(Rama fillon agjërimin ndërkombëtar, ndërsa Veliaj një pagator nga burgu)
A do t’i shkonte kujt ndër mend se kryeministri Rama do ta humbiste rastin e pjesëmarrjes në Samitin e Inteligjencës Artificiale në Paris?*
Përse kryeministri nisi t’i numërojë turistët trumpistë?
Mes këtyre pyetjeve do t’ju japim pak arsyetim rreth shqetësimit që tashmë ka kapur Ramën dhe elitën e Rilindjen Socialiste.
Shumë media dhe analiza e trajtuan në kufijtë e të pabesueshmes qëndrimin e kryeministrit Rama ndaj Strukturës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK). Në takimin me Grupin e heshtur Parlamentar të Partisë Socialiste, ku ish ministra dhe ministra në detyrë mes deputetëve dhe vetë kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Elisa Spiropali (votues të reformës në drejtësi), u kuptuan më së miri se në rradhët e tyre Klotilda Bushka, kryetarja e Komisionit parlamentar të Ligjeve shoqëron çështjen e vazhdimit të masës së sigurisë arrest me burg të kryetarit të bashkisë Erion Veliaj me “ndërhyrje për të penguar hetimin” në rastin e bashkëshortes së tij Ajola Xoxa (masa e sigurisë detyrim për paraqitje).
Pra vetëm në dy ditë brenda elitës Rilindjes Socialiste ka filluar një shthurje nga parimet administrative dhe ligjore si dhe nga etika e zyrtarëve të zgjedhur që shpesh në fushata zgjedhore e quajnë veten shërbëtorë të popullit që e shohin veten në BE në 2030.
Nën këto zhvillime të pa precedentë dhe në qoftë se do ta fillonim shthurjen nga kryetari dhe njëherësh kryeministrin Rama, shfaqjet e paqëndrueshmërisë u dukën në të dyja vizitat e pajustifikuara në Bashkinë Tiranë dhe në dy daljet në bisedën me ndjekësit “Sy m’sy”. Në rastin e Bashkisë Tiranë aty ku edhe u kryen de facto edhe delegimet e përgjegjësive për marrjen e drejtimit të një institucioni të pavarur jashtë imponimit politik të Ramës pa e lejuar që të tillë krizë përfaqësohet dhe të zgjidhet nga Këshilli Bashkiak, e papritura e arrestit me burg të kryebashkiakut u bë në vigjilje të 105 vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet çka ishte shija më e hidhur dhe humbja më e madhe morale që një forcë politike merr në syrin e qytetarëve për shkak të abuzimeve dhe korrupsionit. Dhe kjo tashmë ka ndodhur në sy të të gjithë kryeqytetasve dhe sigurisht në sytë e gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit në diasporë.
Si për të mos mjaftuar dy të parat ku Rama shfaqi dhe etjen për ta rrëmbyer drejtimin e Bashkisë Tiranë me Rijetësimin e Sheshit Nënë Tereza, kjo lëvizje që është një lëvizje e menduar trashë politikisht në bisedën në “Sy m’sy” ironia dhe vënia në lojë e opozitës nga ana e Ramës përveç “daljes nga vetja”, ishte ndërkombëtarisht e gabuar kur ai u shprehet se:-“Dje Trump-istët e vetëshpallur Trump-istë të kënetës sonë opozitare patën një ditë masturbimi kolektiv tamam si adoleshentë. Shpallën fitoren sepse sollën me kushedi se çfarë lekësh dhe me sa lekë, një konsulent që ka punuar me Presidentin Trump… konsulentët atë punë kanë dhe unë jam i lumtur të them të vërtetën. Unë numëroj turistë kur dikush thotë konsulentë”.
Kur e krahason qëndrimin me dashje të shtrembër të informacionin ATSH-s sepse qethja dhe censura për të vërtetën bëhet nga propaganda zyrtare e qeverisë Rama kur në lajmin e titulluar;“Berisha : Chris LaCivita bashkarkitekt i fushatës së PD për zgjedhjet e 11 majit”, kuptohet se censura dhe heqja e thelbit të së vërtetës kalon në cinizëm sepse Rama e kishte llogaritur opozitën të shkatërruar pas përdorjes së drejtësisë si armë ndaj kundërshtarëve politikë. Thelbi i vërtetë është se turisti trumpist shprehu një të vërtetë të madhe që mediat pranë qeverisë nuk kanë guximin ta shprehin:-” Ne jemi këtu sot sepse duam të ndihmojmë të zgjedhim kryeministër një mik të ngushtë të SHBA dhe që do të bashkëpunojë me sukses me presidentin Trump dhe SHBA-në. Kryeministri aktual nuk është asgjë më shumë se një marionetë e Xhorxh Sorosit. Nuk mund të jesh një marionetë e Sorosit dhe të jesh mik i SHBA, thjesht nuk është e mundur.
Ky slogan do të jetë një refren i gjatë deri në ditën e zgjedhjeve dhe fatmirësisht ndodhi një ditë përpara arrestimit të kryetarit të bashkisë Erion Veliaj i cili turbulloi inteligjencën e Kryeministrit Rama që jo vetëm e la pa shkuar në “Sommet pour l’action sur l’intelligence artificielle”, por trashësia politike që rrjedh nga pushteti i korruptuar i kanë sjellë atij izolimin dhe fillimin e fazës më shpërthyese të ushtrimit të forcës autoritare dhe të frikës.
Vetëm në dy ditë u kuptua se nuk më ka riorganizim brenda elitës Rilindjes Socialiste që do të mendojë për Partinë Socialiste si forcë politike.
Rienergjizimi segmenteve patronazhistë që ushqehen nga dogmat trushplarëse të Ramës duke filluar që nga Modulet e Akademisë Politike për të vazhduar me plenumet retreat në resorte dhe restorante peshku e që përfundojnë në bllokun e ndjekësve ose grupin e heshtur parlamentar që nuk shprehin zë ndryshe dhe do të duan të kapin përfundimisht drejtësinë do të jenë rruga më e gabuar deri në zgjedhjet e 11 Majit.
Vetëm brenda 48 orëve u kuptua se kush i rrethoi me dy turne Institucionet e Drejtësisë dhe se kush mund të quhet pagatori i administratës së kryeqytetit që prej kohësh i ka harruar shërbimet ndaj qytetarëve.
Dhe kur i shohim këto ndërthurje mësimi që qytetarët mund të nxjerrin për të kuptuar rëndësinë e votës për të sjellë ndryshimin shembujt që duhen patur parasysh janë dy. E para lidhet me forcat opozitare që duhet të organizohen për të qenë vigjilente për votën brenda Shqipërisë dhe në diasporë për fituar zgjedhjet e 11 Majit. E dyta lidhet me forcën politike në pushtet e cila nuk i hap rrugë një qeverie teknike për shkak të thellimit të krizës dhe korrupsionit, sfida e zgjedhjeve dhe një mandat i katërt me një autokrat që pigmentin e ka humbur për shkak të aferave të narkoshtetit.
A do t’i ngjajë Shqipëria një vendi demokratik drejt Bashkimit Evropian pas zgjedhjeve apo do t’i afrohet ajo një rasti duke i ngjarë Venezuelës. Fatkeqësisht ky krahasim duhet bërë sepse korrupsioni, shpopullimi dhe ku moria e burimeve të pasurive natyrore dhe njerëzore nuk shkojnë për mirëqenien e popullit, por ushqen pushtetin absolut dhe investitorët strategjikë e koncesionet. Rama me paqëndrueshmërinë e tij ditët e fundit dhe në vazhdim do t’i shëmbëllejë mes kësaj vetmie dhe izolimi një diktatori si Nicolás Maduro Moros (Partia e Bashkuar Socialistëve të Venezuelës). I njohur si rrëmbyes i zgjedhjeve me dhunën e bandave dhe që e nënshtron popullsinë përmes taksave dhe pasurohet prej rezervave racionimit të ushqimor. Një binjak autokrat në pushtet që prej 2013 në Amerikën e Jugut.
Aq sa vlen të monitorojmë sigurimin e infrastrukturës dhe mbrojtjen e votës për zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit, 2025 në diasporë po kaq të rëndësishme kanë nevojë të njihen dhe të kuptohen se cilat do të jenë instrumentet dhe veprimet e partisë në pushtet me shtrirjen e saj në diasporë. Pas tronditjes së Bashkisë Tiranë me arrestimin me burg të kryetarit të saj Erion Veliaj për korrupsion dhe mes paqëndrueshmërisë deklarata e Ramës: –“Kokën lart, shtrëngoni dhëmbët dhe në 11 maj na duhet flakë në çdo kuti votimi. Mavia duhet të bëhet e kuqe, mavia duhet të bëhet flakë, siç i ka qejf Braçja, tërmet nga poshtë dhe flakë nga lartë. Mandati i katërt do të jetë mandati i standardeve. Vetëm përpara”.
Ky sinjal është edhe shenja për vëmendjen e “skemave e krimit elektoral”, për të cilat SPAK ka bërë me dije se do të ngrihet një “task force”. Një gjë është e sigurt nga ky agresivitet fushate prej numëruesit e turistëve dhe ironizuesit e trumpistëve e kënetës, se kjo prapambetje politike nuk do të arrijë të organizojë dot tubime elektorale në në Evropën Perëndimore dhe në SHBA për sa kohë janë deklaruar ekstrem progresist i majtë me 12 vite në pushtet dhe përfitues të investimeve nga projektet e shoqërisë së hapur veçanërisht në media dhe në drejtësi.
Shqiptarët janë të lirë të zgjedhin, por me shumë seriozitet dhe të informuar për politikën konkurruese duhet ta vlerësojnë ndryshimin për të mos u ndier të mashtruar dhe humbin besimin për Atdheun dhe kjo urojmë të mos jetë shija e zgjedhjeve.
________________________________
* 11 Shkurt Paris- Macron dhe kryeministri i Indisë, Modi, bashkoi mbi 100 shtete, organizata ndërkombëtare dhe liderë të teknologjisë si Google, Microsoft dhe OpenAI për të diskutuar qeverisjen dhe zhvillimin e IA në nivel global.
* Chris LaCivita, Këshilltar i Lartë i fushatës presidenciale të Donald Trump 2024.

12 Shkurt, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)