Vazhdo e i thuaj dëshirat nga Shebeniku o Zoti Kryeministër, se asgjë tjetër më s’të ka mbetur!
Janë për t’u qeshur dhe për të qarë janë përgjegjësitë e Rilindjes Socialiste me mënyrën kaq të lodhur se si shtyhen lajmet mbi turizmin ditë-natë, informacione me 24 orë propagandë.
Njohur ndryshe si “përmbush një dëshirë” kur sheh një meteor që digjet në atmosferë është ai mendim i parë që i vjen njeriut zakonshëm kur sheh në qiellin e pastër të mbrëmjes një yll që bie. Por sado e habitshme të ngjasojë lidhja mes plotësimit të dëshirës dhe realitetit qoftë edhe për ata që i presin që gjërat të ndryshojnë edhe si një përmbushje dëshire, fenomeni i hapësirës si shiu i meteorëve të Gushtit 2024 nuk mbeti pa u kapur nga Rama dhe pa u me përcjellë me shpejtësi nga propaganda si edhe një tjetër shprehje e bumit turistik natyror shqiptar. Ja se çfarë ATSH krijon hapësirë;-” …kryeministri Rama ndau sot momente ë veçanta nga Parku Kombëtar i Shebenikut…. Edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga eventi i përvitshëm organizuar nga “Shebenik Egnatia Explorers”, në Parkun Kombëtar të Shebenikut, nga ku “shiu i meteorëve duket me sy të lirë dhe atraksionet e parkut të ftojnë për një përvojë të kompletuar të turizmit natyror”.
Kryeministri shqiptar ka kohë që brenda ditë-netëve të veta të pushimeve jo vetëm që e sodit natyrën, por prej kudo ku ndodhet, ai është i pari që i hedh lajmet e veta dhe udhëzimet e agjendës propagandistike prej ATSH-s.
A nuk është vetë Rama, ky që patronazhon rrëfimin e ditës kur e pushton Agjencinë Telegrafike Shqiptare me dhjetra tituj, foto, video dhe “mbresa” se sa është çdo ditë numri i turistëve nga çdo pikë kalimi kufitar i Republikës së Shqipërisë?
Po. Aq sa ai dhe mediat janë bërë të lodhshëm pikërisht sepse propaganda është pjesë e ndërhyrjes dhe e shkatërrimit natyror dhe mjedisor të territoreve dikur të paprekura shqiptare.
Me fakte dhe me gjurmë mediatike të propagandës të cilat vërtetojnë politikat e gabuara që janë zbatuar prej vitesh dhe është ai sot që është kapur pas çdo pike kufitare për të treguar se sa herë numri i udhëtarëve dhe i makinave është rritur, se sa vizitorë hynë e dalin në një pistë aeroporti apo kalatat e porteve detare duke e krahasuar rritjen e Shqipërisë me rajonin dhe me vendet e tjera të botës. Gjithashtu mbetet përsëri Rama ai që “zbulon të paparat bukuri”, ato zona piktoreske të natyrës në të kanë jetuar më parë shqiptarë e ndërsa prej viteve të fundit janë larguar drejt qyteteve të mëdha apo kanë emigruar. Si kryeministër tashmë prej 11 vitesh Rama njeh më së miri se cili është përfitimi e një agjenti të pasurive të paluajtshme dhe këtij nxitimi i është shtuar përvoja e ofertave fitimprurëse që vazhdojnë ta ndryshojnë Tiranën që prej kurse ai ishte kryetar bashkie. Me të tillë shpejtësi duke imponuar infrastrukturën e pa studiuar politikat e tij po shndërrohen në agresive me turizmin dhe natyrën. Çdo peizazh i ri i zbuluar kthehet në ide për tregun e projektimit dhe ndërtimit menjëherë pas sezonit dhe pas tyre të shfaqen qartas interesat e investitorëve strategjik dhe rrebeshi VKM-ve për sa kohë Rama dhe elita e Rilindjes Socialiste janë dhe do të mbeten në pushtet.
Shiu i meteorëve të Shebenikut, kur kryeministri dhe ministrja e turizmit kombinojnë për të ndarë në një kohë të njëjtat përshtypje edhe për një ngjarje të përvitshme që shuan kureshtjen e të interesuarve për njohuritë shkencore bëhen pjesë e veprimtarive. Propaganda e tyre përsëri nxiton për të promovuar si turizëm natyror atë që me teleskop apo sy të lirë e bëjnë për interesat e tyre vetë njerëzit dhe bizneset private. Por kjo nuk mund të kalojë thjeshtë si e tillë. Sepse çdo bukuri e natyrës është e mbikëqyrur nga qeverisja dhe në qoftë se prirjet janë për t’u zhvilluar ndonjë veprimtari apo biznes, duartrokitja për arritjet duhet të shkojë për këta shtetarë që të gjitha gjërat e tyre tashmë i kanë vënë në vijë.
Por përpara se të numërojmë turistët, të parat gjëra përveç sigurisë, shëndetit dhe ushqimit duhet të dallojmë se industria turistike njihet veç përfitimeve edhe për ndotjen e rëndë që sjell me intensitetin e konsumit të burimeve natyrore dhe infrastrukturore gjatë dhe pas pikut sezonal. Propaganda e informacionit përmend sipërfaqen e asaj që turistët konsumojnë duke zbuluar histori, tradita, kulturë dhe kuzhinën të cilat janë ngritur si çarqe marketingu për të tërhequr vizitorët ditorë dhe tranzit që janë shumë herë me numër më të madhe se sa pushuesit 7-14 ditorë. Kjo fazë e turizmit që tani po ndodh në Shqipëri është pjesa e atij trendi në lëvizjen e lirë që mund të quhet zbulim i ri, shuarje të kureshtjes me njohjen me rajonit dhe mundësi për tu rikthyer ndoshta. Por fatkeqësisht ajo çfarë ofron natyra dhe mikpritja shqiptare është larg strategjisë së kaosit dhe mënyrës së dhënies në përdorim dhe shfrytëzimit të burimeve të pasurisë kombëtare nga qeverisja.
Kur e sheh një meteor, a e shpreh dot një dëshirë o Zoti Kryeministër?
Jo.
Sepse që ta shijosh shiun e meteorëve nga Parku Kombëtar i Shebenikut, juve dhe qeverisë së riformuar i duhet një listë e gjatë detyrash të pakryera dhe punëve të pabëra jo thjeshtë dhe vetëm nga paaftësia e kabineteve të mëparshme, por nga sistemi i korrupsionit që është instaluar në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.
Në lartësinë mes ajrit të pastër të Malit të Shebenikut mbi 2000 metra, aty mbase keni kohë të qartësoni vizionin dhe të kuroheni nga ndotja e tymit të qyteteve prej transportit dhe ndërtimeve të cilat popullsia shqiptare i thith çdo ditë. Aty mund ta thuash listën e dëshirave dhe të mendosh plotësimin e tyre sepse duhen numëruar më të parat ato më jetiket që i duhen shqiptarëve; si furnizimi me ujë, me energji elektrike, me shërbime spitalore, me kopshte dhe me shkolla, me hapësira të gjelbërta pasi prej zonave urbane shqiptarët e shohin “shiun meteorik” në mes të ditës kur qielli mbushet nga xixat dhe flakët prej tymit që vjen nga pyjet që digjen e nga fushat e plehrave që kutërbojnë. “Yje të zjarrtë” që vazhdojnë të shkëputen janë mbetja e gjurmëve të gjuhës së politikës shqiptare në pushtet e pështjellë vetëm me premtime, me propagandë dhe mashtrim.
Duke patronazhuar çdo fenomen dhe ngjarje, lajmet e agjencisë shtetërore ta shpien kurdoherë vëmendjen tek imazhi i Rilindjes Socialiste. Tek ajo që nuk duhet ndjekur pasi gjatë 11 viteve ka ushtruar duke u imponuar me forcë dhe ka treguar se çdo gjë që kjo qeverisje prek në emër të zhvillimit ajo ka rilindur pushtetin për elitën politike duke i bërë shqiptarët të harrojnë se dora e krimit dhe e korrupsionit ka kapur çdo hapësirë të jetës. Një listë e gjatë shkatërrimi që as fati i shiut të meteorëve nuk e plotëson dot më urinë e dëshirave të mbetura deri në mbylljen e mandatit të tretë të qeverisës.
17 Gusht, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)