Mbase nuk ishin shpalosur plotësisht deri në këtë fillim viti të ri shkollor cilësitë nga kurikula profesionale e Erion Velisë, por që ekspertiza pedagogjike e kryebashkiakut e cila i la pa mendje nxënësit, mësuesit, prindërit, drejtorët e arsimit për bashkinë, lagjen për rreth shkollës 9 vjeçare Xhezmi Delli (Njësia 3-Tiranë), të dilte në sipërfaqe kaq politizuese dhe me frymë fushate elektorale kjo do të arrinte kulmin. Ky agjitator ojq-sh dhe njëherazi shërbëtor i partisë shtet dhe jo i qytetarëve e ka thelluar talentin e komunikimit brenda dhe jashtë vendit pasi me dhjetra akuza korrupsioni dhe të shpërdorimit të detyrës kanë autorësinë e tij. Veliaj qëndron në pushtet vazhdon të financojë fushatën e Rilindjes Socialiste për kryeqytetin gati me 1 milion banorë deri sa t’i provohet fajësia. Le ta marrim të mirëqenë “pafajësinë” e Veliajt, por le t’i marrim të mirëqena 25 protestat javore të qytetarëve të Tiranës së bashku me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit dhe bashkimin opozitar të vërtetuar me dhjetra denoncime dhe dokumenta të cilat i janë adresuar SPAK-ut intensivisht në 2-3 vitet e fundit.Pa mundur “të gjejmë” të tjera prova dhe vetëm duke shikuar forcën e propagandës së partisë-shtet qytetarët duhet ta ri dëgjojnë kryetarin e bashkisë Tiranë se si ai i parashtron idetë vetëmbrojtëse në ceremoninë e fillimit të shkollës 9 vjeçare Xhezmi Delli ku nuk arrihet të kuptohet se miliona euro fonde të hedhura janë bërë për ndërtim të ri apo rikonstruksion të ndërtesës në pronën shtetërore ekzistuese. Publikut i duhet të kuptojmë që në fillim se Veliaj ka një mbulim mediatik me “armatimin e rëndë”, transmetim të drejtpërdrejtë në RTSH dhe shoqërohet nga deputetë të Partisë Socialiste të cilët së bashku paranë e shtetit dhe taksat e qytetarëve i kthejnë në përfitime ekonomike nepotike dhe në votë sa herë zhvillohen zgjedhje.
Patronazhistët dhe ata që influencohen dhe mashtrohen nga propaganda këtë vëzhgim do ta cilësonin dashakeqe opozitare ose pakënaqësi ndaj egos për një mandat të katërt të Rilindjes Socialiste. Në thelb këtu qendron ndryshimi. Pavarësisht se sa nevojë të domosdoshme është ndërtimi/rindërtimi i mjediseve moderne arsimore, një sistem me mësues të paguar 950 euro dhe pa nxënës dhe me nxënës të përgatitur dobët në lëndët mësimore janë treguesi i fasadës. Sa do e lyer, e mobiluar, me laboratorë modern dhe me mjedise sportive shkollat të jenë plotësuar, mungesa e ujit 24 orë është treguesi i kërkesave për higjenë të nxënësve që vijnë nga familje me vështirësi ekonomike dhe rriten të keq-ushqyer në një mjedis qyteti ku cilësia e ajrit ka rekorde të vazhdueshme toksike nga pluhurat e ndërtimeve dhe djegia e cilësisë së ulët të karburantit që automjetet përdorin.
Pra i pa ngopur nga rolet dhe maskat, por i mirë-investuara nga propaganda na vlen të ndalemi në skemën që rilindësit socialist gjejnë dhe shfrytëzojnë, sikurse edhe dalin pa ndrojtje në çdo ekran televiziv. Shfrytëzimi i hapësirës/minutazhit propagandistik është vërtetuar se Rilindja Socialiste e bën jo vetëm me urdhra por me një makineri pajisjesh audio-vizive moderne për t’i shërbyer fuqishëm trushplarjes.
Nga shkolla Xhezmi Delli, jo vetëm që ATSH mbulon mesazhin e kryebashkiakut, por RTSH 24 lidhet “live”. Mediat e tjera transmetojnë kronikën duke lexuar produktin e gatshëm që prodhohet pavarësisht pjesëmarrjes në vend ngjarje. Me dron xhirohen pamjet e ndërtesës trekatëshe, disa kamera që para mbrapa shoqërojnë ceremoninë dhe së fundi i lihet vendi me plot përulje dhe falenderime kryetarit Erion Veliaj.
Por si iu drejtua ai nxënësve, mësuesve, prindërve, drejtorëve për arsimin, lagjes/njësisë, deputetëve mbështetës kjo është pjesa më e bukur e zbulimit të një karakteri “portokalli-je” për sezonin e ri deri në zgjedhje. Në Shqipëri njihet me statusin “Lali Eri”, por që në rolin e agjitatorit rilindas për kryeministrin media fatkeqësisht ende nuk ka zbuluar personazhin tipik që fjalët i bën sallatë*, flet pa përmbajtje dhe largohet i gëzuar dhe i kënaqur se ua hodhi të pranishmëve si të tjera herë.
Ai vetë apo fjalim shkruesit e tij kanë të njëjtën disketë për çdo takim. Do t’i rreshtojmë më të shumtat për të kuptuar se foljet, ndajfoljet, lidhëzat, vend-ndodhjet dhe koha nuk kanë rëndësi se kë Veliaj ka përballë, mjafton që ai t’ua hedhë atyre mashtrimin, qytet, fshat, sport, mbjellje pemësh, ambasadorë, binjakëzime, spektakle në shesh, pakica rome, me biçikletë etj, por me kosha plehrash të shqyer.
Ja si u drejtohet ai filloristëve dhe më pas të pranishmëve (live): -Ej do dalim me dhjeta?… Nuk e dëgjova… Poooo!, thërrasin fort nxënësit në ditën e parë të shkollës.
Më pas forma e spektaklit vazhdon me pjesëmarrësit në oborrin e shkollës ku mësohet se do të studiojnë 324 nxënës ku Veliaj shprehet :-” Shumë faleminderit për mikpritjen, dashurinë, përqafimet, për buzëqeshjet dhe për gjithë energjinë e bukur pozitive që me mëngjes…” dhe më pas fillon sallata e fjalëve ku përmenden emra bashkëpunimi, fondet e BE dhe qeverisë, lartësohet deputeti, nxirret në pah skuadra, dhe të pranishmëve në gjoja dialektin tironc që kryebashkiaku e zotëron u shpjegohet se ju duhet “mrroklla”. Pra “hardware- software”, ku njëra nënkupton ndërtesën dhe tjetra trurin dhe ligjërata rrjedh mes furçave se ndihet krenarë për mësuesit, prindërit dhe komunitetin rreth shkollës, hidhet në “vaktin” e filozofit grek Aristoteli dhe për pas tek dëshmori Xhezmi Delli për të ndriçuar histori të gugëlluar ose të wikipedia-s nga koha e tij e shkurtër apo atë që kryebashkiakut ia përgatit stafi sepse ai nuk e ka kurrë problem ta tejkalojë me idetë dhe me fjalët e veta.
Propaganda dhe reklama që vazhdon mbi 15 minuta dhe hapësira elektorale që ju vihet atyre që kanë nerva dhe mund mund ta shikojë dhe ta dëgjojë kryetarin, janë në përmbajtje mos përgjegjësia për asgjë dhe ku plot liri ekrani ai i jep vetes të drejtë që t’u kujtojë qytetarëve nëse kanë bërë keq apo mirë për ta zgjedhur Veliajn kryetar, njeriun që në karakter po përfaqëson krizën-nyje të rreth 1 milion banorëve, por jo të Rilindjes Socialiste..
Nga kjo ceremoni të bie në sy pastrimi ideologjik dhe i kujdesshëm brenda programit politik të Rilindjes Socialiste që agjencia e propagandës zyrtare ATSH i bën Velisë. Lajmi në të jep standardet e përkryerjes, shkolla pa turne, me shkallë emergjence, me fusha sportive, me çip dhe me ndriçim led, me një zonë ku çmimi për metë katror është 1400 euro, dhe se bashkia me në krye Velinë ka rindërtuar dhe ndërtuar 45 shkolla aq sa nuk bëri pushteti i mëparshëm që pas rënies dëshmor të Xhezmi Dellit ose edhe me vitet bashkë që se kur Tirana u krijua si qytet, pra një super shkollë për çunat dhe gocat.Të gjitha këto përzierje frazash dhe togfjalësha me qëllim që të ndërtojë një raport komunikimi me të pranishmit, qoftë me hare dhe qoftë me nervozizëm Veliaj e shpreh. Por që të dalësh para studentëve dhe t’i trajtosh ata së pari ulët për sa shembuj i jep përpara syve, mirë se mësuesit dhe kolegët deputetë ndjehen pranueshëm me përdorimin që atyre ju bëhet gjatë fjalës së Veliajt. Por që këtë propagandë të hapur, ta gëlltisë publiku dhe opinioni të mos jetë i shqetësuar, kjo të bën të mendosh se sa poshtë po bien rekordet.
Po si nuk e the një fjalë për shpërdorimet o kryebashkiak?
Të gjitha fjollë thonë tironcit!
Po përgjegjësitë për shkollat që nuk janë fare dhe ato me pak mësues dhe nxënës që realisht ka Tirana ku janë?!
Por për ta bërë sa më festive ceremoninë, duke ju rikthyer njohjes wikipedike si tironc, Veliaj hodhi idenë se shkollës Xhezmi Delli :“mund t’i kthehen talentet e muzikës si insturumentistët e fizarmonikës, klarinetës, etj. që janë pjesë e orkestrave të gëzimeve, dasmave synetlliqeve, fejesave dhe martesave, e të gjithë atyre gëzimeve që kanë sjellë zemrën e Tironës. Jemi në zemër të Tironës”.
Sa bukur qëndrojë para nxënësve , hardware-i, software-i, Aristoteli, Xhezmiu, synetlliqet, rrufepritëset etj.
Nga ky vështrim është e rëndësishme të shihet nga qytetarët se qeverisja në disa mandate po tregon forcën e politikës e cila ka gjetur mbështetjen tek paraja, ka siguruar përfitimet dhe ku elita qëndron në pushtet me propagandë e pa shqetësuar për, përgjegjësitë, ligjin dhe artin e fjalës të shndërruar në mashtrim.
Në qoftë se gara politike nuk e rrëzon dot Velinë, apo megjithëse edhe protestat qytetare nuk janë bindëse, dosjet e papërtypshme pranë drejtësisë dhe SPAK-ut le të rrinë mbyllur deri në zgjedhjet e ardhshme.
Rama dhe Rilindja Socialiste e kanë qesen e kryetarit të bashkisë Tiranë të kontrolluar dhe do të dinë ta shkundin sërish. E bukura është se Veliaj nuk do të mbetet pa të ardhura. Me talentin e tij si gaztor, ai mund ta gjejë një skenë për ta performuar artin e tij në një nga televizionet që janë investuar nga inceneratori i Tiranës, por edhe që janë të pajisura edhe me rrufepritës.
________________
* sallatë fjalësh-ndeshet në gazetarinë bashkëkohore si “word-salad”,
gjerësisht për agjitatorët politik të prirur për para dhe pushtet të pa ndarë nga platforma e tyre.
12 Shtator, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)