Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) u njoh me qëndrimin e zotërisë Ricardo Gutiérrez, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), organizatës më të madhe evropiane të gazetarëve në kontinent (që përfaqëson 350 000 gazetarë në 45 vende), në mbrojtje të gazetarisë shqiptare të sulmuar nga regjimi i Tiranës.
Zotëri Gutiérrez reagon ndaj rastit flagrant kur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka sulmuar sërish mediat profesionale dhe gazetarët shqiptarë, çka është e padenjë për postin që ai mban. Në qendër të shqetësimit të tij është sjellja e kryebashkiakut ndaj gazetares investigative të BIRN Ola Xama, duke e paragjykuar dhe gjykuar atë se “je njeri që nuk e njeh turpin”, “nuk je gazetare, je vrasëse me pagesë”, e tjerë.
Reagimi i kryebashkiakut Veliaj ka pasur menjëherë pasoja ndaj gazetares, duke e venë atë në qendër të sulmeve nga ana e mediave të qeverisë dhe duke i shumëfishuar epitetet fyese, denigruese dhe kërcënuese ndaj saj. Është një dukuri kronike tejet e dënueshme që eksponentët e lartë të qeverisjes socialiste t’i ndërsejnë mediat dhe, nëpërmjet tyre, opinionin socialist kundër gazetarisë kritikuese dhe kundër çdokujt që mban qëndrime apo bën veprime të cilat nuk janë në pajtim me veprimtarinë e shumicës socialiste në nivel të pushtetit qendror apo lokal.
Siç e nënvizon edhe zotëri Gutiérrez zemërimin e kryebashkiakut dhe fushatën që pasoi zemërimi i tij ndaj gazetares e shkaktoi hetimi i publikuar më 13 korrik 2023, ku del se Veliaj është nismëtar për krijimin e të ashtuquajturit incenerator i Tiranës dhe vendimmarrës për krijimin e landfillit, duke i tejkaluar kompetencat e përcaktuara me ligj. Të gjitha faktet e hetimit buronin nga dosja përkatëse e SPAK, ku shprehimisht thuhej: SPAK pohon se procedura e inceneratorit të Tiranës ka probleme dhe Ahmetaj, si ministri ‘gardian’, nuk mbrojti buxhetin e shtetit nga shkeljet e Veliajt.
Zotëri Gutiérrez ia sjell në vëmendje kryebashkiakut se “të quash një gazetar vrasës me pagesë është një akuzë e rëndë që mund të çojë në ngacmime në internet dhe madje edhe kërcënime fizike.” Kjo, siç thekson Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), rrezikon seriozisht gazetaren, e dekurajon atë, gazetarët hetues dhe gazetarinë hetuese që të kryejnë punën e tyre në interes të publikut.
Jo vetëm tani kur qeverisja aktuale është e përfshirë në një mori skandalesh, ku afera e incineratorëve është më e rënda dhe më diskredituesja në sytë e opinioni vendas dhe atij ndërkombëtar, por gjatë gjithë këtyre viteve, zyrtarët socialistë i trajtojnë si “vrasës me pagesë”, si “kazanë mediatikë”, gazetarët dhe gazetarinë që nuk i paguajnë vetë ose oligarkët e tyre.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), me shumë shqetësim, thekson: “I kam kërkuar disa herë në të shkuarën zotit Veliaj që të mos frikësojë dhe denigrojë gazetarët dhe qytetarët shqiptarë që guxojnë ta kërkojnë llogari. Këtë herë do t’i drejtohem në shqip. Ndoshta ai do të dëgjojë më shumë?”
Është me interes të shihet edhe raporti i shumë zyrtarëve të lartë me median, mënyra se e instrumentalizojnë informacionin përmes medias-sociale. Në dy rastet më të fundit, kryebashkiaku Veliaj ushtron dhunë verbale përmes FB, ku shfytyrohet debati me gazetarët në kërcënim dhe fyreje. Ndërsa, po kaq mospërfillës në dialogun e drejtpërdrejtë me median, Kryeministri Rama iu jep adresë gazetarëve që të ndjekin postimet e tij në FB dhe shmang përgjigjet. Në të dy rastet, mospërgjegjësia e detyrave të tyre për postet ekzekutive që Rama dhe Veliaj mbajnë, janë sjellje e drejtpërdrejtë e ushtrimit të censurës dhe dhunës verbale. Të debatosh me ta në FB do të thotë të ndodhesh përballë arrogancës së militantëve. Të dy krerët janë dirigjues të lindjes së konflikteve dhe tensioneve sociale. Rama dhe Veliaj janë një bandë e medias dixhitale.
Qëndrimi i organizatave evropiane, perëndimore dhe ndërkombëtare në mbrojtje të gazetarëve shqiptarë, gazetarisë shqiptare, në mbrojtje të së drejtës së opinionit shqiptar për informim të drejtë, të shpejtë, të saktë, objektiv, profesional, do të ketë gjithnjë mirëkuptimin dhe përkrahjen pa rezervë nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD).
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionells Albaniase de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Gionalisti Professionisti Albanesi di Diaspora (UGPAD)