(Strategjia e përbaltjes për të fshehur narkoshtetin made in Albania në mes Evropës)
Narkoshteti made in Abania nuk është më lajm për një pjesë të mirë të medias shqipatre.
Narkoshteti ende nuk është lajm, megjithse mazhoranca votoi javën e kaluar rezolutën “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” .
Ende nuk është tharë boja nga receta që Rama lëshoi për korrupsionin:-“SPAK-u është ilaçi i hidhur, që o e pi, o vdes…”
Mjafton të besosh i verbër në këtë ideologji dhe të mos shohësh në realitet propagandën që të bindesh kjo është çështja.
Të rrojmë apo të mos rrojmë?
Këtë tashmë e kuptuam prej ATSH kur ajo përcjell vetëm mesazhet “e forta” të Ramës.
Që ATSH-ja (Agjencia Telegrafike Shqiptare), të ishte varfëruar kaq shumë prej promovimit ditor mbi sezonin turistik dhe bukuritë natyrore, pra vetëm me dy lajme të përcjella mbi Vjosën Park Kombëtar dhe Numërimin-Censin e Pelikanit Kaçurrel të Prespës, të lë të kuptosh se diçka nuk po shkon mirë në punët e shtetit dhe se kreu i qeverisë ndodhet në siklet. Ndodhet sepse lentat mediatike evropiane i kanë dhënë kohë dhe hapsirë fakteve të kapura dhe Rama zbulohet për korrupsion dhe Shqipëria cilësohet si një narkoshtet nga mediume italiane dhe gjermane, si Report-Rai 3 dhe Bild.
Të vetëdijshme për rolin e shtypit të lirë në vendet e tyre dhe përkatësisht me fuqi në krye të BE-së gazetarët italianë dhe gjermanë i përplasin faktet nga kërkimet e shumta të bëra mbi qeverinë shqiptare dhe kreun e saj pikërisht në javën prag të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian do të mbahen më 6-9 Qershor, 2024.
Këtë kohë të artë e kanë në dorë ata gazetarë që duan të ndërgjegjësojnë publikun, ata që duan të zhvillojnë një gazetari profesionale, të guximshme dhe që është e betuar për t’i shërbyer të vërtetës dhe publikut.
Këto cilësi vetëm arroganca autoritare e etur për pushtet të pakufishëm mund të tentojë t’i ndalojë, t’i censurojë apo t’i mohojë vetëm për një kohë të caktuar deri sa regjimi autoritar të marrë përgjigjen e fortë nga protesta qytetare dhe vota e lirë.
Këtë mësim kryeministri shqiptar Rama e di shumë mirë tashmë dhe pushtetin e kapur ka mundur ta maskojë me votë. Ky shtetar që blen pushtet është një “elitar” i pangopur për para sa që ka vënë në zbatim prej kohësh strategjinë çoroditëse të shoqërisë së hapur në një vend të vogël si Shqipëria e cila të mrekullon me natyrën dhe pasuritë, por të vret çdo ditë me shpopullimin dhe pastrimin e parave. Me një vend ku pushteti dhe propaganda kanë ndërtuar një sistem të favorizuar politik në të cilin edhe vota e lirë ka arritur të shihet si e pa kuptimtë dhe formale, demokracia është deformuar sa që ndjenja për ta ndryshuar vendin dhe ruajtur vlerat më të mira është vrarë, liria është fshehur nga frika, vota është blerë prej skamjes dhe është dhunuar prej bandave. Pra vota e lirë që është baza e demokracisë, është tashmë e kërcënuar dhe ndodhet në rrezik për zgjedhjet e ardhshme në qoftë se shqiptarët duan vërtetë një shoqëri pluraliste dhe një vend të lirë dhe me demokraci.
I nënvizuam rëndësitë e zgjedhjeve korresponduese BE dhe Shqipëri sepse ky prag na bashkon dhe na ndan nga vlerat evropiane pasi në 27 vende të BE-së janë 360 milion votues drejt kësaj fund jave, ndërsa në Shqipëri zgjedhjet e ardhshme të parakohëshme qofshin, të kushtëzuara prej korrupsionit dhe krizës/narkoshtet apo ato të parashikuarat për vitin 2025, janë sa 1/240 pjesë për nga madhësia, por qindra mijë herë më shumë për nga rëndësia për ta çrrënjosur një pushtet të kalbur që i ka rrëmbyer 1/3 e kohës së tranzicionit shqiptar.
Goditja paraprake e medias prej Ramës me forcën e pushtetit si kreu i qeverisë dhe duke e përdorur ATSH me tituj propagandistik nuk e nderojnë aspak Shqipërinë dhe statusin e saj ndërkombëtar si dhe përfaqësimin e Shqipërisë në BE.
UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës) ka monitoruar disa nga mediat si dhe artikujt pro dhe kundër qeverisë Rama për të dalluar objektivitetin dhe përcjelljen e një subjekti investigativ për plagën narkoshtet që po formon Shqipëria në Evropë. Ky union arrin në konkluzionin se argumentet, pikëpyetjet dhe pasojat nuk mund të mbulohen as nga zhurma e propagandës, as nga ironia dhe zhargoni shantazhues dhe as nga “kamikazët rilindas” që i përvishen studiove prime-time të televizioneve duke thashethemuar, duke rinumëruar arritjet 11 vjeçare të rilindjes në pushtet çoroditje brenda vendit si dhe duke rritur patosin patriotik në diasporë duke fajësuar opozitën. E gjithë kjo strategji e luajtur prej Ramës dhe Rilindjes Socialiste muajt e fundit është kaosi mediatik dhe propaganda për të demonstruar me ashpërsi se Rama është ai që e ka në dorë pushtetin.
Por nga të gjitha këto këndvështrime ku mediat e vendeve të BE-së arrijnë zbulojnë fakte tronditëse dhe t’i përcjellin ato për publikun e gjerë, duhet kuptuar se pushteti i korruptuar i Ramës është sot më i izoluari dhe më i dobëti se kurrë.
Qytetarët, opozita dhe diaspora shqiptare nuk mund të mendojnë sot thjeshtë dhe vetëm për votën e lirë se koha e saj po vjen. Por qytetarët, opozita dhe diaspora shqiptare duhet të bashkojnë forcat për ta larguar së pari këtë regjim që ka marrë peng zhvillimin e vendit në rradhë të parë për shqiptarët.
Janë tronditëse dhe banale komentet kryeministrore si dhe amplifikimi propagandistik i tyre nga entitete shtetërore dhe private mediatike pa i vënë lentat tek shkaqet dhe plagët. Do të ishin po ashtu propagandë dhe tërheqje nga thelbi i krizës numërimet e epiteteve dhe zhargoni shantazhues i kryeministrit kur pohon se “si dikur gazetar që luftonte për fjalë e lirë”, sot mundohet ta blejë, ta heshtë dhe ta dhunojë median me çdo mënyrë.
Faktet duan përgjigje dhe jo mburoja burracake.
Mendjemadhësia dhe arroganca e kryeministrit Rama, për t’u bërë tërheqës kur shprehet se:- “…që Shqipërinë as e ndal dot më kush dhe as e nëpërkëmb dot më askush” është një thirrje haluçinante politike e dalë nga një zyrë ku hardhucat, minjtë dhe gjarpërinjtë janë përplasur pas mureve për t’i impresionuar vizitorët dhe për t’u quajtur art. Ato janë më tepër një mesazh kërcënimi nga nervozizmi përtej sigurisë së situatës të dalë nga dora. Përtej kufijve të zgjuarsisë, etikës dhe gjuhës diplomatike.
Breshëritë e ATSH dhe “kamikazëve rilindas” janë ngritur në një nivel krejt tjetër prej argumenteve që kanë përcjellë Report-Rai3 dhe Bild. Argumentet për korrupsionin dhe narkoshtetin e viteve të qeverisjes nga Rama nuk mund të përballen me titujt që propaganda shtet zgjedh dhe i hedh me tituj për konsum si teza të lidershipit pas një interviste të dhënë në Rai3;
“Gazetaria duhet të flasë me fakte, jo të jetë megafon i kazanit të plehrave të politikës shqiptare”,…
“Liria e mendimit mund të vritet duke bërë gazetarinë tuaj”,…
“Unë nuk takohem me kriminelë, në rregull? Kjo është fyese”,…
“Do të shtohet numri i kullave, qindra-milionë të huaj nga BE po blejnë shtëpi e zyra”,…
“Becheti kriminel, i dënuar me 17 vite burg, gjyqi me të vijon në Belgjikë”,
etj. janë një tituj dhe teza që rrjedhijnë si pjesë e varfërisë së mendimit politik dhe aspak për të bërë transparencë me median.
Si mund të sulmojë kaq hapur kreu i qeverisë median dhe të vazhdojë të bëjë moral kur faktet e korrupsionit, vjedhjes masive dhe bashkëpunimi me grupet kriminale zbulohen deri në këtë shkallë?
Rama sot merr vetë përsipër edhe zhurmën mediatike për të hequr vëmendjen nga skandalet e anëtarëve të kabinetit të tij me drejtësinë, për skandalet e skemës së vjedhjeve të kreut të Bashkisë Tiranë para drejtësisë si dhe pritjen e ballafaqimit brenda Partisë Socialiste për pamundësi reformimi.
Rama kërcënon me mediat e tij pikërisht ato shtete demokratike që e lejuan atë të bëjë fushatë për rilindjen socialiste edhe pse zgjedhjet parlamentare evropiane ishin afër. E lejuan sepse ai mund ta provonte vetë se një sistem i shëndoshë demokratik ka tolerancën, njeh hipokrizinë dhe di të absorbojë kapriçot “nacionaliste” dhe rraciste.
Sa për korrupsionin dhe narkoshtetin (pas të cilave fshihet krimi) dhe pas kësaj gjuhe fyese ne ende nuk e dimë se edhe për sa kohë Rama do t’i qëndrojë besnik vazhdimit të turit me diasporën shqiptare në Mynih dhe Londër në të ardhmen ashtu siç e kishte shpallur turin?
Rasti i vazhdimësisë u thye.
A do të vazhdojë turi i diasporës dhe kush do ta investojë?
Kush do ta sigurojë Ramën dhe kush do ta presë?
A do të jetojë Rama mes krizave dhe a do t’i mbijetojë Kongresit të Partisë Socialiste të deklaruar prej tij për t’u thirrur tashmë në 12 Qershor, 2024?
A janë 50 mijë anëtarët me teserat më të reja të rilindjes gati për ta mbështetur frymën e një lideri partie që po mundëson instalimin e narkoshtetit?
Këto pyetje dhe këto qëndrime shqiptarët dhe diaspora do t’i kenë të qarta gjatë ditëve që po afrojnë së shpejti.
Gjithshka ka dalë zbuluar.
Sëmundja e korrupsionit dhe narkoshteti duhen pastruar.
3 Qershor, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)