A është kulturë diplomatike, paaftësi politike apo konsideratë për provincialët atëherë kur lidershipi mbetet jashtë vemendjes së faktorit shqiptar në Europën Juglindore? A kërkon kryeministri Rama apo qeveria shqiptare të jetë politikisht korrekt me qëndrimin ndaj ftesës për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Europës? Kryeministri nuk është ndier, pret muajin Maj ndërsa eksponentët e tjerë të Rilindjes shprehen edhe para tij se ky ishte: “një sukses tjetër plotësisht i merituar”?
“You deserve it!” – një shpreje kalimtare dhe pa nerv përgëzues – në gojën e kryeministrit shqiptar që nuk i bëhet jehona për Kosovën nga ATSH si mjet i propagandës ashtu si kur çdo ditë përdoren platformat e tij të mediave sociale si “X”, “Facebook”, podcast etj. kur në rastin kur numëron turistët dhe përshëndet ndjekësit me foto e peisazhe të manekyruara – është një sinjal dëshpërimi. Për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë është vazhdim i zbehjes që la pas regresi diplomatik dhe dështimi i plotë i projektit “Ballkanit të Hapur”. Ndërsa marrëdhënia Shqipëri-Kosovë është më e qenësishmja për kombin, sot ajo për shkak të kryeneçësisë në politikë është e ftohtë sepse qeverisja Rama ka humbur protagonizmin mbarëkombëtar. Kryeministri shqiptar i shquari dhe kuratori i Samiteve të dëndura të Tiranës tregon se është miop në diplomaci ndonëse i zoti në vetëreklamë. Ai ndien se po e humb edhe përkëdheljen e sedrës për t’u quajtur edhe”babai i kombit” ashtu siç u quajt prej dikujt mes faktorit shqiptar gjatë vitit të shkuar mes tapetit të kuq. Politika e tij e jashtme po humb kredibilitetin ndër shtetet sepse dhe ai nuk ka më as fantazi dhe forca për të mundur ta zgjasë pushtetin pas këtyre 10-11 viteve. Nuk do të mund ta zgjasë sepse kjo qeverisje në politikë ka asfiksuar pluralizmin, në ekonomi varfëria ka pllakosur nga shancet e pabarabarta që t’i jep perëndia dhe vendlindja sepse mbi to sundon korrupsioni shtetëror, lëvizja e lirë është shndërruar në ikje pa kthim dhe ku forca e ligjit dhe drejtësia nuk veprojnë në mënyrë të barabartë për të gjithë shtetasit.
Duke dashur të kërkojmë vemendjen e opinionit publik shqiptar tek kjo pikë dhe mbi gjendjen e tanishme të Shqipërisë gjatë këtij viti parazgjedhor, parashtimet e mësipërme na japin mundësinë që të shohim se çfarë po bën politika, ku janë më të interesuar njerëzit dhe ku ndodhet pa protagonizëm lideri i qeverisë shqiptare.
Fakti i thjeshtë është se kreu i ekzekutivit shqiptar hesht dhe nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për shtyp për të bërë dhe mundësi për ta uruar ftesën e Kosovës për në Këshillin e Europës. Deri në muajin Maj ka ende kohë dhe gara mbase i duket kohë e gjatë kryeministrit që mendon se duhet t’i ruajë lëvizjet politike dhe energjitë. Por gjatë 48 orëve e fundit realiteti i është përplasur flluskës së Ramës. Kosova jetoi lajmin e gëzuar, që u përhap dhe u prit mirë në mbarë hapsirën shqiptare dhe kudo në diasporë ashtu sikurse u shoqërua edhe me tensione disa orë më vonë ku disa qindra shtetas të Kosovës janë penguar në lëvizjen e tyre të lirë në pikat kufitare të Republikës së Serbisë me fqinjët e saj. Shprehja e qëndrimeve dhe përditësimi i tyre sipas zhvillimeve në politikën e jashtëme më vete dhe me mirëkuptim ndërkombëtar do të ishin së pari ndershmëri më parë se të shitej mospërzjerje dhe diplomaci me popullin vëlla shqiptar të Kosovës. 16 Prilli një ditë e shumëpritur për shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, do ishte lajm shumëfish më i fortë nëqoftëse ashtu si pozita dhe opozita në shtetin amë pra nga i gjithë spektri politik do ta jepnin urimin me vendosmëri dhe përmes një deklarate mështetëse të dalë nga Kuvendi i Shqipërisë.
Në këtë rast parlamenti është një organizëm i pavarur dhe nuk imponohet nga presionet që bën qeveria Rama. Daljet e veçuara nga qëndrimet e lidershipit politik të bëjnë të kuptosh se uniteti kombëtar është i cënuar për shkak të polarizimit politik dhe mazhoranca priret nga fuqia e pushtetit.
Faktikisht përcjellja e ngjarjes bëhet me deklarata të thata që serviren si propagandë. Këto i gjen vetëm në Agjencinë Telegrafike Shqiptare e cila protokollon dhe prodhon veprimtaritë e strukturës partiake të Rilindjes Socialiste. Po veçojmë tre mesazhe ku nuk dallon individualitetet që përfaqësojnë politikën e mazhorancës, por vijën politike të qeverisë që përforcon togëfjalëshin “e ke merituar”. Dhe për Kosovën kjo vjen nga Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Bledi Çuçi, por ende jo nga Ministria e Jashtëme dhe Kryeministri.
“You deserve it!”, “E ke merituar!” mund të thuhet përkohësisht edhe për një popull që mashtrohet nga qeveria që zgjedh por nuk mund të thuhet mes vëllezërve të një gjaku pavarësisht edhe pse politika është në mes. Shqiptarët sot kanë nevojë ta mbështesin dhe ta ndihmojnë njëri tjetrin në sfidat që kanë dalë përpara pasi të dy vendet tona vetëm të zhvilluara ekonomikisht, me një rend demokratik dhe me një shtet të së drejtës bashkërisht si një komb shqiptarësh do të bëhemi pjesë e Evrpoës, e shtrirjes gjeografike të së cilës i përkasim dhe historisë së përbashkët që trashëgojmë.
17 Prill, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)