Mund të mendohej se ATSH-ja do t’i kushtonte pa propagandë turistike qoftë një ditë të vetme gjendjes së jashtëzakonshme të krijuar nga reshjet e shiut për popullsinë e qyteteve dhe fshatrave, por kjo ndodhi në shumë pak orë. Në faqen kryesore kurrë nuk duhet të mungojnë përshtypjet e gazetave, revistave dhe bloge-ve të huaja për turizmin. Numërimi i vizitorëve është kthyer në sëmundje dhe ves përsëritje në media dhe politikë pavarësisht problemeve shpërthyese që ndodhin me varfërinë, përmbytjen, mungesat e ujit, energjisë dhe njerëzit ndjehen pa kujdesje dhe me ditë në mëshirë të fatit. Turizmi i Rilindjes Socialiste tashmë është kthyer si fryma e aksionit të viteve të shkuara për “prodhimin e bukës në vend”. Me këtë frymë patronazhimi Rama i do të gjithë ministrat në detyrë dhe mediat, pavarësisht se ditët me shi i zbrazin plazhet dhe numrat e zotuar i duhen fjalimeve për zgjedhjet e ardhshme.
Një situatë e jashtëzakonshme që do ta ndajmë me subjektin e një humori në fund të shtrimit të problemit sepse shqetësimi i qeverisë janë dezinformacioni dhe propaganda dhe jo rindërtimet e fasadave elektorale që po e rrënojnë përditë Shqipërinë.
Javën e kaluar më 26 Shtator një ngjarje që ndoshta kaloi pa u vënë re prej ngarkesave të jetës politike në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë ishte edhe mbledhja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”, kryesuar nga Erion Braçe. Një emërtim i gjatë që nënkupton gjithë përfshirjen e cilitdo që jo vetëm është kundër, por edhe për ata që mendojnë ndryshe dhe e kritikojnë qeverinë dhe ideologjinë e re të prodhuar prej saj.
Interesant për publikun është politizimi dhe sulm-propaganda njëkohësisht e ligjbërësve të Rilindjes Socialiste tashmë të shkëputur edhe nga baza tradicionale e saj ku shohim se të përfshirë me të gjitha forcat, kërkohet dhe tregohet vetëm suksesi e udhëheqjes socialiste, elitës. Pra dora e fortë që e drejton mazhorancën me çdo mjet dhe me çdo justifikim të nënshtruar prej Edvin Ramës, si një forcë politike që zbaton jo vetëm kërkesat e tij por në shënjestër për gabim dhe marrje ndëshkimi ka opozitën. Popullsinë e këshillojmë me stabilitetin dhe me mirëqeverisjen në pushtet 12 vjeçar që nuk është ndalur nga korrupsioni, ndërsa kundërshtarët politik i goditen armiqësisht për mos bashkëpunim, për mospjesëmarrje madje deri në sabotim.
Por ky shi që ra përplas të vërtetat për dezinformimin. Në qytete dhe fshatra shpërthen njëherësh problematika e furnizimit me ushqime, barna, i rrugëve dhe tubacioneve të shtruara, i linjave elektrike, stacioneve të pompave etj. Dhe në ditë si këto matet edhe qeverisja qendrore dhe vendore me cilësinë e punimeve të kryera. Ditë si këto duhen për të menduar seriozisht mbi infrastrukturën, tunelin dhe aeroportin që ndërtohen në Vlorë, ku raste të tilla reshjesh shndërrohen në lumenj kanionesh mes kullave dhe ndërtimeve dhe popullsia e vizitorët bëjnë aventurat lundruese mu buzë detit.
Sa miliona euro janë shtyrë përmes skemës dhe agjendës nga projektet “transformuese koncesionare”?
Kush kanë qenë përfituesit dhe kush është shpronësuar nga një politikë e tillë ekonomike?
Por kush mban përgjegjësitë për paranë e investuar, sigurinë dhe shëndetin e popullsisë së prekur?
Ndërtohet një rrugë, tunel, port dhe aeroport si dhe shpërthejnë ndërtimet në zonat bregdetare, në zonat e mbrojtura natyrore si edhe të dhe ato të trashëgimisë kulturore ndërkombëtare dhe…kulmojnë me bumin e vizitorëve ditorë dhe thuhet se “turizmi është pika më e lartë kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht e qeverisë”. Madje nuk ka ministër tjetër veç institucionit përkatës dhe krye bashkiak që nuk flet për milionat e turistëve.
Numërimi i turistëve po pasohet nga sindromi* i numërimit të votës. Kjo na kujton milionat e vizitorëve gjatë dy viteve të fundit që u preken nga kontrolli i “garës” politike për zgjedhjet vendore dhe ato të Kuvendit të Shqipërisë ku në përmasa të frikshme po shkohet drejt një sistemi parti-shtet pa pluralizëm ose me “opozitë” sa për formë.
Po si mund ta dallojmë sindromin e të numëruarit ?
Këtë ta thotë kryetari i komisionit të posaçëm Braçe:“…vende të BE, por edhe institucione të tjera nga Evropa në Amerikë, janë përfshirë gjithnjë e më shumë në adresimin e problematikës që ka të bëjë me ndërhyrjet e huaja direkte, veҫanërisht në proceset demokratike zgjedhore dhe më gjerë sesa kaq, përfshirë edhe dezinformimin”. Fraza shabllone, retorikë pa shtrim dhe zgjidhje problemesh disa ditë para ardhjes së motit të keq.
Kjo është një histori e vjetër që na kujton byronë politike të Hoxhës dikur që mbështetej tek ideologjia e revolucionit të përbotshëm ndërsa ky i sotmi me përjetësinë e elitave globaliste që flasin në emër të demokracisë. Kur biroja/byroja (lexoje elita e Rilindjes Socialiste sot), e kishte bërë bujqësinë “çështje të gjithë popullit” sepse Shqipëria ishte vendi i rrethuar nga imperializmi dhe social-imperializmi.
Kështu sot edhe sindromi i turizmit. Propagandë, reklamë, mbulim mediatik marramendës. Nuk ka takime dhe samite ndërkombëtare ku Rama nuk i përmbahet dy gjërave, turizmit dhe barcaletave.
Me që e solli rasti, po i kujtojmë atij dhe publikut këtë të dytën. Për ta prurë në kohë rëndësinë e rreshjeve të shiut që bien në tokën e vet, por për socializmin “buka e prodhuar në vend” ishte ankthi i rendimentit para korrjes së grurit sepse teknologjia bujqësore çalonte dhe thatësira nuk njihej ende si efekt i ndryshimit global të klimës. Megjithatë numrat duheshin.
“Ishte një verë kur byroja ishte e mbyllur në zyra dhe kryeministri kërkonte llogari të gjithë vartësve të dhënat për vaditjen dhe parashikimin e rendimenteve në drithë. Ato duheshin çdo ditë të freskëta që t’ia shpinte zotimin dhe tejkalimin e shifrave, atij që ishte më lartë, diktatorit. Pjesa më e rëndësishme e zhvillimeve të ditës ishte koha pas revistës televizive. Moti sot dhe parashikimi për ditën e nesërme” Qetësia e meteorologut ishte e përnatshme sepse ai quante mot të mirë diellin rrezatues të verës që i shkonte për shtat pushuesve plazhistë. Thatësia dhe moti pa reshje zgjatën me javë, dhe asnjë vranësi nuk kthehej në pika uji me përjashtim të Ersekës që vazhdimisht kishte “shi të dobët”. Shiu i dobët ishte një alarm për byronë politike, ndaj një ekip i specializuar u nis drejt Ersekës. Në qendrën sinoptike të Ersekës ekipi survejues dallonte punonjësin që bënte matjet e herë pas hershme të drejtimit të erës dhe temperaturës dhe në fund të ditës ngjyente shufrën në enën shi mbledhëse dhe raportonte saktësisht çka mblidhte ajo. Kjo ishte rutina e vetme dhe e pazbuluara që vriste ankthin e ideve sabotuese dhe e bënte rubrikën e shkurtër Moti sot dhe parashikimi për ditën e nesërme” më të ndjekshmin nga byroja politike. Meteorologu përsëriste frazën e njohur ‘Në territorin e Shqipërisë moti ka qenë i qëndrueshëm dhe vetëm Erseka ka patur me shi të dobët. Matjet e Ersekës Megjithëse ju konfirmuan kryeministrit ndërsa grupi survejues qëndronte aty pa i rënë në sy punonjësit të sinoptikës. Porosia ishte që kontrolli të vazhdonte ditë natë. E thënë shkurt historia pas disa ditësh edhe pse survejimi bëhej me turne u zbulua se një qen e kishte bërë zakon që sa herë kalonte në territorin pranë ndërtesës së sinoptikës, ndalte tek shimbledhësja,… ngrinte këmbën e pasme (herë të majtën dhe herë të djathtën sipas ditëve) duke çliruar veten, shënonte territorin, por çrregullonte rezultatin e shi-matësit”.
Ndjesë për tregimin me detaje të historisë së qenit sabotator. Por menduam ta sillnim në kujtesë këtë situatë të pushtetit në politikën e nivelit të lartë se raportimi i numrave është i rëndësisë jetike për jetëgjatësinë e shefit. Ato kthehen në propagandë. Është mund i madh, e ca më tepër të drejtosh një Komision të Posaçëm” dhe të gjesh shkaqet. Dhe kur nuk i ke ato, është fare e lehtë gjej sabotatorin, ose në politikën e sotme drejtoi gishtin opozitës apo edhe publikut, akuzoi për dezinformim.
Myzeqeja, dikur hambari i drithit digjej për ujë nga mendësia e sistemit dhe ideologjisë ashtu sikurse edhe këto 12 vite drejtuesit e Fondeve të Zhvillimit dhe ministrat/et e bujqësisë e bëjnë Shqipërinë të vuaj me varfërinë e ideve dhe stimulimit të biznesin privat dhe tregut të e lirë të shqiptarëve duke lidhur ata këmbë e duar pas prirjeve të turizmit. Politika klienteliste që kanë favorizuar korrupsionin prej partisë shtet të Rilindjes Socialiste dhe po shterojnë energjitë e vërteta të popullsisë vendase.
5 Tetor, 2024