UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës), po ndjek dhe monitoron me kujdes zhvillimet e fundit të situatës politike dhe shoqërore në Shqipëri dhe veçanërisht mënyrën se si media i qaset trajtimit me vërtetësi të shumë problemeve të cilat së bashku kanë përforcuar një regjim krize për Republikën Parlamentare të Shqipërisë. Ngritjen e një polarizim të skajshëm deri armiqësor në politikë e cila nuk është parë që prej fitores dhe vendosjes së rendit demokratik me fillimin e viteve 1990.
Sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe vënia e qeverisjes përballë përgjegjësive për shkelje financiare dhe përfitime duhet të ngrejë peshë dhe të ndërgjegjësojë shtetasit shqiptar përballë gjendjes së krijuar.
Vështirësitë ekonomike dhe varfëria, largimi i popullsisë në emigracion, mungesa e sigurisë së shtetasve dhe humbja e lirisë së fjalës, pronës duke ushtruar shantazh dhe dhunë, po e shpien vendin drejt një degradimi shoqëror dhe politik. Finalja po kërkon asgjësimin e opozitës dhe shumë shpejt demokracia do t’i nënshtrohet pas dhjetë vitesh të sundimit të së majtës së papërgjegjshme me abuzim, krim dhe korrupsion, një regjimi të pritshëm totalitar dhe diktatorial në qoftë se shoqëria shqiptare nuk reagon me shpejtësi kundrejt fakteve dhe ngjarjeve që sot veçanërisht po zhvillohen.
Vetëm gjatë muajit Tetor publiku është dëshmitar i ngjarjeve të mëdha ku u shfaqën një pas një tre problematika të dukshme, Drejtësia, Diplomacia dhe Imazhi. Të treja në veprim, dhe ku dy të fundit të kuruara dhe të përdorura si vegla në duart e shtetit, ndërsa e para është venë në sprovën më të madhe për shtetin e së drejtës, sprovën ku gjykata është sy mbyllur dhe e pa anshme në ballafaqimin mes akuzës dhe mbrojtjes.
1-Drejtësia, përmes SPAK (Struktura e Posaçme Anti Korrupsion), që shpërtheu më e fundit krijoi menjëherë me veprimet e saj ndjesinë e forcës dhe efektin me shtrëngesën operacioneve policore duke arrestuar persona nën hetim. Pa dallim shkalle rrezikshmërie kjo strukturë e posaçme hedh një hap përpara duke formësuar precedentë të kushtetutshmërisë dhe për rrjedhojë ka krijuar që në rastin më të parë të padëshiruarën, zhurmën në publik dhe ndeshjen e rezistencës përballë zbatimit me ndërgjegje të ligjit (Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë. I marrë nga faqja online e njoftimeve zyrtare dhe përditësimet spak.gov.al).
Ndërsa kemi arritur deri këtu, konsumi i lajmeve zbret tek pika më e fortë e rezistencës. Përballja me opozitarizmin politik parlamentar. Ky problem i parë ndjehet dhe mendohet se do të qëndrojë gjatë. Përveç se kjo strukturë e posaçme është aprovuar me 140 vota në Parlament dhe e ushtron funksionin që prej 2019, ajo duket se do të angazhojë shumë mjete të nevojshme dhe të duhura për t’u kuptuar si veprim i drejtësisë në publik. Më tej mos komprometimi i ligjit pa shkelur të drejtat dhe liritë e individit në sy të publikut, si dhe maturia e forcave politike për gjetur tonin e duhur të dialogut mes shtetasve dhe pushtetit tregojnë se njohja e ligjit vjen natyrshëm dhe zbatohet me ndërgjegje nga shtetasit.
2- Politika e Jashtëme dhe Diplomacia. Kemi vetëm një protagonist dhe ai është Kryeministri Rama. Me ministre dhe ministra që tenton t’i diktojë dhe t’i lerë në hije, ky 10 vjeçar i diplomacisë numëron as sa gishtat e një dore qasjen e ekspertëve. Por i kudo ndodhur në kryeqytetet e ndryshme të botës, brenda dhe jashtë strategjisë dhe je i detyruar të shohësh një “aktor” dhe ky është vetë dhe vetëm Rama. Rasti më i fundit u bë Samiti i Berlinit në Tiranë, 16 Tetor, 2023. Aty, ku përveç arritjeve dhe nënshkrimeve u kyç ideja që pështjelloi rajonin për disa vite me rradhë dhe shpenzoi mjaft forca dhe energji njerëzore, ishte mbyllja përfundimisht e idesë së turbullt të “Ballkanit të Hapur”. Një qartësim diplomatik për të larguar pengesat dhe për ta parë me sytë e shtetit amë suksesin e integrimit të Kosovës dhe mësimi më i mirë për të lartësuar me objektivitet mbarë hapësirën shqiptare si faktor i paqes, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik brenda familjes Evropiane. E gjithë ngjarja ishte një Premierë Politike pa i zbehur lartësinë e nivelit të pjesëmarrjes dhe respektimin e miqve ndërkombëtar, por Samiti i Berlinit, që u përcoll “live” (drejtpërdrejtë), kishte dhe faturën një ditore të shpenzimit që i kushtoi vendit organizator 51 milion euro. Jehona dhe komentet e tij vazhduan edhe në ditët e mëpasshme.
Çuditë zgjasin zakonisht tre ditë, por ky Samit i 16 Tetorit u shoqërua me shumë çudira para dhe mbajtjes së tij.
3- Imazhi në media. E ndërsa në lentat e filtruara të medias u përpoqën kush e kush më parë të zbulonte delegacionet dhe axhendën e samitit, fatkeqësisht po këto media mbetën “të qorruara” nga gjuetia e sensacionit dhe humbën vëmendjen e zbatimit të e protokollit. Një ditë e ngjeshur ka vërtetë ngarkesë dhe surpriza, por media thuajse kurrë nuk u shqua për guxim dhe të pyeste me kërkesë të fortë llogarie vendin organizator dhe miqtë e nderuar për korrupsionin në bujqësi, shëndetësi, arsim, infrastrukturë, mjedis, etj. pra si një kërkesë dhe transparencë për t’i shërbyer publikut dhe njëkohësisht ndershmërisë së marrëdhënieve të partneritetit.
E ndërsa për median thelbi nisi të humbasë nga lodhja e ditës, një marrëdhënie interesante 16 Tetori i Piramidës, zbuloi.
Si qëndrojnë Rama dhe Veliaj me njëri tjetrin mes kësaj pranie ndërkombëtarësh?… kush ngjitet lart dhe kush mund të punojë pas shpine i bindur se të mbron shpatullat, pa menduar lojën e dëmshme?!
Ky çift interesant i kishte të gjitha shanset të zbulonte arritjet e punës në grup, pra pamjen e vërtetë të ndihmës dhe të falenderimit të sinqertë për sipërmarrjet e Rilindjes Socialiste në të shkuarën dhe për të ardhmen. Por realisht kjo nuk ndodhi. Veliaj, kreu i kryeqytetit mikpritës dhe organizator nuk mbajti ndonjë ligjëratë përpara ndërkombëtarëve ashtu siç e kishte parashikuar nga axhenda. Mbase dhe selfie-t i ishin ndaluar nga kreu i qeverisë Rama. Ajo që ka rëndësi të zbulohet më tej nga marrëdhënia është se vëmendja ishte vetëm tek kryeministri. Ashtu i pranuar me gafa dhe me shakatë e tija, edhe pse drejton me një popull në varfëri, sundon me një qeverisje korruptive që s’mban përgjegjësi, drejton pa opozitë politike dhe mban leksione diplomacie në një kohë kur rajoni, bota janë mes zjarresh dhe vatrave të luftës. Ca më tej kryeministri i nderuar flet edhe për projekte për përjetimin e fantazmës së diktatorit në vilën ku ajo monstër kishte jetuar.
Pyetja kësaj natyre pushtetarësh u drejtohet e thjeshtë. Kur ju drejtues të nderuar keni kaq mbresa arti dhe ringjalljeje, shpenzojini ato nga paratë e xhepave tuaj dhe jo nga huatë e huaja të shlyera nga taksat e qytetarëve,. Shpenzoni nga xhepi juaj dhe madje edhe me VKM privatizojeni për të jetuar me fantazmat e dashura tuajat.
Këto projekte janë tallje me varfërinë e shqiptarëve.
Pra si qëndrojnë Rama dhe Veliaj sot mes tyre, a u vu re ky fakt?
Mbase media e ka vënë re që çifti është ftohur, ndajnë ambicie pushteti apo edhe shtiren si të tillë me strategji, por diku analiza mediatike nuk ë shprehur, ose të paktën deri tani nuk e kemi ndeshur.
E rëndësishmja nuk është vetëm shkalla e përvetësimit dhe e korrupsionit që shoqëron këta dy kryebashkiakë të Tiranës përgjatë 20 vite e fundit, por i rëndësishëm është sistemi që kanë ngritur për veten dhe nëpërmjet vetes për të qenë në qeverisje të përjetshme. Mundësisht kësaj t’i shërbejë investimi për dukjen, fasadat dhe imazhin. Më mirë se kushdo këtë në mos e ka ndier deri tani, do të fillojë ta ndjejë elektorati socialist dhe mbështetësit e tyre, sepse këta dy karaktere fillimisht të hequr si liberalë, Rama dhe Veliaj u bënë tërheqës dhe u ngjitën në karrierë, preferuan PS dhe bazën e saj, synuan kreun dhe deri këtu arritën me bërryla dhe influencë që të shmangnin edhe figura apo drejtues me përvojë politike brenda këtij organizimi politik të majtë. PS e rinovuar dhe baza e saj nostalgjike me trashëgiminë materiale, infrastrukturën dhe me të bindjet e së shkuarës nuk u reformuan dot dhe u kthyen në një klan kleptokrat dhe bazën socialiste po e përdorin si garancinë e përballjeve me të djathtën në politikën shqiptare.
Sot, një e djathtë e lodhur, e stërkëmbur dhe e pa freskuar në kërkim të protagonistëve me ide të reja, për rrjedhojë rrezikon të mbetet edhe e pa organizuar duke u tërhequr nga përpjekja e çastit për t’u kthyer në pushtet.
Ky është një përfundim i parë që del nga ky muaj zhvillimesh në politikën dhe shoqërinë shqiptare, Tetorit 2023.
Të hipurit në pushtet qendror dhe vendor, i bën socialistët sot të kenë shumicën dhe e mbrojnë atë si një të drejtë që ua ka dhënë votuesi. Të mos harrojë edhe votuesi se të tillë sjellje edhe pushteti po ja kthen. Me propagandë mburrjeje, me korrupsion, me fasada dhe me imazh. Ramën dhe Veliajn nga njëri tjetri i ndan lavdia tek piramida e diktatorit, disa herë e përuruar dhe duket se ish diktaori ka mbetur mesa duket idhulli i tyre.
Nuk ka se si që duke e quajtur një metropol kozmopolit Tiranën, që pret dhe mban organizime të mëdha Veliaj duke i qëndruar besnik zbatimit të strategjisë së Ramës, flet për kryeqytetin si të ishte qendra më e interesante e turizmit evropian. Po eja dhe ta pranojmë për një çast. Çfarë del brenda të njëjtës intervistë në RTSh 24, të shprehësh se Tirana në ë 1km2 ka një “atraksion turistik” ku gjallërojnë katër muze të ish diktaturës” dhe ku ky më i fundit Piramida e përuruar sërish pas Shtëpisë me Gjethe, Bunk-Artit, frymëzohet dhe quhet “Ri-jetësimi i Piramidës”. Kjo fasadë, është sinjali që të vjen i qartë, në Shqipërinë pa opozitë po përgatitet një sistem totalitar që ndërtohet me korrupsion dhe përfitime duke mashtruar popullin me premtime politike. Kjo është mëse e mjaftueshme që strukturat e posaçme të veprojnë për të zbatuar ligjin dhe drejtësinë në qoftë se duan ta mbrojnë Republikën Parlamentare dhe Demokracinë.
Ndryshe morali i çiftit bashkiak Rama-Veliaj është mëse i lexuar nga sjelljet dhe veprimet që i bëjnë në shërbim të njëri-tjetrit, me të njëjtën mendësi dhe me të njëjtin sistem për të qenë vetë të përjetshëm dhe sa herë do të mbahen zgjedhjet.
Për ta, Bashkia të jep çertifikatën e lindjes, të vë kurorë, dhe të çertifikon pasi të ka rrjepur nga taksat për në Shish Tufinë dhe në Sharrë.
Rama-Veliaj, janë çifti më interesant që ka zgjedhur një pjesë e shqiptarëve, ata vetëm piramida i ndan me idetë dhe përkushtimin e tyre, të veshur me imazh lejla dhe “vetëm përpara”.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionnels Albanaise de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi di Diaspora (UGAPD)