INSTAT tregoi më 16 Janar se të dhënat mbi numrin e popullsisë, ekonominë, arsimin dhe shëndetësinë do të nxjerrin mbi Censin në muajin Qershor. Për të shuajtur ndikimin e disa nga informacionet që janë publikuar më parë në mediat e ndryshme dhe në rrjetet sociale kryesisht mbi popullsinë e larguar në emigracion dhe regjistrimin e pronave, Drejtoresha e Institutit të Statistikave Elsa Dhuli i ka cilësuar më parë ato shqetësuese për sa ende nuk ka një përfundim zyrtar, i cili ka si kufi kohor muajin Qershor, pra pas 5-6 muajsh. Kjo i jep asaj mënyrën më të mirë për të mbrojtur politikisht për situatën e vështirë dhe krizën me të cilën po përballet vendi dhe keq qeverisjen. Ajo nuk prodhoi asnjë shifër ose krahasim me census-er e kaluara veç përcaktimit të rezultateve në muajin Qershor(!).
UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës), duke ndjekur me shqetësim uljen e ndjeshme në numër dhe në moshë të popullsisë shqiptare synon të adresojë se ekonomia, politika dhe sundimi i gjatë i korrupsionit përbëjnë sot rezultatin më alarmues të sigurisë kombëtare. Këtë fakt ky union e mbështet nga krahasueshmëria e të dhënave të 22 viteve të fundit kur në Shqipëri dihet se janë zhvilluar tre procese regjistrimi.
Të dhënat e njohura janë si; 2001 me 3,069,275. banorë, 2011 me 2,831,741 banorë dhe 2023 me një pikëpyetje të madhe. Mjafton kjo zbritje për të dhënë alarmin e sigurisë kombëtare. Përsa INSTAT tregoi se muaji Qershor mbetet afati i pritjes së të dhënave të para, pritja e një rezultati “pozitiv” do të ishte mashtrim në qoftë se nga shumë anketime shqiptarët kanë treguar se jo vetëm që renditen të dytët nga fundi me pakënaqësinë e kushteve të jetesës në vendin e tyre, por ata e kanë lënë vendin dhe janë larguar në masën e 1/3 të popullsisë. Kjo situatë alarmi kërkon përgjegjësi dhe transparencë të pa politizuar deri në Qershor. Përzierja e shkencës së matematikës me propagandën qeveritare anojnë nga blerja e kohës dhe rreziku i transparencës flet për një shfrytëzim të kësaj kohe të blerë për shinjestrim politikash ndikuese në shtersat e popullsisë, përfshi këtu edhe diasporën kur vendi ndodhet në një kohë kritike drejt afrimit të zgjedhjeve të vitit 2025.
Sado të mbrojtur të ndjehemi nga ombrella institucionale dhe ekonomike e BE si dhe anëtarësimi në NATO, jemi ne shqiptarët faktori Kryesori, një Shqipëri pa rini është alarmi se ky partner (Shqipëria), është më delikati dhe më i dobëti se kurrë.
A kemi sot një përgjegjësi dhe përgjigje se në rast konfliktesh që mund të sjellin luftërat ato nuk mund ta bëjnë me plot ndërgjegje popullsinë shqiptare të shprehë gatishmëri për mbrojtjen?
Kjo është çështja kur popullit i vret fjalën e lirë, i vret pronën, i tregon rrugët larg atdheut. Këtu ka arritur koncepti i keq qeverisjes, këtu ndodhet sot politika.
Me cilin zë kushtrimi do të hidhet në rast nevoje për ta mbrojtur Atdheun? , Pra nga Presidenti si “Komandant i Forcave të Armatosura” apo nga qeveria shqiptare të cilët kanë “vetëbesim” se do të mund të thërrasin shtetasit shqiptar për ta mbrojtur vendin e tyre dhe ata të mbeten në krye?
Këto dy pyetje sot janë pezull për shkak të kapjes së të gjitha pushteteve nga një forcë e vetme politike. Bashkëpunimi është ndërprerë dhe demokracia e rendi demokratik po vriten çdo ditë në Shqipëri.
Në qoftë se ky rast i “vigjilencës” që buron nga korrupsioni dhe nga politika mbetet shqetësues, dinjiteti i shqiptarit po rrënohet për shkak të varfërisë, papunësisë, taksës së lartë të biznesit dhe kufizimit të lirisë së pronës në kushtet e një ekonomie të tregut të lirë të mbrojtur me ligj.
Në këtë rrafsh një statistikë e fundit e hedhur në opinion publik se rreth 50-55 mijë apartamenteve të banimit të ndërtuara rishtazi nuk i përgjigjet kërkesa për qira dhe blerje për shkak të çmimeve të shtrenjta e të ngrira sepse nuk ka fuqi blerëse vendase, ky alarm mund të ngrihet në një tjetër shkallë më të frikshme për paranë informale që qarkullon dhe rritmet e ndërtimeve që po pushtojnë çdo hapësirë publike.
Nga “strategë të qeverisë” është dëgjuar shpesh për projektet e infrastrukturës, energjisë që sigurisht ndërtohen me hua dhe koncesione dhe kjo u ka shtuar oreksin e më tejmë për të transformuar blloqet e banesave me moshë + 50 vjeçare, në emër të arkitekturës bashkëkohore dhe funksionale të kryeqytetit apo qyteteve kryesore të vendit. Kjo fantazi e marrë, sado e guximshme që të jetë nuk ka më besueshmëri përsa i përket dy treguesve të cilat INSTAT dhe Census-i nuk i kanë më të panjohura. Në qoftë se numrit të përgjithshëm të popullsisë i heq 1/3 e shtetasve që janë larguar në emigracion dhe i shton numrin e rreth 800 mijë pensionistëve që banojnë në këto apartamente mbi 50 vjeçare, regjistrimi i banesave që del nga ky census dhe i mbështetur mbi këtë plan po zbulon qartësi se zonat urbane do të jenë vala e re e shpronësimit të popullsisë qytetase dhe zhytja edhe më tej në varfëri popullsinë e fshatit. Të parët emigrantë janë larguar dhe e kanë një strehë. Ndërsa pensionistët do ta shtyjnë edhe ca vite. Ky është denigrimi që po u ndodh shqiptarëve nga kjo qeverisjes. Çdo shqiptar i varfër dhe me pamundësi jete më të mirë do të detyrohet të shesë pronë dhe të shesë truall.
Në Shqipëri në një kohë kur njerëzit po largohen ka mbetur i vetmi refren; Truall për shitje me çmimin në krah! Një dhimbje që të kujton Troje Shqiptare të shitura dhe një vend me popullsi të plakur.
16 Janar, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionells Albaniase de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)