Nuk mund ta themi me saktësi se sa fishekzjarre u hodhën mbrëmë në Tiranë me rastin e Ditës të të Dashuruarve, por një gjë mbetet e qartë se tymi i tyre nuk e lëviz kryeqytetin në renditje ku norma e lejuar është tejkaluar mbi 20 herë nga ndotja e atmosferës prej tymit të automjeteve dhe pluhurit të ndërtimeve. Mjedisit ku jetojmë sikur të mos i mjaftonte ndotja e përditshme e atmosferës nuk i mbetet pas propaganda e qeverisë dhe e pushtetit vendor e cila në gjuhën e figurshme të politikës quhet Tirana Toksike. Kryebashkiaku Veliaj nuk mungon të dalë përpara opinionit publik në çdo rast kur qyteti dekorohet për festa dhe pritje protokollare për të shprehur mesazhet për “Tiranën që Duam”. Rasti më i mirë ishte dje dita e Shën Valentinit ku në mënyrën më të varfër dhe bajate të ideve ai sipas ATSH-s i vë kurorën një çifti të dashuruarish veshur me kostum popullor, por i fton ata të mbjellin pemën e dashurisë si dëshmi e mbrojtjes së natyrës dhe gjelbërimit të qytetit : TIRANË, 14 shkurt/ATSH/ Ky 14 shkurt erdhi krejt ndryshe për Shpëtimin dhe Xhenin, dy të rinj kryeqytetas që vendosën ta kurorëzojnë dashurinë e tyre në martesë, në ditën e Shën Valentinit, me mbjelljen e një peme. Pema, një simbol i dashurisë mes tyre, bën thirrje jo vetëm për ta dashur më shumë njëri-tjetrin, por për të dashur dhe mbrojtur natyrën. Të hipur mbi pajton dhe të veshur me kostumet tradicionale të zonës së Tiranës, ata u pritën në altarin e ngritur tek Amfiteatri i Liqenit Artificial nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili e kurorëzoi dashurinë e tyre në martesë. “Jam shumë i lumtur që e nisëm këtë Shën Valentin me pak bereqet nga qielli, por me shumë bekime në tokë. Sapo u celebrua Shpëtimi me Xhenin – kanë marrë një nga vendimet më të rëndësishme të jetës dhe besoj se një qytet që rritet me familje të reja e të mira (presin një çun), që mbjellin pemë, ka të ardhme”.
A ka shtirje më të madhe se kjo o qytetarë në Tiranën Toksike?
Teksa njerzit dje u morën me urimet e Shën Valentinit në postimet e tyre të thjeshta në mediat sociale, dikush ndau një shkrepje nga droni. Ishte sheshi i betonuar dhe i xixëlluar i qendrës së qytetit në një orë mbrëmje. Një transformim pa identitet dhe pa arkitekturë dhe ku çdo gjurmë ka humbur.
A mundemi ta kuptojmë se çfarë i kanë bërë dhe po i bëjnë Shën Rama dhe Shën Veliaj Tiranës?
Kjo foto e shkrepur foli shumë. Në imagjinatën e njerzve dhe sidomos tek të rinjtë ajo e afron kryeqytetin me projektin e një “Pinball-Games”.*
Duke ju kthyer reklamuesve të fasadave dhe kryepropagandistëve politikë të Rilindjes Socialiste që nuk lanë bunker dhe piramidë të diktaorit pa rijetësuar, Tirana Toksike sot është fatkeqsisht prodhim i Ramës dhe Velisë, por jo pronë e tyre. Projekti i trye i kryeqytetit po shkëput çdo lidhje dashurie të qytetarëve të tij sepse është i helmuar nga korrupsioni.
Fallsiteti i tyre vazhdon mbjellë pemët e dashurisë që e kanë kaluar numurin 1 milion, ndërsa betoni ka pushtuar çdo pëllëmbë të gjelbër të qytetit.
* Pinball Game – hyn në lojërat familjare ku një top shtyhet në një tavolinë të projektuar posaçërisht ku ai kërcen nga pengesa të ndryshme derisa futet në gropa që kanë çmimet e posaçme sipas vështirësisë. Sot njihen dhe si lojra fati elektronike dhe mekanike që mbushen me para.
15 Shkurt, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des journalistes professionels albaniase de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)