Me një yxhym prej 16 marrëveshjesh Kryeministri i Shqipërisë Rama dhe gjashtë anëtarë të kabinetit të tij justifikuan mungesën e tyre më 20 Shkurt në Tiranë kur mijëra qytetarë dhe partitë politike të opozitës zhvilluan protestën e kundër diktaturës dhe korrupsionit të qeverisjes së Rilindjes Socialiste. Si për ta shmangur vemendjen në raste të tilla dhe për ti marrë kohën hapsirës mediatike, programet radio-televizive dhe sajtet proqeveritare pasqyruan vizitën e delegacionit qeveritar hap pas hapi duke trumpetuar nënshkrime marrëveshjessh nga politika e jashtme, mbrojtja, ekonomia, mjedisi, turizmi etj. e deri tek radiotelevizionet shtetërore, përkatësisht Korporata TRT dhe RTV Publik Shqiptar. Atmosfera e marrëveshjeve nuk ishte as më shumë dhe as më pak një sjellje autokratësh në prag të proceseve të reja zgjedhore për të dyja vendet ku lexohej qartë etja për statistika dhe fitim pikësh në opinionin publik se Erdogan dhe Rama janë udhëheqës “me peshë” dhe luajnë rolet e tyre për stabilitetin e Ballkanit. Pa i mohuar vlerat që ka dhe sjell fqinjësisa e mirë ana tjetër e këndvështrimit të problemit për analizën tonë është media.
Si është e mundur që dy vende me renditje të ulta në indeksin botëror të lirisë së shtypit arrijnë të nënshkruajnë mes tyre një marrëveshje mes televizioneve kombëtare kur pozicionet e tyre për disa vite rrjesht dhe në 2023-shin sipas RSF (Reporters Sans Frontiéres), janë; Shqipëria në vendin e 96 me 57.86 pikëdhe Turqia në vendin e 165 me 33.97 pikë?
Përgjigja e parë është se të dy autokratët kanë mundur të qendrojnë në pushtet duke e kontrrolluar atë përkatësisht Edvin Rama 11 vjet si kryeministër dhe Taip Erdogan 21 vjet si kryeministër dhe si president.
Po çfarë lidhje ka këtu radio-televizioni?
Përgjigja vjen sërish e thjeshtë; kontrroll informacioni, propagandë dhe shpenzime për to. Vetëm nga lajmi i ditës (haber-i i RTSH) u mësua se mes shumë marrëveshjeve të nënshkruara; “Lajmet në RTSH, funksionojnë sipas një mendësie profesionale. Çdo lajm në RTSH, duhet të jetë i qartë, i kuptueshëm, i verifikuar e maksimalisht etik”. Një lajm në të cilin nuk gjen të përmendet dhe të shkruhet as shtypi i lirë dhe as fjala e lirë. Vetëm ky koncept i shkruar dhe i hedhur për publikun të bën të kuptosh se forcat njerëzore intelektuale dhe krijuese të shqiptarëve gjenden jashtë përmbajtjes. Gazetarë, regjizorë, skenaristë, skenografë, muzikantë, aktorë, operatorë, teknikë që sjellin produkte për mikrofonin dhe ekranin përveç atyre që janë përzënë nga puna tashmë, të tjerët që qendrojnë janë prekur edhe në integritetet e krijimtarisë së tyre dhe janë ata të parët në rradhë që në qoftë se nuk i zbatojnë urdhërat hidhen në rrugë dhe mbeten pa rrogë për të mbajtur veten dhe familjet e tyre. Të preferuarit e ditës janë “më të paguarit”, të rinj pa përvojë, lehtësisht të përdorshëm, që marrin urdhëra dhe që paguhen si mbikqyrësa deri tek agjitatorë dhe patronazhistë.
Kjo është tablloja e medias publike shqiptare e kapur nga shteti, ku lajmet dalin nga zyrat e qeverisë dhe fondacionet e shoqërisë së hapur kur bëhet fjalë për pasqyrimin e realitetit të jetës së qytetarëve dhe ku aktualitet politike janë vetëm propagandë si dhe pjesa tjetër mbetet tek “serialët historikë” dhe telenovelat që prej vitesh janë ngulur në psikologjinë e publikut rreth ekranit.
Sot asnjë gazetar, artist, aktor, kompozitor, dhe krijues nuk e gëzon lirinë e shprehjes dhe nuk e ka mundësinë e realizimeve sepse e gjithë paraja është në duart e pushtetit. Madje në qoftë se ata do ta provonin krijimtarinë e lirë si të tillë, që prej Janarit 2024 atyre u është rritur taksa edhe mbi 20%.
Insitucionet e kulturës sot si prodhimi kinematografik, teatri dhe opera “made in albania”, kanë vdekur prej kësaj qeverisje sepse pushteti ka kapur si çdo qelizë të jetës edhe kulturën. Propaganda është mbi gjithshka deri në zgjedhjet e ardhëshme ku autoritarët shijojnë serialin e viteve të pushtetit. Rama më i ri se Erdogani po projekton pushtetin e vet edhe për dhjetëvjeçarin e ardhëshëm në qoftë se populli dhe opozita nuk do të kenë mobilizimin dhe aftësitë që ta largojnë atë nga pushteti me përpjekjet për mbrojtjen e votës së lirë.