“SPAK-u është ilaçi i hidhur, që o e pi, o vdes…”, është një nga shprehjet që do të mbahet mend gjatë si hipokrizi elektorale sidomos kur politikën e qeverisjes e lidh me komedinë për ta kuptuar vërtetë realitetin shqiptar se sa i zhytur është në korrupsion. Me këtë qeverisje që zotohet se është ajo që do ta luftojë të keqen, popullit protestues i dalin lot nga e qeshura për të mbytur trishtimin ku jeta dhe vendi i tyre ndodhet sot. Këtë shprehje që; “…është ilaçi i hidhur, që o e pi, o vdes…” do ta kishte zili edhe veprimtari i vërtetë i Rilindjes Kombëtare Andon Zako Çajupi (1866-1930), kur ai shkroi komedinë politike “Pas Vdekjes” që tingëllon sot kur Shqipërinë nuk e lë korrupsioni të bëhet shtet.
Më 27 Maj, 2024 nga kryeministri Rama në Kuvendin e Shqipërisë, fiks një ditë pas rrëqethjes së dytë me diasporën shqiptare në Itali kjo recetë patriotike e tija doli papritur në shteg si dialogu i Dr. Adham-Uti-t: -“… o e pi, o vdes…”, ky kushti që të shpëtosh nga korrupsioni. A ngjason gati 100 vite më pas thuajse njësoj me këshillën e “mendjendriturit patriot” Adham-ut: ” preje shpejt që të shpëtojë tjetra!”*(?)
Kur kthehesh në realitetin shqiptar dhe e sheh me sy të qartë lartësinë e hileve dhe mashtrimit politik që ngrihet prej korrupsionit, shpresa e parë e çlirimit të vjen nga sarkazma e një komedie origjinale si ajo “Pas Vdekjes” e Çajupit. Të dëgjosh fjalimet pa thelb të Ramës dhe të mendosh se me to drejtohet administrata e shtetit, kjo çështje i ka sot të zbuluara të gjitha qëllimet e mbajtjes së pushtetit. Drejtësia po vijon me dy standarde dhe po vepron duke goditur me porosi dhe me zhurmë majtas sikurse dhe e kalon gjoja baraspeshimin, por duke bërë një dëm shumë të madh duke neutralizuar dhe shkatërruar institucionin e opozitës politike djathtas. Pra nga kjo pozitë kërkohet shpjegimi dhe prej këtu arrin të kuptosh vërtetë edhe thelbin propagandistik të vendimit politik të Rilindjes Socialiste me Rezolutën “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”. Votimi u bë në bllok 76 pro, 0 abstenime (kur janë 61 të pranishëm që nuk kanë votuar) dhe 2 kundër, ky qëndrim jo pluralist i vazhdueshëm i jetës parlamentare duhet të jetë një kambanë e fortë alarmi për popullsinë shqiptare, diasporën shqiptare dhe BE-në se në çfarë rruge po rrëshqet vendi.
Ky nuk është aspak një çast paniku për popullsinë shqiptare dhe diasporën që e duan vërtetë Shqipërinë të lirë, pluraliste dhe demokratike, por vërejtja e kampeve politike që nuk lëshojnë mbetet shqetësim i madh.
Duke mos dashur të ndalemi aspak tek recetat e Ramës si ato të Adham-Uti-t, duam të veçojmë përmbledhjen përplasjeve e argumenteve pozitë opozitë në Kuvend. Diskutimi i deputetit socialist Braçe ju përgjigj listës së shkeljeve të numëruara nga deputetja demokrate Zhupa me një kundra listë “familjare dhe biologjike” për korrupsionin që opozita trashëgon para këtyre 11 viteve të pushtetit rilindas që sot është i zhytur në dosje hetimore. Deputeti Gjiknuri, pavarësisht pozicioneve frenuese 2 vjeçare të ligjit zgjedhor, në fjalimin e tij rëndësinë e luftës së korrupsionit nënvizoi se perandoritë që nga Roma dhe deri tek BRSS ka rënë prej dekadencës, po kështu edhe tranzicioni shqiptar me tumorin e korrupsionit; “nuk mund të shpëtohet vetëm nga Drejtësia e Re dhe veçanërisht nga SPAK-u, por nga i gjithë kombi dhe ekzekutivi në rradhë të parë” dhe shpëtimin e aktualizoji me një shprehje të kryeministrit të tij Rama që është i pakënaqur me stadin aktual të punës së administratës. Ndërsa më tej në aliazhin e citateve të përzgjedhura Gjiknuri cituar një fragment të presidentin e SHBA-së J. Biden (3 Qershor 2021 WH)* për rëndësinë e korrupsionit duke u shprehur; “të luftosh korrupsionin nuk është thjeshtë mirëqeverisje, është vetëmbrojtje, është patriotizëm”. I fundit që do të mbështesim analizën në mesin e 3-4 orëve të diskutimeve të Kuvendit të Shqipërisë për Rezolutën “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, është Ministri i Drejtësisë Manja kur gjithë procesin e thelbësor të përfaqësimit të një deputeti të zgjedhur nga vota e popullit e shndërron në argument të “brilant” gjatë diskutimit të tij që nuk respekton rradhë dhe nxiton për diku tjetër jashtë seancës plenare: -“Ju jeni këta që jeni këtu që luftoni korrupsionin paradite në parlament me llogje, apo jeni ata që shkoni tek “Rrugica e Shpresës” pasdite?” “A jeni me Shqipërinë në BE, apo jeni me Shqipërinë “arrest shtëpie”? Se dy rrugë ka, të tretë s’ka”. U shprehëm i fundit pak më lart për arsyetimin e Ministrit të Drejtësisë pasi ky ishte dhe një nga diskutimet e lira siç thotë populli që “i vuri kapakun” shumë më herët rrjedhës së diskutimeve për një Rezolute me Presion, thellësisht e njëanshme për të cilën kur i referohesh veçanërisht pikave 5 dhe 6 të saj arrin të kuptosh se Rilindja Socialiste në këto tre mandate arriti së fundmi të zbulojë sektorët vunerabël ndaj korrupsionit.* Me sinqeritet duhet parë si shqetësuese gjendja e përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Shqipërisë. Elita e Rilindjes ka rënë në nivelin e përqeshjes dhe sarkazëmën e Çajupit që për të shpëtuar pjesën e “shëndoshë” duhet sakrifikuar diçka tjetër nga trupi dhe këtë zgjidhje ashtu sikurse Rama e thotë:-“SPAK-u është ilaçi i hidhur, që o e pi, o vdes…”, të kujton Dr. Adham-Utin kur i drejtohej Zenelit: “Un’ e kam gjetur këtë methodë të re: të dhemb një dorë? Preje qe te shpëtoje tjetra! Te dhemb një kimbë? Me vrap sharroe që të shpëtosh tjetrën! Të dhembe një sy? Kërreje shpejt që të mos sëmuret dhe tjetri! Kështu bëra dhe për time shoqe: i dhembi një ditë syr’ i djathtë: me vrap ja qita dhe sot syr’ i mëngjër ishte shëndosh’ e mirë, sa shukon dhe natën”…
Ky dialog i famshëm ka një filozofi popullore që buron nga vuajtjet që sjellin në një shoqëri mburravecët, fjalë shumët dhe përfituesit. Sa majtas edhe djathtas dalin edhe përfaqësues interesaxhinj që quhen sharlatanë dhe të përulur ndaj pushtetit dhe pikërisht në këtë kohë zhvillimesh të vrullshme populli shqiptar sy hapur duhet të dijë se cilin mund të zgjedhë për t’u përfaqësuar. Njerëzit kundrejt plagës së korrupsionit kërkojnë me zërin e vet të protestës lirinë e fjalës, një jetë me mirëqenie ekonomike, sistem drejtësie të pavarur nga politika. Deputetët Ata së bashku ndodhen përballë një vështirësie shumë të madhe përmes së cilës e duhet perceptuar realiteti dhe se si duhet veçuar propaganda dhe mashtrimi i elitës rilindase, kur shohim se veprim konkret të drejtësisë për ndëshkimin e korrupsionit nuk ka. Për më tepër me veprimet autokratike që kryeministri demonstron në Kuvend që hyn, largohet dhe kthehet për të parë forcën bllok të kartonit në votim, pasi përfaqësuesit e pozitës e dhanë shkurt përgjigjen e tyre, duhen parë si kërcënim real dhe shantazh i ushtrimit të lirisë së mendimit politik. Opozita fatmirësisht ka shumë për të bërë deri për zgjedhjet e ardhshme në qoftë se do ta meritojë drejtimin për ta shëndoshur Shqipërinë. Kalendari i veprimtarive politike fatkeqësisht për pozitës po shkon drejt “një qetësie” ku koha që Rilindjes Socialiste i nevojitej ta blinte, teknikisht është arritur. Legjislatura mbyllet. Fillon futbolli evropian bashkë me vapën verës shoqëria e pandërgjegjësuar i jep “pa kuptuar” jetëgjatësi korrupsionit.
____________
Komedia politike “Pas Vdekjes” nga Andon Zako Çajupi (1866-1930)
J. Biden (3 Qershor 2021 WH) “Fighting corruption is not just good governance. It is self-defense. It is patriotism, and it’s essential to the preservation of our democracy and our future”.
Rezoluta Antikorrupsion 27 Maj, 2024 pikat 5 dhe 6
5. Të konsiderojë domosdoshmëri jetike për të ardhmen e vendit thellimin e luftës ndaj korrupsionit e fenomenit të pandëshkueshmërisë në mënyrë kapilare në të gjitha nivelet, duke e vendosur në fokus të shoqërisë shqiptare dhe të të gjitha institucioneve të shtetit, përmes një përpjekje të bashkërenduar nga Kuvendi, zbatimit të objektivave të Strategjisë kombëtare antikorrupsion dhe të shoqëruar me rekomandime masash konkrete ligjore, institucionale dhe administrative veçanërisht për sektorët më vulnerabël ndaj korrupsionit (kadastra dhe të drejtat pronësore, taksat, doganat, arsimi, shëndetësia, përdorimi i fondeve publike, prokurimet publike, infrastruktura publike, etj), në të gjithë territorin e vendit;
6. Të thellojë më tej përpjekjet për forcimin e zbatimit të ligjit duke mundësuar një proces analitik vlerësimi dhe rekomandimesh me masa konkrete ligjore dhe institucionale që synojnë ndër të tjera edhe reformimin, me të njëjtën ambicie dhe thellësi siç vepruam me reformën në drejtësi edhe të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit që kanë në përgjegjësi luftën ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe administrimin e pasurisë publike, krimin ekonomik, parandalimin e pastrimit të parave, deklarimin dhe kontrollin e pasurive të zyrtarëve dhe konfliktit të interesit, auditimin dhe inspektimin financiar, kontrollin e brendshëm, informalitetin apo të mbikqyrjes së tregut, të rregjistrimit e administrimit të pronës etj duke synuar motivimin, integritetin, përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe efikasitetin më të mirë të këtyre strukturave në respektim dhe zbatim të ligjit në të gjitha nivelet e qeverisjes;
27 Maj, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)