Mjaft befasuese ishte dalja në një konferencë shtypi e Kryetarit të Komisionit të Posaçëm në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për Antikorrupsionin, Fatmir Xhafaj.
Duke formuar qartazi kornizën e pritjes vetëm të një pyetje për secilin nga gazetarët e pranishëm, Kryetari i komisionit Xhafaj nuk hezitoi të theksonte se ai do të përgjigjej vetëm rreth temës që lidhej me daljen nga mbledhja e komisionit në të cilin opozita nuk mori pjesë.
ATSH-ja në lajmin zyrtar me gjithë mospjesëmarrjen e anëtarëve të opozitës dhe e nënvizoi ngjarjen e ditës si: “Xhafaj: Reforma në Drejtësi e pakthyeshme, kontribut në dhënien fund të pandëshkueshmërisë”, një forcim mesazhi që buron nga frika dhe nxitimi i politikës së njëanshme të Rilindjes Socialiste që jo vetëm se e ka pronësuar tërësisht kauzën e reformës në drejtësi, por atë e sheh si mjetin për rimarrjen e mandatit të katërt. Një trofe elektorale me të cilën kërkon të ecë përpara edhe si një forcë e vetme politike. I skajshëm dhe i prerë ishte zhvillimi i konferencës për Komisionin që mban një emër serioz; “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”. Terminologjia që synonte të shpjegonte kryetari për median dhe ajo t’ia bënte të kuptueshme më pas publikut, ishte kaq e hermetike dhe e papërshkueshme sa ky komunikim nga dëgjimi i drejtpërdrejtë mbante peshën e vendimeve që dukej se dilnin nga gjuha ideologjike e burokratëve të aparatit të komitetit qendror të farkëtuar në Shkollën e Partisë së Punës.
Jemi më 2024 dhe po flitet për një reformë në drejtësi në fundin e 34 viteve tranzicion dhe ku ende gjuha politike moniste duket e pandryshuar dhe e huazuar për demagogji.
Do t’ua përshkruajmë pa nuanca*, por ndërtimi i fjalive dhe terminologjia e zgjedhur në këtë paraqitje janë sa imponuese në mënyrën se si po adresohet përmbajtja e një projekti reforme sa që politika pa dialog dhe sidomos vetëm njëra forcë politike që merr përsipër reformën i japin përmbajtjes së saj jetë-shkurtësinë. Pjesa tjetër e cila parashikon se do të përthithë kontributin e profesionistëve të fushës dhe institucioneve për interes të publikut mbetet jashtë dhe ka nxitim afatesh kohore pikërisht se zgjedhjet parlamentare po afrojnë.
E para çështje që duhet konsideruar është se kjo reformë po bëhet pa opozitën.
Që këtu premisa e reformës bie pavarësisht kufirit të largët BE 2030.
E dyta, kur përveç dokumentit që del, përgjigja ndaj pyetjeve të gazetarëve ndjek terminologjinë e papërshkueshme dhe togfjalësha si pakthyeshmëria, kuadri ligjor, tre shtyllat, 15 komponentët, 140 ligje, rritja e efiçencës etj. Dhe kur pretendimi bëhet se ky material do të publikohet në ‘faqet online’ së shpejti me po këtë ngurtësi termash propagandistikë mund të pranojmë se dogma dhe rudimenti i trashëguar i ideologjisë moniste nuk mund të rienergjizojë reformën. Publiku ka të drejtë të informohet se përse kjo shpejtësi (nxitim), për kohën dhe përse arritja e përfundimit të një reforme në drejtësi pa opozitën po kryhet. Të mos harrohet se një pjesë e mirë e saj, rreth 27 deputetë vazhdojnë vuajtjen e dënimeve për shkak të protestave të ushtruara ku ndëshkimi në bllok me fuqinë e kartonit që bën mazhoranca socialiste të rrëzojë apo të favorizojë çdo ligj për interesat e partisë-shtet.
E treta, është kur besimi në dogmën ideologjike pa mendimin kritik dhe dialogun mes palëve të shpie në përfundime të gabuara. Këtë mund ta ilustrojmë me një nga pyetjet e konferencës për shtyp të kryetarit Xhafaj kur Gjykata Kushtetuese është përgjigjur me shkrim se nuk do të jetë pjesëmarrëse me përfaqësues/ ekspertë të saj. Pyetja që u drejtua se përse është ky refuzim Kryetarit të Komisionit të Posaçëm për Antikorrupsionin, Fatmir Xhafaj u përgjigj se fjala refuzim është fjala e papërshtatshme në këtë rast: -“Nuk bëhet fjalë për refuzime. Sepse nuk refuzohet Kuvendi. Jemi Republikë Parlamentare. Kuvendi është shprehje e vullnetit të popullit. Sovrani i ka besuar pushtetin. Nga kuvendi gjenerojnë gjithë pushtetet. Ashtu sikurse Kuvendi nuk refuzon drejtësinë. Drejtësia nuk refuzon Kuvendin. Fjala refuzim është fjala e papërshtatshme në këtë rast”. Në qoftë se do ta merrnim të mirëqenë pohimin duke lënë me një anë konfliktet e interesit, vetingun e figurës së deputetëve, fuqinë e kartonit të mazhorancës për krijimin e mosmarrëveshjeve institucionale dhe kur presioni i politikës ka rezultuar me mos përfillje të pushteteve të pavarura, atëherë një gjë duhet kuptuar se pa opozitën, pa dialogun dhe pavarësinë e institucioneve nga politika ky proces është i dështuar.
Sovrani në rastin e besimit të pushtetit, është i ndërgjegjësuar dhe i ndjek ato proceset që e zhvillojnë ekonominë dhe janë në dobi të shoqërisë dhe mirëqenies së individëve dhe i ndan ato qartazi nga korrupsioni dhe keq qeverisja e pushtetit. Dhe kur një pushtet i korruptuar kërkon që të qëndrojë më gjatë, është vota e lirë dhe integriteti i saj që do të vendosin për të sjellë ndryshimin.
____________
29 Tetor, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)