(Tuneli i Llogorasë një dhuratë simbolike e Rilindjes Socialiste me rastin e 60-të vjetorit të kryetarit)
Tiranë-Dhërmi pas 5 Korrikut parashikohet të përshkohet për dy orë. Këtë e mundëson përfundimi i veprës ndërtimore rrugore e tunelit të Llogorasë prej 5.9 km dhe që bëhet vetëm për 6 minuta. Askush tjetër veç se zv/kryeministres Belinda Balluku nuk mund të tërheqë vëmendjen për të dhënat e veprës se sa vetë ministrja e Transportit dhe e Energjisë e cila lajmet mbi shtrimin e kilometrave të asfaltit dhe të veprave ndërtuese në Shqipëri i shtyn me lopatën e buldozerëve për fushatat politike të Rilindjes Socialiste. E përmendim këtë sepse për Ballukun afroi jo vetëm dita e përurimit të tunelit dhe e shprehjes së zotësisë së punëve të mbaruara në konkurrencën e drejtimit politik të elitës, por ajo ka menduar edhe prerjen e shiritit si një dhuratë dhe gëzim pas festës së 60 vjetorit të Ramës.
E ngjeshur do të jetë patjetër kjo ceremoni me fasadën që kurrë nuk mungon pas kujdesjes që i bën propaganda shtytjes së objektivave politikë për infrastrukturën dhe turizmin, por kjo do të jetë edhe dita më e ndriçuar nga drita pas tunelit për çmimin ose vlerën reale të veprës e cila fillimisht u bë e njohur në vjeshtën e vitit 2020 bashkë me të tjera objekte ndërtimore të përcaktuara nga fondet e buxhetit të shtetit duke akorduar 49 miliardë lekë në 2021 ( pra rreth 50 milion euro), dhe me këtë kuotë gati çdo vit për infrastrukturën në këto katër vite në një kohë kur tuneli i Llogorasë cilësohet si vepër e plotë me të tjerë përbërës. Ku kemi 6 km tunel, 1.5 km rrugë lidhëse nga të dy anët hyrje dalje si dhe tunelin e emergjencës dhe të gjitha bashkë me vlerën 202 miliardë lekë (202 milion euro), për t’u dorëzuar në vitin 2025.
Përse ky pompozitet festimesh i shtohet stinës së nxehtë sikurse edhe një vit më parë shtrohej tapeti i kuq përpara kryeministrisë për të rritur figurën e kreut të qeverisë Rama si personi kyç në arenën ndërkombëtare me çështjen e “Ballkanit të Hapur”, i cili u mbyll me 16 Tetor të po atij viti bashkë me projektin qeveritaro-bashkiak të “Rijetësimit të Piramidës” së ish diktatorit Hoxha.
Këto gjëra duhen kujtuar sepse muajt Korrik të Rilindjes Socialiste nuk mund të kalojnë thjeshtë me bezdinë e vapës si sikleti pranë njëri-tjetrit, por patjetër që edhe rastësisht i duhen ngjarje dhe shfaqje të mëdha. Sot jemi një vit më pas nga ngjarjet e mëdha sa duket se as nuk kanë ndodhur sepse ato i ushqen propaganda. Fasada edhe pse u ftua Bill Clinton apo edhe përse për një ditë u mbajt Samiti i Berlinit në Tiranë, edhe ato u harruan, por ato gjithashtu na treguan për të mbajtur mend se Shqipëria po vuan izolimin ndërkombëtar pikërisht prej propagandës dhe prej korrupsionit. Sot veç festës së shkurtër të futbollit kuq e zi në Euro 2024 tabela e renditjesnuk na befason. Ajo na jep treguesit e fundit të renditjes në arsim, shëndetësi, kequshim, treg informal, liri të medias dhe moshë të mplakur të popullsisë ende pa rrugën se si do të shpëtojmë. Vetëm shpresat kanë mbetur të cilat e ndezin Korrikun dhe stinën e verës me zemërimin e popullsisë veç temperaturave pasi popullsia e varfër vit pas viti po ushqehet me përshtypjet e bukura të vizitorëve ditorë turistë që kënaqen me interesanten e lashtësisë Shqiptaro-Ilire dhe ku në lajme vendasit nuk kanë më zë dhe fjalë për t’u dëgjuar dhe të tregojnë se në çfarë realiteti jetojnë (ujë dhe energji me orar e ajr të ndotur me shumicë).
E kemi trajtuar në një shkrim të mëparshëm zv/kryeministren Balluku me rastin e shembjes së aksit rrugor të Qafës së Qarrit pranë Kolonjës në muajin Shkurt, 2024 (BALLUKU SFILON NGA ASFALTI NË SHEMBJE ME Tik-Tok- 19 Shkurt, 2024). Mos përgjegjësinë e saj dhe e ministrisë përkatëse u denoncua pasi asnjë autoritet vendor dhe qendror apo përfaqësues për infrastrukturën nuk u bë i gjallë prej treditësh në vendngjarjen e shembjes. Ngjarja madje mbulohej me sfilatën e Ballukut mbi asfaltin e Qafë Kërrabës (aksi Tiranë Elbasan), pavarësisht se shembja e Qafë Qarrit në aksin Korçë-Kolonjë kishte ngrënë 60 milion euro investim për 18 km rrugë gjatë fushatës së zgjedhjeve vendore të 2024.
Tipike janë elementet e propagandës dhe të fasadës që zgjedh Rilindja Socialiste. Znj Balluku nga ana e saj nuk heziton që ta udhëheqë rrëfimin video dokumentar dhe ta postojë në FB apo në televizionet kombëtare. Sot propaganda dokumentare e saj nuk mbahet me një foto apo video profesionale, por përshkrimet mbi infrastrukturën, energjinë dhe deri tek përgatitja për sezonin turistik prodhohen nga grupe të pajisura mediatike me aparatura xhirimi, montazhi, tek kapjet e peizazheve nga lartësia me dronë dhe deri tek përdorimi i personelit si të ishin aktorë kur demonstrohet një segment rruge.
Një ushtri e tillë mediatike qoftë shtetërore apo private e ka një kosto. Në mos daltë nga zërat e buxhetit për median kjo vlerë e vërteta vjen me mashtrimin që njerëzit pësojnë nga propaganda dhe media e blerë dhe ky çmim rëndon tek vota dhe zgjedhjet. Kjo dritë vlen edhe për fundin e tunelit e Llogorasë se sa herë veç 5 Korrikut ai do përurohet si një vepër e përfunduar. ATSH, si njoftuesi zyrtar i sukseseve të qeverisë ka nxjerrë me dhjetra lajme ku bumi i infrastrukturës zhurmohet më shumë nga titujt e pafund si dhe fjalimet e politikanëve në Kuvend për të justifikuar afatet kohore dhe shpenzimet se sa nga puna dhe siguria e njerëzve dhe e mjeteve të rënda apo vështirësitë e shpërthimit i malit. Në këto katër vite Llogoranë e kemi dëgjuar deri në këto ditë të fundit si strategjia e zhvillimit të politikave të Rilindjes Socialiste që nga aeroporti i Kukësit, Rruga e Arbrit, Porti i Durrësit, Korridori Blu dhe Aeroporti i Vlorës i ngritur në zemrën e Zonës së Mbrojtur të Lagunës së Nartës dhe zor se do të na bëjë të besojmë se ky përurim zyrtar do të jetë prerja e shiritit të fundit të tij. Në punët e pambaruara deri në 2025 veç 6 km tunel në Llogora, 1.5 km rrugë lidhëse si dhe tunelin e emergjencës që shkojnë deri tani në vlerën 202 miliardë lekë (202 milion euro), dronët dhe videot dokumentuese në përshkrimet e zv/kryeministres Balluku zbulojnë zhveshjen e zonës së gjelbër në Rivierën Shqiptare. Kriteri i shpërthimeve për hapjen e rrugës dhe tunelit ka lënë dukshëm gjurmët e sasisë shkëmbore të hedhur me ndikim në gjelbërim deri tek ujërat në bregdet për të cilat duhet bërë një vlerësim i ndikimit në mjedis dhe për gjallesën e florës dhe të faunës.
4 Korrik, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des journalistes professionells albaniase de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)