Ndjekja e ngjarjeve gjatë javës që kaloi paraqiti interesimin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD), për të dhënë një këndvështrim mbi disa zhvillime të jetës ekonomike, politike dhe shoqërore në Shqipëri me situatën e re që po krijon përpjekja më e fundit e mazhorancës së majtë për të dalë nga humnera e krizës dhe e korrupsionit.
Pra, edhe pas 10 viteve të fundit në pushtet, i quani si të doni ndryshimet dhe trajtat e përshtatshmërisë historike të Rilindjes Socialiste sot nga e kaluara (PKSH-PPSH-PS-Rilindje), kalimi nga diktatura komuniste në një sistem demokratik po tregon se në këto 33 vite pluralizmi politik po humbet gradualisht duke shkuar edhe njëherë pas, në sundimin e një regjimi monist. Në një sistem parti-shtet dhe në përbërje sa për formë të një opozite krejt të pafuqishme.
Pushteti i socialistëve të sotëm është bërë krejtësisht autoritar dhe ka mbetur si i vetmi grupim në politikën shqiptare që propagandon se “bën vetëm përpara”. Partia Socialiste me këtë udhëheqje dhe e shkëputur nga interesat e zgjedhësve po vepron si një bllok për të mbrojtur interesat e veta. Në dhjetë vite qeverisjeje ajo ka gjetur mënyrën e qëndrimit në pushtet vetëm në sajë të përdorimit të burimeve financiare publike si dhe me fondet e zhvillimit, investime nga mbështetja e partnerëve ndërkombëtar. Kjo qeverisje në këtë mënyrë ka projektuar vetë-pasurimin dhe si të ishte një organizatë sekserësh, ajo po investon vetëm për një shtrirje të influencës së vet dhe për të mbrojtur vazhdimësinë e pushtetit mbi shpinë të popullit shqiptar.
Qeverisja socialiste e ka dëshmuar tashmë këtë pasi e qarkuar veten me biznesin strategjik, e mbron si rijësi zhvillimi ekonomik përmes vendimeve kryeministrore dhe e ka kthyer atë si një oborr frytdhënës i bllokut politik. Korrupsioni i politikës në PSSH është shndërruar si e vetmja formë e maskuar me pushtet për larjen e parave dhe fatkeqësisht mbështetet me verbëri nga vigjilenca e militantëve dhe e patronazhistëve, njësi me shpërblim dhe me përfitim qoftë edhe për një vend pune apo edhe për një rroge shtetërore. Një njësi njerëzish që veprojnë atëherë kur duhet, në fushatat zgjedhore dhe në ditën e zgjedhjeve për të siguruar “fitoren” si të ishte një makineri për vjeljen e votave.
Me këtë strukturë ideologjizuese veç të tjerave, kjo forcë e majtë politike e dhjetë viteve të fundit në pushtet po pretendon se ka akoma “vlera morale” për të drejtuar Shqipërinë edhe tani pas shfytyrimit të procesit zgjedhor 2023. Vetëm pak ditë më pas përsëritjeve të zgjedhjeve vendore në Rrogozhinë më 23 Korrik 2023, kur rezultati shënoi (PS 57.58% – BF 42.42 %), vota e lirë e humbi shumë shpejtë rëndësinë për t’u kuptuar dhe për t’u analizuar në tërësinë e përbërësve të procesit pasi skandale të reja shpërthyen njëri pas tjetrit. Pra vetë populli nuk arriti të kuptojë se çfarë dha vota e lirë. Kjo çështje nuk u qartësua. Procesi zgjedhor në vetvete u fshi. Zgjedhësit nuk arritën të shohin se si punuan kandidatët për afirmimin e vlerave të tyre në një bashkësi me 32 mijë votues dhe nuk u arrit të zbërthehej se cili ishte interesimi dhe se sa ishte pjesëmarrja e qytetarëve, etj.
Ky vrojtim u shua menjëherë dhe vetëm një ditë më vonë pasi me shpejtësi Shqipëria e tronditur përcolli një e nga një skandalet. U ndezën vatra të reja zjarresh nga temperaturat e larta të motit ku veç atyre në pyje dhe mbi qendrat e grumbullimit të plehrave që mendjen ta shpien tek inceneratorët, vëmendja u tërhoq brenda vendit dhe në mbarë rajonin. Tabloja e Shqipërisë gjatë këtyre pak ditëve të pas përsëritjes së zgjedhjeve të Rrogozhinës, mund të përshkruhej edhe kështu;
1-Kuvendi Popullor mbylli punimet me një seancë të fundme maratonë ku forca e kartonit theu rekordet e shkeljeve të procedurave dhe të jetës parlamentare. Ligjbërësit iu drejtuan pushimeve të gjata për t’u kthyer në muajin Shtator pa çka se skandalet e korrupsionit dhe krimit po pasojnë njëri pas tjetrit. Problemet para shtetasve dhe qytetarëve kanë mbetur edhe njëherë në pritje dhe në mos, të pazgjidhshme.
2- Turizmi që ka përparësi dhe reklamë të madhe, ka një pritshmëri rritjeje prej 30%. Kjo industri e rëndësi të madhe nuk mund të zbusë tregun informal që ka arritur në 60% dhe është koha kur leku shqiptar artificialisht është forcuar dhe po luhat frikshëm këmbimin valutor. Turizmi në këto kushte është shtrenjtuar në çmime dhe vendasit më shumë se gjysma e popullsitë nuk kanë burime financiare për të kaluar diku pushimet. Mjedisi i ndotur nga zjarret e padëshiruara në pyje dhe ca më rëndë vetëndezja në vendgrumbullimet urbane (fushat e plehrave), prish ajrin pranë bregdetit dhe çdo pritshmëri e bukur pushimesh tretet me shpejtësi në syrin e turistëve dhe të emigrantëve edhe pse muajt Korrik dhe Gusht njihen si muajt më kulmor. Fluksi i verës pra, po e humb edhe qetësinë për të marrë të dhënat dhe për të bërë bilancet e duhura ekonomike. Rrogozhina u përdor në fushatën e përsëritjes së zgjedhjeve edhe si një vend ku mund të zhvillohet “turizmi elitar” nga ana e propagandës socialiste. Urojmë për popullsinë e zonës që kjo parrullë zgjedhore të realizohet dhe qyteti të bëhet vërtetë i tillë në të ardhmen, por kjo fryrje nga ana tjetër nuk i la vend rastit që Rrogozhina të sillte një frymë të re për zhvillimin e votimeve. Dhe ky rast po ndodhte në pikun turistik dhe nënkuptonte ardhjen e emigrantëve dhe njëkohësisht dëshirën e mirë dhe interesimin qytetar me mundësinë edhe për të votuar.
Por jo! Kjo nuk ndodhi. Ndërhyrjet dhe parregullsitë nuk i lanë vend aspak studimit të interesimit të bashkatdhetarëve në diasporë me mënyrën se si do të mund të shkonte procesi votimit si një prani fizike i shtetasve. Ky aspekt u deformua që në fillesë dhe shprehja e aspiratave për zhvillim kombëtar u keqpërdorën. Shkeljet dhe parregullsia e votimit siç u bë e ditur nga disa burime lajmesh tregoi për disa imponime ndaj shtetasve që të fotografonin e fletën e votimit si një provë e sponsorizimit të udhëtimit. Thënë ndryshe një fakt flagrant shkeljesh ligjore dhe blerje e pastër e votës nëpërmjet rritjes së numrit të pjesëmarrjes nga shtetasit që jetojnë jashtë vendit. Këto raste duhen hetuar dhe verifikuar dhe ato mund të mbeten një fakt i mirë për gazetarinë investigative gjatë këtij sezoni veror me thatësi lajmesh. Rastet e blerjes së votës në Rrogozhinë kur të faktohen të tilla mund të na tregojnë se në Shqipëri po lind një precedent i ri për KQZ dhe për subjektet politike. Vota e diasporës me mënyrat e rikonceptimit rilindas rrezikon të shndërrohet edhe në trendin më të ri të pa parë në sistemet demokratike; blerja e votës me ulje çmimi prej “agjencive turistike zgjedhore”, në qoftë se diaspora do të përfshihet me ligj në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025.
3- Partitë politike në opozitë nga ana tyre humbën mesazhin dhe vijuan diku me analiza dhe diku tjetër me zgjedhje të reja në kërkim të vulës. Mosbashkëpunimi i opozitës ka sjellë përçarjen më të madhe pas 33 viteve pluralizëm dhe zgjedhësit kanë të drejtë të dyshojnë se një tjetër shkallë e korrupsionit po shfaqet në skenën politike. Atdheu është hedhur në treg dhe blerja e një pjese të opozitës nevojitet aq e mjaftueshme sa për të justifikuar në formë pluralizmin politik. Në anën tjetër blerja e interesave sjellin drejtpërdrejtë përjetësimin e një shteti autokrat në Shqipëri.
4-Socialistet në pushtet ndjekur çdo ditë nga skandalet, po lëvizin disi ndryshe. Ata zhvilluan asamblenë e tyre me dyer të mbyllura dhe nga ku shumë pak informacion media mundi të përcillte. Por si një qeveri që tani sillet e rikonceptuar, kjo nuk tregoi në përmbajtje asgjë më shumë se sa ndjekja e stilit dhe e frymës së vazhdimësisë së byrosë politike. Asambleja pra ka rikonceptuar në thelb atë që dikur quheshin plenumet puniste, grumbullime në prag kongresesh për të bërë gjithmonë pastrimin brenda radhëve dhe për të ecur vetëm përpara. Një demokraci sot e ndrydhur kaq shumë brenda radhëve të anëtarësisë socialiste sa po shuan meritat e individëve të suksesshëm brenda saj pasi udhëhiqet nga një figurë që ka të gjitha pushtetet dhe nuk mban asnjë përgjegjësi.
5- Ndërkohë që operacionet speciale policore me partnerët evropianë po shtyjnë funksionimin e drejtësisë dhe ku në pranga përfunduan vetëm një pjesë nga lista e krimit të organizuar nga rrjeti i të dyshuarve të deri tanishëm deri sa të provohen fajtorë faktet e reja që dalin për lidhjet e drejtpërdrejta të krimit të organizuar me zyrtarë të lartë shtetëror dhe politikanë.
6- Indekset më të fundit gjatë këtij viti për Shqipërinë mbi median, shpërdorimin e fondeve ndihmë nga BE për bujqësinë, krimi i organizuar, shkalla e dhunës, varfëria dhe rritja e kostos së jetesës janë bërë të pafuqishme ndaj korrupsionit dhe gjithshka në jetën e shqiptarëve ka shkuar drejt përkeqësimit.
7- Shumica televizioneve ku zakonisht ziejnë analizat mediatike për lajmet dhe situatat e nxehta së fundi ç’kyçën dritat e studiove i mbyllën thuajse me përsëritjen e së njëjtës frazë programet e rëndësishme;- “takohemi në sezonin e ri pas pushimeve”(!), a thua se beteja mbaroi. Pra objektivi i mediave duket sikur gjallërohet, punon dhe ushqehet vetëm atëherë kur kuvendi mblidhet në seanca dhe vetëm kur politikanët shfaqen dhe deklarojnë arritjet apo shprehin pakënaqësitë në shtyp.
8- Mosmarrja e përgjegjësive politike për krizën e shkaktuar në të cilën po kalon vendi nga kjo qeveri që ka tani ka në arrati zv/kryeministrin, në burg ka disa ish ministra dhe kryetarë bashkish, përgjegjëse për thellim të borxhit nga kreditë financiare, etj. pra edhe sikur të mos mjaftonin ato shtatë çështje të renditura më lart, lehtësisht kjo situatë na tregon se vetëm brenda një jave tani mes pushimesh kupa u mbush plot dhe mënyra më mirë për të zhvendosur vëmendjen e publikut mbetej shmangia me shfaqjen e re. Socialistët në pushtet futen me një term “të ri”, RIKONCEPTIM i QEVERISJES(!).
Në të vërtetë termi “RIKONCEPTIM i QEVERISJES” është një terminologji e turbullt dhe për së pari jo vetëm që është një plagjiaturë, por kjo terminologji mbetet një kopje e shëmtuar prej së majtës globaliste dhe e ekstremit progresist në botë që u frymëzua në kushtet e pandemisë për ta përhapur në shoqërinë njerëzore. Rikonceptimi si një koncept në zbatim, u imponua si një ideologji që shkon me veprime ekstreme për dëmtimin e integritetit të individit dhe të familjes në shoqëritë perëndimore duke cenuar liritë dhe të drejtat.
Kjo ideologji investohet nga filantropë dhe është mbështetur nga ata filozofë që eksperimentojnë dhe frymëzojnë globalizmin dhe njihen me shtytjen në politikë me termin “REIMAGIN”. RIKONCEPTIMI SHQIPTAR i QEVERISJES, lidhet ngushtë me të dhe ka në axhendën e përbashkët mbajtjen e pushtetit nga një grup elite që mund të mbijetojë vetëm përmes shkatërrimit të demokracisë, kufizimit të fjalës së lirë, ushtrimit të besimit të lirë duke depërtuar thellë për të shuar çdo trashëgimi dhe identitet kombëtar.
Në rastin e Shqipërisë, qeverisja socialiste mes këtij alarmi zjarresh vere, po RIKONCEPTOHET dhe mblidhet në takime si të ishte një shoqatë që nuk sheh ç ’ndodh dhe nuk ka asnjë përgjegjësi dhe sfidë para atyre qytetarëve që u ka marrë votën.
RIKONCEPTIMI socialist i qeverisjes në Tepelenë, ka për kohën dhe në konceptimin e atyre që e udhëheqin edhe një gjetje interesante. Ajo ka historinë re të tranzicionit të socialistëve fshehur mes tymnajës ideologjike që shpërndahet nga ata që duan të drejtojnë me dorë të fortë. Tepelena është mes të freskisë së verës, është në rrjedhën e Vjosës mes natyrës së egër dhe veç peizazhit piktoresk ka brenda edhe të shkuarën e socialistëve që më të rinjve në karrierën politike u kujton se atje është Bënça për ndëshkim dhe katarsis brenda partisë, atje është qyteti i jetëgjatësisë në politikë të veteranëve si Gramoz Ruçi.
Por Tepelena ka edhe të tjera këndvështrime që mund të përbënin sot lajme të vërteta mes nxehtësisë së verës në qoftë se socialistët do të lidheshin më shumë me realitetin dhe jetën e shqiptarëve të thjeshtë.
Media ka tani më tepër se kurrë mundësinë që të lartësohet e guximshme për misionin e saj. Ajo mund të mbajë në fokus gjithë këtë situatë që është një nga më të nxehtat në jetën e demokracisë shqiptare me detyrimin e ndërtimit e shtetit ligjor. Media sot ka gjithshka në dorë për të informuar drejtë me të vërtetat e ngjarjeve popullin dhe njëkohësisht për ta ndërgjegjësuar shoqërinë shqiptare në mënyrë që në qoftë se politika sot ka mbetur në mes të gropës së krizës, qytetarët mund t’i shkundin ata dhe i kanë mjetet demokratike.
Qytetarët shqiptar kanë të drejtën të protestojnë fuqishëm dhe ta ngrenë zërin e tyre përmes dhjetëra peticioneve duke nxjerrë zbuluar çdo korrupsion të zyrtarëve shtetëror dhe politikanëve. Shqiptarët e ndërgjegjësuar kanë mundësinë që ta drejtojnë fuqishëm ankesën e tyre duke ushtruar të drejtën kushtetuese përmes “Nenit 48″* duke i treguar ligjvënësve që kanë zgjedhur se ata janë punësuar nga qytetaria shqiptare në kuvend për t’i përfaqësuar drejt hapjes së rrugëve zhvillimit të vendit. Shtetasit dhe qytetaria shqiptare kanë mundësi të pastrojnë korrupsionin vetëm përmes drejtësisë në mënyrë që t’i sjellin vendit përmirësimin dhe rritjen e mirëqenies, të jetojnë në liri, të kenë siguri për jetën dhe të mbrojnë dinjitetin e tyre njerëzor.
* Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë KREU III LIRITË DHE TË DREJTAT POLITIKE
Neni 48
Kushdo, vetë ose se bashku me të tjerë, mund t’u drejtojë kërkesa, ankesa ose vërejtje organeve publike, të cilat janë të detyruara të përgjigjen në afatet dhe kushtet e caktuara me ligj.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionells Albaniase de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Gionalisti Professionisti Albanesi di Diaspora (UGPAD)