Kur një qeverisje i ka konsumuar idetë dhe kur korrupsioni që mbulohet nga propaganda mbetet i vetmi element dallues, publiku duhet të jetë shumë përzgjedhës nga sa sheh dhe dëgjon se çfarë bën politika. Tashmë prej mbi 11 vitesh kostumet dhe këpucët e ndërruara, portreti i freskët nga terapia dhe meditimi, sikurse dhe flokët krehur e lëkura e tendosur janë më e dukshmja e forës pse karriget janë rrotulluar gjatë tre mandateve. Tani në Shtator, kur kanë mbetur vetëm pak muaj nga skadenca e mbathjeve* të reja, Rama vendosi të vërë metrin e rrobaqepësit (profesioni i tij i preferuar pas daljes nga politika), 187 klientëve të rinj të mundshëm të pushtetit e t’i vendosë ata përballë provës së kostumit të ri politik, me shijen dhe luk-un* pushtetar drejt 2030-ës.
Pra 187 klientë, 47 e të cilëve në listën e mbyllur do ta marrin Shqipërinë në dorë për ta çuar drejt Evropës.
Kjo është egoja politike dhe etja për pushtet me një mandat të katërt të Rilindjes Socialiste që doli nga Asambleja Kombëtare e PS e mbledhur në Golem, Durrës.
Pra 187 të larët, të krehurit, të veshurit, të kamurit, të blinduarit me roje dhe të paguar nga taskat e shtetit janë gati për ofertën e re të Edvin Ramës.
Po shtetasit që i zgjedhin dhe i punësojnë pushtetarët ku janë?
Tani për tani dhe me erozionin 11 vjeçar nuk ke më nga ta kapësh pasi popullsia ka emigruar jashtë vendit me 1/3 e saj. Të flasësh për ekonominë e varfër, rritjen e çmimeve, shëndetësinë, arsimin, energjinë, furnizimin me ujë të pijshëm, grabitjen e natyrës dhe ndotjen e mjedisit etj. këto do të ishin fare të pamjaftueshme dhe të mërzitshme si fakte sepse sipas filozofisë rienergjizuese të Rilindjes Socialiste, Shqipëria sot jeton vitet e një pas njëshme të lumturisë së mbi 10 milion vizitorëve si dhe të tregut më të madh të zbatimit të koncesioneve për frymë popullsie për çdo projekt zhvillimi që futet nën prioritet globale më parë se interesat jetike të popullsisë së vendit. Thënë shkurt, bukë, ujë dhe dritë!
E trajtuam kështu hyrjen e shënimit, pasi Asambleja e Rilindjes Socialiste fillimin e saj e kishte “interesant”. Zhvillimi ose shtjellimi i brendshëm në të si raporti, kritika, autokritika, zgjedhjet e organeve të reja, emërimet, përshëndetjet, thumbat, cinizmi “i humorit”, dyert e mbyllura apo të hapura etj. janë pjesa më e rëndomtë e njohjes me procesin dhe shërbimet që i bëhen makinerisë elektorale për pranverën 2025.
Pra le të ndalemi tek çelja.
Bledi Klosi i rizgjedhur në pozicionin që mbante Sekretar i Përgjithshëm që theksoi se:-“…arritja më e madhe është rienergjizimi i gjithë strukturës së PS, kontaktet me ta dhe përgatitja e strukturës sonë për proceset shumë të rëndësishme që kemi tashmë pas vendimmarrjes të kongresit të datës 8 Dhjetor (2023), që janë procesi i censusit të gjithë procesit tonë zgjedhor dhe pastaj të përgatitjes së gjithë strukturës së PS për të qenë të gatshëm për mandatin tonë të katërt, për të përgatitur PS për garën elektorale dhe natyrisht për t’i dhënë mbështetje vizionit të Edi Ramës ‘Shqipëria 2030’…”
Pas ftesës së mirëseardhjes nga Klosi, kryetari i PS Edvin Rama i vuri menjëherë pikat mbi i duke vënë theksin tek 135 anëtaret/et që marrin pjesë për herë të parë në organin e asamblesë duke nënvizuar se:-“… konsiderojeni një nder të posaçëm dhe një borxh të madh që ja keni kongresit që ju dha votën dhe përpiquni t’ua ktheni këtë borxh të gjithë anëtarëve të familjes sonë të madhe politike duke e kryer me dinjitet në komunitetet tuaja detyrën e përfaqësuesit të asamblesë”.
Kjo mjafton për të kuptuar publiku, më shumë se sa çfarë thuhet nga raportet që premtimet “do të” e bëjnë Rilindjen Socialiste të aftë që të mbysë me propagandë opinionin publik mbi programet, zgjedhjet dhe emërimet e reja dhe të gjithë strategjinë për të zotëruar edhe më gjatë suksesin.
Borxhi një koncept i detyrimit të shlyerjes, ofertë për atë që nuk ka se ku punon, ku jeton, çfarë krijon dhe mund të merret me politikë në qoftë se nuk zgjedh rrogën dhe “postin fajde” tek piramida e pushtetit të Rilindjes Socialiste, është ndoshta ai vizion i Ramës që del nga modulet e Akademisë Politike një veshje ideologjike progresiste që shkakton dhe “shëron” kriza për të mbajtur sa më gjatë pushtetin.
I veçuam pikërisht këto dy shtjellime pasi prej periudhës nga njëri kongres tek asambleja e përgjithshme, Rilindja Socialiste e kryesuar nga Rama ka mbledhur plenume, ka ndërruar ministre dhe ministra, ka drejtuar samite ndërkombëtare sikurse dhe ka shëtitur drejt tyre pa realizuar asgjë veç imazhit dhe të propagandës të cilat sot jo vetëm brenda vendit, por kryesisht me shqiptarët e diasporës që janë të interesuar për ta ndryshuar vendin, profili i tij politik mbetet ai i një autokrati të cilin vetëm vota e lirë do ta largojë.
Kjo asamble doli me emra drejtuesish jo të padëgjuar më parë.
Motoja rienergjizim, doli të jetë rizgjedhje e po atyre që janë në krye ndërsa ndjesia e borxhit tek ata që i afrohen elitës së Rilindjes Socialiste janë treguesit më të mirë për të kuptuar se kjo forcë politike në pushtet udhëhiqet me parimet e përfitimit dhe me propagandë. Fatkeqësi për ata shtetas të pandërgjegjësuar ende që 11 vitet e Rilindjes Socialiste që po vërtetojnë se kanë zhgënjyer demokracinë, rendin e së drejtës, ekonominë e tregut dhe zgjedhjet e lira, përsëri do të mashtrohen nga pritshmëritë dhe rezultati i një qeverisje të papërgjegjshme që sërish kërkon edhe një shtytje të pushtetit drejt 2030, “e zotuar” për t’i futur shqiptarët në Evropë.