Përsëritja e votimeve për bashkinë në Rrogozhinë zgjoi interesimin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD), për të hedhur dritë mbi disa zhvillime të proceseve zgjedhore në Shqipëri, ku KQZ dhe subjektet politike kanë përgjegjësi etike përpara publikut në drejtim të respektimit të votës së lirë të shtetasve. Ato quhen zgjedhje vendore ose lokale, por vlera e votës duhet vëzhguar për nga ana mundësive të përmirësimit të standardeve, që gjithmonë t’i shërbejnë motivimit të publikut për zgjedhjet e ardhshme. Pavarësisht gjuhës së luftës politike që zgjedhin kundërshtarët, atmosfera zgjedhore ka nevojë të jetë ndërgjegjësuese për pjesëmarrjen në votime dhe ushtrimin e votës. Retorika e zgjedhur shpesh shëndrrohet në konfuzion e zhurmë dhe faktet mposhten nga gënjeshtrat që hidhen në publik, duke i konsideruar votat të rëndësishme sa për t’u marrë si numër për forcën politike. Ndërsa publikut i lihet të nënkuptojnë se kjo kishte rëndësia e çastit, partia i do militantët dhe shihemi pas dy vjetësh, pasi jeni “provincialë” dhe ushtrimi i pushtetit i takon kulmit të piramidës. Një fakt prag zgjedhor i Rrogozhinës ishte shpërndarja e bazës materiale zgjedhore ku autokolona ushtarake dhe policore bënë të sigurt dorëzimet.
A ka ndonjë formë më me finesë që mund ta bëjë shpërndarjen e bazës materiale nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Pushteti Vendor, në mënyrë që ftesa e qytetarit për votim të jetë më e gëzueshme?
Megjithatë kjo është çështje forme dhe mbase njerzit këtë aksion e nënvleftësojnë shpejt.
Tjetra lidhet me një tjetër anë të fushatës dhe ajo vjen nga mënyra se si figurat e politikës partiake mbështesin kandidatët. Rasti që marrim, do t’ju tingëllojë i njëanshëm, por reflektimi i shpejtë në politikë me gjendjen që po kalon vendi duket si rast i veçantë studimi.
Ishte pra Erion Veliaj në Rrogozhinë që e tregoi edhe këtë herë strategjinë me dy fronte. Me shpifje, së pari, sulmo kundërshtarin dhe me mashtrim në shërbim “të ndërtimit” të vazhdueshëm të imazhit për veten dhe PS, merr vota.
Është interesant fakti i përsëritjes së zgjedhjeve vendore në Rrogozhinë këtë të Dielë më 23 Korrik, ku për kreun e bashkisë ndodhen përballë të njëjtët kandidatë. PS me kandidatin Edison Memolla dhe “Bashkë Fitojmë” me kandidatin Shkëlqim Hoxha, të cilët vijnë në këtë raund të ri për shkak të mospranimit të rezultatit për shkelje dhe ku rinumërimi i kutive dha një diferencë të ngushtë prej 21 votash.
Ajo që ka rëndësi për situatën zgjedhore në përgjithsi dhe zhvillimeve të tjera interesante brenda procesit të votimeve, për të cilën sondazhet politike dhe analistët mund të bëjnë kujdes, është rasti për të analizuar pse PS-ja si forcë e majtë dominoi zgjedhjet vendore me rezultatin 86% ose 56 nga 61 bashki të marra, pjesëmarrja e zgjedhësve ishte 12% më e ulët (34.37%), në krahasim zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, veç faktit tjetër të rëndësishëm që kundërshtari i madh tradicional, demokratët mbetën thellësisht të përçarë.
Si do të vazhdojë procesi, kjo mbetet për t’u parë të Dielën. Por një gjë është e sigurt se kuti dhe qendër votimi nuk do të ketë në burgun e Rrogozhinës, i cili u konsiderua si përmbysës i minutave të fundit të rezultatit, kutia surprizë që iu dha fitoren e parregullt socialistëve përderisa përsëritja e zgjedhjeve u pa si korrigjim i të metave në proces.
A zhvilluan një fushatë ndërgjegjësuese nga rigaruesit gjatë këtyre dy javëve që kishin në dispozicion apo gjithçka e mbuloi skandali i largimit në drejtim të paditur zv/kryeministrit Arben Ahmetaj dhe një zgjedhje lokale, s’para ka rëndësi?
A e “lëshon” PS humbjen apo ajo do ta vazhdojë skemën deri në fund?
Këto përgjigje na i dha mbështetja e kryetarit të bashkisë së Tiranës Veliaj që i bëri Memolla-s së Rrogozhinës- edhe kjo ia vlen për t’u zbuluar, pasi pangopsia dhe motoja “vetëm përpara” nuk ndalet.
Por përse ia vlen që media të ndalet edhe për një garë të vogël të zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë Rrogozhinë?
Kjo ka rëndësi për t’u kuptuar për dy elementë të strategjisë socialistëve. Nuhatjen, objektivitetin dhe profesionalizmin mund ta bëjë vetëm media, pasi politikanët zakonisht bëjnë fushatë pa frena me shumë premtime dhe me akoma më shumë sulme ndaj kundërshtarit.
Pra Veliaj mbështet Memolla-n vetëm një ditë më pas se i dha çelsin e Bashkisë Ricky Martin.
A e kuptojmë që fushata e tij në Rrogozhinë është influencë popullariteti?
Patjetër që po, pasi Velian askush nga rrogozhinasit nuk e pyeti për inceneratorin e Tiranës. Veliaj shkoi në Rrogozhinë me entusiazmin e ngrohtë pas koncertit, si i pari i kryeqytetit në një provincë dhe i ekzalton “sportdashësit” e Rrogozhinës, duke dhënë të tjera premtime dhe duke hedhur tym politik. Ai u shpreh se e ka rrahur Saliun dhe ai nuk është vetëm “non grata” i SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, por shumë shpejt do të jetë dhe një “non grata” i BE-së.
Eja dhe gjeja fillin fushatës së PS dhe garancive të Velisë(!).
Por mos shih korrupsionin tek vetja dhe luaj të pafajshmin, shpif sa të mundesh për kundërshtarët sa për Saliun, por edhe më rëndë për Shkëlqimin, kjo ishte karakteristika që u pa dhe u lexua në media.
Një gjë i ndihmon zgjedhjet nga puna e medias. Në qoftë se akuzat e Velisë kanë bazë, atëherë verifikimi i bërë rrit integritetin, por, në qoftëse del e kundërta, media mund ta vërë Veliajn në shënjestër për mashtrim dhe shpifje dhe kjo është “fair-play”.
Por kryetari i Tiranës në Rrogozhinë foli për veten dhe për kreun e PS. Në këtë rast, ndryshe nga fushata e muajit Maj, që të dy bashkë vuajnë nga formaliteti, premtimet dhe arroganca sa herë që afrojnë zgjedhjet. Ashtu siç e kemi vënë re jo rastësisht kalendari bashkiak dhe ai qeveritar mbushen plot me përurime, koncerte dhe axhenda VIP.
A mos vallë zgjedhësit e harruan shfaqjen në tarracën e bashkisë Tiranë, kur dy tre-ditë para zgjedhjeve, kryetari Veliaj punoi edhe jashtë orarit? Ai edhe në orën më të ndjekur televizive sakrifikoi me shërbimin e zyrës së tij për t’ju bashkëngjitur “Reality Show BB” për t’ia lexuar formulën e martesës, çiftit Big.
Paraja dhe influenca nuk ndalen kur raste të tilla të vijnë “falas” dhe “rastësisht”. Pra për vëzhguesit a do të shihej kjo vjelje e popullaritetit dhe a do të ndikonte kjo të nesërmen me votën në kuti?
E ndërsa imazhi për këtë kategori politikanësh ka shumë rëndësi, nga ana tjetër, paraja u kuptua se “fitohet me djersë” jo vetëm duke punuar jashtë orarit, por edhe duke pastruar plehrat dhe përpunuar në impjantet që nuk ekzistojnë.
Kjo fushatë rizgjedhjesh vendore ka dhe një paradoks tjetër, që duhet kuptuar, se çfarë sjell blerja e ndikimit të votës nga vitet e pushtetit të korruptuar socialist gjatë këtij dhjetëvjeçarit të fundit.
Kështu siç po rrjedhin ngjarjet a mund të dihet se përse Rama i mungoi mbështetjes së kandidatit të Rrogozhinës ,ashtu siç udhëhoqi turin qosh më qosh për zgjedhjet e 14 Majit?
Në fakt Ramës i kanë mbetur, veç Rrogozhinës, edhe Kukësi me Kuçovën, në qoftë se PS ka vendosur për ta thelluar rezultatin. Por kjo nuk mund të ndodhë pasi skandalet e ndjekin atë njëri pas tjetrit. Sot arroganca e Ramës është zbutur prej “Tigrit” që është larguar në drejtim të paditur dhe ky shqetësim i tij vlen më shumë se sa mungesa e kutive të votimit në burgun e Rrogozhinës. Një tjetër zbehje e daljes në fushatë lidhet edhe me frikën që kandidatët kanë për fitore. Tash e mbrapa, veç pikëpyetjeve, mbështetja shoqërohet me pasoja të hidhura dhe pa garanci, sepse Rama është i pari kryeministër i Shqipërisë që ka pas hekurave ose në kërkim një varg zyrtarësh të qeverisë së vet, që kanë abuzuar me pushtetin dhe kanë përvetësuar pasurinë e shtetasve. Në qoftë se ai ta bën nderin e fitores në fushatë, i bie që kandidati të mbajë më pas, si i zgjedhur, përgjegjësi për bashkëpunim në korrupsion.
Rasti Rama në fushatë për një kandidat po shëndrrohet në hartuesin e nekrologjisë ende pa filluar karrierën si një politikan apo zyrtar në shërbim të publikut. Motoja e dikurshme “Kap ç’të kapësh” kaloi tani në të paditurin e “thesit e dardhëve dhe mollëve” pas kurrizit dhe skandalet nuk përbëjnë aspak përgjegjësi në krye të qeverisjes.
Sot në se kërkon të gjesh mbështetjen me këtë nivel korrupsioni dhe nga këta politikanë ka vetëm dy qëndrime, kjo qoftë edhe vetëm për Rrogozhinën këtë rradhë.
E para do të ishte që kandidati të shpalosë vlerat vetjake mes banorëve të vet, ashtu siç ata e njohin, vetvetja dhe integriteti. Ndërsa të kërkosh të dytën, të pranosh mbështetjen nga ata zyrtarë të korruptuar që janë të fortit e përkohshëm para drejtësisë dhe që gjithmonë pushtetin kanë përdorur për pasurimin e vetes dhe rrethit të tyre, rezultati nga vota e publikut do të tregojë se je një humbës.
Unioni i GazetarëveShqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionells Albaniase de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Gionalisti Professionisti Albanesi di Diaspora (UGPAD)