SY M’SY APO FESTEN MBI SY
(Dy kryetarët rilindës që premtojnë online)
Pasi hedh poshtë situatën e presionit ndaj drejtësisë me çështjen Veliaj, pra atë që kryetari i bashkisë Tiranë ndodhet në arrest me burg deri tani për korrupsion pasiv (për 9 raste të përsëritura)*, dhe nuk justifikon dot precedentin me protestën e administratës bashkiake të frymëzuar politikisht që sulmoi me presion fizik institucionin e drejtësisë SPAK, kryeministri Rama ka gjetur si të vetmen rrugën përballje rrjetet sociale në kërkim të ndjekësve të Rilindjes Socialiste.
Tani pas dhjetë ditësh që prej ekzekutimit të masës së arrestit të Erion Veliaj situata është tejet kaotike. Nga njëra anë janë mesazhet politike që Rama drejton me apo kundër drejtësisë, si reformë e ndërkombëtarëve në bashkëpunim me forcat politike shqiptare apo vetëm pjellë e Partisë Socialiste të personalizuar nën vullnetin e njëshit kryetar Rama. Ndërsa nga ana tjetër Veliaj që edhe pse nga burgu rezulton në detyrë kur vazhdon jo vetëm me postimet online jo vetëm kundër masës së arrestit, por edhe me hedhjen e rubrikave të punëve të bashkisë për shkolla që përurohen, regjistrime për përfitimin e apartamenteve nga banorët e Tiranës dhe të tëra këto të botuara njëherazi që nga ATSH-ja dhe në mbarë mediat e tjera që luajnë rolin e zëdhënësit të qeverisë dhe që kërkojnë të bëjnë publikun për të ndjerë keqardhje për masat që ka marrë dhe merr prokuroria dhe gjykata.
Ky rrëfim ose e lë pa mend opinionin publik ose përfundimisht e bën atë të jetojë në dy realitete të çuditshme deri në zgjedhje.
Rama dhe Veliaj me sa duket nuk jetojnë dot pa njëri-tjetrin dhe ky mos frenim verbal në publik me objektiv goditjen e drejtësisë është kthyer në një domosdoshmëri të strategjisë zgjedhore ku nuk luhet jo më me imazhin, por me viktimizimin.
Sa e padrejtë është jeta?!
Me ata që bëjnë punë të mira dhe të ndershme merret drejtësia.
Në një qëndrim të mëparshëm të UGSHPD mbi lidhjen e pandashme Rama-Veliaj me nën titull (Dy anët e monedhës së pushtet-korrupsionit)*, në Nëntor të vitit të kaluar është paraqitur ky këndvështrim; –“Ai që qeveris sot, pra Rama ka nevojë për pranë dhe korrupsionin e Veliajt sepse do t’i duhet që t’i shkundë çdo qindarkë në emër të reformës në drejtësi po ja lypi puna.
Ka dy rrugë se si paratë mund të përdoren. E para, për të paguar shpenzimin e mbrojtjes nga avokatët dhe e dyta për të investuar tek votat për një mandat të katërt. Deri tani skema Rama-Veliaj ka funksionuar edhe pse është e dështuar. Por e keqja e demokracisë në gjendjen e saj ende të brishtë lidhet me sistemin drejtësisë”. *
Standardi i drejtësisë jo si armë ndaj kundërshtarit politik.
Pra jemi gati tre muaj më vonë prej atij qëndrimi dhe pavarësisht ndryshimeve të mëdha ndërkombëtare të nisura nga administrata e re Trump në SHBA që prej 20 Janarit 2025, pra vetëm në një muaj qytetarët shqiptarë dhe shqiptarët e diasporës po shikojnë kalbëzimin dhe mbrojtjen e pamundur të keqqeverisjes Rama jo vetëm sot, por fatkeqësisht manipulimin në tre mandate.
Mirëpo vetëm situata e dhjetë ditëve të fundit duket se ka trazuar mënyrën se si kampet e mazhorancës dhe të opozitës e kanë përthithur goditjen apo e kanë përdorur atë në dobi të strategjisë së tyre për të tërhequr interesimin e qytetarëve. Masa e arrestit me burg e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit Erion Veliaj.
Përballë korrupsionit, propagandës, censurës dhe medias, raportet mes opozitës dhe qeverisjes së degraduar janë të pabarabarta financiarisht jo vetëm për shtrirje të veprimtarive, por edhe për përdorimin e vendimeve të qeverisë dhe ligjeve të mazhorancës në kuvend për të joshur votuesit. Kujtoni këtu “Bonusin e Pranverës së Pensionistëve” nga Rama dhe nga Kuvendi dy projektligjet si “Paketën e maleve” dhe “Tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”. Këta të tre janë vetëm “marrshi i parë” i makinerisë elektorale dhe propagandistike të Rilindjes Socialiste. Kutia e shpejtësisë do të ndërrojë vetiu në qoftë se një malore e opozitës ose roje vigjilente e procesit zgjedhor nuk do të ndalojë prejen e shiritave aty ku elita e Rilindjes Socialiste ka imazhin dhe burimet e korrupsionit siç janë, rrugë, hekurudha, porte, aeroporte, ujësjellës, rrjet energjitik, shtëpi dhe apartamente të reja qytet dhe fshat e me dhjetëra histori të premtuara në zgjedhjet e 12 viteve të fundit.
Ndërsa opozita në kthjellimin e saj ka nevojë për një kauzë të nisur nga mesazhi i bashkimit për të ruajtur pluralizmin ashtu sikurse protesta qytetare e 20 Shkurtit, 2024 dhe po ashtu sikurse ajo e 34 viteve më parë e 20 Shkurtit, 1991 për liri dhe demokraci në gjithë Shqipërinë. Me protesta të gëzueshme dhe të vazhdueshme duhet shprehur qëndresa për t’i bashkuar qytetarët në mënyrë që kjo qeverisje të kuptojë banalitetin që ka sjellë bashkë me korrupsionin.
Koha e Ramës dhe Veliajt që nënqeshnin kundërshtarin “non grata”, Berishën me 333 “ditët e penxheres” tani kanë ndërruar vendet. Kemi frëngjinë dixhitale sot të Ramës që është i izoluar dhe i bllokuar deri në gjetjen e një rrugëdalje jo pa pasoja kur ai “betohet se e do votën edhe për një mandat të katërt”. Rama pas goditjes ndërkombëtare i mbetur vetëm me elitën dhe administratën e paguar për këtë ditë veç propagandës në strategjinë e komunikimit po ndërton edhe rezistencën mundësisht deri afër ditës së zgjedhjeve. Moralisht ai nuk ka më mundësi të mbledhë që pas dhjetë Shkurtit as samite ndërkombëtare, as të bëjë tubime elektorale në qytete të ndryshme të Shqipërisë apo t’i turret diasporës.
Ndërsa Veliaj nga ana e tij me fjalorin e ulët të zgjedhur ndaj çdo protestuesi të Aleancës për Teatrin Kombëtar, për Inceneratorin e Tiranës, për betonizimin e kryeqytetit e shumë të tjera deri tek struktura e famshme “5D” që ishte një investim i lidhur drejtpërdrejtë me influencimin e çdo raundi zgjedhjesh, mbahet mend si ironizuesi i hidhur i simpatizantëve demokratë në Rrugën e Shpresës” duke e quajtur atë ballkoni i “Romeo dhe Xhulieta”.
Me arrestin e Veliajt duhet kuptuar se skena nuk e ka ndryshuar protagonizmin antikorrupsion të organeve të drejtësisë, por ka thirrur rolet e korrupsionit në akte të reja dhe prej ku kriza e zgjedhjeve mund të prodhojë precedentë seriozë të “tronditjes energjizuese të bazës së votuesve”. Energjizimin e bazës (!) deri tek patronazhisti më i fundit Rama ka kohë që e kërkon brenda dhe jashtë në diasporë. E ndërsa kjo e dyta, turret e diasporës janë rrudhur në takime celulash dhe foto celularësh, një gjë është e dukshme dhe do të provohet se Rama ka më shumë kurjozë në faqen online se sa ndjekës po qe se do ta provojë diasporën para 11 Majit edhe njëherë në Greqi, Itali, SHBA, Angli. Pra edhe tani pas arrestit të Veliajt, Rama nuk ka heshtur megjithëse po përpiqet të luajë “antiamerikanin” pa u viktimizuar ende si non grata. Në fakt bashkë ata do të jetë përfaqësuesit e rezistencës progresiste në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë që do marrë me vete elitën që ushqehet me të njëjtën ideologji jo për parime, por për humbjen e përfitimeve që u solli sistemi i korrupsionit. Dhe me këtë llogari gjasat janë se askush nuk e rienergjizon dot bazën e nepotizmit të administratës dhe simpatizantëve të krimit ekonomik dhe të korrupsionit pa nën kampionin, pra pa daljen nga arresti me burg të Erion Veliaj.
Kjo është matësja dhe peshorja e fateve të Shqipërisë, e ardhmja e saj dhe nga standardi që do të dijë të zgjedhë drejtësia.
Ndaj ky rast duhet kuptuar mirë se përse Rama dhe blloku i kuvendarëve të rilindjes socialiste sot vazhdojnë dhe i dalin në mbrojtje Erion Veliaj duke e konsideruar atë ende një kryebashkiak në detyrë që po dënohet pa prova mbi disa fatura blerjesh online. Dhe pas kësaj, mburoja politike dhe ajo administrative vendore duke përfshirë mos veprimin e forcave të policisë për të siguruar institucionet e drejtësisë realizuan protestën e parë spontane antikushtetuese që mund të degradonte në konflikt të mos merret si një precedent serioz dhe të zbulohen përgjegjësitë. Kjo heshtje e rrezikshme tregon se shteti është tërësisht i kapur dhe protesta opozitare është i vetmi mjet që njerëzit të ndërgjegjësohen për të kuptuar se çdo të thotë një mandat i katërt i Ramës i pështjellë me “etiketën dhe varakun” e Bashkimit Evropian 2030.
Opinioni publik këto 10 ditë është ndeshur me të gjitha vlerësimet dhe qëndrimet e jo vetëm të opozitës, as edhe vetëm të analistëve në media por edhe me elitën e krisur të Rilindjes Socialiste që hesht dhe mbron vetëm pasi autokrati Rama shprehet.
Ndaj për respekt të kohës dhe padyshim edhe të gjithë këndvështrimeve frutdhënëse se përse duhet rrotacioni politik dhe përse është e nevojshme të luftohet krimi ekonomik dhe korrupsioni do të ishte e udhës ta përforconim në mbyllje edhe njëherë pyetjen se:-“përse Rama dhe blloku i kuvendarëve të rilindjes socialiste sot vazhdojnë dhe i dalin në mbrojtje Erion Veliaj duke e konsideruar atë ende një kryebashkiak në detyrë që po dënohet pa prova dhe vetëm për disa fatura blerjesh online ?”.
Pa hyrë në detajet që përfaqësojnë shumën përgjigja mund të merret përmes këtij krahasimi.
Shuma e gjetur sipas dy prokurorëve të SPAK duke ju referuar viteve 2016-2021, është 860.000 € (86,721,175 Lek).
Thënë ndryshe, shuma në faturën e blerjeve online është “e papërfillshme”. Ajo është vetëm vlera e 10 ditëve pagesë nga taksa paguesit e kryeqytetit për një shërbim që nuk e marrin prej disa vitesh siç është ai i pastrimit të mbetjeve urbane. Pra për një incenerator që ekziston për kryeqytetin si pjesë e një projekti të partneritet publik privat në procesin fundor të përpunimit të plehrave.
Askujt më shumë se sa asgjësuesit të gjurmës së Teatrit Kombëtar ose e rrafshuesit Veliaj kjo skenë e aktit të gjyqit me prezumimin e pafajsisë nuk do t’i shkonte si vlerë e asaj drame që popullsia e Tiranës dhe ajo e Shqipërisë po vuajnë nga qeveritarët dhe administratorët e korruptuar me ndërtimin e një sistemi të krimit ekonomik, të korrupsionit dhe të nepotizmit të administratës që riciklon qëndrimin në pushtet nga influenca e zgjedhjeve.
Siç vihet re, padashur edhe në këtë shënim nga dinamika e lajmit të ditës të rrëmben duke të larguar nga thelbi i problemit dhe fokusi i procesit zgjedhor. Ndaj për këtë rast gjithkujt që ka ndarë mendjen se përse duhet të votojë dhe kjo veçanërisht për diasporën vlen të theksohet se fokusi i vetëm që do të sjellë ndryshimin mbeten organizimi i opozitës për zgjedhjet e 11 Majit, regjistrimi dhe mbrojtja e votës. Pra të gjitha këto situata i kanë marrë kohë dhe edhe vëmendjen ecurisë së regjistrimit të zgjedhësve në diasporë. Deri tani rreth 150 mijë kërkesa për t’u regjistruar si dhe 25 parti politike në një kohë kur Kodi Zgjedhor duket i pa finalizuar. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në ditët e fundit ka patur dy veprimtari interesante përsa i përket zhvillimeve për zgjedhjet. Sipas renditjes kohore njëra, ajo e datës 13 Shkurt, e cila ka të bëjë me protokollin e koordinimit të SPAK, KQZ dhe Prokurorisë së Përgjithshme për krimin zgjedhor ku;
“… do të ketë prani aktive në terren për të monitoruar nga afër situatën tre muaj para zgjedhjeve dhe deri në përfundim të procesit të numërimit. Për këtë qëllim, do të krijohen mekanizma të dedikuar për të garantuar raportime të menjëhershme dhe ndërhyrje të shpejta në rastet kur evidentohen shkelje”.
Ndërsa e dyta, ajo e datës 18 Shkurt e cila lidhet me kërkesën e Partisë Demokratike për regjistrimin/votimin e diasporës me dokumente të huaja ku Komisioni Rregullator mund të vlerësojë në se ka nevojë për ndryshime:
“… kjo nuk përjashton çfarë Komisioni Rregullator është një organ tërësisht i pavarur nga Komisioneri Shtetëror, të bëjë dhe të vlerësojë se ka nevojë për të bërë në lidhje me rregullat për votimin nga jashtë, por edhe për çdo rregull tjetër të cilin ata mendojnë që është në kompetencën e tyre sa i përket përgatitjes së Kodit Zgjedhor”.
Deri sa zgjidhjet të konkretizohen, zgjedhësit shqiptarë brenda vendit dhe në diasporë e kanë të qartë se Atdheu sot ka humbur rininë dhe korrupsioni do të qëndrojë në pushtet po qe se nuk largohet nga masiviteti i votës së lirë dhe vullneti i shëndoshë patriotik i zgjedhësve.
____________
*procedimin penal Nr. 27 të vitit 2024– Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, për shtetasin nën hetim E. V., me detyrë, Kryetar i Bashkisë Tiranë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
20 Shkurt, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)