Zhvillimet e çështjeve të drejtësisë dhe përballja me korrupsionin nga SPAK gjatë këtyre dy muajve të fundit (Korrik-Gusht 2023), është ndjekur dhe ka patur një pritshmëri pozitive nga ana e qytetarëve duke u ushqyer me idenë se ligji po punon dhe pushteti gjyqësor ka nisur të veprojë. Por kjo trajektore nuk është se po ndiqet me rritëm të njëjtë përsa i përket pushteteve të tjerë si; Legjislativi (përfshi edhe opozitën), Ekzekutivi (qeveria Rama) dhe Median (në spektrin e gjerë jo të lirë), deri sa “sezoni i pushimeve” të përfundojë.
Propaganda, heshtja, shurdhëria dhe mos veprimi mbeten në plan të parë ndërsa lajmet jepen me pikatore nga ky front vetëm brenda arritjeve dhe “suksesit”, ose më tej ato personalizohen nga statuset në Facebook prej kreut të qeverisë. Reagimet i tij në këtë formë që situata, të tregohet nga distanca dhe të hidhet në media me urdhër të tij dhe e justifikuar në emër të lirisë së komunikimit dhe përqafimit të teknologjisë, janë shkolla e sotme e mediokritetit politik e atij që ka marrë pushtetin dhe pas të cilit shtëngohet fort një figurë autokrate. Shembujt tregojnë se mes kësaj “qetësie” asgjë nuk ka ndryshuar dhe se korrupsioni është zbuluar në çdo nivel të qeverisjes.
Janë interesat thelbësore të qytetarëve mbi çështjet e varfërisë, të kërkesave për përmirësimin e kushteve të jetesës, të punës, të tregut dhe të sigurisë kombëtare ato që mbeten në qendër nga ky reagim i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD), ku për periudhën 45 ditore që kaloi Shqipëria apo edhe pritjen e fundmarrjes së “pushimeve të zyrtarëve” në dy javët e ardhshme shteti të veprojë, të ndryshojë dhe të japë llogari duke dalë çdo ditë përpara qytetarëve përmes medias në mënyrë që transparenca të projektohet dhe publiku të kuptojë se vendit dhe demokracisë po i shërbehet dhe se drejtësia nuk do ta humbasë betejën ndaj korrupsionit shtetëror dhe gjurmët e krimit nuk do të fshihen.
Gjejmë rastin të shprehim këtu se mbetet kryeministri Rama ai që me planet e tij e ka bërë edhe qeverinë të heshtë. Ky nuk është një sezon pushimesh, për të ai bart ankthin monist-njëpartiak për emërimin e një kabineti të ri si dhe është ajo qetësia e përkohshme para stuhisë. Ky moment po ndërtohet dhe mund të vërtetojë edhe atë anë të pluralizmit politik në se maxhoranca e sotme socialiste ka filluar ta kuptojë së fundmi se në këto dhjetë vitet e qeverisjes ata lejuan krijimin përsëri të shtetit autoritar dhe të udhëheqësit të përjetshëm. Ky është rreziku që sot po mbyt demokracinë dhe për më tej e ka të vështirë të bëjë zgjedhjen përmes konkurrencës dhe gjetjen e drejtuesve të rinj deri në zgjedhjet e ardhshme. Lidhjet nepotike dhe klientelizmi janë shembulli i përfaqësimit në politikën e vendit ku shkëmbimi i interesave lidhet me postin dhe me përvetësimin e pasurive kombëtare. Ky grup në prirjen politike është bërë themeli i qeverisjes dhe e vetmja mënyrë e drejtimit të vendit vetëm nga një grusht njerëzish, ku ideologji drejtuese është korrupsioni ndërsa mbi popullin bien peshat e varfërisë, vështirësive dhe taksat.
Kuvendi Popullor fatkeqësisht u zbeh dhe ka mbetur ndërkohë i paralizuar nga kjo stinë vere e tej zgjatur dhe vetëm pret urdhër nga udhëheqësi. Askushi me heshtjen e blerë dhe asnjëri prej tyre nuk ka marrë guximin dhe të jetë parë të zbresë në terren pikërisht për atë detyrë që kanë marrë si përfaqësues të popullit. Të zbresin mes zgjedhësve të vet për të zgjidhur çështjet e nxehta që vendi po kalon. Kjo nuk ndodh pasi emërimi i kuvendarëve bëhet tradicionalisht nga emërimi aprej listave partiake dhe me këtë politikë të ndjekur është e rrallë dhe e vështirë të gjesh ata përfaqësues që dalin nga populli.
Opozita nga ana e saj tek-tuk shfaqet dhe bën ditë pas dite ndonjë reagim mbi skandalet dhe ndjekshmërinë e tyre, por temperatura e duhur që do t’i duhej asaj për t’u trupëzuar në një, ka ende shumë dobësi dhe përçarje. Kjo është pika më e dobët e demokracisë pa opozitë që tregon se korrupsioni nga kjo qeverisje nuk ka ndërmend të largohet dhe fatkeqsisht mund të jetojë më gjatë.
Qytetarët protestojnë me mënyrat e tyre ndërsa media bën sikur pasqyron shqetësimet dhe në pjesën më të madhe shkon krah qeverisjes, propagandës së suksesit të saj.
Sido që zhvillimet brenda vendit dhe ato ndërkombëtare po peshojnë edhe më shumë drejt vjeshtës, fare pa patur një fantazi për qeverisjen dhe ndryshimin e gjendjes emergjente me korrupsionin kreu i qeverisë shfaqet diku larg kryeqytetit duke anuluar vizita të zhurmshme ose reklamon vizita private dhe në plot dy muaj Rama e udhëheq dhe i orienton politikat nga facebook-u pa u përballur qoftë edhe njëherë me gazetarët.
Pas pritjes së homologes Giorgia Meloni kryeministrja e Italisë dhe ish kryeministrit të Britanisë së Madhe Tony Blair nga bregdeti i jugut të vendit, vizitat private e grisën mbështjelljen protokollare nga mediat e huaja ndërsa menjëherë pas largimit të tyre, mesazhet e përcjella nga Rama bëhen të njëanshme dhe i shërbehen (urdhërohen), medias vendase me rëndësinë e projekteve të reja që Shqipëria është e “etur” t’i zbatojë nën drejtimin e tij. Në qoftë se kjo reklamë arrin të shitet si e tillë në opinionin e gjerë, koha e kryeministrit mund të studiohet si një nga taktikat e përshtatshme të karrierës së tij “për të provuar rreziqet”, për të blerë popullaritet, për gjetje aleancash dhe të bashkëpunëtorëve nga më të duhurit ku shit-blerja bëhet sheshit për rritjen e përfitimeve personale dhe kurrë nuk mbahet një kontratë me zgjedhësit nga premtimet elektorale. Shit-blerja ka thyer çdo kontratë dhe marrëveshje pasi korrupsioni ka pushtuar çdo qelizë të shtetit. Mes zbukurimit të reklamës kryeministri Rama shtrëngohet për të gjetur edhe momentin e duhur për nxjerrjen e statuseve në Facebook. Një idividualizëm dhe mos mbajtje e përgjegjësive ku synon të shprehë “pastërtinë” e vet dhe rolin e drejtësisë që ai e ka krijuar;
“Kjo qeveri dhe askush tjetër e hapi
me gjoks rrugën e drejtësisë se re dhe
kurrë nuk do ta pengojë drejtësinë në
rrugën e vet, kudo ku ajo të hyjë,
brenda qeverisë, rrotull saj, mbrapa saj
apo nën ombrellën e saj.” *
Por cili do të ishte vërtetë sot ai burrë shteti kaq i pa tej shkueshëm mes gjithë këtyre skandaleve të qeverisjes së shtetit të vet që nuk do të rrëzohej?
Me sa duket Rama në këtë rast ka mbetur edhe pa këshilltarë dhe zëdhënës për shtyp t’ia zbusnin arrogancën dhe vetëndjerjen e një udhëheqësi të suksesshëm. Tallje me situatën që vendi dhe populli shqiptar po kalon. Një orientim egoist propagandistik në Facebook që shpreh jo vetëm mendjemadhësi në emër të arritjeve, por është në thelb një marramendje e formulimit të përmbajtjes së këtij procesi në drejtësi.
Sa për “gjoksin”, po mbetet Rama pa diskutim ideatori dhe realizuesi i ecjes së drejtësisë. Ndërsa anëtarët e kabinetit të tij pas hekurave dhe në arrati gjatë këtyre dhjetë viteve qeverisje duket se janë rastësi dhe nuk mund t’i zbehin atij arritjet dhe suksesin.
Sa për “kudo ku ajo të hyjë”, drejtësia sot ka nevojë për profesionalizëm pasi ajo është e pafuqishme që të përtypë morinë e dosjeve korruptive të cilat mund t’ia kalojnë edhe një shumëkatëshi.
Sa për “brenda qeverisë”, fjala mbase i përket të ardhmes së afërt, kësaj vjeshte, atëherë kur për sy e faqe do të formohet një kabineti i ri dhe fare pranë do të zgjidhen bashkëpunëtorët më të ngushtë, të dëgjueshmit dhe ata që mbeten lehtësisht më të sakrifikueshmit, pasi kurrë përgjegjësia nuk do të e kryeministrit.
Sa për “rrotull saj”, kjo duket më e lehtë pasi kryeministri mendon se ka siguruar fragmente politike të blera po aq edhe shoqata joqeveritare mbështetëse të investuara të cilat bashkë mbeten përçuese të arritjeve dhe funksionimin e një demokracie formale dhe ku ligji dhe drejtësia nuk ka ku e kap.
Sa për “mbrapa saj”, aty po është “thesi me mollë dhe me dardhë” dhe të gjithë përgjegjësit po ndiqen penalisht.
Ndërsa tek më e fundit, sa për “nën ombrellë”, Rama ka luajtur deri më sot vetëm lojën e tij. Ai ka shfrytëzuar situatat dhe ka gjetur mbështetjen frymëzuesve filantropë që investojnë për futjen e politikave dhe ndërtimin e liderëve globalistë. Kjo është përulja e lekistëve përpara çdo çmimi. Të etur për pasuri dhe përfitime personale, politikanë që e ngrenë karrierën në ortakëri vetëm me paranë pa ju bërë vonë se falimentojnë shtetin dhe shkatërrojnë familjen si njësia bazë e shoqërisë deri në rrafshimin e ngadalshëm të kulturës, traditës dhe identitetit e një kombi.
Mbi këta tregues shtet formimi modern i Shqipërisë dhe orientimi drejt integrimit në familjen e kombeve të zhvilluara demokratike ka dalë nga udha e duhur. Populli shqiptar nuk mund të presë më gjatë dhe kërkon me forcë nga ata duan të jenë udhëheqësit e tij të sigurojnë së pari zgjedhjen e qeverisjes përmes votës së lirë, respektimin dhe veprimin e forcës së ligjit, llogari dhënien dhe transparencën përmes ballafaqimit me median përballë korrupsionit të madh që ka përfshirë vendin.
Këto së bashku bëhen sot matësi më real i përkushtimit për ndërtimin e demokracisë në Shqipëri. Sfidat 33 vjeçare të tranzicionit janë bërë shumë në numër dhe vështirë se mund të renditen. Klasa politike pothuaj se e ka humbur misionin e saj pasi vlerën e vet e shoh vetëm tek rasti i ndërrimit dhe i hipjes në pushtet në vend që ta peshojnë këtë rrugë 33 vjeçare me marrjen përgjegjësive përsa plaga e korrupsionit nuk mund të mbulohet. Kushdo që pretendon se do t’i dalë zot vendit sot duhet të mendohet për të marrë përsipër pastërtinë dhe ndershmërinë për t’i shërbyer mbarë popullit shqiptar në mënyrë që mungesa e besimit të shqiptarëve të shërohet jo me largimin e tyre nga vendi drejt emigracionit, por me ndërtimin e kushteve për zhvillim dhe të ardhme të çdo shtetasi dhe familjeve të tyre.
* Faqja në Facebook e publikuar në media.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionells Albaniase de la Diaspora (UJPAD)