(PRESIDENTI BEGAJ DEKRETON LIGJIN QË SHKATËRRON ZONAT E MBROJTURA TË NATYRËS)
Shqipëria u arrit të prekete dhe aty ku më nuk mban dhe kjo në harkun e një 123 viteve. Ismail Qemalit populli i këndoi;- “Unë jam ‘Smail Qemali /Mbrapa më vjen historia”.
Dhe kjo duket se është historia pas kur popullin dhe shtetasit shqiptar askush nga shtetarët e tij nuk e dëgjon. Populli u ka besuar atyre votën për t’i drejtuar në të mirën e zhvillimit të vendit, mirëpo në politikën shqiptare vitet e pushtetit pas varfërisë dhe diktaturës janë ditët e arta të përfitimit personal, sigurimit të privilegjeve për vete dhe rrethin e tyre, shtrirjes së lidhjeve për të jetuar gjatë në pushtet përmes korrupsionit, propagandës pushtetmbajtëse dhe tendencën e një pandershmërie që nuk ka minimumin moral të llogaridhënies dhe transparencës ndaj zgjedhësve të tyre. Askush nga shtetarët dhe mediat sot nuk janë më në gjendje që ta përcjellin me plot gojë vlerën e integritetit të Shqipërisë dhe t’ju tregojnë se çfarë vlere kishin 123 vite më parë sikurse edhe sot çfarë peshe ka patriotizmi popullor për Ismail Qemalin: “Sazan e Karaburun janë Vatanet e Mia”. Kjo ishte kartëvizita e Ismail Qemalit, babait të kombit në kancelaritë e asaj Evrope që sherrin Ballkanik e shihnin si zgjidhje duke e copëtuar Shqipërinë. Prandaj shtetarë, zyrtarë dhe politikanë të nderuar mos e mbani pas shpine portretin e Ismail Qemalit dhe ndërkohë shtireni kur takoni delegacione, funksionarë shtetesh dhe zhurmoni edhe me diasporën në një kohë kur trojet e shqiptarëve po e parcelizoni dhe e nxirrni në shitje pa e pyetur sovranin.
Kjo hyrje që mund t’ju duket si thirrje është një shqetësim që përfshin përgjithësisht politikën dhe pushtetin që buron prej saj dhe që zbulohet më thjeshtë si interes mes palësh mbi shpinën e shtetasve shqiptarë.
Shëngjini dhe Gjadri jepen me protektorat Italian, ndërhyrjet mbi Zonat e Mbrojtura dekretohen nga presidenti, dhe kryeministri pas investimeve strategjike në projekte të parapërgatitura me VKM dhe të mbrojtura me forcë kartoni në Kuvendin e Shqipërisë ka gllabëruar bregdetin. Narta, Karavastaja, Porti i Durrësit, Skavica etj. e deri tek Ishulli i Sazanit, janë hartat ku betonizimi ka filluar, piketat e korrupsionit po hidhen, koncesionet po zgjerohen duke kaluar nga njëra dorë në tjetrën dhe përballë fakteve të kryera prej mungesës së përgjegjësive dhe transparencës pushteti thellon gropën e borxheve që popullit i duhet t’i lajë. Kjo skemë e përfitimit të pushtetarëve dhe rrethit të tyre ka arritur në atë pikë që nuk mund ta mbulojë dot më varfërinë dhe shpopullimin me propagandë kur ndryshimeve të statusit zonë e mbrojtur i afrohen tinëzisht me termat “ndërtime ekologjike dhe miqësore për mjedisin”.
Jo të nderuar “ligj-gatues”, çdo ndërhyrje është prishje e ekuilibrit natyror, këtë njohuri e kanë edhe nxënësit e fillores që ushqejnë ndjena dhe kanë dashuri për natyrën, bimët, pyjet, detin, malet, diellin, ujin dhe kafshët. Por egërsinë mbi këto burime jeni ju të parët që po e shfaqni duke vënë dorë, rrjepur dhe duke e shkatërruar edhe pse hiqeni se mendoni për brezat trashëgimtarë të cilëve po i lini shlyerjen e një borxhi të madh.
Kur juve parashtroni begatitë e vendit dhe katalogun e pasurive që ka Shqipëria veç propagandës turistike dhe sipërmarrjeve në ndërtime nuk ka se si shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit të mos u vrasë syrin përmbajtja e dekretit të fundit tuaj presidencial i shprehur aq thatë vetëm në tre rreshta. Një “saktësi” epike, një heshtje kokulur mbi kaosin që ekzekutivi i shtetit shqiptar po shkakton kudo me kapjen e të gjitha pushteteve: “Në mbështetje të nenit 84, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës, DEKRETOJ: Shpalljen e ligjit nr. 21/2024, për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81 /2017 , “Për zonat e mbrojtura”.
Për ta zgjeruar justifikimin e dekretit institucioni Juaj Shkëlqesi u shpreh: “për shkak se ligji u shoqërua me komente dhe kritika në fazën e shqyrtimit dhe miratimit të tij, sidomos nga grupet përfaqësuese të organizatave mjedisore, Presidenti i Republikës ndërmori një sërë konsultash dhe zgjeroi procedurën e shqyrtimit me përfshirjen dhe tërheqjen e opinioneve nga grupet e interesit, por edhe nga ekspertë kushtetues”.
Por faktet tregojnë se opinioni publik dhe dhjetra organizatat mjedisore vendase dhe ndërkombëtare nuk u pyetën, asnjë seancë dialogu mes tyre dhe jush nuk u pa, dëgjua dhe pasqyrua në asnjë organ mediatik përveç zërit të tyre të protestës dhe kundërshtimit.
Dekreti 110, që për hir të së vërtetës mbetet sot në dorën e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që të prapësohet dhe bota të mos nënqeshë me dinjitetin e shqiptarëve. Sovrani e do vatanin e vet ashtu edhe sikur mbi një shekull më parë i këndoi burrave me ideale për atdheun, mbarësinë dhe zhvillimin e Shqipërisë dhe i thurën këngë trimërie sepse donin pavarësinë e vendit të tyre…
O Qemal, kur të përzunë
Kur të rrethosi Turqia,
Dhe një çik, pra të zunë,
Erdh e të mori gjemia.
Brënda në Paris të shpunë,
Atje ku qe katemia,
Se ç’u ngrut krali në gjunjë,
Kralesha edhe e bija:
– Cili je ti more burrë,
– Që di pallatet e mija?
Unë jam Smail Qemali,
Prapa më vjen historia.
Të lutëm nëmë një vulë,
Të vuloset kufia.
Të shtat vulat ti dhamë,
Po s’doj të vulos’ Turqia.
Do vulos’ se s’është punë,
Është imja Shqipëria!
Sazan e Karaburun
Janë vatanet e mija.
* Për hir të kujtesës. Parku natyror i marinës Sazan-Karaburun vlerësohet me mbi 120 km2. Ishulli i Sazanit ka një sipërfaqe prej 5.7 km2 dhe një vijë bregdetare prej 15 km. Në botë ka shtete me sipërfaqe administrative disa herë më të vogla dhe luajnë rol të madh në planet. Një i ngjashëm nga strategjia gjeografike është edhe sipërfaqja e Ngushticës së Gjibraltarit (5,86 km2 ), aty ku kontinentet dhe oqeani puqen me Mesdheun, vlera dhe histori për mbarë njerëzimin.
18 Mars 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)