësisht larmisë së elementëve “pengues” në këtë fazë se kush ndjehet më i forti, veprimi i mosbindjes civile ka arritur pjekurinë e protestës qytetare. Nuk janë jo vetëm thirrjet; “Zgjedhje të Lira”, “Rama Ik! “, “Poshtë narko-shteti”, “Qeveri Teknike” etj. që bëhen shprehja e zemërimit të popullsisë dhe i opozitës kundër regjimit, por Tirana e 7 Tetorit provoi se edhe me atë shkallë organizimi kundërpërgjigja e fortë të shtetit vjen me goditje, ushtrim force, mbytje me gaz helmues.
Një presion në rritje i censurës dhe auto censurës mes gazetarëve u ndie në përcjelljet e lajmit pa përmendur studiot me analistët të mediave audio-vizive të cilat janë “trajnuara” mirë për krizat gjatë tre mandateve. Shteti policor në kësi rastesh dhe media shprehin drejtpërdrejt investimin, mes forcës dhe propagandës për të justifikuar e një mandat të katërt në pushtet për një elitë politike si Rilindja Socialiste. E cila që aktualisht për të evidentuar stabilitetin “gjeopolitik” dhe rrugën drejt Evropës po e vendos në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë sistemin parti-shtet.
Ky akt transformues duhet ndalur sepse po shkatërrohet institucioni i mendimit ndryshe dhe i opozitës.
Në rastin e gazetarisë, e vërteta dhe objektiviteti janë provat profesionale të cilat duhet të dalin në dritë dhe të diskutohen pa kërkuar domosdoshmërish ndarjen në gazetarët/et opozitarë apo ata/ato me dhe për pushtetin. Një gazetar/e pro qeverisë në të tilla situata krizash tashmë është kthyer në një agjitator-rrogëtar, dhe që nuk ka më misionin të kuptojnë dhe të dallojnë se përse shoqëria shqiptare gjendet në këtë rënie, nuk ecën dhe nuk zhvillohet, por vetëm përkeqësohet. E gjithë kjo vjen sepse media bën zhurmën deri sa rezultati jashtë kutisë së votimit t’i shërbejë politikës së korruptuar për të mbajtur pushtetin.
Gjendja e tretë, Në Shqipëri sot problemi nuk është më në të kuptuarin e rastit të thjeshtë se çfarë krahu mban,… je me apo je kundër.
Por çfarë shqiptarët duhet të bëjnë për Shqipërinë?
Kjo pyetje vjen edhe nga mbarë diaspora për gjendjen e tanishme sikurse edhe për zgjedhjet e ardhshme të mundshme për pjesëmarrje. Në qoftë se në media vërehet një përgatitje opinioni se; “shqiptarëve të larguar prej kohësh ju ka ngelur sahati” dhe nuk arrijnë ta dallojnë diasporën jashtë titujve për arritje “ambasadorë dhe krenar”, ky opinion ushqehet qëllimisht dhe është i gabuar.
I gabuar sepse tek diaspora shqiptare nuk ka më emocione nostalgjike për të përcjellë ndryshimet e Shqipërisë. Çdo emigrant e provon me punë, me djersë, me përgjegjësi dhe detyra për veten dhe familjen. Gëzon shëndet, paguan taksa, por lufton për lirinë fjalës dhe të besimit të cilat i gëzon të pa ndara ato me ndjenjat e forta të dashurisë për vendlindjen që edhe Shqipëria të jetë një vend i qytetëruar.
E rëndësishmja sot është që ndoshta përpara ekranit kur edhe një protestë e përmasave kombëtare që zhvillohet përpara syve tanë dhe përcillet e drejtpërdrejtë të mos nxjerrë si justifikim pretendimet e politikanëve se korrupsioni ndreqet përmes mirëqeverisjes nga partia në pushtet dhe se gjitha pengesat që vijnë janë fruti i opozitës së përçarë dhe padituria e shtetasve. Kjo propagandë zyrtare kundër mendimit të lirë dhe jo thjeshtë vetëm atij të opozitës pa përfaqësim dhe që janë kundër këtij regjimi kanë treguar se llogaridhënia e qeverisë mbetet pa transparencë, pa përgjegjësi dhe drejton me arrogancë. Herë të tjera media me shtetin i kthen në “tabelë qitjeje”, kundërshtarët dhe bëhet ekzekutore e vendimit politik duke e marrë të mirqenë sistemin ndëshkimor i drejtësisë.
Kriza ka arritur deri aty sa korrupsioni sot ka kristalizuar qëllimin e pushtetit për asgjësimin e pluralizmit dhe ku drejtësia po përdoret për të eliminuar kundërshtarët politik. Diaspora shqiptare e njeh dhe e ka përjetuar kohën se si sistemi i shkuar i diktaturës prej të cilës shqiptarët u larguan për një jetë të lirë dhe me mirëqenie, ndaj vota e tyre sa vendimtare për fatet e vendit shpreh pasigurinë për rezultatin nga vazhdimi i një pushteti që mbahet me korrupsion dhe propagandë .
Këto qëndrime të elitës në pushtet dhe mediat pro saj bëjnë atë që përballjeve me rezistencë të fuqishme qytetare t’u hiqet sot qëllimi ashtu sikurse edhe në të shkuarën një pjesë e protestave realizuan edhe lidhjet klienteliste me pushtetin duke dëmtuar rëndë kauzën e opozitarizmit politik. Ndarja e posteve i krijoi fushë veprimin e nevojshëm të elementëve në politikë që fragmentuan në afate të gjata aksionin e shoqërisë duke krijuar përçarjen më të madhe politike forcës së djathtë në Shqipëri. Kjo është një kosto të lartë për Partinë Demokratike që përjetoi vështirësi disavjeçare për të gjetur bazën e vet dhe mbështetësit, por që mund të konsolidohet përmes organizimit dhe fitores në zgjedhjet e ardhshme.
Dalja nga diktatura dje dhe tendencat për ta rivendosur diktaturën sot pas 34 vitesh, janë jo më thjeshtë përplasja e programeve, por janë interesat jetike të shumicës dhe të pakicës (kundër), që duhet të bashkohen papajtueshëm në luftë kundër korrupsionit dhe asaj elite që e pret pushtetin të dalë nga zgjedhjet. Shqiptarëve si zgjedhës dhe të zgjedhur u nevojitet të frymëzojnë zhvillimet e lira dhe të dëshiruara për veten, familjen, shoqërinë dhe kombin. Në qoftë se këto vlera cenohen, heshtja nuk mund të thyhet vetëm në ekranet, por kudo në sheshe aty ku protestat e bëjnë zërin që të dëgjohet sepse sistemi një partiak po arrin krizën shoqërore dhe ekonomike të fillim viteve ’90-të.
Ky hark 34 vjeçar përpjekjesh i duhet sjellë si fakt pikërisht brezit të rinisë dhe kësaj moshe popullsie që i mungon sot Shqipërisë. Ndër këta vite është kuptuar ka se çfarë duhet hequr, se çfarë duhet pranuar, por mes viteve të ’90-tës 1990-ës dhe tani në 2024-ën, Shqipëria ka një brez 30 vjeçarësh të gatshëm për t’i provuar energjitë e tyre. Ky brez fatmirësisht gjendet në atdhe sikurse edhe në diasporë.
Kur sjellim në vëmendje se mediat ndërkombëtare e mbajtën frymën nga befasia për 20 Shkurtin, 1991 rrëzimin e shtatores së diktatorit Hoxha ku studentët dhe populli protestues çelën shpresën e re drejt lirisë dhe u vra frika, sot tek ai brez gjen protagonistët që kishin meritat dhe pasionin për ta bërë Shqipërinë Evropiane. Në Kuvendin e Parë Pluralist të Shqipërisë u krijua institucioni i opozitës, i cili krijoi kushtet për mendimin politik modern dhe mbijetesën e pluralizmit pa çka se përballë qëndronte partia trashëgimtare e bindjeve komuniste, Partia e Punës. Ishin po ashtu mediat ndërkombëtare që në varfërinë dhe izolimin e Shqipërisë atëherë dalluan një shoqëri të ideologjizuar brenda një vetëizolimi nga bota, ku ligjet dhe “liritë e ideve dhe të veprimit” prodhoheshin me mënyrën e propagandës nga e vetmja byro/elitë politike cila drejtonte “demokracinë” me përfaqësim nga Kuvendi i Republikës Popullore Socialiste.
A janë sot këto rikthime në një pikë në qoftë se ne do t’i referohemi historisë?
Këto dy momente kulmore të krizës shumë-planëshe shqiptare sot duket se e vërtetojnë tendencën ndaj edhe ndërgjegjësimi qytetar merr një rëndësi të veçantë për vlerat e parlamentarizmit pluralist në Republikën e Shqipërisë. Në Evropë nuk shkohet me diktaturën e narko-shtetit dhe me korrupsion.
Dhe këtu mbërrijmë tek Gjendja e katërt, dobia e heshtjes.
Përse e ruan heshtjen Rama ose e thyen pak atë?
Nisur nga komentet e tij të fundit se protesta qytetare ka patur vetëm dy “lëndët helmuese” dhe “studentët”. Dhe të dyja këto kur qeveria e tij ishte përgjegjëse, por fakti që ai vazhdon dhe qeveris kjo na jep të kuptojmë se nuk ka korrupsion dhe popullsi protestuese, por ka një elitë që reagon dhe e mirëqeveris vendin.
Dobia e heshtjes vjen se pas çdo shpërthimi dhe reagimi qytetar zbulohen protagonistët. Njohja e veprimtarëve të tillë është synimi kryesor i shtetit të korruptuar për t’i arritur me çdo formë. Nuk ka më rëndësi joshja dhe shantazhi (dy ekstremet), rëndësi është shmangja e tyre nga loja që i prishin atij pushtetin.
Ky pikërisht është kërcënimi i tij për jetëgjatësinë e pushtetit sepse sot jetojmë në një botë të trazuar dhe ai ka parim shfrytëzimin e çdo krize në dobi të interesave dhe pushtetit vetjak. Nuk ka se si ta shprehësh ndryshe hapjen Rama, kur përballë vijnë krizat. Në i doni ato toksike nga industria përpunuese sikurse dhe nga fushat e mbetjeve urbane, në i doni ato mjedisore për shkatërrimin e natyrës, në i doni ato kriza emigrantësh ku ofrohet lëshimi i territorit sovran, në i doni ato politike dhe brenda luftërave ku eksperimentet zgjatohen deri tek toleranca fetare mes shqiptare ndër shekuj, aty e keni praninë e Ramës dhe pas qeverinë e tij.
Nga ky përjetim duam t’ju sjellim një mendësi prej Rilindjes Socialiste se si krizat shfrytëzohen.
Shembullin do t’ua konkretizojmë me përdorimin e termit “GJURMË” dhe efektin e tij.
Shqipëria nuk është vetëm perla e panjohur turistike përmes propagandës. Të mos harrojmë se mbi pasurinë e natyrës shqiptare nisën të shfaqen gjurmët kur u gjetën mënyrat e përfitimit mbi ato pasuri kombëtare dhe në të tjera raste pasuri shtetërore. Mbi gjurmën e një “aeroporti të vogël” kjo qeveri globaliste dhe e ndjeshme për klimën nuk pyet se do të shfaroset fondi mijëra vjeçar i shpendëve migratorë dhe biodiversiteti i natyrës. Mbi një gjurmë zhvillon gjuetinë e koncesioneve dhe shpall masakrën mjedisore duke ndërtuar jashtë parimeve dhe ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare një aeroport trans oqeanik mbi Lagunën e Nartës.
Por nën efektin gjurmë të së shkuarës komuniste sot janë ngritur edhe guidat turistike jo vetëm thjeshtë për nostalgjikët e diktaturës, por ato kulmojnë me përvjetorë të çlirimit, me ngjarje dhe data që nga LIIB në një kohë kur të njëjtat mjete në këto ekspozime ishin mënyra me të cilën diktatura ushtroi dhunën dhe luftën klasore. Pra po ai sistem i mungesës të së drejtës që po kërkon të instalohet sot.
Mbi “gjurmët” e një ringjallje të besimit dhe e jo pak besimtarëve bektashi historikisht në paqe dhe me kontribut për Shqipërinë, nga selia e OKB ku sovrani shpreh fjalën, si një diktator Rama e destabilizon vendin me idenë e një shtet formimi, në një kohë kur vetëm ai mbetet personi që nuk i sheh gjurmët e plagëve prej korrupsionit.
Dhe kjo, ku?
Aty ku në Evropën Juglindore cila jeton kriza më shpërthyese dhe civilizimi ka parë prejardhjen e dy luftërave botërore.
Me sozinë e Ismail Bej Vlorës, Rama dhe të tijtë i përulen pa kushte para një autokrati si Erdogani, ku të dy bashkë janë pushtet-mbajtësit më jetë gjatë sot në Ballkan. Ky gadishull i Evropës që mbetet ende një gjurmë krizash për kontinentin tregon se ka shtete që drejtohen nga autokratë, të gatshëm për influenca dhe shtrirje po aq sa edhe për shkëmbimet në favor të jetëgjatësisë së pushtetit. Autokratë që nuk i kanë dhënë provat e kundërta për liritë dhe të drejtat demokratike të shtetasve në vendet respektive.
E majta dhe e djathta bashkë që parimisht shprehen me prirjen drejt Evropës kanë nevojë të ndajë përgjegjësinë e politikës jo vetëm për këta 34 vjet të Shqipërisë në tranzicion, por edhe t’i përcjellin mesazhe paqeje dhe unitet popullsisë duke i plotësuar kushtin e barazisë për vlefshmërinë e votës dhe kryerjes së një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.
Sistemi një partiak dhe autokracia kanë mbërritur në shterimin e mjeteve dhe formave të ndeshjes politike. Janë e drejta e votës dhe zgjedhjet e lira të shtetasve çështja kryesore për të kuptuar në udhëkryqin që ka mbërritur Shqipëria sërish prej pushteteve të kapura dhe në duart e partisë-shtet. Legjislativi, Ekzekutivi, Ligjori dhe Media sipas kushtetutës janë shprehje e vullnetit të sovranit sa i ka ushtruar në këtë tranzicion 34 vjeçar dhe sa i ndërgjegjësuar është tani për të drejtat dhe liritë themelore të mohuara kjo mbetet çështja. Kur ato mungojnë dhe më keq mbahen peng prej politikës, sovrani nuk e mban më dot zgjedhën. Ai është i gatshëm për të ushtruar presionin e protestave dhe të ndeshet me cilin do që cenon territorin, liritë dhe të drejtat e shtetasve, fjalën e lirë, besimin, familjen, pronën dhe unitetin kombëtar.
Në pak histori është e rëndësishme të kujtojmë se partitë shtet në Shqipëri janë përfaqësimi i dështuar i një sistemi që pluralizmin e mban si fasadë dhe ka prirjen e manipulimit të pandërprerë të demokracisë. Partia-shtet mbahet nga diktati, konfuzioni i propagandës me qëllim marrjen/grabitjen e votës. Populli shqiptar nuk mund t’i japë më votën një elite politike që kauzën drejt BE-së e tund si një program politik për t’u ndjekur dhe kur në të njëjtën kohë drejtësia për ta ndëshkuar korrupsionin nuk po jep rezultat.
Nisur nga 7 Tetori, ashtu sikurse kusht mbeten vazhdimësia dhe qëndresa, të rëndësishme janë vigjilenca dhe disiplina e protestave. Ato kanë ka nevojë për mbështetje të gjerë dhe pjesëmarrje pa rënë në grackën e provokimeve. Protestat qytetare janë ftesa të dobishme që në mënyrë të shëndetshme fiton zemrat e mbarë shqiptarëve në rritje. Thelbi i tyre mbetet kundër instalimit të diktaturës dhe çdo elite politike që e ushqen atë.
11 Tetor, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)